Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e sotme tė Kėshillit tė Ministrave
 

“Zotërinj ministra,

Në këtë mbledhje, dua t’ju informoj me detyrimet që dalin për çdo ministri nga vizitat dhe takimet që zhvillova në Fier, Patos dhe Berat. Në këto vizita, konstatova përpjekje serioze nga qeveritarët vendorë për të zbatuar projektet e tyre në shërbim të qytetarëve, zhvillimit të qyteteve dhe komunave dhe gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe partneritet të frytshëm me qeverinë qendrore. Për qarkun e Fierit, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet të sjellë me shpejtësi në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH) planin rregullues të qytetit të Fierit. Kryetari i bashkisë së Fierit ka meritën për të qenë ndër të parët me një plan të përgjithshëm rregullues të qytetit. Edhe në agjendën e KRRTRSH-së, plani duhet të ketë përparësinë që meriton.

 Ministria e Punëve Publike duhet të nisë menjëherë projektin për rrugën Fier-Patos, pjesë e rrugës kombëtare. Patosi duhet të afrohet në mënyrë të ndjeshme me Fierin. Sikundër duhet të bëjmë çdo përpjekje që by pass-i i Fierit të fillojë nga fundi i këtij viti. Për qarkun e Beratit, kanë mbetur pa u asfaltuar 5 kilometra rrugë në aksin Berat-Lushnje. Duhet të bëhet me urgjencë projekti dhe të sistemohet ky segment, pasi plotëson të gjithë aksin. Duhet të nisin negociatat për ujësjellësin me KFW, e cila për arsye objektive është larguar nga Berati. Kryetari i bashkisë më siguroi se është i vendosur të plotësojë të gjitha standardet e kërkuara për këtë bashkëpunim. Duhet të merrni takim me ta dhe t’i kërkohet të rikthehet e të bashkëpunojë me këtë bashki, e cila shpreh vullnet të plotë për këtë bashkëpunim. Berati ka edhe dy probleme që kërkojnë zgjidhje. Bulevardi kryesor i tij është edhe rrugë kombëtare. Bashkia nuk mund ta rikonstruktojë me fondet e veta tërë gjatësinë e tij. Ashtu siç kemi rikonstruktuar pjesë të tjera të aksit kombëtar, duhet të rikonstruktojmë edhe këtë pjesë. Pavarësisht se është brenda qytetit, ai është pjesë e aksit kombëtar.

Gjithashtu financimi i urës, që sapo inauguruam, duhet të parashikohet i tëri për vitin 2008. Kompania premtoi se do të përgjysmojë kohën e ndërtimit të urës. Unaza duhet të përfshihet gjithashtu në projektet tona. Një rrugë tjetër jashtëzakonisht e rëndësishme është rruga Berat-Këlcyrë, 73 kilometra. Kjo rrugë duhet të nisë, sepse në 7 kilometrat e para të saj gjenden plantacionet më të mëdha të qershive dhe të prodhimeve të tjera. Ajo është një nga zonat e fuqishme bujqësore, me prodhimtari të lartë. Edhe në këtë kontekst, si dhe faktit se ajo është rrugë tradicionale, e cila ka qenë kombëtare, e meriton të trajtohet me gradualitet. Në Fier, është i nevojshëm rikonstruksioni i qendrës së Fierit, mbyllja e unazës së qytetit, në të cilën ka mbetur një segment i shkurtër dhe asfaltimi i rrugës “Skënderbeu”. Asfaltimi i rrugës Drizë-Myrteza në komunën Qendër, i rrugës së komunës Frakull dhe asfaltimi i rrugës Selitë. Në komunën e Otllakut, në Berat, një nga komunat më të mëdha të vendit, është bërë një investim në ujësjellës, por duhet të ndërtohet në mënyrë urgjente depoja e ujit. Sikundër duhet të zgjidhet edhe problemi i rrugës Lumas-Lapardha, gjysma e së cilës ende nuk është asfaltuar. Edhe kjo gjithashtu është një zonë shumë e fuqishme bujqësore. Në fakt, në Berat nuk gjen një pëllëmbë tokë të papunuar. Këto projekte duhet të shqyrtohen me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Ministrinë e Brendshme dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ndoshta qeveria nuk mund t’i mbulojë të gjitha, por ajo duhet të përparësojë dhe të mbulojë maksimumin e mundshëm të saj në zbatimin e këtyre projekteve. Në këto rrethe, Ministria e Arsimit duhet të përqendrohet për të hapur sa më shpejt filiale të shkollës së lartë. Edhe drejtuesit e pushtetit vendor kanë rënë dakord që të procedohet në këtë mënyrë e më pas të shkohet me konsolidimin e universiteteve. Në qytetin e Beratit, Fierit dhe Lushnjes ekzistojnë kushte të plota për të hapur filiale të shkollave të larta për turizëm, ekonomi, infermieri, biznes etj..

Ne duhet të bëjmë të mundur që këto filiale të fillojnë sa më shpejt nga funksionimi. Në Berat, vizitova shkollën e mesme profesionale, të ngritur nga qeveria shqiptare dhe Suwis Contakt. Ne duhet të shqyrtojmë ndërtimin e shkollave të tilla në qytetet e mëdha të vendit. Kjo shkollë, që funksionon mbi bazën e një koncepti të shkëlqyer, tre vjeçar për punëtorin e kualifikuar dhe 5 vjeçare për teknikun e mesëm, duhet të jetë model për qytetet e mëdha. Shkolla ishte polivalente për hidraulik, teknik ndërtimi, elektricist etj.. Shkolla funksiononte me thjeshtësi e qartësi. Gjeta entuziazëm të madh tek mësuesit e nxënësit për shkollën e tyre. Mund të kërkohet ndihma e autoriteteve zvicerane, ku natyrisht pjesëmarrja jonë duhet të jetë e madhe. Unë do të dëshiroja që këtë shkollë ta vizitonin të gjithë kryebashkiakët e vendit për të favorizuar ndërtimin e një shkolle të tillë në qytetet e tyre. Përsa i përket çështjes së konvikteve, përveç atyre të shkollave kombëtare, konviktet e tjera duhet t’u kalojnë bashkive, sepse edhe ato duhet të shkojnë drejt decentralizimit. Këtë problem ma ngritën autoritetet vendore edhe në Berat. Mendoj se qytetet e mëdha mund ta përballojnë plotësisht menaxhimin e konvikteve. Në Patos, kryetari i bashkisë së Patosit, njeri me entuziazëm për të ndihmuar qytetin e tij, kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollës profesionale të naftëtarit. E vlerësoj shumë të drejtë kërkesën e tij, sepse nafta po vjen duke u fuqizuar. Kompani të huaja, që kanë marrë lejet për eksplorime dhe shfrytëzim të fushave ekzistuese të naftës e puseve të tyre, janë shtuar. Nga një kompani, Bankers Petrolium, e cila vitin e ardhshëm parashikon 40 milion euro investime, dhe në fakt kishte bërë investime të mëdha, janë edhe tre kompani të tjera, si dhe një tjetër vepron në det. Do të ishte në interes të tregut, ofrimi nga ana jonë të punëtorëve të kualifikuar. Prandaj duhet ta konsiderojmë këtë shkollë. Kryetari i bashkisë ishte i gatshëm të ofronte të gjitha lehtësirat për hapjen e saj. Unë ju kërkova kryetarëve të bashkësive, dhe për këtë Ministria e Arsimit duhet të insistojë, që ta sjellin arsimin zërin e parë të buxhetit të tyre. Ashtu si qeveria rrit buxhetin, do t’u kërkojmë atyre të rrisin buxhetin për arsimin dhe për këtë i kanë mundësitë. Vetëm në këtë mënyrë, do të mund të mishërohet në projekte dhe në jetë dashuria dhe dëshira që shqiptarët kanë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Në Fier është e domosdoshme të zgjerohet shkolla bujqësore. Ata ishin të kënaqur me funksionimin e saj, por kërkonin rritjen e numrit të nxënësve dhe ishte e nevojshme që ky numër të shtohej.

Të ndiqet ky model dhe aty të shkollohen fermerët. Ekzistojnë modele shumë të mira të shkollave bujqësore edhe në Shqipëri dhe ne duhet t’i fuqizojmë këto shkolla. Probleme kishte edhe me rikonstruksionin e shkollave në Rizë të komunës Qendër, të shkollës së mesme të komunës Fratar dhe shkollave të tjera. Viti i ardhshëm shënon 100 vjetorit e shkollës në Libofshë. Ne duhet të krijojmë mundësinë që populli i Libofshës ta festojë këtë 100 vjetor me një shkollë dinjitoze, të rikonstruktuar dhe që ofron të gjitha lehtësirat. Probleme të përbashkëta për dy qytetet janë lumenjtë. Duhet të bëhet projekti përfundimtar për Osumin. Ky lum kalon mes për mes qytetit, ndaj duhet të ketë sistemimin dhe dekorimin e nevojshëm. Gjanica përbën një problem të madh për Fierin. Ministri i Ekonomisë duhet të urdhërojë dy korporatat që ndotin lumin që, në mënyrë të papranueshme, nuk duhet të derdhin asnjë sasi ujë të ndotur pa e kaluar në impiantet e pastrimit. Nuk jemi në vitet ’30, por në vitin 2007, kështu ato duhet të blejnë impiantet dhe të kalojnë ujërat e tyre në impiant, t’i pastrojnë para se ato të zbresin në Gjanicë, i cili ndodhet ngjitur me bulevardin e Fierit. Ndotjen kryesore këtij lumi ia shkakton nafta. Ndërmarrjet e naftës duhet të vendosin si detyrim absolut impiantet e pastrimit të ujërave para shkarkimit. Ministria e Mjedisit do të ushtrojë të gjithë tagrin ligjor ndaj tyre, për të imponuar zbatimin e standardeve. Impiantet janë shumë të fuqishme dhe duhet të vendosen në të gjitha instalimet e Armos dhe Albpetrol-it, të cilat i derdhin ujërat në Gjanicë. Gjithashtu ne duhet t’i krijojmë mundësi Fierit dhe Beratit për të pasur parqe industriale. Të dy qytetet kanë tradita të shkëlqyera industriale në vend. Kudo ku shkova gjeta sipërmarrje të mëdha në Fier, Berat, Patos, gati sikur të ishin degë të një korporate të mëdha dhe funksiononin për eksport. Një sipërmarrje prodhonte grila të cilësisë më të lartë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin, një tjetër prodhonte ambalazhe për Pradën dhe firmat më prestigjioze. Këto dy qytete duhet të konsiderohen në listën e qyteteve që duhet t’u ofrohen parqe industriale. Duhet të shihet mundësia e vendosjes së një nënstacioni të dytë të Berat, si dhe shqyrtimi i rrjetit elektrik. Berati është qytet me pagesa të shkëlqyera të faturave të energjisë elektrike në të gjithë vendin. KESH-i duhet të ketë bonuse për këtë rreth. Ne nuk besojmë se politika që ndjekim është më e drejta.

Shkodran sot po i afrohet 70 për qind të pagesës së energjisë. Ka një mënyrë për të vdekur jetën ekonomike të një vendi dhe kjo është t’i presësh energjinë. Ka edhe një mënyrë tjetër, t’i japësh mundësinë të paguajë energjinë dhe ne ndoqëm këtë të dytën. Kjo po jep rezultatet të qarta, por nuk përjashton bonuset për ata që janë në krye të pagesave të energjisë së konsumuar. Gjatë takimeve sipërmarrësit kërkuan mbështetje për punëtorët e rinj. Dua t’ju garantoj se kudo ku kam shkuar kam gjetur vullnet për të zgjeruar dhe dyfishuar sipërmarrjet e tyre. Vizituam kompaninë që prodhonte çantat e paketimit për kompanitë e mëdha të modës, e cila po ndërtonte një tjetër më të mëdha dhe më moderne. Ne duhet t’i ndihmojmë ata në kualifikimin e punëtorëve. Të njëjtën frymë gjeta edhe kur vizitova ndërmarrjen e prodhimit të veshjeve. Motorët e biznesit janë ndezur. Ndaj duhet të përpiqemi t’i përgjigjemi me të gjitha mundësitë tona, të lehtësojmë dhe subvencionojmë kualifikimin e punëtorëve të rinj.

Ministria e Shëndetësisë duhet të parashikojë spitalin rajonal të Fierit. Në qarkun e Fierit popullsia është e madhe dhe duhet të ngrihet një spital rajonal. Sikundër maternitetin e Beratit, në rast se i kryen funksionet tjetërkund, mund t’ia vëmë në dispozicion bashkisë për universitetin. Ministria e Financave duhet të heqë doganën e dyfishtë për eksportuesit. Një sipërmarrës prodhonte për eksport, kalonte në doganën e Beratit dhe pastaj kalonte në doganën e Durrësit. Ministria e Bujqësisë duhet të shohë kërkesën për të ndërtuar hidrovorin në komunën Sheq, por duhet të verifikohet kompania, e cila para tre vjetësh ka fituar tenderin për të ndërtuar urat e kanaleve dhe në rast se kompania i ka futur lekët në xhep duhet të penalizohet. Në takimet me fermerët, nga të cilët realisht ndahem me optimizëm, dy janë faktorët që më kanë bërë më optimist.

Faktori i parë është se ata kanë shitur prodhimet e tyre. Në të gjitha takimet kam marrë të njëjtën përgjigje se këto dy vjet, kanë arritur t’i shesin prodhimet dhe kjo është arritje shumë e madhe. Në fund të takimeve të mia në Berat, vizitova serat e një fermeri, të cilin e kisha vizituar edhe në verën e vitit 2005, në prag të zgjedhjeve. Magazinat i kishte të mbushura me domate të cilësisë së lartë, por e gjeta në gjendje depresive, sepse nuk mund t’i shiste prodhimet e tij. Por këtë radhë magazinat i kishte bosh.

Faktoi i dyti është se prodhuesit pranojnë subvencionin mbi bazën e prodhimit dhe kredinë afatgjatë. Ne duhet ta diversifikojmë mbështetjen për ta. Jam dakord që aty skema aktuale është e nevojshme për fermerin në Tomorricë, por tjetër është skema që i jepet fermerit në Myzeqe, Zadrimë, Novoselë apo Korçë. Prandaj duhet ta diverisfikojmë mbështetjen, sepse, në rast se në këtë mënyrë kemi mundësi të ndihmojnë 2000 fermerë, me kredinë e butë mund të ndihmojmë me mijëra të tjerë. Viti i ardhshëm duhet të na gjejë me një skemë të diversifikuar dhe fonde të rritura për bujqësinë. Të nderuar zotërinj ministra, Këto ishin detyrimet e qeverisë që dalin nga vizitat dhe takimet në këto rrethe. Këto duhen të jenë pjesë e punës në agjendën tuaj, në mënyrë që ne t’u përgjigjemi kërkesave legjitime dhe të drejta të tyre.

* * * Sot, do të marrim një vendim realisht historik, për transferimin e ujësjellësve njësive të qeverisjes vendore. Ky vendim shënon fillimin e një etape të re, atë të shërbimit pranë dhe për komunitetin. Është tejet e rëndësishme që, edhe pas transferimit të aksioneve, shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve të ruajnë formën e tyre juridike dhe zonën e shërbimit për një periudhë të paktën 2 vjeçare. Qëllimi është eliminimi me çdo kusht i copëtimit të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, që mund të rrisin në mënyrë drastike çmimet apo të pakësojë furnizimin, pra, të bëjë që njëra pjesë e territorit të zvogëlojë furnizimin e territorit tjetër. Transferimi i të drejtës së pronësisë do të shoqërohet me rikompozimin në favor të qeverisjes vendore të përfaqësuesve të Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërive, që presupozon kalimin real të përgjegjësive për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve tek njësitë e pushtetit vendor. Në këtë kontekst, kërkoj nga Grupi Ndërministror, i ngritur për ndjekjen e zbatimit të transferimit të pronave të paluajtshme shtetërore të ujësjellësve në njësitë e qeverisjes vendore dhe me përfaqësues të Ministrive të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të Ekonomisë, të Brendshme dhe Financave, të përgatisë disa akte dhe nën akte ligjore, forma ligjore të vendoset me ekspertët Grupit, si:

1. Hartimin e statutit të shoqërive pas transferimit.

2. Organizimin dhe funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërive pas transferimit.

3. Hartimin e kontratës për administratorit e shoqërisë në bazë të treguesve të punës.

4. Asistencë në konstituimin e Asamblesë së Ortakëve.

5. Planifikim të subvencioneve nga buxheti i shtetit në funksion të treguesve pozitivë të punës.

6. Mbështetje, me ndihmën dhe të donatorëve, për të vazhduar me investime kapitale në këtë sektor.

Dua të theksoj se transferimi i pronësisë dhe dorëzimi nën juridiksionin dhe qeverisjen vendore të ujësjellësve nuk ka asgjë tjetër për bazë veçse përmirësimin e menaxhimit dhe përmirësimin e furnizimit me ujë. Detyrimet e qeverisë janë dhe do të mbeten për të vazhduar investimet nëpërmjet njësive të qeverisjes vendore në projektet e furnizimit me ujë, derisa nevojat e qytetarëve në mbarë vendin të zgjidhen plotësisht. Ministria e Punëve Publike, e Financave, Ministria e Brendshme nuk mund ta konceptojnë kurrë këtë si një shkëputje nga detyrimet që qeveria ka për furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë. Qeveria i përmbahet kësaj si një nga kërkesat më legjitime të shqiptarëve, por do të bashkëpunojë tani e tutje me qeverinë vendore, do të hartojë bashkë me ta projektet, do të financojë projektet e tyre dhe do t’i ndihmojë dhe asistojë ata për të përmbushur këtë detyrim të madh që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë. Zotërinj ministra, Afatet për këto akte dhe nën akte ligjore do të jetë data 3 tetor 2007. Në këtë datë, ju duhet të keni përmbushur të gjitha detyrimet tuaja, që rrjedhin nga vendimi që marrim sot për transferimin ujësjellësve. Kjo është një punë e madhe që duhet të kompletohet brenda një kohe sa më të shkurtër.”


 


12/09/2007

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave