- Kryeministri prezanton në mbledhjen e qeverisë dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike
Kryeministri Berisha prezantoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, dokumentet e reja të identitetit të personalizuara, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike. Kryeministri Berisha tha se ky proces po ecën sipas parashikimit dhe se qytetarët shqiptarë do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme me dokumentet e reja.
“Sot, - u shpreh Kryeministri - hapen qendrat e regjistrimit të qytetarëve në qytetin e Tiranës, nga ku do të fillojë edhe lëshimi i tyre. Procesi po ecën sipas parashikimit me kompaninë dhe janë garancitë e plota që qytetarët shqiptarët do të votojnë me letërnjoftimet e reja elektronike. Procesi zgjedhor do të jetë një proces i paparë më parë, me lista elektronike të votuesve dhe me letërnjoftime elektronike.”
Kryeministri Berisha theksoi se pasaporta e re biometrike përmban simbolet më të arrira kombëtare, Skënderbeun dhe shqiponjën.
17/12/2008