Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Kryeministri Berisha inspekton punimet e rrugės hyrėse dhe shėtitores sė Velipojės, me vlerė 88.5 milion lekė

10/06/2013

     

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inspektimin e punimeve të rrugës hyrëse dhe shëtitores së Velipojës. Ky projekt me vlerë 88.5 milion lekë është financuar nga  BERZH- BEI dhe  Qeveria Shqiptare. Projekti  është  2.50 km dhe gjerësia e rrugës hyrëse është  12 m,  me trotuare në çdo anë, gjerësia e shëtitores është  5 deri në 8 m dhe nga ky investim përfitojnë  8.718 banorë.  Tashmë banorët e Velipojës dhe gjithë pushuesit  do të kenë një infrastrukturë turistike të parametrave bashkohore.  Të gjithë pushuesit që do të  kalojnë pushimet në Velipojë do të gjejnë një infrastrukturë me të  gjithë parametrat e një zone turistike bregdetare. Shëtitorja, e cila po ndërtohet nuk ka pasur ekzistuar. Rruga hyrëse ka qenë e ngushtë, pa trotuare, pa ndriçim  duke u bërë pengesë për qarkullimin normal të njerëzve dhe të makinave.

Gjatë inspektimit te shëtitores ne Velipoje, Kryeministri Berisha eci përgjatë shëtitores së plazhit të Velipojës, ku u përshëndet me qytetarë të shumtë dhe vizitoi disa biznese të ngritura përgjatë saj.

Mes tyre, Kryeministri u përshëndet edhe me disa pushues nga Kosova, të cilëve u uroi pushime të mbara dhe u tha se “atë (Ramën) e ka kapur tmerri dhe ku sheh kosovarë kujton kohën e vjetër. Se Enver Hoxha kudo që i shihte thoshte janë Titistë, ndërsa ky kudo që i sheh thotë janë votues të Sali Berishës. Ju të kaloni pushimet më të mirë e më të mbara në Shqipëri. Ju uroj ti kaloni gëzuar pushimet!”

Pas inspektimit, në një prononcim  Kryeministri u shpreh:

“Në Velipojë po ndërtohet një infrastrukturë ndër më modernet, e cila do të shndërrojë Velipojën në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë dhe Rajonit. Sapo inauguruam një rrugë 8 kilometra, e cila hap një territor sa plazhi i Durrësit për turizmin në Velipojë. Duhet të dini se rëra e Velipojës është rëra më e shëndetshme dhe më e mirë e gjithë Adriatikut. Ndërkohë një bulevard dinjitoz madhështor është në përfundime  sipër.  Sheshi i qyteti është  një nga sheshet më të bukura të vendit. Po ndërtohet  shëtitorja e  cila quhet  “Lungo Mare” buzë detit, për pushuesit dhe kjo do të ketë fillimisht 2.5 kilometra, por garantoj qytetarët që kjo do të ketë rrugën tjetër hap pas hapi, ajo për transportin, kjo për shëtitje deri tek rëra e hedhur e më tutje. Do të krijohet një ansambël  turistik magjepës  për vizitoret nga mbarë bota, sikundër do të lidhet dhe do të ndërtohet rruga e që lidh Velipojën  me Shëngjinin, e cila për 10 minuta i nxjerr në Lezhë dhe do të ndërtohet autostrada Shëngjin-Velipojë-Ulqin, që është edhe një nga komplekset më mahnitëse të detit Adriatik për turizmin, përfshirë këtu edhe një urë në lumin Buna  dhe të gjitha veprat e tjera të infrastrukturës.  Shfrytëzimi i potencialit turistik dhe shndërrimi i këtij potenciali në vende pune, për qytetarët e Velipojës, Shkodrës  e shqiptarëve. Shndërrimi i këtij potenciali në një potencial të ardhurash në biznese dhe mirëqenie është qëllimi ynë më kryesor. Theksoj edhe njëherë me një segment rrugore  8.3 kilometra, ne dyfishuam hapësirën e plazheve të Velipojës. Ne hapëm një plazh të ri pothuaj të barabartë me gjatësinë e plazhit të Durrësit. Ne flasim me vepra, ne flasim me fakte, me investime.  Zhvillimi është qëllimi ynë kryesor. Mohimi dhe nihilizmi është platforma e autobuzit mavi, platformë,  e cila nga xhamat e zi nuk sheh asgjë tjetër veçse rrënimin. Çdo shtëpi e re i duket kasolle e rrënuar, çdo ujësjellës i ri i duket burim i shterur. Çdo rrugë e re i duket një katrahurë me gropa, çdo hidrocentral i duket një humnerë, pra Shqipëria e autobuzit mavi ekziston vetëm në mendjen e banorëve të këtij autobuzi, i cili i ka shkëputur nga realiteti deri sa ti japim përgjigjen e merituar me 23 qershor. Kudo që shkon autobuzi mavi përpiqet të mbjellë zi, tu thotë qytetarëve se shtëpitë tuaja të reja, nuk janë të mira madje edhe nuk ekzistojnë, nuk janë tuajat, nuk i keni ndërtuar ato. Ai jeton sikur të ishte banor i fermës së George Orwell, por nga autobuzi nuk e nxjerrim dot ne, nga autobuzi do ta nxjerrin  pas 23 qershorit të vetët, që do ta nxjerrin në pensionin e përhershëm politik. I këshilloj të shkruajë veprën tjetër;  në kohën e gjyshit tim kaq anije vinin në Vlorë, atij i ka mbetur ora tek gjyshi i tij, ne ecim përpara. Ne ecim drejt Europës.

Pyetje: Zoti Kryeministër folët për rrugën Shëngjin-Ulqin, a ka një marrëveshje me qeverinë e Malit të Zi?

Kryeministri Berisha: Absolutisht po, ka një dakordsi të plotë. Me qeverinë e Malit të Zi jemi të marrë vesh në të gjitha aspektet e përpjekjes sonë të përbashkët, për të ndërtuar një kompleks të përbashkët turistik në interesin më të mirë të të dy vendeve. Jemi të marrë vesh edhe për një thellim të përbashkët të Bunës, me qëllim që Buna të bëhet e lundrueshme për anije turistike dhe do ti bëjmë. Problemi është  se potenciali turistik, që eksiton nga ishulli i Shën Jozefit, deri në Gjirin e Drinit është i mjaftueshëm për 3-4 milion turistë  në vit. Vetëm kërkon që të ndërtohet infrastruktura, po ndërtojmë impiantin e ujërave të zeza ,janë hapur tenderat, po fillojnë ndërtimet për këtë dhe po mbaron faza  e parë. Kemi ujësjellësin kemi investuar 9 milion euro në ujësjellës-kanalizime, jemi të pritur të ndërtojmë, që të zgjerohet kapaciteti turistik duhet detyrimisht infrastruktura turistike me moderne dhe ne po e ndërtojmë atë. Imagjinoni ju një moment. Që të lëshohet Velipoja ën gojë të Tom Doshit, a e kuptoni ju sesi do ta shqyente ai me anturazhin e tij. Shkoni shikoni se ç’ka bërë Koço në Himarë. Një nga bizhutë e vërteta të detit Jon ka shkuar dhe ka ndërtuar dy lugetër, ia ka zënë detin të gjithë pjesës tjetër të Himarës, ju kujtoni se Toma është ma pak i uritur. Toma është i uritur sa Koço. Jua them këtë qytetarëve të Velipojës, se çdo votë në drejtimin tjetër shkon ne kundërshtim me interesat jetike të tyre.”

 


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit