Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Dita ndėrkombėtare pėr internet mė tė sigurt, ministri Pollo inkurajon operatorėt celularė, ISP-tė dhe aktorė tė tjerė tė angazhohen pėr njė internet mė tė sigurt pėr fėmijėt

07/02/2012

     

Zhvillimi i shpejtë i shoqërisë së informacionit në vendin tonë ka sjellë nevojën e marrjes së disa masave për të pasur një siguri të arsyeshme për përdoruesit e teknologjisë së informacionit. Një pjesë e madhe e përdoruesve të kësaj teknologjie janë të miturit e të rinjtë.

 

Në këtë kuadër, nga data 7-17 shkurt 2012, Ministri për Inovacionin dhe TIK ka filluar një fushatë bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi në veçanti me operatorët celularë dhe Internet Service Provider-at (ISP-të), me qëllim angazhimin e këtyre aktorëve për një internet më të sigurt, sidomos për të miturit. Kjo fushatë është e para e këtyre përmasave dhe përfshin organizimin e tryezës së sotme “Të gjithë për një internet më të sigurt”, në të cilën morën pjesë operatorët celularë dhe ISP-të, drejtues të TIK të ministrive, përfaqësues nga universitetet, përfaqësues nga OJF-të, etj.

 

Gjatë fjalimit të tij në tryezën e rrumbullakët Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Ne ofrojmë bashkëpunimin tonë për arritjen e shprehjes së një vullneti të përbashkët nga të gjithë aktorët e industrisë, përkrah dhe praktikave më të mira evropiane për nënshkrimin e Kodeve të Etikës. Duhet t’ju ofrojmë fëmijëve tanë mundësinë e raportimit të një abuzimi të mundshëm gjatë kohës që qëndrojnë në internet. Duhet të shfrytëzojmë zgjidhjet që teknologjia e avancuar ofron për programet e kontrollit prindëror. Dëshiroj gjithashtu që në këtë ditë, sipas modelit të praktikave evropiane, së bashku le të punojmë për krijimin e një Komiteti “SID Albania (Safer Internet Day)” me pjesëmarrje të gjerë.”

 

Fushata ndërgjegjësuese e MITIK-ës do të përfshijë edhe: mbajtjen e një konference përmbyllëse organizuar nga Microsoft në 17 shkurt 2012; në bashkëpunim me MASH, do të organizohen në shkollat e Tiranës dhe Durrësit (2 zona me përdorim më të lartë Interneti) disa seminare me prindër, nxënës, edukatorë; të gjithë operatorët mobilë, përmes celularëve, do tu dërgojnë abonentëve të tyre, një sms ndërgjegjësues, për ruajtjen e fëmijëve nga përmbajtje të papërshtatshme në internet; do të transmetohen disa emisione informuese dhe ndërgjegjësuese në televizionin publik dhe disa televizione të tjera; ditët e fushatës do të transmetohet një spot publicitar ndërgjegjësues, etj.

 

Në 6 shkurt 2007, me inkurajimin e Komisionit Evropian dhe si fryt i kooperimit me organizatat për mbrojtjen e fëmijëve e të rinjve dhe kompanive të sektorit, operatorë të telefonisë celulare, në vendet e Bashkimin Evropian, nënshkruan "Kuadrin Evropian për një përdorim të sigurt të telefonave celularë nga adoleshentët, të rinjtë dhe fëmijët”, me qëllim garantimin për një mbrojtje sa më të mirë të fëmijëve nga përmbajtje të papërshtatshme, që mund të transmetohen në Internet, edhe nëpërmjet telefonave celularë.

 

Në përmbushje të kësaj marrëveshjeje kuadër, operatorët e telefonisë celulare por edhe ISP-të kryesorë të vendeve të BE-së janë angazhuar të respektojnë një kod vullnetar të vetërregullimit.

 


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit