Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kompensimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga aksidenti teknologjik në Gërdec, fond i cili arrin në vlerën rreth 900 milionë lekë. Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë fond kompensohen edhe banorët e fshatrave të Manzës, Marikajt si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur.
“Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është vendimi për kompensimin përfundimtar për Gërdecin. U bënë riverifikimet dhe rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, ndaj dhe sot vendosëm për fondin shtese prej 900 milionë lekë, ku përfshihet biznesi, fshatrat e Manzës, Marikajt. Në tërësi këto ishin rivlerësime, ndërsa një pjesë e vogël janë vlerësime që shtrihen në Bashkinë e Manzës dhe komunën Maminas. Pjesa tjetër janë kundërshtime të familjarëve që nuk kanë qenë të bindur për vlerësimin dhe është bërë rivlerësimi”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ky kompensim bëhet pas vendimit të marrë nga qeveria për pagesën e qirave, banorëve që kanë mbetur të pastrehë nga ky aksident.
“Pas qirave të ofruara për banorët e kësaj zone, po bëhet dhe kompensimi i tyre. Në atë zonë ndërtimi po vazhdon, ndërkohë që qeveria ka marrë të gjitha masat që, këto 6 muaj që ata ndërtojnë shtëpitë, t’u akordojë një qira prej 25 mijë lekë në muaj, shumë kjo që i lejon të strehon në çdo vend dhe në mënyrë të përshtatshme”, tha Kryeministri.
11/06/2008