- “Dua t’i siguroj shqiptarët se këtë besim do ta shfrytëzojmë për të bërë çdo përpjekje që kriteret dhe standardet e një vendi anëtar të NATO-s të zhvillohen dhe konsolidohen të sigurta në vendin tonë.”
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, miratimin nga Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Duke i shprehur falënderimet dhe mirënjohjen Komisionit të Jashtëm, qeverisë amerikane dhe Presidentit Bush, Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një lajm të gëzuar dhe dëshmi të besimit të tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Dua t’i shpreh në emrin tuaj dhe të popullit shqiptar falënderimin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë së SHBA-ve dhe Presidentit George W. Bush. Dje, në Komisionin e Jashtëm të Senatit të SHBA-ve u miratua me konsensus të plotë Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Me këtë rast, dua t’u dërgoj një falënderim shumë të veçantë dy miqve të mëdhenj të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, drejtues kryesor të këtij Komisioni, senatorit Joe Biden dhe senatorit Richard Lugar. Senatori Lugar prej vitesh ka qenë një nga promotorët kryesor të integrimit të Shqipërisë në NATO. Joe Biden që aktualisht është përzgjedhur nga senatori Barak Obama si kandidat për zëvendëspresident i SHBA-ve, është një mik i madh i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i angazhuar prej shumë vitesh në të gjithë problematikën e madhe që kanë pasur shqiptarët.
Votimi i djeshëm është një besim i madh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nga miqtë tanë. Dua t’ju siguroj se këtë besim do ta shfrytëzojmë për të bërë çdo përpjekje që kriteret dhe standardet e një vendi anëtar të NATO-s të zhvillohen dhe konsolidohen të sigurta në vendin tonë.
Në votimin e djeshëm, në mënyrë të padiskutueshëm, një rol shumë të madh ka pasur seanca e dëgjimit që u zhvillua një jave më parë në këtë Komision, në të cilën një mik tjetër i shquar i vendit tonë, Zëvendëssekretari i Shtetit për Europën në Departamentin e Shtetit Daniel Fried i bëri përpjekjeve të Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë seancë. Kjo seancë rriti shumë mirëkuptimin e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. Dje, Komisioni i Senatit të SHBA-ve votoi dhe pritet ta votojë në seancë plenare edhe Senati rekomandimin e Presidentit Bush dy muaj më parë, një ndër rekomandimet më të vendosura.”
24/09/2008