Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Buxheti 2008 ėshtė buxheti i decentralizimit
 

 - Ulen me 20 për qind shpenzimet për pajisje në administratë

 Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se në buxhetin e vitit 2008, fondet për qeverisjen vendore arrijnë rreth 20 miliardë lekë. Kryeministri tha se ky buxhet është buxheti i decentralizimit.

 

“Po të kemi parasysh të ardhurat që realizohen nga administrimi i taksës së biznesit të vogël, e cila është marrë përsipër në mënyrë totale nga pushteti vendor, realisht fondi për qeverisjen vendore shkon së paku 24 miliardë lekë. Gjithashtu, nëse marrim parasysh shifrën e vitit 2005 të biznesit të vogël që tani është me një shtesë të madhe, ky fond arrin në 25 miliardë lekë”, tha Kryeministri.

 

Në këtë mënyrë, nënvizoi Kryeministri, qeveria përmbush premtimin e saj. “Qeveria vjen shumë e vendosur dhe në zbatim të plotë të premtimit elektoral të bërë për procesin e decentralizimit, por edhe të respektimit të një parimi ndër më themelorët e demokracisë”, tha ai.

 

Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se në buxhetin 2008 janë centralizuar të gjitha shpenzimet e agjencive qeveritare, si në karburante, në kompjuterë, pajisje zyrash, gjeneratorë dhe zëra të tjerë. Do të jetë një Departament apo Agjenci e Ministrisë së Brendshme, e cila do të hapë tenderin, jo për të bërë blerje të veçanta për çdo institucion të administratës, por për të blerë zëra të ndryshëm, sipas nevojave, për mbarë administratën. “Jam i sigurt se kjo lloj blerjeje do të kursejë së paku 20 për qind të shpenzimeve që bëhen për këto zëra të domosdoshëm për funksionimin e administratës”, u shpreh Kryeministri.

 

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, tha:

 

“Sot është verdikti përfundimtar për buxhetin. Unë dua të evidentoj një fakt të ri, jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ky është buxheti i decentralizimit. Në këtë buxhet, fondet për qeverisjen vendore arrijnë rreth 20 miliardë lekë. Në vitet 2004 dhe 2005 fondet për qeverisjen vendore kanë qenë  6.3 dhe 7.1, por me promovimin e procesit të decentralizimit kjo vlerë përafrohet me 20 miliardë lekë. Po të kemi parasysh të ardhurat që realizohen nga administrimi i taksës së biznesit të vogël, e cila është marrë përsipër në mënyrë totale nga pushteti vendor, realisht fondi për qeverisjen vendore shkon së paku 24 miliardë lekë. Gjithashtu, nëse marrim parasysh shifrën e vitit 2005 të biznesit të vogël që tani është me një shtesë të madhe, ky fond arrin në 25 miliardë lekë.

 

Mendoj se kjo është një nga hapat më të rëndësishme që ka marrë qeveria shqiptare në tërë këto vite. Ndarja e buxhetit qendror me qeveritarët vendorë është detyrim madhor që rezulton nga procesi i decentralizimit, është rritje e efiçencës së përdorimit të buxhetit, është afrim shumë më i madh me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, është pa diskutim edhe një investim më i mirë i tij.

 

Qeveritë vendore kanë krijuar një eksperiencë të madhe, kanë zhvilluar kapacitete reale në realizimin e investimeve, ndaj është shumë normale dhe e detyrueshme që ata të jenë  jo vetëm investitorë kryesore të rrugëve dhe rrugicave, por edhe të shkollave, të kopshteve, të qendrave shëndetësore, të tregjeve, të thertoreve të qyteteve dhe komunave të tyre, të ndihmës sociale për qytetarët e tyre. Kështu që të zotuar për decentralizimin, ne vijmë shumë të vendosur dhe në zbatim të plotë të atij premtimi elektoral që kemi bërë, por edhe të respektimit të një parimi ndër më themelorët e demokracisë.

 

Në rast se ne përmendëm një rritje nga viti 2005 dhe deri më sot, pra nga 7.1 miliardë në 25 miliardë, unë ju siguroj se kjo shifër do të jetë akoma më e lartë, pasi këtu nuk është përfshirë shuma që do të akordohet bashkisë së Tiranës për shpronësimet që duhet të bëjë në gjurmën e unazës së madhe të Tiranës, për të cilën ministria e Punëve Publike ka marrë detyrën dhe ka krijuar tashmë grupe të përbashkëta me bashkinë e Tiranës, për të realizuar sa më shpejtë këtë proces. Uroj që dokumentet e  para të vijnë sa më shpejtë, në mënyrë që këtë vit të fillojë disbursimi i shumave të konsiderueshme që qeveria i disponon për këtë qëllim. Sikundër, qeveria është e vendosur që të kontribuojë me të gjitha mundësitë e saj, me buxhetin, në ndërtimin e kësaj unaze tepër të rëndësishme për qytetin e Tiranës. Pra kemi realizuar një objektiv madhor që e bën më demokratike jetën e vendit.

 

Së dyti, kemi centralizuar të gjitha shpenzimet e agjencive qeveritare në karburante, në kompjuterë, pajisje zyrash, gjeneratorë dhe zëra të tjerë. Do të jetë një Departament apo Agjenci e Ministrisë së Brendshme, e cila do të hapë tenderin jo për të bërë blerje të një kompjuteri këtu dhe një aty, por për të blerë të gjithë kompjuterët apo zërat e tjerë të nevojshëm dhe, po të jetë nevoja edhe më tepër se sa është parashikuar, për mbarë administratën, për të blerë karburantin për mbarë administratën, për të blerë automjetet, kancelaritë, për mbarë administratën. Jam i sigurt se kjo lloj blerjeje do të kursejë së paku 20 për qind të shpenzimeve që bëhen për këto zëra të domosdoshëm për funksionimin e administratës. Sikundër, ky vit shënon vendosjen e standardit të shpenzimeve për çdo punonjës, duke marrë për bazë standarde të mira.

 

Unë dua t’i siguroj qytetarët se këto shpenzime rriten vetëm me inflacionin dhe nuk mund të kenë rritje tjetër. Natyrisht, është bërë një diskutim i hollësishëm me Departamentin e Buxhetit, i cili për lehtësi dhe traditë përfshinte në  këtë zë dhe shpenzime të cilat janë të lidhura me misionin e Ministrisë apo Drejtorisë. Psh., po të marrim rastin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, e cila në fakt shpenzimet për person i ka ndër më të ulëtat, por për shkak se është institucioni që detyrohet të paguajë borxhet e shtetit, palëve të treta dhe me radhë, është institucion i cili duhet të disponojë pa diskutim fondet e nevojshme për të paguar detyrimet  që rrjedhin nga vendimet e gjykatave dhe vendime të tjera.

 

Në këtë buxhet ka edhe një risi tjetër  simbolike të rëndësishme. Caktohet për herë të parë fondi për Shoqërinë Civile. Unë e quaj të domosdoshme këtë. Shoqëria civile është një nga realitetet më pozitive të këtij vendi, është një kontribuuese madhore në proceset demokratike, shoqëria civile deri më sot ka funksionuar duke mos pasur mbështetjen e taksapaguesve të këtij vendi, ndonëse ajo është një pjesë shumë e rëndësishme, një realitet shumë i rëndësishëm, me kontribute reale. Organizatat e  Shoqërisë Civile i kanë quajtur me të drejtë si kanalet mushkërore të demokracisë.

 

Ndaj ne, krahas qarqeve Akademike të cilat e kanë fondin e tyre sepse ata janë buxhetorë, kemi përcaktuar një fond prej 150 milionë për Organizatat e Shoqërisë Civile, në mënyrë që ato ta ndjejnë, ta dinë që qeveria është e vetëdijshme, si për kontributin e tyre, ashtu edhe për rolin që ato duhet të luajnë në jetën e vendit. Këtu ka një problem të pazgjidhur që është çështja e shpërndarjes së këtij fondi. Për këtë çështje do të nisë një dialog nga autoritetet përkatëse dhe do të jenë ata që do të përcaktojnë rregullat e përdorimit të tij..

 

Shumë aspekte të tjera të buxhetit i kemi trajtuar edhe në mbledhje të tjera, por në tërësi, edhe njëherë, ky buxhet u garanton shqiptarëve investime sa 4 vitet e qeverisjes së mëparshme të marra së bashku”.              


24/10/2007

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave