Kryeministri Berisha priti sot Majlinda Kelmendin, Kampionen e re të Botës në xhudo dhe trajnerin e saj Driton Kuka.
Kryeministri Berisha e quajti Mbretëresha e Botës në xhudo kampionen Majlinda Kelmendi, ndërsa tha se fitorja e saj i gëzoi shqiptarët kudo nëpër botë.
“Shqiptarët e kanë pritur me vite kurorën e parë të mbretit në sport, por kurorëzimi i një mbretëreshe si ty Majlinda ishte simbolika më e bukur!”-, u shpreh kryeministri Berisha, duke i dhuruar asaj dhe trajnerit Kuka monedhën e argjendtë të 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri Berisha përgëzoi Kampionen e Botës Majlinda Kelmendi dhe e felenderoi për emocionet e jashtëzakonshme që i dha çdo shqiptari dhe atij personalisht me fitoren e ndeshjes të dy javëve më parë për titullin kampion bote në xhudo që u mbajt në Brazil dhe që u përcoll me shume jehonë nga media ndërkombëtare.
Majlinda Kelmendi, Kampionia e Botës në xhudo, duke falenderuar kryeministri Berisha për vlerësimin tha se; - ai dhe familja e saj ishin të parët që e përgëzuan për fitoren dhe se me këtë fitore shleu një peng nga mosarritja e rezultatit të dëshiruar në Olimpiadën e Londrës të një viti më parë.
Trajneri i saj Driton Kuka e quajti një ngatërresë të bukur kur gjatë ngritjes së flamurit të Kosovës organizatorët luajtën himnin kombëtar.
Kampionia e Botës në xhudo Majlinda Kelmendi dhe Trajneri i saj Driton Kuka, thanë se kishin ardhur enkas në Tiranë nga Prishtina për të ndarë nga afër gëzimin me Kryeministrin Berisha, të cilin ata e quajtën “Kryeministrin shpirtëror të shqiptarëve”.
04/09/2013