- Miratohet metodologjia e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe Albtelekom
Këshilli i Ministrave miratoi metodologjinë e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe Albtelekom. Kryeministri Berisha theksoi se ky vendim është kusht për respektimin e konkurrencës së lirë në treg dhe do të ndikojë në uljen e çmimit të impulseve.
“Pas një pune të madhe Enti kombëtar i Telekomunikacionit dhe Frekuencave ka sjellë për miratim metodologjinë e rregullimit të tarifave, të organizimit të operatorëve me fuqi të ndjeshëm në treg, ku përfshihen jo vetëm celularët, por edhe Albtelekom. Po bëhet një përpjekje e madhe që tregu të vijë në parametrat e tij. Ardhja në këto parametra do të thotë ulje e ndjeshme e çmimit të impulseve elektronike. Kjo nuk është ndërhyrje në treg, përkundrazi është një kusht që të respektohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme dhe jo marrëveshja e sipërmarrjeve, sepse ato nuk i lejon tregu i lirë,” u shpreh Kryeministri.
Duke e konsideruar këtë vendim si hapin e parë, Kryeministri tha se tregu i telekomunikacioneve do të njohë zhvillime shumë të rëndësishme në muajt e ardhshëm.
“Ky është vetëm një fillim, se me disa ndërhyrje që bëhen në tregun e telekomunikimit, falë ligjit të ri që i bën të mundura ato, gjatë muajve të ardhshëm, edhe ky treg do të njohë zhvillime shumë pozitive”.
18/06/2008