Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
 

Sot u zhvillua mbledhja e Këshillit të Ministrave, në hapje të së cilës Kryeministri Berisha trajtoi kërkesën e Organizatës së Frankofonisë për të kontribuar në stabilizimin e Malit, për të cilën Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare i përgjigjet pozitivisht asaj dhe ofrohet për të dhënë kontribut në kuadër të kësaj organizate, në stabilizimin e gjendjes së këtij vendi afrikan. Kryeministri trajtoi edhe disa çështje të tjera si më poshtë:

“Sot kemi dy çështje të rëndësishme. Organizata e Frankofonisë kërkon mbështetje nga vendet frankofone për të kontribuar në stabilizimin e Malit. Rreth një vit më parë, qeveria franceze ndërmori një nga operacionet më të shkëlqyera në rrafshin ushtarak dhe parandaloi me ndërhyrjen e saj të vendosur, sëbashku me mbështetjen e vendeve afrikane, vendosjen në këtë vend të madh, të rëndësishëm, të një regjimi terrorist të dominuar tërësisht nga Al Kaeda lokale. Kjo ndërhyrje efikase ka qenë një kontribut madhor në paqen e stabilitetin që republika franceze dha në rajonin e Afrikës. Është e domosdoshme që ne të bashkohemi me vendet e tjera frankofone e të japim kontributin tonë. Ka një problem që duhet ta zgjidhim, sepse policët apo oficerët që do të dërgohen kërkohen mundësisht frankofonë, por që mund të fillojë një kurs i shpejtë me ata që kanë njohuri nga shkolla.

Ne kemi qenë në Çad në kuadrin e OKB-së, mund të jemi edhe këtu në kuadrin e frankofonisë, një organizatë në të cilën Shqipëria aderon për shkak të një vokacioni të qartë frankofon që ekziston në traditën kulturore të kombit tonë. Nga ana tjetër, ky është një rajon shumë nevralgjik në luftën kundër terrorizmit. Aty janë gërshetuar rrymat më të egra të Al Kaedës dhe terrorizmit dhe në këtë kontekst, konsolidimi i një rendi demokratik në Mali është një arritje e madhe për të gjithë Afrikën. Ndaj do t’i përgjigjemi pozitivisht. Natyrisht, qeveria që vjen do të jetë ajo që do të zbatojë apo vërë në jetë këtë vendim, por unë them se në vija të përgjithshme politika e jashtme mbetet stabël, me disa ndryshime të vogla apo me disa teprime të vogla, teprime që janë të pashmangshme kur ka diletantizëm dhe janë pjesë e kontornos.

Së dyti, kam zgjedhur të përgëzoj administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në një kohë kur qeveritarët e ardhshëm i binin gjoksit në diell e ku vazhdojnë të jenë në resorte 3 mijë euro nata, për gropën e madhe financiare, unë njoftoj shqiptaret se administratat tatimore e doganore kanë funksionuar me integritet të larta, çka nuk është e thjeshtë, pasi stihia antishtet e piktorit synonte të paralizonte tërësisht administratën. Hapja e tenderit, me në krye kushërirën, për fshesën në administratë ishte gjithashtu një sinjal shumë negativ që i dërgohej administratës. Por administrata është një pasuri shumë e madhe e vendit dhe ajo, në zbatim të ligjit, ia ka dalë që në tatime të realizojë në masën 106.7 përqind planin e vet, që e krahasuar me korrikun e vitit të shkuar, të mbledhë 7 përqind më shumë. Ndërsa doganat kanë mbledhur 16 përqind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar. Në qoftë se doganat janë në 95 përqind të planit në tërësi, kjo sepse ka hyrë në fuqi ligji për heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e makinerive, për panelet diellore e për gjithçka që përdoret për prodhim në Shqipëri dhe megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, doganat janë në nivelin 16 përqind më shumë. Duhet të ishin më shumë, sipas planit që ka përcaktuar ministri Bode, i cili në plan e ka 21 përqind më shumë për këtë vit, por ne i hoqëm TVSH-në dhe të ardhura të tjera. Ajo që është për t’u lavdëruar është se ata nuk e kanë lëshuar punën, kanë punuar me përkushtim, me vendosmëri, në një presion dhe terror psikologjik të pamerituar. Ndaj unë dua t’i përgëzoj, pasi ky është një zhvillim shumë pozitiv.

Sikundër zhvillime pozitive janë edhe gjendja, do të thosha e shkëlqyer e tregut financiar në vend, ku bonot po blihen me interesat më të ulëta, rekord. Inflacioni i muajit të kaluar ishte 0.8 përqind më i ulët se muaji korrik i një viti më parë dhe kjo, jo se njerëzit kanë mbyllur gojën e nuk po hanë, siç shkruan shtypi i Partisë Socialiste, por se ka një prodhim të madh, të gjithanshëm, si rezultat i politikave të nxitjes së prodhimit. Ky tregues është dëshmi e stabilitetit të shkëlqyer makroekonomik. Po kështu, ka rritje të eksporteve të vendit me 27 përqind në muajin korrik. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar kur ato ishin 10 miliardë lekë, korrikun e këtij viti ishin 13.7 miliardë, pra, një rritje prej 3.7 miliardë ose 27 përqind. Ndërsa rieksportet, pra prodhimi fason, ka qenë 8.6 miliardë lekë korrikun e viti 2012, është 11.5 miliardë korrikun e këtij viti, ose një rritje me 20 përqind. Edhe këto janë dëshmi e një ekonomie që po e përballon krizën, jo pa vështirësi, sepse ka tregues të tjerë si për shembull, kompanitë nuk marrin kredi. Dhe kjo s’ka si të ndodhë, kur piktori sulmon nga mëngjesi në darkë bizneset, sulmon procedurat, sulmon koncesionet, sulmon dhe vetëm sulmon. Në qoftë se një njeri, i cili  pas dy javësh a kur i takon do të ulet në këtë karrige, sulmon nga mëngjesi në darkë koncesionet, aktet tregtare, transaksionet, natyrisht, biznesmenët thonë të mos hyjmë në borxhe, Zoti na ruajt, çdo të jetë ky njeri. Por është e njohur se asgjë nuk trembet më shumë se paraja. Tani ka nxjerrë shpatën e po merret me të vetët. E keni parë që bregu mavi që u festua para dy vjetësh po del tani bregu mavri. Dy vjet më parë festuan nga Velipoja në Ksamil, tani del që kjo ka qenë fatkeqësia e bregut. Por kjo është lule, nuk është asgjë se çdo të dalë shumë shpejt.

Ndaj u bëj thirrje të jenë të kujdesshëm. Luftën politike ndaj kundërshtarit ta bëjë si të dojë, por të mos e shtrijë atë tek bizneset. Bizneset janë vende pune, janë të ardhura, pa të cilat makineria e shtetit paralizohet. Kjo është e dhimbshme, pasi trembet biznesi, i cili më pas nuk merr kredi. Bankat vetë nuk kanë interes të japin shumë kredi, por kur trembet biznesi, ky është e fundit. U dërgon mesazhe punonjësve të bankës dhe u thotë ku e keni makinën që prisni paratë për qeverinë. Kjo tregon për ekipin e tij dhe në ekip, ai ka edhe një ish guvernator, por që koha e tij ishte koha kur ka qenë zëvendëskryeministri i Partisë së Punës të Shqipërisë, kohë në të cilën paratë priteshin sipas urdhrit të partisë. Zotëri, makina që pret paratë për qeverinë është disiplina e administratës, mbledhja e të ardhurave në dogana  e tatime dhe në shitje. Këto janë burimet dhe janë gjëja më transparente që ekziston. Sa kërkon poshtë e përpjetë makinën ku priten paratë, më mirë të mësojë burimet ligjore të krijimit të të ardhurave. Injoranca nuk është asnjëherë argument.

Zotërinj ministra, jemi në mbledhjet e fundit dhe kërkoj në mënyrë të vendosur që pasardhësve tuaj t’u lini në tavolinë listën e projekteve në vazhdim dhe për çdo projekt në vazhdim, në drejtorinë përkatëse duhet të jetë dosja, të cilën duhet ta keni kontrolluar. Të mos harroni se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe mund të thonë se nuk gjetëm dosje. Ndaj një kopje të dosjes do ta merrni me vete dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Kjo do të bëhet. Ne kemi detyrë ndaj qytetarëve. Qytetarët i kanë votuar dhe ne respektojmë plotësisht qytetarët shqiptarë. Me disiplinë të hekurt do të lihet lista e çdo projekti, në ç’fazë është, ku dhe sa duhet për t’u përfunduar. Një kopje të dosjes e marrin ata dhe një kopje ministri, në mënyrë që ta ndjekim. Kjo është trashëgimia jonë, së cilës, po deshën t’i vënë vizë a kryq, të bëjnë si të duan, por ne kemi funksionuar në mënyrë që shteti të funksionojë, ekonomia të funksionojë, zhvillimi të funksionojë. Dhe në të gjithë sektorët janë me mijëra projekte në vazhdim dhe uroj që të ecin përpara.

Sot kemi një seri projektvendimesh shumë të rëndësishme. Së pari, vendimi për përcaktimin e procedurave të ushtrimi të kompetencave dhe rregullave të Inspektoratit Qendror për përmbajtjen dhe administrimin e portalit unik e-inspektim. Një nga arritjet më të mëdha të reformave tona ishte vendosja e inspektoratit dixhital dhe reforma në tërësi e inspektorateve që nga 36 u reduktuan në 11 dhe ditët që inspektorët i “grabitnin” biznesmenëve nga 45 u reduktuan në 11. Sigurisht, kjo është një reformë për t’u konsoliduar. Për këtë reformë është punuar më shumë se dy vjet, me ekspertët më të mirë të botës dhe janë shqyrtuar modelet më të suksesshme si ai Holandës apo dhe vendeve të tjera. Uroj që kjo reformë, në interesin më të mirë të vendit, të eci përpara e të konsolidohet, pasi është në hapat e saj të parë.

Sot, nëse më pyesni, do ta quaja ditën e energjisë. Janë dy parqe eolike që licencohen nga Ministria e Ekonomisë dhe janë dhjetë hidrocentrale, koncesione, të cilat u akordohen në përputhje me ligjet e vendeve, kompanive të ndryshme. Dua të sqaroj qytetarët se procedura e koncesionit është një proces shumë i gjatë, i cili fillon me studimin fillestar të burimit, ndonjëherë edhe me vëzhgimin e tij më shumë se një vit, me studimin e gjeologjisë, pronës e shumë aspekteve të tjera. Kjo procedurë ka qenë e mbetet historia më e madhe e suksesit të këtij vendi. E nisur në vitin 2007 e deri më sot, me këto dhjetë hidrocentrale shkon në 370 numri i hidrocentraleve të dhëna për t’u ndërtuar me koncesion në të katër anët e vendit, nga 444 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha, që janë përllogaritur për t’u ndërtuar, pa llogaritur ato mikro që janë me mijëra, për të cilat kërkohet një kuadër më nxitës. Unë e përgëzova dikë kur më tha se mullirin që kishte do ta kthente në hidrocentral. Natyrisht, uji përbën pasurinë kryesore për Shqipërinë dhe qëndrimi i mbajtur nga ekipi socialist ndaj koncesioneve është një qëndrim kryekëput ideologjik. Më mirë të rrjedhë në det i pavlerë, sesa të kthehet në energji e ta ketë privati, i cili paguan taksa, punëson shqiptarët, i bashkohet rrjetit energjetik shqiptar. Por kjo nuk ka rëndësi, për ta, por privati të mos e ketë. Kjo është një praktikë jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, sepse Shqipëria, me këtë ligj të koncesioneve, por edhe favoreve të tjera që ndërmori si heqjen e TVSH-së për hekurin, turbinat, çimenton etj. për ndërtimin e hidrocentraleve është bërë realisht, sipas ndërtuesve, vendi më tërheqës për ndërtimin e tyre. Kaskada e Devollit po ecën me të gjitha procedurat, është shpallur fituesi i turbinave, po shpallet fituesi i ndërtimit të segmenteve ndër kompanitë më të mëdha në Europë e në botë. Por jo më pak janë hec-et në zona të tjera, në Alpe, në luginën e Drinit, të Fanit, Matit, Vjosa. Pra, kemi të bëjmë me një proces të një rëndësie jetike përsa i përket punësimit. Këto vepra punësojnë në mënyrë të shpërndarë në të katër anët e vendit deri në zonat më të thella dhe ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve, ndërtojnë infrastrukturë lokale dhe me këtë ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve. Sulmet që i janë bërë këtij procesi janë sharlataniste, janë të denja vetëm për bijtë e etërve dhe nuk kanë asgjë të vërtetë. I kërkoj të kontrollojnë çdo koncesion dhe do të gjejnë transparencën më maksimale, edhe aty ku do t’i dalin hallat, dajat, tezet, krushkat e krushqit e tyre, pasi nuk është bërë asnjë diskriminim. Gjëja e fundit dhe më e gabuar që bën është t’i sulmosh unblock. Tani ata nuk shkojnë të marrin kredi në banka. Ne kemi një marrëveshje me bankat dhe jemi përpjekur shumë të krijojmë një nxitje të tyre për kredi, pasi ky është bërë një biznes shumë i leverdishëm. Kushtet e krijuara në Shqipëri, heqja e disa detyrimeve fiskale, krahu i punës kanë bërë që të përgjysmohet koha kthimit të investimit. Këtu qëndron edhe një nga shkaqet pse kjo garë ecën në mënyrë kaq të ethshme.

Çështja e tretë, shumë  e rëndësishme, lidhet me vendimin që kaluam në mbledhjen e kaluar. Brenda pesë minutave, mediat e kontrolluara nga Edi Rama thanë se qeveria e fshehu vendimin. Kjo qeveri nuk fsheh asnjë vendim e asnjë germë. Do të shihni tjetrin, por unë nuk fsheh kurrë. Ka një të vërtetë. Vendimi nuk u zbardh, pasi ishte bërë një gabim. Vendimi për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me destinacion për Partinë Demokratike, nuk mund të vinte në mbledhjen e qeverisë pa u dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, me të cilin parakalon kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndaj vendimi u mbajt dhe nuk mund të zbardhej se, në rast se Presidenti nuk do ta dekretonte, vendimi mund të bëhej i paqenë. Kjo është arsyeja. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur asgjë.

Tani vij tek çështja. Të nderuar qytetare e qytetarë, e vërteta është se ajo që quhet Shtëpia Qendrore e Ushtrisë të paktën prej 12 vjetësh ka humbur çdo lloj funksioni qendror. Ajo është shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe ceremonive mortore dhe kjo është evidente për çdo njeri që ka pasur rastin të kalojë afër saj. Edhe në rast se aty ka pasur aktivitet, ka pasur dasma apo ceremoni mortore. Por ka një realitet. Aty punojnë 100 punonjës civilë që merren me filmin dhe disa aktivitete. Qeveria, duke parë se kjo shtëpi kishte humbur të gjitha funksionet dhe nuk adaptohej dot për funksione të reja, investoi 140 milionë lekë dhe ka kontraktuar për rikonstruksionin e saj një nga arkitektët më të mëdhenj të botës që ka rikonstruktuar muzeun e peshave në Paris. Zoti ministër, është mirë të merrni mediat dhe të shohin punimet që po bëhen, të shohin si po ndërtohet një nga facilitetet më moderne që ekziston në Tiranë, me të gjitha llojet e sallave, të gjitha lehtësitë dhe funksionet, përveç nostalgjisë së Petrit Dumes. Gjërat duhet t’i themi siç janë. Përveç kësaj, po në këtë funksion, me investim të veçantë është ndërtuar hoteli i posaçëm për ushtarakët, të cilët e meritojnë plotësisht. Po ashtu, me një investim prej 1.2 milionë dollarë ose 120 milionë lekë është ndërtuar me ndihmën e Institutit Italian të Arkitekturës Ushtarake, muzeu i ushtrisë, një nga muzetë më të bukura të vendit, i  konceptuar nga artistët tanë më të mirë. Unë i dëgjoj ata dhe absolutisht, zoti ministër, ata kanë të drejtë.  Dolën më në protestë në shkelje të statusit, një nga një do të humbasin statusin. Ata marrin një pension të veçantë, sepse kanë një status. Më thonë se ka kënduar Vaçe Zela, le të vendosim një pllakë aty, apo Gaqo Avrazi, njeri i nderuar. Atëherë hajde t’i nderojmë me një pllakë. Por neve nuk na duhen ahengjet që bënte Petrit Dume dhe Hito Çako.  E mbyll, duke i thënë zotit Rama se në atë ciu-ciun e djeshëm ke treguar të gjithë moralin e shpëlarë që ke si njeri. Selia e Partisë Socialiste ka një hapësirë dy herë e gjysmë më shumë sesa selia e Partisë Demokratike dhe askush nuk e ka vënë kurrë në diskutim. Ai qëndrim ishte një qëndrim i hapur armiqësor ndaj forcës kundërshtare, por vetë fjalori ishte gjëja më e denjë për piktorin. Fjalori ishin ngjyrat e tij. 

Sot kemi edhe një seri vendimesh për legalizimin. Të dashur qytetarë dhe qytetare, siç e shihni, në zonën e bregut, veçanërisht në Vlorë,  kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika, i cili ka katër muaj që nuk u jep rrogat punonjësve të bashkisë së Vlorës, sepse i ka shpenzuar fondet për fushatë, i kërcënuar në të gjitha format nga piktori dhe Koço Kokëdhima, kap rruspat dhe thotë se nuk pyes për ligje dhe vendime gjykatash. Të sqarojmë qëndrimin tonë. Kjo qeveri do të mbështesë deri ditën e fundit, çdo veprim ndaj çdo ndërtimi pa lejë kudo që të jetë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Zoti ministër i Brendshëm, do të përdoret e gjithë forca e ligjit dhe nuk do të ketë njëri  që t’i prekë kujt shtëpinë me leje.  Ligji do të mbrojë qytetarin me çdo çmim, njëlloj  sikur të jetë institucion publik. Në qoftë se do që të prishësh një shtëpi me leje, mund ta bësh pa asnjë vështirësi, por ka procedura dhe procedurat janë shumë të njohura, shtetëzim, shpronësim, por jo banditizëm. Edhe i ke dhënë lejë, edhe thua ta prishësh. Edhe njëherë, nuk mbrojmë asnjë ndërtim pa leje, as edhe një të vetëm, por këtë që  bëjnë për qëllime hesapesh njëri me tjetrin, këtë nuk do të mund ta bëjnë kurrë në kurriz të qytetarëve. Ndaj kërkoj që të gjitha agjencitë, në çdo rast të mos lejojnë që askush të prishë qoftë edhe një ndërtesë të vetme me leje. Kryetari i bashkisë dhe cilido që do ta prishë atë duhet ta prishë mbi bazën e rregullave ligjore, si në çdo vend të botës, e shtetëzon, e shpërblen, e prish. Do të krijojë shesh, do të krijojë rrugë, do të krijojë qendër të madhe apo ndërtim tjetër, ne këto nuk i pengojmë, por mesa po shoh unë, kjo është një propagandë terrori që bën Shpëtim Gjika, sepse e kanë kërcënuar me burg dhe diku ia kanë kapur fijet.

Rama e bën sepse ka premtuar malin e Dajtit dhe mali po pjell një mi dhe po mbetet mashtrim. Premtoi parajsën, erdhi me premtime antiglobaliste dhe tani përpiqet të mërmërisë. U premtoi legalizim falas dhe po ofron rruspat edhe për ata që janë legalizuar. Premtoi shërbim shëndetësor falas, vuri Ilir Beqjen për të pasur shërbim shëndetësor vetë ai falas, se tjetër kush në Shqipëri, përveç  Beqjes, nuk ka për të pasur shërbim falas. Premtoi se do të hiqte taksat për 95 përqind të shqiptarëve, i harroi. Pra, bëri një zhurmë të tillë, të stilit të vjetër, që njerëzit të mos mund të ngrenë kokën kundër atyre, për premtimet, por kjo nuk do të ndodhë. Ushtrimi periodik i terrorit është tipar absolut i regjimeve ideologjike. Ju nuk mund ta merrni me mend sesi një baba me tetë fëmijë u burgos të nesërmen në mëngjes, vetëm se i tha një shoku të vet gjatë udhëtimit se sonte nuk kam se çfarë t’ju jap fëmijëve të mi, vetëm po zjeva opingat e mia. Ai ishte për terror. Edhe këto nuk pyesin për lejen. Por janë një seri legalizimesh, të cilat me forcën e ligjit nuk do të mund të preken. Do të mund të preken sipas ligjeve të shtetit, me vendimet përkatëse për shpronësim, dëmshpërblim, siç është rregulli në çdo vend demokratik dhe në çdo vend të lirë ku funksion ligji.


16/08/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave