Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vendimi parashikon rritjen në masën 4 përqind të të gjitha kategorive të pensioneve në qytet dhe 5 përqind të pensioneve në fshat.
Lidhur me pagat, vendimi parashikon rritjen e pagës mesatare të institucioneve buxhetore me 5.4 përqind, ndërsa nuk do të rriten pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
Kryeministri tha se rritje e rrogave dhe pensioneve është parashikuar në buxhetin e shtetit e miratuar në dhjetor të vitit 2012 dhe se kjo rritje përballohet tërësisht nga të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Kryeministri theksoi se Kushtetuta e Shqipërisë ka qartësuar në mënyrë precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një maxhorance dhe qeverisë së saj. “Kushtetutat e Europës e në tërësi të botës - u shpreh Kryeministri - nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë, nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj. Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit dhe qeverisë së tij katër vjet, ditë më ditë, për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston në Europë e pothuajse në botë, qeveri kujdestare.”
Duke prezantuar këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot është një mbledhje shumë e rëndësishme që ka të bëjë me mbajtjen konstante të një premtimi, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Dua të sqaroj që në fillim se rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë një objektiv madhor i kësaj qeverie në çdo mandat e çdo vit të qeverisjes së saj. Ne e kemi bërë këtë me bindjen më të thellë se investimi në burimet njerëzore është investimi më kryesor. Në këtë kontekst, rritja e rrogave për administratën është pa mëdyshje, një stimul, një motivim për punonjësit e administratës, për një përkushtim më të madh e performancë më të mirë, por edhe ka bërë e bën më të lakmueshëm vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona.
Normalisht, ky vendim duhej të merrej në muajin qershor, por nuk e morëm atëherë, vetëm për të shmangur çdo lloj keqkuptimi të përdorimit të tij për qëllime elektorale. Ndaj, ne e shmangëm dhe kemi vepruar shumë drejtë. Partia Demokratike, qeveria e saj i përmbahen disa parimeve shumë solide, të ndershme e të drejta, në raport me votuesin. Por ky vendim është shpallur që në qershor se do të bëhej dhe u shty pas zgjedhjeve, pikërisht për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij.
Çdo vit, nga qeveria që unë kam kryesuar e kryesoj, rrogat e pensionet janë rritur dy deri katër herë më shumë se inflacioni, sipas rastit. Në të vërtetë, çdo qeveri, përveç rasteve të jashtëzakonshme, duhet të indeksojë rrogat e pensionet, çka do të thotë se duhet të garantojë rritjen e tyre aq sa rritet inflacioni, në mënyrë që të mos ketë përkeqësim të nivelit të jetesës të këtyre rrogëtarëve dhe pensionistëve, për shkak të rritjes së inflacionit. Ne, e ritheksoj, i kemi rritur dy deri në katër herë më shumë. Rritja e tyre si nivel rritjeje është më e madhja që mund të jetë realizuar gjatë këtyre viteve në ndonjë vend.
Ky vendim parashikon rritjen në masën 4 përqind të pensioneve për 590 mijë persona. Rriten me 4 përqind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pensionet për merita të veçantë, pensionet e posaçme shtetërore apo shtesat mbi pensionin e posaçëm shtetëror, ndërkohë inflacioni ka qenë 2 përqind. Rritje më të madhe, në përputhje me qëndrimin tonë, njohin pensionet në fshat, me 5 përqind, pra, 2.5 herë më e madhe se rritja e inflacionit. Me këtë rritje, në qytet nuk do të ketë pension minimal nën 12 024 lekë. Të ardhurat pensionale janë më të mëdha, pasi po flasim për pensionin. Sikundër, në përputhje me ligjin, nuk do të ketë pension më të madh se dyfishi i tij prej 24 000 lekë. Në fshat, në rast se pensioni minimal ka qenë 3400 lekë, ai arrin në 8233 lekë, pra, rritet me dy herë, ndërsa në vite në tërësi është rritur më shumë se dyfishi.
Të ardhurat pensionale minimale, duke përfshirë kompensimet për energjinë, telefonata, rriten nga 13 700 lekë në 14 174 lekë për pensionet minimale. Pra, çdo pensionist ka të ardhura, pension plus shtesa që subvencionohen, 14 174 lekë. Të ardhurat pensionale maksimale në qytet rritet nga 23 623 lekë në 24 548 lekë.
Pensioni minimal në fshat nga 3400 lekë në vitin 2005, një vit më parë ishte 7841 lekë dhe bëhet 8233 lekë. Të ardhurat pensionale në fshat nga 8731 lekë arrijnë në 9123 lekë në muaj.
Mendoj se, për mbi gjysmë milioni shqiptarë me pension pleqërie apo pensione të tjera, ky është një lajm shumë i mirë. Natyrisht, pensionistët meritojnë më shumë, por po shkohet drejt respektimit të kritereve më të shëndosha të raportit rroga/pensione. Po bëhet gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre dhe për pensionistët, në këto pensione e të ardhura nuk është i llogaritur fakti që 92 përqind e të gjitha barnave që ata përdorin për mjekimin e tyre i kanë plotësisht të rimbursueshme.
Lidhur me pagat, paga mesatare e institucioneve buxhetore rritet me 5.4 përqind, pra, rritet 2.7 herë më shumë se inflacioni. Kjo është një rritje e përvitshme në nivelet, pak a shumë, të vitit të shkuar. Ajo që përbën specifikën më pozitive të këtij viti është se në mbledhjen e mëparshme bëmë rritjen më të madhe të pagave minimale, me 11.3 përqind. Duhet të jemi transparentë, kjo pagë ekziston vetëm për 1 përqind të punonjësve të administratës, por ekziston absolutisht për mbi 220 mijë qytetarë shqiptarë në sektorin privat. Paga minimale është një detyrim ligjor, bazuar në të gjitha konventat dhe në tërësi, edhe vendet më liberale në ekonominë e tyre e adaptojnë atë. Në këtë kontekst, kjo përbën rritjen më të madhe që i është bërë ndonjëherë pagës minimale dhe është një përfitim i madh për punonjësit e sektorit privat. Me këtë rritje që i bëjmë pagës, për 15 100 punonjës të sektorit mbështetës të institucioneve buxhetore, paga rritet me rreth 6 përqind dhe nga 35 122 lekë shko në 37 199 lekë.
Paga për arsimtarët rritet nga 53 300 lekë në 54 828 lekë dhe tejkalon pagën mesatare të vendit, në përputhje me një politikë e praktikë konstante të kësaj qeverie. Ne besojmë se mësuesit duhet të vendosen në një opozicion mbi pagën mesatare të vendit.
Rritje të ndjeshme pësojnë edhe pagat e infermierëve, të cilët kanë një detyrë ndër më të vështirat. Paga mesatare e tyre, e cila më pas kategorizohet, rritet nga 35 897 lekë në 37 854 lekë.
Rritet paga e forcave të rendit nga 55 944 lekë në 57 344 lekë, por, siç e dini, policëve u është premtuar rrogë deputeti, çka ne nuk e kemi pasur të mundur një gjë të tillë.
Rritet paga e Forcave të Armatosura nga 42 400 lekë në 43 472 lekë.
Nuk rriten pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit. Nuk i kemi rritur ato as vitin e kaluar dhe kjo, jo se jemi kundër rritjes së pagave të këtyre kategorive, por sepse ne kemi gjetur një raport tmerrësisht të deformuar të pagës së kryeministrit apo presidentit me atë të mësuesit apo infermierëve, 1 me 10 apo 1 me 11. Ne e kemi ulur këtë raport në 1 me 4.5 dhe e ulim më tej.
Pra, kjo është një rritje që tamponon plotësisht inflacionin dhe ka edhe një resto.
Të dashur qytetarë që ndiqni këtë mbledhje, dua të theksoj dy momente lidhur me këtë vendim.
Së pari, nga viti 2006, përfshirë edhe këtë rritje, çdo qindarkë e rritjes së pagave dhe pensioneve përballohet plotësisht e tërësisht nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Qeveria në tetë vite nuk ka përdorur për rritje të pagave dhe pensioneve as edhe një qindarkë të marrë borxh. Kjo përbën një nga ndryshimet më të mëdha e thelbësore. Në qoftë se më parë rrogëtarët paguheshin duke marrë borxh, gjatë këtyre viteve, ata janë paguar me të ardhurat buxhetore, pasi nga viti 2005 e deri më sot, ato janë dyfishuar për shkak të performancës shumë më të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptare. Pikëpamjet se nuk do të ketë para për rroga e pensione janë pikëpamje paniku, të përhapura me qëllime shumë keqdashëse. Në ritmin e të ardhurave të realizuara deri tani ka para për çdo rrogë e çdo pension, në mënyrën më të padiskutueshme. Fondi i pagave është 100 përqind i garantuar. Ajo që ka ndodhur çdo vit dhe kjo është bërë transparente është se çdo vit në këtë periudhë, qeveria ka marrë masa për shkurtimin në maksimum të shpenzimeve të tjera. Kjo sepse shpenzimet e fundvitit janë shpenzime që mbrohen shumë vështirë, janë shpenzime që u bie eficenca, shpenzime që me ndërrimin e viteve buxhetore kanë një eficencë të ulët dhe këtu kemi vepruar pikërisht për këtë qëllim. Çdo vit kemi bërë rirregullimin e buxhetit, në përputhje me këtë parim dhe e kemi votuar në parlament. Këtë vit nuk e bëjmë rirregullimin, pasi kjo është e drejtë e qeverisë tjetër. Sapo të vijnë, ata kanë të gjitha mundësitë të bëjnë shkurtimin e shpenzimeve të tjera, jo rrogave e pensioneve dhe t’ia paraqesin parlamentit, siç është bërë tetë vite me radhë. Ka pasur vite që ka pasur surplus dhe ato i kemi kaluar në ulje taksash, siç ka pasur vite që kemi pasur minus dhe e kemi zgjidhur duke ulur shpenzimet.
Theksoj dy gjëra. Fatmirësisht, sot, për vlerësimin e ekonomisë, në mënyrë specifike financave, ekzistojnë dy institucione supreme, të cilat kanë një pavarësi pothuaj absolute.
Institucioni i parë e më themelor është tregu, i cili funksionon mbi bazën e rregullave pothuaj natyrale, në kuptimin kur ai është i liberalizuar. Tregu dëshmon se financat shqiptare kanë një besueshmëri më të madhe se kurrë më parë, megjithëse ka një borxh rreth 60 përqind, megjithëse nuk them se janë krejtësisht pa pasojat e krizës, sërish tregu dëshmon se janë më të shëndetshme se asnjëherë më parë. Bonot e thesarit janë shitur në nivele rekord. Unë i dëgjova komentet se ato i blejnë bankat dhe nuk i hedh poshtë ato. Kjo është e vërtetë, por, në qoftë se në Shqipëri i blejnë bankat dhe është normale, me një normë ndër më të ulëtat, pothuajse normën bankare, nuk mund të jetë kjo tërësisht, pasojë e qëndrimit të tyre ndaj kreditimit. Kjo që ndodhi në sportelet e Bankës së Shqipërisë, ta dashur qytetarë, kjo ndodhi në City-n e Londrës, në tregun më të madh të bondeve në botë. Letrat me vlerë të Shqipërisë u blenë me interes 5.7 përqind nga 7.8 që ishte më parë. Mirë në Shqipëri, po në Londër çfarë ndodhi? Është vetëm stabiliteti ekonomik i Shqipërisë që bënë që bondet e saj të shiten në nivel shumë më të mirë, ndofta, se të të gjitha vendeve të rajonit.
Së dyti, për vlerësimin e financave të një shteti ekzistojnë tre kompani dhe mund t’i quani si të doni, lugetër, xhandarë, por e vërteta është se janë pothuaj më të pavarurit e kësaj toke, të cilat askush nuk i do, por edhe askush nuk mund t’i kundërshtojë dhe nuk i kundërshtojnë dot, jo se nuk duan, por se janë të pavarur. Kushdo që i ka kundërshtuar, nuk ka fituar asgjë. Dhe këto kompani janë Standard & Poor’s, Moody-s dhe Fitch. Nga viti 2008, Shqipëria i ka kontraktuar këto kompani të bëjnë vlerësimin e përvitshëm normalisht të sektorit financiar dhe bankave, por edhe të ekonomisë në tërësi. Ky vlerësim është konstant nga viti 2008 deri në vitin 2013. Qëndrimet dhe sulmet ndaj financave, paraqitja me sens të kundërt e suksesit të interesit me të cilën u shitën bonot e thesarit është i pandershëm. Nuk sulmohen tregjet financiare kur janë për t’u lavdëruar.
E vërtetë, ka një problem, por që nuk lidhet absolutisht me ekonominë shqiptare. Problemi i bankave në Shqipëri lidhet me një direktivë të autoritetit bankar europian, i cili, në mënyrë tërësisht arbitrare, bankat bija të eurozonës në zonën jashtë eurozonës dhe jashtë Bashkimit Europian i shpall me risk 100 përqind. Janë bërë negociata të vazhdueshme. Kjo është historia. Kjo i detyron bankat të ngrenë kapital më shumë dhe i dëmton ato. Por bankat janë të detyruara t’i binden direktivës europiane, ndonëse Shqipëria praktikon kriteret më të avancuara të Vjenës dhe Bazelit. Por, siç keni konstatuar, ato funksionojnë shumë mirë dhe pavarësisht origjinës së tyre, këtu në tërësi kanë performuar. Kjo direktivë dhe asnjë shkak tjetër detyron bankat të kufizohen në kreditim dhe natyrisht, Shqipëria nuk mund të ndryshojë vendimet e Brukselit, kur janë të drejta apo kur janë arbitrare, siç është ky. Shqipëria duhet të diversifikojë sistemin e vet bankar dhe kjo është e domosdoshme. Shqipëria duhet të bëjë gjithçka që në këtë vend të funksionojnë banka me monedha të tjera dhe jo euro, të cilat pastaj do mund të kreditojnë jashtë direktivë europiane të autoritetit bankar. Kjo direktivë është direktivë dhe nuk ka të bëjë qoftë me një bankë në Shqipëri, por që duhet zbatuar se ato janë nga eurozona.
Së fundi, ka një debat që ka në bazë injorancën, ka në bazë revanshin. Injoranca, siç ka thënë latini, nuk është argument. Ndërsa revanshi, tjetër problem, është sëmundje. Lidhur me vendimet e kësaj qeverie, Kushtetuta ka qartësuar në mënyrën më të përsosur, më precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një maxhorance dhe qeverisë së saj. Kushtetutat e Europës e në tërësi të botës nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë, nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj. Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit dhe qeverisë së tij katër vjet, ditë më ditë, për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston në Europë e pothuajse në botë, qeveri kujdestare. Qeveri kujdestare të lidhura me zgjedhje ka vetëm në Bangladesh, por edhe atje me Kushtetutë. Dhe ai është një vend demokratik që ka fiksuar me Kushtetutë që 3 muaj para zgjedhjeve dhe derisa të formohet qeveria e re, qeverinë e merr në drejtim kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ajo quhet qeveri kujdestare. Ka edhe një vend tjetër, unik, që e ka vendosur me ligj se çfarë mund të bëjë dhe nuk mund të bëjë qeveria deri në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat, pa përjashtim, nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë asnjë kufizim, përfshi këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend e komb. Ky është morali. Mund të ngrihen jo një, por pesë zyra, por Kushtetuta është Kushtetutë. Ata që bëjnë fjalë për qeveri në detyrë, tregojnë injorancën e tyre. Qeveria në detyrë është qeveria e një kryeministri të dorëhequr, i cili pasi ka dhënë dorëheqjen është i detyruar të qëndrojë në detyrë derisa parlamenti dhe presidenti i vendit të gjejnë kryeministrin e ri. Këto janë nocionet themelore kushtetuese. Ata që tregojnë padurim dhe mendojnë se dikush duhet të ketë mandat tre vjet e shtatë muaj dhe tjetri, katër vjet e tre muaj, nguten e gabojnë. Kushtetuta është Kushtetutë në germë e në frymë dhe nuk ka të bëjë me një a tjetër person, por ajo rregullon funksionimin e institucioneve të vendit. U ndala edhe një herë në këtë çështje për ata që bëjnë zhurmë. Nuk është e vërtetë se është ndryshuar Kushtetuta për këto etapa. Përsëri injoranca nuk shërben. Në vitin 2004, në marrëveshje të plotë me Partinë Socialiste është ndryshuar Kodi Zgjedhor dhe me një normë të Kodit Zgjedhor janë përcaktuar datat e përfundimit dhe fillimit të mandatit. Përse kjo? A nuk ishim ne që në vitin 2001 na vazhduan votimet deri në 20 gusht dhe ne ishim në opozitë, jo për fajin tonë. Aso kohe u përcaktua kjo normë, e cila, siç ishte në Kod, u vendos në vitin 2008, sepse në Kushtetutën që ekzistonte thuhej se parlamenti mblidhej 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Por zgjedhjet përfundojnë pasi përfundon çdo llok ankese dhe kjo mund të shkojë në kalendat greke. Faktikisht, ajo e përcaktonte sine die datën e mbledhjes së parlamentit, ndërsa përcaktimi siç e kemi ekziston në shumicën e kushtetutave, në shumicën e ekzekutivëve. Nuk është risi, nuk është shpikje. Ka vende që e kanë gjashtë muaj, ka vende që e kanë një muaj. Afatet përcaktohen që të mos ketë konfuzion.
Edhe një herë, duke konkluduar, zotërinj ministra, ju kërkoj në mënyrë shumë të vendosur që hartimi i buxhetit të vazhdojë me intensitet të madh. Kjo është dëshirë e jona për një tranzicion sa më dinjitoz të pushtetit. Natyrisht, ata që vijnë në shtator kanë të drejtë ta përmbysin tërësisht, ta ndërtojnë, por ne t’i lëmë atyre një skemë. Në varësi nga vizioni mund të mbajnë atë që vlerësojnë, mund të hedhin të tjera. Por nuk duhet të ndodhë që buxheti të fillojë nga e para, pasi ajo është një punë e gjatë. Ndaj të gjitha drejtoritë e angazhuara në hartimin e buxhetit, në përputhje me udhëzimin e Ministrisë së Financave, duhet të bëjnë punën më serioze dhe t’ia lënë mbi tavolinë drejtuesve që do të vijnë. Të mos ndodhë që buxheti të mos jetë hartuar në një shkallë të caktuar. Ai është një projekt, i cili duhet të dorëzohet nga secila ministri dhe pasardhësit duhet ta gjejnë në tavolinë. Më pas është në tagrin e tyre të veprojnë sipas vizionit të tyre për zhvillimin dhe vitin buxhetor.
Së fundi, kjo rritje e rrogave dhe pensioneve është votuar në buxhetin e shtetit në dhjetor të vitit 2012.”
17/07/2013