Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Kryeministri Berisha inauguroi pėrfundimin e rrugės Shkodėr-Hani i Hotit, investim 34.2 milionė euro

05/06/2013

     

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një investim me vlerë 34.2 milionë euro. Kryeministri e konsideroi këtë segment të një rëndësie rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, por edhe si rruga e komunikimit me Malin e Zi dhe vendet e tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë etj..

Rruga Shkodër-Hani i Hotit me gjatë 39 kilometra ndikon në fuqizimin  e korridorit veri-jug që nis në kufirin me Malin e Zi në veri dhe shkon drejt Greqisë në jug dhe Maqedonisë në lindje. Ky aks kalon nëpërmjet qytetit të Shkodrës, duke përmirësuar trafikun, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, parkime, trotuare e pistë për biçikletat. Të lidhur me të janë realizuar dy bypass-e, ai i Koplikut dhe i Bajzës, duke mare parasysh trafikun nga Mali i Zi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Njëkohësisht është rehabilituar pjesa urbane me gjithë infrastrukturën  e qytetit Koplik dhe Bajzë, duke i lidhur ato me dy bypass-et. Rruga në fundin e saj përshkon anash liqenin e Shkodrës.

Ndërsa e vlerësoi ndërtimin e saj në parametrat dhe cilësinë më të lartë, Kryeministri u shpreh se ndërtimi i një rrjeti modern rrugor ka qenë një nga zhvillimet madhore që vendi ka arritur në vitet e fundit. “Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë  Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe.”

Gjatë viteve 2005-2013, në qarkun e Shkodrës janë kryer investime me vlerë 670 milionë dollarë. Në infrastrukturën rrugore janë ndërtuar mbi 930 kilometra rrugë, kombëtare, rajonale dhe lokale, me vlerë mbi 200 milionë dollarë; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte , me vlerë rreth 15 milionë dollarë; 104 sisteme ujësjellës e kanalizimesh, me  vlerë rreth 35 milionë dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca me vlerë rreth 15 milionë dollarë. Në bujqësi janë investuar  mbi 35 milionë dollar, në kanale kullues, diga mbrojtëse ë sistemim tokash, si dhe janë subvencionuar 7 milionë dollarë ose 32 herë më shumë se Partia Socialiste. Gjithashtu, janë restauruar mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer  kështu në identitet rrugët dhe monumentet e mirënjohura të Shkodrës. Në fushën e energjetikës janë investuar 330 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet nënstacioni i Koplikut, Vaut të Dejës, Bushati, si dhe hidrocentrali i Ashtës, janë ndërtim 25 hidrocentrale, me fuqi 240 megavat dhe investim rreth 130 milionë dollarë. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e numrit të bizneseve të reja mbi dy herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8850 në vitin 2012.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të rrugës.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Koplikut, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më madh dhe mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Unë kam nder të veçantë të ndaj me ju sot, gëzimin e inaugurimit të kësaj rrugë kaq të bukur, e cila bën çdo udhëtar të mendojë se ecën në një vend, komunë e bashki të zhvilluar.

Rruga ndërkombëtare që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Malësinë e Madhe me Shkodrën e mbarë vendin është e një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e gjithanshëm të qarkut të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, është rruga e komunikimit me fqinjin tonë mik, Malin e Zi, por edhe vende të tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë, Slloveninë e me radhë. Rruga është e parametrave të shkëlqyera, e cilësisë më të lartë, një hyrje veriore dinjitoze për Shkodrën mijëravjeçare.

Me ndërtimin e kësaj rruge, qytetari shqiptar dhe miqtë e Shqipërisë, nga hani i Hotit deri në Gjirokastër udhëtojnë në rrugë të reja të ndërtuara në tërësi gjatë viteve 2006-2013, me ndonjë përjashtim fare të vogël. Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë  Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe.

Këto vite, ne ndërtuam sëbashku, mbi 10 mijë kilometra rrugë, ndërtuam qindra e qindra kilometra në qarkun e Shkodrës, punësuam në këto rrugë mbi 57 mijë qytetarë shqiptarë.

Në këto vite, sëbashku ndërtuam mbi 1300 shkolla në mbarë vendin, punësuam në këto shkolla mijëra qytetarë dhe nxënësit tanë ulen në to si në shkollat e standardeve më të mira  europiane.

Në këto vite, ne dyfishuam pensionet në fshat, rritëm me 120 deri në 150 përqind rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve.

Në këto vite, me uljen e madhe të taksave, ne ia dolëm që bizneset e vogla në Shkodër, Koplik e në mbarë Shqipërinë të rritem me 80 përqind, të mesmet e të mëdhatë të rriten 200 e 300 përqind. Në këto vite, ne ia dolëm të thithim rreth 4.2 miliardë investime të huaja e të krijojmë me to dhjetëra mijërave vende pune për qytetarët shqiptarë.

Ne financuam rreth 42 mijë projekte për fermerët shqiptarë. Këtu në Malësinë e Madhe, në Shkodër e mbarë Shqipërinë, sëbashku me investimet direkte të sektorit privat u krijuan në bujqësinë shqiptare mbi 100 mijë vende pune.

Këto vite, Shqipëria, e cila nuk ekzistonte në hartën turistike të planetit, arriti të renditet sipas Bankës Botërore, në dhjetë vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Ata që u punësuan direkt dhe indirekt në këtë sektor arrijnë në 150 mijë qytetarë shqiptarë.

Në këto vite, pas 30 vjet ndërprerjeje, nisi gara e madhe e ndërtimit të hidrocentraleve në Shqipëri, të cilat po punësojnë mijëra e mijëra qytetarë dhe to t’i sigurojnë vendit energjinë me koston më të ulët.

Këto vite, Shqipëria, e cila në vitin 2006 kishte shkallë qesharake të përdorimit të internetit, arriti në moshën dixhitale. Ajo po shkoj drejt niveleve më të larta në përdorimin e internetit dhe shërbimeve të tij.

Qytetare e qytetarë të Malësisë së Madhe, Shkodrës e mbarë Shqipërisë,

këto vite, sëbashku ia dolëm të bëhemi anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të sigurojmë përgjithmonë lirinë tonë kombëtare, ia dolëm të firmosim me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Europën, ia dolëm të heqim vizat e të lëvizim pa viza në mbarë Europën, ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat, ia dolëm të bëjmë reale ëndrrat shekullore të rilindësve tanë, të shqiptarëve të mençur, të vokacionit tonë perëndimor.

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj,

katër vitet ardhshme, qëllimi ynë më madhor është së pari, të marrim statusin e vendit kandidat, të hapim negociatat me Bashkimin Europian, të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Katër vitet që vijnë, me heqjen e taksave për çdo makineri, material dhe çdo gjë tjetër që bizneseve të të gjitha llojeve u nevojitet për prodhim, ne jemi të sigurt se bizneset në Shqipëri do të zgjerohen së paku me 40 përqind. Ne jemi të sigurt se katër vitet që vijnë, investimet e huaja në Shqipëri do të rriten së paku me 40 përqind, do të rriten nga 4.2 miliardë në 6 miliardë dollarë. Me këtë zgjerim, rritje të bizneseve do të rritet punësimi në biznese e industri në mbarë vendin, së paku, me 30-40 përqind.

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit tuaj masiv, sepse ne do të trefishojmë grantet për të gjithë fermerët shqiptarë, nga 56 milionë në 165 milionë dollarë, sepse për fermerët shqiptarë kemi dhënë mbështetje totale  e absolute, duke vendosur rimbursimin me para në dorë të të gjithë TVSH-së të mallrave, makinerive, farërave, fidanëve, plehrave e çdo gjë që përdorin për të shtuar prodhimin në fermat e tyre, sepse kemi vendosur të rimbursojmë me para në dorë akcizën e naftës. Kjo është mbështetja totale më e madhe që mund t’i jepet fermerëve shqiptarë dhe bujqësisë, në të gjitha sektorët e saj. Ne jemi të sigurt se me masat që kemi marrë, katër vitet që vijnë bujqësia shqiptare do të punësojë së paku, 30 përqind më shumë.

Plani ynë i punësimit për ju është një plan konkret e real. Në Shqipërinë dixhitale gjatë këtyre viteve u punësuan 13 mijë qytetarët. Katër vitet e ardhshme, Shqipëria në do të punësojë së paku, dy herë më shumë në teknologjinë e lartë të informacionit.

Katër vitet që vijnë, turizmi do të njohë dimensione të reja. Ne që sëbashku renditëm Shqipërinë në dhjetë vendet me rritjen më të lartë të turizmit në botë, katër vitet që vijnë jemi të sigurt se do të marrim nga 4.7 milionë që ishin vjet, 7 milionë turistë e vizitorë. Punësimi në këtë sektor do të rritet së paku, me 25-30 përqind.

Shqipëria e krijimit të vendeve të punës. Katër vitet që vijnë në mbarë vendin janë në ndërtim e do të ndërtohen qindra hidrocentrale të reja. Vetëm gjigandi i Devollit punëson direkt e indirekt gjatë ndërtimit të tij, rreth 5 mijë qytetarë. Hidrocentralet e Alpeve, kaskada e Vjosës dhe e lumenjve e burime e tjera ujore të vendit do të punësojnë dy herë më shumë se sot.

Ky është plani ynë, plan i bazuar në liritë tuaja ekonomike, i bazuar tek besimi tek energjitë tuaja, i bazuar tek taksat e ulëta e gjithnjë më të ulëta.

Ka edhe një plan tjetër, ai i rritjes së taksave. Plan që kërkon t’ju shesë të lartën për të ulëtën. Vëllezër e motra, taksa e sheshtë është taksa e të dhjetave, taksa më e ndershme në shekuj e mijëvjeçarë. Me këtë taksë, ai që merr dhjetë paguan vetëm një, ai që merr njëqind paguan vetëm dhjetë, ai që merr njëmijë paguan njëqind herë më shumë se ai që merr dhjetë. Taksa që ofron shoku i autobusit është taksa e paraqitur për herë të parë në Manifestin e Karl Marksit, neni 2 i tij, është taksa të cilën në vitin ‘46 e futi për herë të parë në Shqipëri, daja i shoferit të autobusit, Spiro Koleka, është taksa e largimit masiv të investitorëve të huaj nga Shqipëria, e rrënimit të dhjetëra mijëra vendeve të punës, e rritjes së papunësisë dhe çpunësimit masiv.

Ndaj ju ftoj më datën 23 qershor të votojmë të gjithë sëbashku për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për statusin e vendit kandidat, të votojmë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Më 23 qershor të votojmë për përfundimin në mbarë Shqipërinë të infrastrukturës rrugore, të ujit, dritave, shkollave, kanalizimeve, ujësjellësve më moderne që ju meritoni. Të votojmë për punësimin masiv të shqiptarëve, të votojmë për rritjen e rrogave dhe pensioneve tuaja, për rritjen e mirëqenies. Përpara! Përpara! Përpara!”


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit