Kryeministri Berisha tha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë qenë përcaktuese për marrjen e ftesës për anëtarësim dhe nënshkrimin e Protokollit të Aderimit në NATO.
“Firmosja e Protokollit të Aderimit dhe ftesa e 3 prillit, - tha Kryeministri - është rezultat i reformave të thella ekonomike e fiskale të ndërmarra nga qeveria. Këto reforma, të paimagjinueshme tre vjet më parë, e shndërruan Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, e vendosën atë në orbitën e zhvillimit dhe rritjes së shpejtë ekonomike. Këto reforma e vendosën Shqipërinë në fokusin e kompanive të mëdha botërore për investime në turizëm, energji, miniera dhe fusha të tjera. Reforma që, në tërësi, i garantuan vendit një demokraci dhe ekonomi tregu funksionuese”.
Kryeministri veçoi të një rëndësie të veçantë luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Dua të theksoj se përcaktuese për 3 prillin dhe 9 korrikun kanë qenë e mbeten lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, për të cilën qeveria ime u zotua gjatë fushatës elektorale, kanë qenë e mbeten respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave njerëzore, e sanksionuar kjo në të gjitha raportet ndërkombëtare që konstatojnë se qeveria respekton liritë e të drejtat njerëzore. Kjo u bë e mundur nga lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, luftë e cila ka nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit dhe i ka dhënë Shqipërisë qeverinë me shpenzimet operative më të ulëta në Europë dhe mbase në botë. Kjo luftë e ka shndërruar Shqipërinë nga vendi i prokurimeve direkt, në vendin e prokurimeve të hapura. Ne kemi luftuar me eficencë kontrabandën, evazionin dhe informalitetin, të gjitha këto fenomene të mbjella mbi korrupsionin, duke ju siguruar qytetarëve shqiptarë 1.2 miliard dollarë më shumë të ardhura këtë vit, sesa në vitin 2005. Kjo luftë ka bërë të mundur që, ashtu si për tre vjet rresh, edhe këtë vit të dërgojmë në mes të vitit, në parlament një buxhet të dytë, si rrallë ndonjë qeveri tjetër,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se suksesi i këtyre reformave u cilësuan si inspiruese nga vendet anëtare të NATO-s dhe marrja e ftesës për anëtarësim dhe firmosja e Protokollit të Aderimti në NATO është gjithashtu vlerësim i këtyre arritjeve.
09/07/2008