Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kV të Jugut të Shqipërisë, investim 35 milionë dollarë, financim i qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KfW, të cilën e quajti “autostrada energjetike e Jugut”. Projekti startoi me fuqizimin e nëntacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë 4.4 milionë euro dhe që përbën Lotin 1 të tij.
“Ndërtimi i asaj që quhet unaza e Jugut apo autostrada energjetike e Jugut, - u shpreh Kryeministri, - është i një rëndësie kapitale për t’iu përgjigjur në mënyrën më të shpjetë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpjetë të zonës jugore të vendit, për shkak të bumit të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t’u zhvilluar.”
Projekti përfshin edhe Loti 2, ndërtimin e linjës 110 kV, me gjatësi 250 kilometra dhe vlerë investimi 30.5 milionë euro. Linja 110 kV përfshin ndërtimin e linjës dyfishe Vlorë-Sarandë, 105 km; Ersekë-Përmet, 55 km; Përmet-Këlcyrë-Memaliaj, 36 km; ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zemblak-Korçë, 13 km; zgjerimin e impianteve në nënstacionet Babicë, Sarandë, Memaliaj, Përmet dhe Korçë.
Ndërtimi i linjës Babicë-Sarandë, mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV të zonës Jugperëndimore, duke rritur sigurinë dhe përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike të kësaj zone. Kalimi i linjës së re 110 kV në zonën e bregut të Jonit krijon mundësinë e ndërtimit të nënstacioneve 110/20 kV në këtë zonë, që përmirëson infrastrukturën elektrike si një domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit cilësor. Kështu, fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zemblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore do të mbyllë në unazë një pjese të rrjetit ekzistues 110 kV në zonën Juglindore. Kalimi i linjes 110 kV në luginën e Vjosës do të krijojë mundësinë e lidhjes në rrjetin transmetues të hidrocentraleve që do të ndërtohen në rrjedhjen e sipërme të këtij lumi.
Projekti në tërësi ka një impakt të konsiderueshëm nga eliminimi i ndërprerjeve për shkak të defekteve dhe mbingarkimit të rrjetit, në përfitimin e madh që sjell në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike.
Në sektorin e energjisë janë investuar 720 milionë euro në përmirësimin e cilësisë dhe rikonstruksionin e rrjetit, pa investimet në burimet ujore; janë nënshkruar 130 kontrata koncesioni për ndërtimin 365 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1650 MGW dhe investim 2.8 miliardë euro; kanë hyrë në prodhim 66 HEC, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 205 MGW dhe investim total 280 milionë euro; vetëm gjatë ketij viti janë lidhur 12 kontrata për ndërtimin e 46 hidrocentraleve të reja. Të punësuar direkt janë më shumë se 5 mijë punonjës dhe indirekt deri në 12 mijë. Gjithashtu janë licensuar 15 kompani për të ndërtuar parqe eolike, me një fuqi të instaluar prej rreth 1600 MW, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në Veri e deri në rajonin e Sarandës në Jug.
Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit.
“Të nderuar pjesëmarrës në këtë ngjarje të një rëndësie jashtëzakonsht të madhe për sistemin energjetik shqiptar. Ndërtimi i asaj që quhet unaza e Jugut apo autostrada energjetike e Jugut është i një rëndësie kapitale për t’iu përgjigjur në mënyrën më të shpjetë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpjetë të zonës jugore të vendit, për shkak të bumit të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t’u zhvilluar. Të mos harrojmë se Zëmblaku është edhe nyje lidhjëse energjetike kryesore ndërkombëtare dhe së këtejmi, ne shpresojmë të ndërtohet së shpejti lidhja e re me Maqedoninë. Shqipëria ka të gjithë vullnetin për të dy e trefishuar autostradat energjetike me vendet fqinjë.
Unë dua t’i shpreh një mirënjohje të thellë Bankës Gjermane për Zhvillim dhe taksapaguesve të saj dhe institucioneve të tjera që kanë kontribuar në këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, kompanive që kanë marrë përsipër zbatimin e këtij projekti, kompani të sporvuara në fushën e energjetikës.
Zonja e zotërinj,
gjatë katër viteve të fundit, në rrjetet energjetike të vendit, pa përfshirë burimet ujore, Shqipëria ka investuar 720 milioë euro, pa këtë investim të sotëm. Shqipëria do të vazhdojë të investojë, të përditësojë, të përmirësojë dhe të ngrejë gjithnjë në parametra më të mirë rrjetin e saj energjetik. Shqipëria e ka nevojë jetike këtë, se të tilla janë ritmet e saj.
Ritmet e Shqipëisë janë shumë premtuese. Shqipëria i rezistoi krizës dhe kjo konfirmohet çdo ditë e më shumë. Edhe dje u deklarua se ekonomia shqiptare i rezistoi fuqishëm krizës. Edhe dje u konfirmua përsëri nga Banka Botërore, pas Komisionit Europian dhe Bankës së Shqipërisë, se papunësia u ul nga 13.3 në 12.8 përqind dhe u ul në vitin kur ajo njohu ritmet më të larta në të gjitha vendet e tjera përreth nesh e më gjerë. Që të ketë rritje ekonomike duhet të ketë me çdo kusht mbështetje të fuqishme energjetike. Energjia është vendimtare në mbështetjen e rritjes ekonomike. Ajo ndodh kudo dhe kudo sot, fatmirësisht qytetarët nuk anakohen më për ndërprerje absurde dritash, që ishte një politikë penalizimi kolektiv i qytetarëve shqiptarë, për interesa strikt shtetërore. Sot nuk ankohet kush më. Ankesa e sotme është se e duan atë me cilësi më të mirë, e duan tek stalla, e duan tek fabrika, tek njësia e prodhimit, e duan kudo në çdo skaj dhe ne këtë po bëjmë.
Unaza e Jugut jep mundësi që sipërmarrësit e Jugut, industria turistike e Jugut, agrobiznesi i Jugut, fermerët e Jugut të marrin energji të parametrave më të mirë.
Kjo është alternativa jonë. Alternativë që e konsideron energjinë epiqendër. Pas resurseve njerëzore, energjia është një kusht tjetër vendimtar për zhvillim të shpejtë, ndaj ne jemi kaq shumë të përqendruar.
Ky investim ka një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për një fakt tjetër. Kaskada e Osumit fillon së shpejti ndërtimin, me një seri hidrocentralesh në të gjithë kaskadën. Në lumenj të tjerë në Gramsh, Skrapar, në qarkun e Korçës, Përmet e Gjirokastër janë qindra hidrocentrale për t’u ndërtuar. Mbi të gjitha, më kryesore është Vjosa, burimi energjitik më i fuqishëm që ka mbetur për t’u shfryëtzuar dhe që ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë ta bëjnë atë realitet.
Të dashur miq, kjo është rruga jonë e zhvillimit të energjisë. Cila është rruga tjetër? Komision i jashtëzakonshëm për kontrollin e koncesioneve, i kryesuar nga gjobvënësi kryesor i vendit, Koço Kokëdhima. Kjo ishte alternativa që u premtua këtu në Korçë dhe pasi korçarët i thanë se me këtë alternativë nuk kemi punë, doli u tha gazetarëve me tërbim se do të kontrollë me një komision të jashtëzakonshëm gjithçka të jashtëzakonshme. Tek vija këtu, një burrë i moshuar më tha: çka ai me vitet e njerëzve, përse mendon të ofendojë njerëzit për vitet e tyre. Përgjigjja ime ishte se është rritur në bunketin e bllokut. Nuk ka shpjegim tjetër. Por le ta lëmë në edukatën e tij, ne të vazhdojmë punën. Kemi shumë punë për të bërë, shumë vepra për të ndërtuar. Ne kemi për të transformuar më tej Shqipërinë, për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri europiane. Suksese.”
19/06/2013