Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman

17/08/2013

     

Kryeministri Berisha priti dje ambasadorin e ri të Gjermanisë në Tiranë, zotin Helmut Hoffman, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe  sukses në misionin e tij në Shqipëri.

Z. Hoffman tha se ishte i befasuar nga bukuria dhe zhvillimi i vendit, ndërsa vlerësoi kontributin e Kryeministrit  Berisha në  progresin e dukshëm të Shqipërisë, si dhe për kontributin, të cilin ai e quajti të jashtëzakonshëm, që Kryeministri Berisha ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, si dhe në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Ambasadori Hoffman vlerësoi pozitivisht organizimin e zgjedhjeve nga institucionet përgjegjëse, duke i cilësuar ato të qeta e të rregullta dhe  nënvizoi se kjo përbën një kontribut thelbësor në marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

Duke falenderuar ambasadorin Hoffman për vlerësimet pozitive ndaj qeverisë dhe për organizimin e zgjedhjeve të fundit në vend, Kryeministri Berisha  shprehu mirënjohjen dhe falenderimet në emër të tij, qeverisë dhe popullit shqiptar për mbështetjen e Gjermanisë në proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe asistencën e çmuar teknike dhe financiare që Gjermania i ka dhënë Shqipëri në 20 vitet e fundit në të gjitha fushat. Kryeministri i vlerësoi projektet e financuara nga qeveria gjermane si histori suksesi dhe shprehu shpresën që këto marrëdhënie të vazhdojnë të forcohen në interesin më të mirë dypalësh.

Kryeministri e njohu ambasadorin Hoffman me disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, të cilat i mundësuan vendit përballimin e krizës ekonomike, si dhe çështje të tjera. Në takim u bisedua edhe për çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal.


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit