Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: T'i jepet fund qėndrimit indiferent ndaj librit
 

Kryeministri Berisha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, si dhe duke u konsultuar me grupet e interesit, të hartojë një platformë me anë të së cilës qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit.

Kryeministri theksoi se politika e re e qeverisë ndaj librit duhet të jetë mbështetëse, promovuese e fuqishme e librit dhe vlerave të tij, si dhe të krijojë të gjitha mundësive që libri të përmbushë si duhet rolin dhe misionin e madh që ka.

Krahas kësaj çështje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u diskutuan një seri vendimesh mes të cilave Kryeministri Berisha veçoi hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Brazil.

“Me këtë hap shpresojmë që marrëdhëniet e Shqipërisë me Brazilin të njohin zhvillime të reja të rëndësishme”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh;

“Të nderuar ministra,
Çështja që doja të sillja sot në vëmendjen tuaj është problemi i librit dhe politikat e qeverisë ndaj bibliotekave. Zhvillimet në këtë fushë janë ndër më pozitivet, janë me dhjetëra shtëpi botuese që botojnë me cilësi autorë vendas dhe të huaj, por ajo që ka mbetur ende problematike është tregu i librit.

Gjatë këtyre viteve, libraritë në shumë raste e humbën destinacionin e tyre shumë të rëndësishëm. Në shumë rrethe nuk ka librari të mirëfillta, nuk ka lokale ku të shitet libri dhe rrjeti i librarive të vendit është shumë i cunguar. Ne po i pajisim shkollat me laboratorë informatike dhe kjo është shumë e domosdoshme, por nuk mund të themi se kemi bërë kujdesin e duhur për të patur krahas tyre edhe bibliotekë në çdo shkollë.

Duhet bërë një kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit. Qëndrimi zyrtar ndaj librit duhet të jetë qëndrimi i mbështetjes, i promovimit të fuqishëm të librit dhe vlerave të tij, si dhe krijimi i të gjitha mundësive që libri të përmbushë si duhet rolin dhe misionin e madh që ka. Nëse shkon në bibliotekat e shkollave rrezikon që autorët shqiptarë, rilindasit dhe autorë të tjerë që kanë botuar vepra në Shqipëri dhe jashtë saj, që janë të njohur në Shqipëri dhe në botë, si Ismail Kadare, etj., të jenë ekzotik në këto biblioteka. Të mos flasim pastaj për libra të tjerë që mund të mos jenë farë nëpër raftet e tyre dhe që mund të kenë tjetër karakter.

Zoti ministër i Arsimit është e domosdoshme që në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, si dhe duke u konsultuar me grupet e interesit, shkrimtarët, botuesit,  të hartohet një platformë me të cilët qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore të qëndrimit indiferent zyrtar ndaj librit. Qëndrimi zyrtar nuk mund të jetë një qëndrim indiferent sepse asgjë nuk e zëvendëson librin.

Në kohërat që vinë ne do të hapim bibliotekat virtuale dhe këto përbëjnë një zhvillim madhor, por sërish libri mbetet libër dhe është i pazëvendësueshëm. Lexuesi gjatë shfletimit të librit prek autorin dhe asgjë nuk mund të zëvendësoj vlerën e të lexuarit. Në disa shkolla që kam vizituar, krahas kabineteve të informatikës, kam konstatuar me kënaqësi se ekziston edhe biblioteka, dhe ajo që mund të them është që i kam gjetur fëmijët shumë të interesuar për librat. Nxënësit shërbenin vullnetarisht duke ndihmuar mësuesin që mbikëqyrte bibliotekën.

Por, natyrisht nuk mund të them se raftet e tyre ishin plot. Ndaj, jemi në fillim të vitit të ri shkollor dhe do të doja që kjo çështje të ishte shumë e rëndësishme për të gjitha shkollat e Shqipërisë. Gjithashtu do të doja që kjo çështje të ishte shumë e rëndësishme për të gjitha bibliotekat e institucioneve të këtij vendi, në të cilat duhet të theksoj se autorët shqiptarë janë shumë të rrallë. Veprat e tyre të plota gjenden shumë rrallë. Çdo institucion në këtë vend përdor një fond të caktuar për të blerë piktura apo për të bërë një paraqitje tjetër dhe unë nuk jam kundër këtyre, por është krejtësisht anormale të harrohen bibliotekat për shkak se janë në një dhomë që nuk i shohin vizitorët. Shpresoj që të gjitha institucionet e vendit të adaptojnë një qëndrim të ri ndaj librit. Pluhuri ndaj librit është pluhur mbi dijen, është pluhuri më i pamëshirshëm dhe nuk duhet ta pranojmë. Libri nuk është arkivuar, libri sot është absolutisht instrumenti që përcakton horizontin, në të gjitha zhanret e tij.

Zoti Beja, ju së bashku me zotin Plasari duhet të përpunoni një platformë, e cila të sanksionohet në vendim qeverie, por në rast nevojë edhe në ligj, në mënyrë që të ndalohet pluhurosja e mëtejshme dhe e pamerituar e librit. Libri duhet të vendoset në piedestalin në të cilin u ka rezistuar të gjitha kohërave. Libri ecën drejt së ardhmes, ndaj dhe ne duhet të shpejtojmë dhe të konsolidojmë një qëndrim të ri. Duke e njohur problematikën e krijuar ne duhet të promovojmë librin, të mbështesim librin dhe të krijojmë të gjitha kushtet për rolin, funksionin, misionin e tij, si ndriçues në mendjet e njerëzve të të gjitha gjeneratave dhe veçanërisht të rinjve.

Në këtë mbledhje ka shumë çështje, por çështja e librit është shumë e rëndësishme. Unë doja të veçoja vendimin e Qeverisë për të hapur ambasadën Shqiptare në Brazil, në këtë vend të madh dhe shumë i rëndësishëm. Në takimin e shkurtër që zhvillona në Pekin me Presidentin Lula, e informova se Shqipëria shumë shpejt do të hapë ambasadën në vendin e tij të madh.
Në vizat i kemi hequr për këtë vend dhe shpresojmë që me këtë hap marrëdhëniet e Shqipërisë me Brazilin të njohin zhvillime të reja të rëndësishme. Brazili është një vend demokratik, me rezultate dhe ngjitje të konsiderueshme, si dhe me një peshë të madhe jo vetëm në kontinentin amerikan, por më gjerë në mbarë botën”.


27/08/2008

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave