Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


U DH Ė Z I M PĖR FORMĖN, MĖNYRAT E PROCEDURAT E RAPORTIMIT TĖ TĖ DHĖNAVE SUBJEKTEVE, AGJENCISĖ SĖ LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TĖ ZONAVE/NDĖRTIMEVE INFORMALE DHE ZYRĖS QENDRORE TĖ REGJISTRIMIT TĖ PASURIVE TĖ PALUAJTSHME, NĖ KUADĖR TĖ PARANDALI

01/04/2009

     

U DH Ë Z I M 

PËR

FORMËN, MËNYRAT E PROCEDURAT E RAPORTIMIT TË TË DHËNAVE SUBJEKTEVE, AGJENCISË SË LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE  DHE ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, NË KUADËR TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “j”, 19 e 28, pika 1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

                                                                                                   U DH Ë Z O N:

                                                                                                         Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i formës, mënyrave dhe procedurave raportuese të subjekteve, të parashikuara në shkronjë “j”, të nenit 3 dhe të nenit 19, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”. Ky udhëzim parandalon përdorimin e këtyre subjekteve për pastrim parash dhe financim terrorizmi.

                                                                                                    Neni 2

Përkufizimet

 

1.      Termat e përdorura në këtë udhëzim do të kenë të njëjtin kuptim me termat e përkufizuara në nenin 2, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

  

-           “Raporti i aktivitetit të dyshimtë” (RAD) është formulari, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi dhe që u mundëson subjekteve raportuese të zbatojnë kërkesat e pikës 1, të nenit 12, të ligjit, përmes respektimit të instruksioneve që e shoqërojnë atë.

-          “Raporti i Transaksionit të Parasë Fizike” (RTPF), është formulari, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, dhe që çdo subjekt raportues detyrohet ta plotësojë dhe ta raportojë për çdo transaksion në para fizike në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, ose kundërvlera në monedha të tjera të huaja, të kryer si një transaksion i vetëm, ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin, sipas kërkesave për raportim të përcaktuara në pikën 2, të nenit 12, të ligjit.

-          “Raporti i Transaksionit të Vlerave” (RTV), është formulari, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, dhe, që çdo subjekt raportues detyrohet ta plotësojë e ta raportojë për çdo transanksion jo në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se  6 000 000 (gjashtë milionë) lekë, ose kundërvlera në monedha të tjera të huaja, të kryer si një transaksion i vetëm, ose si transaksione të lidhur me njëri-tjetrin, sipas kërkesave për raportim të përcaktuara në pikën 2, të nenit 12, të ligjit.

-          “Raporti i vetë-kontrollit” është formulari, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, dhe, që plotësohet dhe raportohet nga subjektet e ligjit me kërkesën e Autoritetit Përgjegjës në baza gjashtë mujore dhe/ose  vjetore, në lidhje me masat e marra prej tyre, në zbatim të kërkesave të shkronjës “ë”, të nenit 11, të ligjit. Ky raport për masat e marra për PPP/FT mund të jetë i pjesshëm ose i plotë.

 

Neni 3

SUBJEKTET

 Për efekt të zbatimit të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit  të parave dhe financimin e terrorizmit”, subjekte të këtij udhëzimi janë Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimore Informale dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

Neni 4

RAPORTIMI TEK AUTORITETI PËRGJEGJËS

 

1.      Subjektet raportuese, që dyshojnë se transaksioni/et, prona/at ose marrëdhënia/et e biznesit janë produkt/e i/të veprës penale ose ka/kanë për qëllim të përdoret/n për financimin e terrorizmit, menjëherë, por jo më vonë se 72 orë, i paraqesin një raport të  veprimtarisë të dyshimtë (RAD), autoritetit përgjegjës sipas formularit të RAD, që i bashkëlidhet  këtij udhëzimi.

 

2.     Subjektet e këtij udhëzimi, me anë të raportit të vetëkontrollit, me kërkesën e autoritetit përgjegjës, duhet të raportojnë për masat e marra për zbatimin e  kërkesave të ligjit.

 

3.     Raportimet bëhen me anë të formularëve, të cilët dërgohen me postë elektronike, ose edhe me postë të zakonshme. Për rastet, kur subjektet zotërojnë një informacion të rëndësishëm dhe urgjent për t’u përcjellë, raportimi bëhet me telefon. Informacionet e dërguara në mënyrën e sipërpërmendur, gjithashtu duhet të dërgohen tek autoriteti përgjegjës me anë të formularëve.

 

4.     Autoriteti përgjegjës ka të drejtë të kërkojë edhe informacione shtesë. Kur ky informacion është urgjent, duhet të jepet edhe verbalisht. Kjo kërkesë duhet të dokumentohet brenda tre ditëve pune me anë të një shkrese.

 

Neni 5

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Për zbatimin e këtij udhëzimi dhe të anekseve, që i bashkëlidhen si pjesë organike të tij:

 

-          Aneksi I, “Raporti për Aktivitetin e Dyshimtë” (RAD);

-          Aneksi II, “Raporti i Transaksioneve të Parasë Fizike” (RTPF);

-          Aneksi III, “Raporti i transaksioneve të Vlerave” (RTV);

-          Aneksi IV, “Raporti i Vetë-Kontrollit”,

 

dhe të instruksioneve përkatëse, ngarkohen subjektet ALUIZNI e ZQRPP.

 

Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për kontrollin e zbatimit të këtij udhëzimi.

 

Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, udhëzimi i mëparshëm, formularët dhe instruksionet e përdorura nga subjektet raportuese, shfuqizohen.

 

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

                                                                                           K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

 


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit