Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, faza e I-rë”, në Bashkinë e Tiranës.
Zbatimi i këtij projekti paraqitet i një rëndësie vitale për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kryeqytetit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies dhe të zhvillimit të vrullshëm ekonomik të Bashkisë Tiranë. Për këtë qëllim, në përmbushje të plotë të realizimit të projekteve dhe investimeve kombëtare ose vendore, të përcaktuar në nenin 8 pika 2 të ligjit nr. 8561 datë 22.12.1999, “Për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, Bashkia e Tiranës paraqiti pranë Ministrisë së Brendshme kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme që preken nga ky ndërtim.
Për vënien në zbatim të projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza e I-rë, në Bashkinë e Tiranës, pas analizës teknike të kryer nga grupet teknike të punës të ngritura pranë Bashkisë së Tiranës, është konstatuar nevoja për shpronësimin e pasurive troje në pronësi private me sipërfaqe totale prej 38.642 m² dhe 204 objekteve të ndërtuara, në pronësi apo posedim privat.
Referuar informacionit zyrtar dhe verifikimeve në terren të kryera nga grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës me qëllim kontrollin, evidentimin dhe vlerësimin e masës së shpërblimit për objektet e banimit, objektet industriale dhe bujqësore, janë identifikuar si pasuri private të domosdoshme për t’iu nënshtruar procedurave te shpronësimit për interes publik, pasuri troje pronë private gjithsej 58 me sipërfaqe 38.642 m², të ndodhura në Zonat Kadastrale 8340 dhe 8330.
Referuar informacioni zyrtar dhe bashkëpunimit institucional midis Bashkisë së Tiranës dhe ALUIZNI, është konstatuar se nga zbatimi i projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza I-rë, preken 204 objekte ekzistuese, të cilat janë në pronësi apo posedim privat. Ndërsa llogaritjet e sipërfaqeve të ndërtimit në objektet e identifikuara si objekte që do t’i nënshtrohen shpronësimit, janë kryer nga grupet e punës bazuar në matjet metrike në terren, si dhe përllogaritjet matematikore dhe grafike. Pas shqyrtimit të dokumentacionit u arrit në konkluzionin se:
- Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 (nëntëqind e dymbëdhjetë milion e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e dy) lekë.
- Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, si më lart dhe bazuar në çmimet e Entit Kombëtar të Banesave, vlera totale është 844.853.879 (tetëqind e dyzet e katër milion e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë.
Në kushtet kur zbatimi i projektit shtrihet në një zonë urbane kryesisht informale, pjesa më e madhe e objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të shpronësimit kanë statusin “objekte të ndërtuara pa leje”.
Fondi për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
05/09/2013