Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Vendimet e miratuara nė mbledhjen e Kėshillit tė Ministrave
 
V E N D I M


PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.23,DATË 12.1.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,“PËR PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE, TË PËRGJEGJËSIVE
DHE TË MARRËDHËNIEVE NDËRMJET AUTORITETEVE E STRUKTURAVE TË MENAXHIMIT TË DECENTRALIZUAR TË ASISTENCES SË BASHKIMIT EUROPIAN, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË PARAZGJERIMIT (IPA), KOMPONENTI I, “ASISTENCA E TRANZICIONIT DHE FORCIMI INSTITUCIONAL””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 dhe 8 të ligjit nr.9840, datë 10.12.2007, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për rregullat e bashkëpunimit për asistencën për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA)”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.23, datë 12.1.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1.    Në pikën 1 shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:

“Vendimi u garanton autoriteteve të menaxhimit të decentralizuar ushtrimin e përgjegjësive të ngarkuara për menaxhimin, zbatimin dhe kontrollin e programeve të financuara nën IPA-n, edhe në rastet kur mes autoriteteve të përfshira në proces nuk ka lidhje hierarkike. Gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, këto autoritete krijojnë një sistem të përshtatshëm për shkëmbimin e informacionit ndërmjet tyre, standardet që duhen plotësuar dhe procedurat që duhet ndjekur, të cilat përcaktohen në manualet e brendshme të procedurave.”.

2.    Në paragrafin e fundit të pikës 2 shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:

“Audituesit, gjatë kryerjes së detyrës, janë funksionalisht të pavarur dhe veprojnë në përputhje me përcaktimet e bëra në Kodin e Etikës të Agjencisë së Auditimit. Subjekti i audituar nuk mund të kundërshtojë, refuzojë apo pengojë misionin e auditit. Sipas objektit të veprimtarisë së auditimit, Autoriteti i Auditit ka të drejtë të kërkojë informacion dhe/ose akses mbi të gjitha të dhënat, asetet dhe personelin e subjektit të audituar. Subjekti i audituar duhet t’i sigurojë Autoritetit të gjitha kushtet e nevojshme për të realizuar misionin e auditimit.”.

3.    Nënndarja “ii”, e shkronjës “ç”, të pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ii. Zbatimin dhe monitorimin në nivel programi e nivel projekti, për  ecretariat e IPA-s,  dhe përgatitjen e raportit vjetor/final, të cilin KKIPA-ja/NIPAC-ja do t’ua dërgojë Komisionit Europian dhe ZKA-së/NAO-së, bazuar në nenin 38, të marrëveshjes kuadër.”.

4.    Shkronja “c” e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c)    ZAP/PAO është përgjegjës për të informuar KKIPA/NIPAC-në për zbatimin e kontratave dhe për t’i siguruar ZKA-së/NAO-së ligjshmërinë e rregullsinë e shpenzimeve apo aspekteve të tjera financiare që lidhen me zbatimin e kontratave.”.

8.    Shkronja “a”, e pikës 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a)    ZLP-ja/SPO-ja është një person i caktuar nga ministri i linjës apo institucioni përfitues, dhe i emëruar nga ZAP-ja/PAO-ja.              ZLP-ja/SPO-ja është përgjegjëse për aspektet teknike të projekteve që do të zbatohen në ministrinë e linjës apo në institucionin përfitues dhe asiston ZAP-në/PAO-në në përgatitjen dhe zbatimin e kontratës në kohë e në mënyrë të përshtatshme.”. 

8.    Shkronja “b”, e pikës 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b)    ZLP-të/SPO-të janë përgjegjës për programimin, zbatimin dhe monitorimin e kontratave e projekteve ku ministritë ose institucionet përkatëse janë përfituesit, sipas kompenentit I.  ZLP-të/SPO-të bashkërendojnë punën brenda ministrisë ose institucionit përkatës dhe raportojnë te KKIPA-ja/NIPAC-ja për funksionet e programimit, të tilla, si analizat sektoriale, identifikimi i projektit, përgatitja e fishave të projekteve dhe monitorimi i projekteve.”.

7.     Nënndarja “i”, e shkronjës “a”, të pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“i.    Kryerjen e procedurave të tenderimit, kontraktimit, regjistrimin e transaksioneve në sistemin e kontabilitetit, kryerjen e pagesave dhe monitorimin e  kontratave të lidhura për projektet e financuara nën komponentin I, të IPA-s, dhe kontrollin e brendshëm, bazuar në kërkesat e sistemit të menaxhimit të decentralizuar të IPA-s.”.
 
8.     Nënndarja “i”, e shkronjës “b”, të pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“i.    Programimin, zbatimin dhe monitorimin e kontratave e projekteve financuar nga komponenti I, i IPA-s, si dhe përmbushjen e funksioneve që kanë të bëjnë me zbatimin teknik të kontratave e projekteve.”.

9.    Shkronja “ç”, e pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç)    Zyra e KKIPA-së/NIPAC-së  është strukturë në ministrinë përgjegjëse për integrimin  ecretar, e krijuar me urdhër të ministrit të integrimit, për të mbështetur  KKIPA-në/NIPAC-në në ushtrimin e funksioneve të programimit, implementimit, monitorimit e të vlerësimeve interim, dhe kryen këto detyra:

i.       Për sa i përket programimit, kjo zyrë organizon procesin e programimit sipas manualit përkatës të programimit të KKIPA-së/NIPAC-së dhe Manualit të Programimit IPA, të Komisionit Europian. Gjithashtu, kjo zyrë dorëzon te KKIPA-ja/NIPAC-ja draftin e fundit të projektfishave për programet në    komponentin I, të IPA-s.

ii.       Për sa u përket implentimit të projekteve dhe programeve, kjo zyrë është përgjegjëse për të ndjekur, në bashkëpunim me    ZLP-në/SPO-në përmbushjen e objektivave dhe rezultaveve të përcaktuara, si dhe mënyrën e përdorimit të produkteve të kontratave.


iii.       Për sa i përket monitorimit, kjo zyrë është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve vjetore/përfundimtare për implementimin, organizimin e takimeve të Komitetit të Monitorimit IPA, dhe për veprimtaritë pasardhëse lidhur me këtë komitet. Lidhur me monitorimin e komponentit I, të IPA-s, Zyra e                  KKIPA-së/NIPAC-së është përgjegjëse për përgatitjen e    drafitit vjetor të raportit të implementimit mbi programet kombëtare, organizimin e takimeve të komitetit të monitorimit për komponentin I, të IPA-s, si dhe për monitorimin në nivel projekti dhe programi, bazuar në Manualin e Monitorimit dhe Vlerësimit.


iv.       Lidhur me vlerësimin interim, zyra e KKIPA-së/NIPAC-së është përgjegjëse për përgatitjen e planit interim të vlerësimit për programet e komponentit I, të IPA-s, si dhe dorëzimin e vlerësimeve interim pranë  KKIPA-së/NIPAC-së, që ky i fundit e paraqet në Komitetin e Monitorimit IPA. Zyra e               KKIPA-së/NIPAC-së përgatit termat e referencës për marrjen     e vlerësuesve interim dhe shërben si pikë kontakti gjatë vlerësimeve interim.”.


10.     Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:

“12/1. Komiteti Ndërministror për Koordinimin e Programeve IPA:
 
i.    Komiteti Ndërministror për Koordinimin e Programeve IPA është një grup ndërinsitucional pune, I cili ngrihet pranë  ecretaria përgjegjëse për integrimin  ecretar, me urdhër të Kryeministrit, dhe ka për qëllim të shërbejë si mekanizëm koordinimi për monitorimin e zbatimit të projekteve dhe programave  IPA. 
ii.    Grupi ndërinsitucional I punës kryesohet nga KKIPA-ja/NIPAC-ja dhe përbëhet nga ZKA-ja/NAO-ja, ZAP-ja/PAO-ja, zëvendësministrat e ministrive të linjës të ngarkuar për të ndjekur progamet IPA, ZLP-të/SPO-të e ministrive të linjës dhe/ose institucioneve të tjera, përfaqësues të Departamentit Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, pranë Këshillit të Ministrave, dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, pranë Ministrisë së Financave.
iii.    Komiteti Ndërministror për Koordinimin e Programeve IPA është përgjegjës për hartimin dhe rishikimin e planit të veprimeve/masave që duhen ndërmarrë për çdo  ecreta  ecretariat të financuar nga programet IPA.  Ky Komitet mund të organizojë inspektime në terren, për të monitoruar zbatimin e planit të veprimit.
iv.    Në rastet e projekteve problematike, të cilat nuk marrin zgjidhje, Komiteti Ndërministror për Koordinimin e Programeve IPA I propozon Komitetit të Planifikimit Strategjik  marrjen e masave konkrete për insitucionet përfituese.
v.    Zyra e KKIPA-së/NIPAC-së do të shërbejë si  ecretariat I Komitetit Ndërministror për Koordinimin e Programeve IPA.”.

  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit  në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

***
V E N D I M

 
PËR


AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “EVEREST IE”, SH.P.K.,  PËR IMPORTIN E MBETJEVE TE POLIETILENIT, PËR QËLLIME RICIKLIMI


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të    ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Autorizimin e shoqërisë “EVEREST IE”, sh.p.k., për importin e mbetjeve të polietilenit me kodin tarifor:

GH 011 ex 391510
B1-B3010

të Konventës së Bazelit, sipas aneksit 1, “Mbetjet e listës së gjelbër”, bashkëlidhur vendimit  nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.
 
2.    Sasia e mbetjeve të polietilenit që importohet,  sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 4000 (katër mijë) tonë/vit.

3.    Mbetjet do të importohen nga shtetet e Maqedonisë, Kosovës dhe vendet e BE-së. Transporti do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importin e mbetjeve për përdorim, përpunim dhe riciklim”, si dhe të anekseve III e IV, të vendimit  nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.

4.    Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, të vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”,  të ndryshuar, dhe  monitorimi i tyre kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport-analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.

5.    Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, është njëvjeçare dhe fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

6.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit publik, merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon, me shkrim, me shtetet eksportuese dhe ato transitore, për autorizimet përkatëse që lejojnë kalimin e kësaj sasie të mbetjeve të polietilenit, në përmbushje të kërkesave të konventës së Bazelit “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.

8.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

***

V E N D I M
 
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË LEHTËSIMIN E TREGTISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të     ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 
SALI  BERISHA

***
V E N D I M


 
PËR

KALIMIN NË PRONËSI, PA SHPËRBLIM, KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË PËR INSTITUCION TË ARSIMIT TË LARTË NË PRONËSI TË TIJ, TË SIPËRFAQES PREJ 7300 M2, NGA TRUALLI I PRONËS NR.185, ME EMËRTIM “BATALIONI I VËZHGIMIT AJROR SAUK”, TIRANË, DHE TË SIPËRFAQES PREJ 2300 M2, PJESË E PASURISË NR.69/1, NË ZONËN KADASTRALE NR.3266, ME EMËRTIM “QENDRA E FORMIMIT POLICOR SAUK”, TIRANË, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SHKENCËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.768, DATË 14.11.2007, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË
SË ADMINISTRIMIT TË PRONËS NR.185, “BATALIONI I VËZHGIMIT AJROR” (ISH-REPARTI USHTARAK 3332) SAUK, TIRANË, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA
E ARSIMIT DHE SHKENCËS”, DHE NR.333, DATË 25.4.2013, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË NJË PJESE TRUALLI TË PRONËS “QENDRA E FORMIMIT POLICOR SAUK”, TIRANË”, NGA MINISTRIA E BRENDSHME TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “b”, e 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Kalimin në pronësi, pa shpërblim, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për institucion të arsimit të lartë në pronësi të tij, të sipërfaqes së lirë prej 7300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtim “Batalioni i vëzhgimit ajror” (ish-Reparti ushtarak 3332) Sauk, Tiranë dhe të sipërfaqes prej 2300 (dy mijë e treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, e ndodhur në zonën kadastrale nr.3266, me emërtim “Qendra e Formimit Policor Sauk”, Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për t’u përdorur për nevoja të këtij komuniteti, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Sipërfaqja e lirë prej 7300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtimin “Batalioni i vëzhgimit ajror” (ish-Reparti ushtarak 3332), Sauk, Tiranë dhe sipërfaqja prej 2300 (dy mijë e treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, e ndodhur në zonën kadastrale nr.3266, me emërtim “Qendra e Formimit Policor Sauk”, Tiranë, të hiqen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.768, datë 14.11.2007 dhe nr.333, datë 25.4.2013.

3.    Komunitetit Mysliman të Shqipërisë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronësisë së sipërfaqes prej 7300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtim “Batalioni i vëzhgimit ajror” (ish-Reparti ushtarak 3332) Sauk, Tiranë, dhe të sipërfaqes prej 2300 (dy mijë e    treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, e ndodhur në zonën kadastrale nr.3266, me emërtimin “Qendra e Formimit Policor Sauk”, Tiranë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA

***
V E N D I M

 

PËR

PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMEVE TË RUAJTJES SË INFORMACIONIT, VAZHDUESHMËRISË SË PUNËS DHE MARRËVESHJEVE TË NIVELIT TË SHËRBIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10325 datë, 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, me propozimin e ministrit për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Çdo institucion, i cili ka ose do të zhvillojë një sistem në fushën e teknologjisë së informacionit, që ofron shërbime për qytetarët, për biznesin dhe për ndërveprim e shkëmbim informacioni për administratën publike nëpërmjet sistemeve elektronike, duhet të parashikojë dhe të realizojë investime për krijimin e sistemit të vazhdueshmërisë së punës (Business Continuity) dhe sistemit të ruajtjes së informacionit (Backup); me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimit pa ndërprerje dhe parandalimin e humbjes ose shkatërrimit aksidental të të dhënave.

Institucioni, gjatë projektimit të këtyre sistemeve, duhet të parashikojë që nyja primare duhet të hostohet pranë Qendrës së të Dhënave Qeveritare.


Në veçanti institucioni duhet:

a)    Të sigurojë që sistemet e teknologjisë së informacionit të përpunojnë  informacionin në mënyrë që të garantohet efikasiteti i ofrimit të shërbimeve.
b)    Të evidentojë sistemet ose pjesët e sistemeve të cilat janë kritike për ofrimin e shërbimit 24 orë në 7 ditë të javës dhe të ketë plane të dokumentuara për menaxhimin e riskut, teknikat e menaxhimit dhe të vlerësimit të performancës së tij. Me qëllim garantimin e mirëfunksionimit të këtyre teknikave të menaxhimit të riskut, institucioni kryen auditime të brendshme.
c)    Të hartojë dokumentin e politikave të vazhdueshmërisë së punës  dhe një plan për ruajtjen e informacionit, në përputhje me udhëzimet të nxjerra nga ministri për çështjet e teknologjisë së informacionit.
 Dokumenti i politikave të vazhdueshmërisë së punës duhet të përmbajë politikat dhe objektivat e përcaktuara, për të siguruar vazhdimësinë e punës së këtyre sistemeve të cilat administrohen nga institucioni ose palët e treta.
 Me qëllim garantimin e vazhdueshmërisë së ofrimit të shërbimeve në raste të jashtëzakonshme emergjencash, të hartojë një plan të rikuperimit nga katastrofa (disaster  recovery), i cili përmban masa dhe procedura të mirëdokumentuara për rivendosjen në funksionim të sistemit në rastet e emergjencave. Këto masa dhe procedura duhet të garantojnë, të paktën, një nivel minimal të shërbimit të sistemeve dhe funksioneve kritike. Procedurat duhet të përcaktohen, në mënyrë që rivendosja në punë e sistemit të kryhet brenda harkut kohor të parashikuar në planin e rikuperimit nga katastrofa. Dokumenti i mësipërm duhet të marrë parasysh edhe disponueshmërinë e burimeve njerëzore në këto raste emergjencash, duke përcaktuar mënyrën e informimit dhe personat përgjegjës të cilët do të ndjekin këto procedura.
ç)    Të specifikojë në dokumentin e politikave të vazhdueshmërisë së punës dhe në planin e rikuperimit nga katastrofa kohën maksimale në të cilën shërbimet dhe sistemet nuk mund të jenë funksionale.
d)    Të identifikojë të dhënat parësore dhe të dhëna të tjera, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e sistemit të tij të teknologjisë së informacionit. Këto të dhëna duhet të ruhen në sistemin e ruajtjes së informacionit.
dh)    Të identifikojë pajisjet e veçanta (hardware) dhe varësinë që sistemi, të dhënat dhe shërbimet kanë ndaj tyre. Të merren masa që dështimi i njërës prej këtyre pajisjeve të mos ndikojë në funksionimin e sistemit të teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve të ofruara.
e)    Të marrë masa që të dhënat e mësipërme, të cilat do të ruhen me qëllim rivendosjen e sistemeve dhe të shërbimeve në punë, të ruhen në një vendndodhje fizike dytësore, e ndryshme nga ajo në të cilën ndodhen sistemet dhe të dhënat e institucionit gjatë veprimtarisë normale të tij.

2.    Çdo institucion, i cili ka ose do të zhvillojë një sistem në fushën e teknologjisë së informacionit, që ofron shërbime për qytetarët, për biznesin dhe për ndërveprim e shkëmbim informacioni për administratën publike nëpërmjet sistemeve elektronike, duhet të parashikojë dhe hartojë marrëveshje kontraktuale mbi nivelin e shërbimit (Service Level Agreement - SLA).

Kjo marrëveshje, nënshkruhet ndërmjet institucionit publik dhe ofruesit të shërbimit të TIK-ut dhe hartohet sipas udhëzimeve të nxjerra nga ministri për çështjet e teknologjisë së informacionit.

Institucionet:

a)    të cilat janë duke zhvilluar sisteme të reja në fushën e teknologjisë së informacionit, duhet të parashikojnë këtë marrëveshje, për mirëmbajtjen e këtyre sistemeve. Kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë jo më e shkurtër se 4 (katër) vjet.
b)    të cilat kanë sisteme ekzistuese, duhet të parashikojnë këtë marrëveshje, për mirëmbajtjen e sistemeve. Kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë jo më e shkurtër se 2 (dy) vjet.
c)    Duhet, për çdo procedurë prokurimi mbi investimet për sisteme ose shërbime të teknologjisë së informacionit, këtë marrëveshje t’ia bashkëlidhin si aneks, kontratës administrative të lidhur ndërmjet palëve.

3.  Në rastet kur është i pamundur përdorimi i shërbimeve të ofruara nga Qendra e të Dhënave Qeveritare për ngritjen e këtyre sistemeve, institucioni duhet t’i ngrejë vetë ato.

4.      Ngarkohen të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, sipas pikës 1, për zbatimin e këtij vendimi.


5.      Vendimi nr.723, datë 1.9.2010, i Këshillit të Ministrave,  “Për projektimin, zbatimin dhe funksionimin e sistemeve të informacionit”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

 
SALI  BERISHA

***

V E N D I M


 
PËR


NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.815, DATË 29.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SHTESË TË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME PËR GARDËN E REPUBLIKËS”


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 10, 12, 13, 15/a, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:  


1.    Heqjen nga  lista e inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Brendshme, për Gardën e Republikës, reparti 322, Grupi Durrës, që i bashkëlidhet vendimit nr.815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të  sipërfaqes prej  33 838 (tridhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8518, Durrës.


2.    Ngarkohen ministri i Brendshëm, dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

                                                                                    
K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

***

V E N D I M



PËR


NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2013, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME



Në mbështetje të  nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e  vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1.    Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e vitit 2013, t’i shtohet fondi prej   3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekësh, për objektin “Rikonstruksioni i Komandës së Gardës së Republikës”.

2.    Fondi, prej 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
 

3.    Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

***

V E N D I M


PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2013, MIRATUAR  PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.119/2013, “Për buxhetin e vitit 2013”,  të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit,  Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, t’i shtohet fondi prej 29 100 00 (njëzet e nëntë milionë e njëqind mijë)  lekësh, si subvecion (603), për garantimin e vazhdimësisë normale të funksionimit të këtij institucioni.

2.    Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për          vitin 2013.

3.    Ngarkohen Ministra e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
   
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

***

V E N D I M


PËR

TRAJTIMIN ME USHQIM TË PUNONJËSVE TË GARDËS    SË REPUBLIKËS, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË STUDENTËVE DHE KURSANTËVE NË SHKOLLA TË POLICISË SË SHTETIT, SI DHE TË SHTETASVE TË NDALUAR DERI   NË SQARIMIN E POZITËS SË TYRE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 127, të ligjit nr.9749,   datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të shkronjës “g”, të pikës 2, të nenit 39, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1.    Punonjësit e Gardës së Republikës trajtohen me ushqim, pa pagesë, si më poshtë vijon:

a)    Me një vakt ushqim, në njësitë speciale, grupet e gatshme të të cilave, për natyrë të veçantë pune, shërbimi u zgjat më shumë se koha normale e punës;
b)    Me tri vakte, i gjithë efektivi i Gardës së Republikës, për rastet e kalimit në gatishmëri.

2.    Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, si Forcat Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, trajtohen me ushqim, pa pagesë, si më poshtë vijon:

a)    Me një vakt dreke, kur shërbimi i punës është 8 (tetë) orë;
b)    Me tri vakte, kur janë të angazhuar në veprime operacionale që zgjatin më shumë se koha normale e punës, 8 (tetë) orë.

3.    Të gjithë studentët dhe kursantët në shkollat e policisë dhe në institucione të tjera të Policisë së Shtetit, brenda vendit, trajtohen me tri vakte ushqim pa pagesë.

4.    Trajtohen me tri vakte ushqim pa pagesë edhe kategoritë e mëposhtme:

a)    Shtetasit e huaj, që hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
b)    Shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
c)    Shtetasit e ndaluar ose të arrestuar deri në sqarimin e pozitës së tyre ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP).

5.    Normat e ushqimit ditor për të gjitha strukturat përfituese të këtij shërbimi, të përmendura në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga ministri i Brendshëm dhe ministri  i Shëndetësisë, ku përcaktohen:
 
a)    normat e artikujve ushqimorë, brenda limitit të miratuar të k/kalorive, duke ruajtur raportin e njësive ushqimore;
b)    normat e pajisjeve dhe të materialeve të shërbimit të ushqimit.

6.    Shërbimi i ushqimit të bëhet me ushqimin e gatuar në mensa si dhe me shërbimin katering, i cili duhet t’u nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit, ashtu si çdo shërbim tjetër, që financohet nga fondet publike.

7.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme.

8.    Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.494, datë 1.8.2007, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe të kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar, deri në sqarimin e pozitës së tyre”, dhe nr.573, datë 14.7.2010,  “Për trajtimin me ushqim pa pagesë të efektivave të Gardës së Republikës”, shfuqizohen.

9.    Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe për punonjësit e Gardës së Republikës i shtrin efektet e zbatimit nga           data 1 janar 2014.


K R Y E M I N I S T R I
 

SALI BERISHA

***

V E N D I M
 

PËR

LEJIMIN E MINISTRISË SË BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT, SI AUTORITET KONTRAKTUES, PËR VAZHDIMIN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT  PËR PROJEKTIN E BURIMEVE UJORE DHE UJITJES (WATER RESOURCES AND IRRIGATION PROJECT, WRIP-P121186)


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, dhe të vendimit nr.591, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disiplinimin e përdorimit të shpenzimeve buxhetore, për vitin 2013”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1.    Lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si autoritet kontraktues, për vazhdimin e procedurave të prokurimit të investimeve dhe shërbimeve të konsulensës, në kuadrin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes (WRIP-P121186), sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, parashikuar si financim i huaj në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për vitin 2013, me vlerë 496 931 573 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e tridhjetë e një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë.

2.    Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren  zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

 
SALI  BERISHA

***

V E N D I M

 

PËR


NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.788, DATË 26.11.2004,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E TARIFËS DHE TË PESHËS SË SHËRBIMEVE TË REZERVUARA PËR OPERATORIN PUBLIK POSTAR”
 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, pika 14, 7 dhe 11, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8530, datë 23.9.1999, “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për  Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:


1.    Në pikën 1, të vendimit nr.788, datë 26.11.2004, të Këshillit të Ministrave, shprehja “... të jetë më e vogël se trefishi i tarifave publike ...”, zëvendësohet me “... të jetë më e vogël se 2,5-fishi i tarifave publike ....”, ndërsa shprehja “...100 gram...” zëvendësohet me “... 50 gram ...”; 

2.    Ngarkohen ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA

***
V E N D I M


 

PËR

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, NR.1328, DATË 1.10.2008, “PËR MIRATIMIN  E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE TË SHTETIT NË KOMUNËN GJERGJAN, TË QARKUT ELBASAN”, DHE NR.987, DATË 2.7.2008, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PYJEVE DHE KULLOTAVE  QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI TË KOMUNËS  GJERGJAN, TË QARKUT ELBASAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar; me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
   
V E N D O S I:

1.     Në listën bashkëlidhur vendimit nr.1328, datë 1.10.2008, të Këshillit të Ministrave, pakësohen pronat me numër 797 deri 799 dhe 804 deri 805, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe shtohen pronat me numër 1005-1006, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.     Në vendimin nr.987, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a)    Në listën bashkëlidhur vendimit pakësohen pronat me numër 797 deri 799 e 804 deri 805 dhe shtohen pronat me numër 1005 deri 1010, sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

b)  Lidhja nr.1, bashkëlidhur, zëvendësohet me lidhjen 1, sipas shtojcës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
 

SALI   BERISHA  
 

21/08/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave