- Suksesi i reformave bëri që Shqipëria të meritojë ftesën në NATO
Kryeministri Berisha përshëndeti nënshkrimin sot, në Bruksel, të Protokollit të Aderimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke e cilësuar këtë një ditë historike për kombin shqiptar.
“Është një rast i madh t’ju përshëndes ju dhe çdo shqiptar, kudo që ndodhet dhe t’i uroj këtë ditë historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vetëm pak çaste më parë në Bruksel, në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jaap De Hoop Scheffer dhe përfaqësuesit e 26 vendeve anëtare të Aleancës firmosën, në prani të ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe të Kroacisë, Protokollin e Aderimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë”, u shpreh Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Duke e konsideruar këtë një ditë të madhe dhe historike në udhëtimin e Shqipërisë drejt të ardhmes, Kryeministri Berisha u shpreh se firmosja e Protokollit të Aderimit në NATO u bë e mundur pas marrjes së ftesës në 3 prill të këtij viti, në Bukuresht dhe dy raundeve shumë të suksesshme të negociatave në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel midis përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe atyre të Aleancës.
Kryeministri Berisha siguroi se reformat kanë qene dhe do të mbeten “perpetum mobile” i qeverisë dhe se ajo do t’i përgjigjet me seriozitet çdo kërkese që Aleanca do të bëjë ndaj Shqipërisë, në kuadrin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në të.
“Sot e tutje, - tha Kryeministri - Shqipëria do të përfaqësohet në të në të gjitha nivelet në tryezat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne do të punojmë shumë të meritojmë sa më shpejt të jetë e mundur anëtarësimin e plotë. Por që nga ky moment përfaqësuesit e vendit dhe kombit tonë do të ulen në të gjitha takimet dhe tryezat e kësaj Aleance.”
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, vendeve anëtare të saj dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush për mbështetjen dhe besimin e dëshmuar me këtë akt ndaj Shqipërisë.
“Ky është një rast për të shprehur edhe një herë mirënjohjen time më të thellë ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarit të Përgjithshëm Scheffer, vendeve anëtare të saj, në veçanti Presidentit George W. Bush, i cili erdhi në Tiranë, më 10 qershor të vitit të kaluar, me mesazhin e madh për shqiptarët për mbështetjen e tij dhe të vendit të tij të madh për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dua të falënderoj të gjitha vendet anëtare për firmën që vendosën sot, si një firmë besimi të madh ndaj Shqipërisë, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare dhe t’i garantoj se qeveria që unë kryesoj e konsideron këtë firmë si një përgjegjësi të re, të madhe për të zbatuar të gjitha standardet, kriteret dhe normat e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo Aleancë”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë ata, që me kontributin e tyre, bënë të mundur realizimin dhe suksesin e reformave në vend, reforma të cilat bënë që Shqipëria të meritojë ftesën për anëtarësim në NATO.
“Një falënderim shumë të përzemërt dua t’ju bëj të gjithë atyre që me përkushtimin, dijet dhe vendosmërinë kontribuuan në ndryshimin e vendit, ndryshime të mëdha që e bënë Shqipërinë të përshtatshme dhe të denjë për të ecur e sigurt drejt anëtarësimit në NATO. Dua të falënderoj të gjithë ata, të cilët në këto vite dhanë ndihmesë të çmuar në reformat e thella e të gjithanshme.”
Sot, Aleanca e Atlantikut të Veriut nënshkroi në Bruksel, Protokollit e Aderimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Shqipëri përfaqësohej me Ministrin e Punëve të Jashtme Lulzim Basha.
09/07/2008