Kryeministri Berisha veçoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave një seri vendimesh në mbështetje të kategorisë së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve. Këto vendime, u shpreh Kryeministri, vijnë në kuadrin e masave që po ndërmerr qeveria për përmirësimin e dhe lehtësimin e jetës së tyre të përditshme.
Duke vlerësuar përpjekjet njerëzore të kësaj shtrese për të përballuar sëmundjen dhe garantuar cilësinë më të mirë të jetës së tyre, Kryeministri theksoi se këto vendime bëjnë një vlerësim të ri të mbështetjeve për paketat tetraplegjike, si dhe përcaktojnë disa qëndrime të tjera të domosdoshme.
“Në këtë mbledhje do të trajtojmë një çështje shumë të ndjeshme. Ka disa qëndrime të reja ndaj qytetarëve tanë të cilët janë në vuajtje të madhe, të paraplegjikëve. Këta qytetarë përballen me vështirësi të mëdha për shkak të sëmundjes, vështirësi të mëdha familjare. Qeveria në kuadrin e përmirësimit të vazhdueshëm, për tu lehtësuar atyre jetën ka një seri vendimesh të cilat bëjnë një vlerësim të ri të mbështetjeve për paketat tetraplegjike të njohura, për kujdestarinë e tyre dhe disa qëndrime të tjera njerezore, të domosdoshme. Sado që ne i lehtësojmë, sërish janë ata që me një heroizëm të vërtetë njerëzor përballojnë sëmundjen e tyre dhe luftojnë realisht me një heroizëm për të garantuar cilësinë maksimalisht të mirë të mundshme të jetës së tyre.”
17/12/2008