Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Vlorë.
Me një investim me vlerë rreth 13 milionë euro u realizua jo vetëm ndërtimi i rrjetit të ri të trajtimit të ujërave të zeza, me kapacitet në shërbim të një popullate prej 160 mijë banorë, por edhe ndërtimi i rrugëve dhe trotuareve, si dhe ndërtimi i lidhjeve të shtëpive në Vlorë.
Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi se infrastruktura ujore është infrastrukturë jetike për zhvillimin e një qyteti dhe një vendi, shprehu kënaqësinë që përfundimi i këtij impianti e renditet Vlorën ndër qytetet mesdhetare me ujërat më të pastra.
Në ceremoninë e inaugurimit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Qytetare e qytetarë të Vlorës, të pranishëm këtu e kudo ku jeni sot, zoti ministër, zoti kandidat për deputet i qarkut të Vlorës, përshëndetjet më të përzemërta dhe kënaqësi të veçantë. Sot e tutje, Vlora, perla e Mesdheut, renditet në hartën e qyteteve më të pastra të Europës e të botës, me impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Pas infrastrukturës rrugore dhe asaj të energjisë elektrike, infrastruktura ujore është tjetër infrastrukturë jetike për zhvillimin e një qyteti, për zhvillimin e një vendi.
Gjatë këtyre viteve, Vlora është qyteti i autostradave më të bukura të vendit, por është njëkohësisht qyteti tashmë i infrastrukturës ujore ndër më modernet. Me 26 milionë euro është ndërtuar ujësjellësi, i cili me përfundimin e rrjetit të brendshëm do t’i japë vlonjatëve ujë pa ndërprerë 24 orë. Por, natyrisht, Vlora e kishte po kaq jetike impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, në mënyrë që çdo vlonjat, çdo turistik e kushdo që vjen në Vlorë të lahet në ujërat e saj si në ujërat më të pastra që ekzistojnë. Ky është një investim prej 13 milionë euro dhe kapacitet për 160 mijë banorë.
Ndërkohë ju e dini se ne filluam punimet për ndërtimin e infrastrukturës së plotë ujore në Orikum, ujësjellësin për të furnizuar Orikumin dhe zonat përreth 24 orë me ujë, si dhe impiantin e përpunimit të ujërave të zeza të kësaj zone.
Ky është zhvillim. Ne po bëjmë gjithçka të ecim drejt zhvillimit. Ndaj unë sot i drejtoj edhe një herë thirrjen më miqësore qytetarëve të Vlorës, banorëve të qarkut të Vlorës, pasnesër të zgjedhin 44-n. Vlonjatet dhe vlonjatët, shqiptaret dhe shqiptarët, përveç mundit dhe djersës së tyre, meritojnë edhe fatin e mirë dhe ky është numri fatmirë. Shqiptarët e dinë këtë, shqiptarët janë të mençur dhe nuk kanë asnjë lloj arsye që të prekin numrin e tersit, numrin 29. Kjo është e vërtetë. I garantoj qytetarët e këtij qarku se në udhëtimin tonë përpara, ne do të bëjmë gjithçka të përfundojmë çdo vepër tjetër që Vlora meriton, by pass-in, projektet e mëdha për ta shndërruar ansamblin natyror Nartë-Sazan-Karaburun në ansamblin turistik më të mirë në Europë e në botë.
Edhe një herë ju ftoj të votojmë 44-n dhe ju ftoj sot të festojmë të gjithë në Tiranë. Vlonjate e vlonjatë, shqiptare e shqiptarë kudo ku jeni, sot në orën 19.44 minuta, nuk mund të ishte tjetër, të mblidhemi e të festojmë sëbashku me shpirtin e fitores, fitores sonë të merituar, me besimin tek e ardhmja, besimin tek njëri-tjetri, besimin tek Shqipëria. Fitore!”
21/06/2013