
Kryeministri Berisha priti sot ne takim Ambasadorin e Norvegjisë për Shqipërinë z. Jan Braathu. Ambasadori Braathu shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falenderimet zyrtare të qeverisë norvegjeze për mbështetjen që Kryeministri Berisha i ka dhënë dy projekteve madhore, gazsjellësit Trans Adriatik- TAP e projektit të kaskadës së Devollit. Statoil, një ndër kompanitë me të mëdha norvegjeze dhe me reputacion ndërkombëtar është një ndër aksionerët me të rëndësishëm të Konsorciumit të TAP-it, me 20% të aksioneve dhe Statkraft, një ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze dhe udhëheqëse e prodhimit hidroenergjetik në Europë e më gjerë është aksioneri me 100% të aksioneve i hidrocentralit të Devollit. Ambasadori Braathu shprehu bindjen se pa mbështetjen e Kryeministrit Berisha suksesi i dy projekteve madhore nuk do të kishte qenë i mundur.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se me suksesin e arritur rreth dy projekteve madhore, një e ardhme e shkëlqyer paraqitet mes dy vendeve tona, duke parashtruar shumë mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike e kulturore mes Shqipërisë e Norvegjisë. Pa diskutim projekti i TAP-it dhe i Devollit janë projektet më të mëdha e më të rëndësishme që Shqipëria ka pasur ndonjëherë me një ndikim domethënës në ekonominë kombëtare, shprehu ai. Kryeministri Berisha shprehu veçanërisht kënaqësinë e prezencës së të mëdhenjve norvegjezë në Shqipëri duke mundësuar sjelljen e ekspertizës të klasit botëror dhe tërheqjen edhe të investitorëve të tjerë norvegjezë në vend.
Gjithashtu Kryeministri shprehu bindjen se projekti i TAP-it si një projekt ndër rajonal do të shërbejë si një themel i fortë për marrëdhënie miqësore dhe për një bashkëpunim ekonomik të fortë ndër rajonal. Ambasadori Braathu përgëzoi Kryeministrin Berisha për rolin e tij konstruktiv në diskutimet rajonale dhe për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Beogradit e Prishtinës.
Ambasadori Braathu përgëzoi Kryeministrin Berisha për punën e bërë nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO dhe në kërkim të statusit kandidat, sikurse inkurajoi vazhdimin e reformave për të mundësuar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Kryeministri Berisha rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e tij për një proces anëtarësimi në BE të bazuar plotësisht në performancën e strukturave shqiptare përkatësisht.
Së fundmi, Ambasadori Braathu përgëzoi Kryeministrin Berisha edhe për iniciativën e tij për e-governance- Shqipërinë dixhitale, zhvillimin e platformave elektronike për ofrimin e shërbimeve publike e zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit në përgjithësi, fushë në të cilën edhe Kryeministri Berisha shprehu bindjen për intensifikim më tej të bashkëpunimit dypalësh.
Kryeministri Berisha falenderoi ambasadorin Braathu edhe njëherë për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve duke shprehur bindjen e potencialit të madh të marrëdhënieve në të ardhmen mes Shqipërisë e Norvegjisë.
04/09/2013