Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
V E N D I M PĖR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NĖ VENDIMIN NR.153, DATĖ 7.4.2000, TĖ KĖSHILLIT TĖ MINISTRAVE, “PĖR MIRATIMIN E RREGULLORES SĖ ZBATIMIT TĖ KODIT RRUGOR TĖ REPUBLIKĖS SĖ SHQIPĖRISĖ”, TĖ NDRYSHUAR
 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 13, të nenit 305, shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:

“14. Aplikuesit për një leje drejtimi të kategorive “A” dhe “B” ose për rinovimin e një lejeje të tillë, të cilët kanë humbje të plotë funksionale të shikimit në një sy apo ata të cilët përdorin vetëm një sy (p.sh. në rastin e diplopisë) duhet të kenë një mprehtësi vizive prej të paktën 0,6 me lente korrektuese, nëse është e nevojshme.
Autoriteti mjekësor kompetent duhet të vërtetojë që kjo gjendje e shikimit njëpamor ka një ekzistencë të mjaftueshme të gjatë për të lejuar përshtatjen dhe që fusha e shikimit në këtë sy është normale.
Me vlerësimin e komisionit mjekësor vendor mund të jepen edhe këto kufizime:
a) I kufizuar në udhëtime ditore (për shembull: një orë pas lindjes së diellit dhe një orë para perëndimit të diellit);
b) Drejtimi i mjetit pa pasagjerë;
c) I kufizuar në udhëtime me një shpejtësi jo më të madhe se ... km/orë;
ç) Nuk i lejohet drejtimi i mjetit rrugor në autostradë dhe rrugë interurbane kryesore;
d) Modifikime të pasqyrave të mjetit rrugor ose drejtim të tij pa rimorkio.”.

2. Neni 309 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 309
Certifikatat mjekësore (Neni 117 i Kodit Rrugor)

1. Certifikatat mjekësore duhet të jenë në përputhje me modelet që i bashkëlidhen kësaj rregulloreje dhe plotësohen:

a) “Certifikatë anamneze”, modeli IV. 4, nga mjeku i familjes, i cili e plotëson atë në bazë të të dhënave që ai disponon për personin në kartelën e tij mjekësore;
b) “Certifikatë mjekësore”, modeli IV.5, nga mjekët specialistë sipas përcaktimeve të formularit;
c) “Certifikatë mjekësore”, modeli IV.6, nga komisionet mjekësore vendore.

2. Certifikatat duhet të plotësohet në secilën pjesë që kanë të bëjnë me kërkesat e përshkruara për drejtimin e mjeteve rrugore ose të tipeve të tyre, të kategorisë se lejes së drejtimit të kërkuar dhe, nëse është e nevojshme, mund të plotësohen me fletë shtesë.

3. Kur në të dhënat e kartelës mjekësore të personit përkatës nuk ka të evidentuara sëmundje invaliditeti, të përcaktuara në nenin 303, shtojca I, mjeku i familjes plotëson “certifikatën e anamnezës”, model IV.4, dhe e dërgon personin për të kryer vizitat e duhura mjekësore te mjekët specialistë përkatës dhe për plotësimin e “certifikatës mjekësore”, model IV.6, me fotografi.

4. Kur në të dhënat e kartelës mjekësore të personit përkatës ka të evidentuara sëmundje invaliditeti, të përcaktuara në nenin 303, shtojca I, ose gjymtime fizike, mjeku i familjes plotëson “certifikatën e anamnezës”, model IV.4, dhe e dërgon personin për vizita mjekësore në komisionin mjekësor vendor, ku bëhet dhe plotësimi i “certifikatës mjekësore”, model IV.6, me fotografi.”.

3. Pas nenit 309 shtohet neni 309/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 309/1
Kufizime për drejtuesit e motomjeteve (Neni 117/1 i Kodit Rrugor)
1. Për 3 (tri) vitet e para nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet drejtimi i motoçikletave me ose pa kosh me fuqi më të madhe se 25 kw dhe/ose me raportin fuqi/peshë më të madhe se 0.16 kw/kg, referuar masës pa ngarkesë.

2. Për 3 (tri) vitet e para nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet tejkalimi i shpejtësisë sipas nenit 140, të Kodit Rrugor.

3. Në lejen e drejtimit në rubrikën 13 “Kushte kufizuese përdorimi” dhe në lejen e qarkullimit në rubrikën “Shënime”, të bëhet shënimi “Neni 117/1 Kodi Rrugor deri më datë …”.”.

4. Pas nenit 312 shtohet neni 312/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 312/1
Leje drejtimi me pikë (Neni 120/1 i Kodit Rrugor)

1. Tabela e pikëve është sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura përcaktohen nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor në aktet, që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe të programeve të testimit.

3. Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar.

4. Kontrolli i gjendjes reale të pikëve nga çdo drejtues mjeti rrugor bëhet në faqen në internet të DPSHTR-së, duke iu referuar numrit të lejes së drejtimit.

5. Për drejtuesit e mjetit rrugor, që janë punonjës të shërbimeve të policisë rrugore dhe kontrolleve të tjera në rrugë, sipas neneve 11 dhe 12, të Kodit Rrugor, numri i pikëve të tabelës së mësipërme dyfishohet.

6. Në ato raste kur parashikohet masa plotësuese administrative e pezullimit të lejes së drejtimit, agjenti verifikues heq dhe pikët sipas llojit të shkeljes së parashikuar në tabelën 1. Dispozitat e kësaj pike nuk zbatohen në rastet e parashikuara në pikën 2, të nenit 120/1, të Kodit Rrugor.”.

5. Neni 313 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 313
Licenca për autoshkollë (Neni 121 i Kodit Rrugor)

1. Veprimtaria e edukimit rrugor të formimit dhe instruktimit të drejtuesve të mjeteve rrugore me motor do t’i nënshtrohet pajisjes me licencë, me kodin VII.3.A, “Autoshkollë”, sipas përcaktimeve të parashikuara në ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat, autorizimet dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.

2. Përgatitja e drejtuesve të mjeteve rrugore me motor bëhet vetëm në autoshkolla, kundrejt pagesës. Tarifa e pagesës përcaktohet nga subjektet, juridike e fizike, shtetërore dhe private, që organizojnë autoshkollën.

3. Për pajisjen me licencë për veprimtarinë e autoshkollës, subjektet fizike ose juridike, private ose shtetërore, duhet të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) këto dokumente:

a) Dëshminë e aftësisë profesionale të mësuesit të teorisë ose, në mungesë të saj, nga kërkuesi, kontratën me një person të pajisur me këtë dëshmi, i cili do të jetë edhe drejtuesi teknik i autoshkollës;
b) Dëshminë e aftësisë profesionale për instruktorët e praktikës dhe kontratat që provojnë marrëdhëniet e kërkuara të punës;
c) Dokumentet e pronësisë ose të marrjes me qira të një klase për zhvillimin e mësimit të teorisë;

ç) Dokumentet e pronësisë të subjektit kërkues për të paktën nga një mjet rrugor për çdo kategori lejeje drejtimi apo dëshmie dhe certifikata të aftësisë profesionale për të cilat kërkon licencën;
d) Rregullore të brendshme të funksionimit të autoshkollës;
dh) Dokumentin që vërteton pagesën e tarifës së pajisjes me licencë në QKL.

4. Kushtet e licencimit, dokumentet shoqëruese, afatet e vlefshmërisë dhe procedurat e shqyrtimit të kërkesave për pajisjen me licencë, me kodin VII.3.A, “Autoshkolle” , janë ato të përcaktuara në ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat, autorizimet dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.

5. Kohëzgjatja e kurseve për përgatitjen teoriko - praktike në autoshkollë përcaktohet nga lloji i lejes së drejtimit, në mbështetje të akteve nënligjore, të nxjerra nga ministria përgjegjëse për trasportin rrugor.

6. Për përgatitjen e plotë, teorike dhe praktike, të kandidatëve subjektet, që organizojnë autoshkollat, duhet të realizojnë programet e teorisë dhe të praktikës, të hartuara dhe të miratuara nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor.

7. Autoshkolla nuk mund të programojë më shumë se 6 (gjashtë) orë mësimi teorik për një mësues teorie e 8 (tetë) orë mësimi praktik në ditë për një instruktor praktike dhe jo më pak se 1 (një) orë praktikë në ditë për çdo kursant.

8. Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet nga vetë autoshkolla, e cila regjistron personat e interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi me banim në juridiksionin e rrethit, për të cilën është licencuar, si dhe studentët me qëndrim të përkohshëm, brenda këtij juridiksioni. Gjithashtu, mund të regjistrohen edhe persona me banin jashtë juridiksionit të licencës në mungesë totale aktiviteti ose kategorie të veçanta aktivitetiti për autoshkollë nga rrethe apo drejtori të tjera rajonale, kur kjo është e konfirmuar. Për rastet kur aplikohet jashtë vendbanimit, dosja e lejes së drejtimit dërgohet në DRSHTR-në ku ka vendbanimin aplikuesi, pas përfundimit të përgatitjes dhe marrjes së testimit. Përpara fillimit të kursit, autoshkolla dërgon dokumentet e personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi në sektorin përkatës të DRSHTR-së.

9. Autoshkolla dorëzon kërkesën në sektorin përkatës të DRSHTR-së, në fillim të çdo muaji për të bërë planifikimin e marrjes në prova të njohurive teorike dhe të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes. Sektori përkatës shpall në vende të dukshme dhe njofton në rrugë elektronike autoshkollat për datat e planifikuara për marrjen në prova.

Strukturat e DRSHTR-së janë të detyruara të marrin në prova teorike dhe praktike çdo kandidat që ka kryer ciklin e plotë të përgatitjes teorike e praktike, ka dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe ka paguar tarifat e shërbimit. Pas përfundimit të provave, komisioni plotëson dokumentet, sipas modelit të miratuar nga DPSHTR-ja.

10. Mjetet rrugore që përdoren gjatë përgatitjes praktike për leje drejtimi dhe certifikata të aftësisë profesionale duhet të plotësojnë kushtet teknike, si më poshtë vijon:

a) Për kategorinë “A”, motoçikletë me ose pa kosh, me cilindratë jo më pak se 250 cm3.
b) Për leje drejtimi të kategorisë “B”, automjet i kategorisë “B”, me peshë maksimale deri në 3.500 kg ose automjet, për transport personash, deri në (8+1) vende, i cili duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë.
c) Për kategorinë “BE”, automjet i përshtatshëm për provën e kategorisë “B”, e kombinuar me një rimorkio, me peshë maksimale të autorizuar 1.000 kg, bashkimi i të cilave nuk hyn në kategorinë “B” dhe që duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë.
ç) Për kategorinë “C”, një mjet rrugor të kategorisë “C”, me masë maksimale të autorizuar prej të paktën 12.000 kg, me gjatësi prej të paktën 8 m, me gjerësi prej të paktën 2,40m dhe me shpejtësi prej të paktën 80 km/orë, e pajisur me frena kundra bllokimit (ABS), e pajisur me kuti shpejtësie që ka të paktën 8(tetë) raporte marsha përpara dhe pajisjen e regjistrimit të kohës dhe shpejtësisë (tahograf). Mjeti rrugor në procesin e përgatitjes dhe të provave praktike të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 10.000 kg.
d) Për kategorinë “CE”, një mjet rrugor të artikuluar ose një kombinim i një mjeti rrugor të kategorisë “C” me një rimorkio të paktën 7,5 m të gjatë. Si mjeti rrugor me rimorkio dhe ai i kombinuar të kenë një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 20.000 kg, një gjatësi prej të paktën 14 m dhe një gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe të kenë shpejtësi prej të paktën 80 km/orë, e pajisur me frena kundra bllokimit (ABS), e pajisur me kuti shpejtësie që ka të paktën 8(tetë) marshe përpara, si dhe me pajisje regjistrimi të shpejtësisë dhe të kohës (tahograf). Në të gjitha rastet, rimorkioja të ketë formën e një kutie të mbyllur, e cila është të paktën aq e gjerë dhe e lartë sa kabina e mjetit rrugor. Si mjeti rrugor me rimorkio dhe ai i kombinuar, në procesin e përgatitjes dhe të provave praktike të jenë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 15.000 kg.
dh) Për kategorinë “D”, një mjet rrugor të kategorisë “D”, me gjatësi prej të paktën 10 m, gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe kapacitet shpejtësie prej të paktën 80 km/orë; i pajisur me frena kundra bllokimit (ABS) dhe me pajisje regjistruese të shpejtësisë dhe kohës (tahograf).
e) Për leje drejtimi të kategorisë “DE”, një kombinim i bërë nga një mjet rrugor i kategorisë “D” dhe një rimorkio me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 1.250 kg, një gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe një kapacitet shpejtësie prej të paktën 80 km/orë. Rimorkioja të jetë në formën e një trupi kutie të mbyllur, e cila të jetë të paktën 2 m e gjerë dhe 2 m e lartë. Rimorkioja të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.

11. Mjetet rrugore mësimore, përveç atyre të kategorisë “A”, duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta (gaz, freksion, frena), që përdoren nga vendi ku qëndron instruktori dhe në mes të instruktorit dhe drejtuesit të mjetit nuk duhet të ketë pengesa, që vështirësojnë ndërhyrjet e instruktorit për të vepruar në drejtimin e mjetit rrugor. Mjetet rrugore mësimore duhet të jenë me pamje të jashtme të rregullt dhe në gjendje të mirë teknike, në të kundërt, nga kontrollorët e ministrisë, që mbulon veprimtarinë e transportit rrugor, dhe nga organet e policisë rrugore duhet të mbahet qëndrim deri në bllokimin e tyre, pa mbajtur përgjegjësi për vijueshmërinë e autoshkollës.

12. Mësuesi i teorisë dhe instruktori i praktikës duhet të jenë pajisur me dëshminë e aftësisë profesionale dhe duhet të plotësojnë edhe këto kushte:

a) Mësuesit e teorisë duhet:

• të jenë të pajisur me diplomën e shkollës së lartë në degën inxhinieri mekanike ose të jenë oficer transporti, diplomuar në Akademinë e Forcave Tokësore;
• leje drejtimi për drejtim mjeti rrugor, minimalisht e kategorisë “B”.

b) Instruktorët e drejtimit të mjeteve rrugore duhet:

• të jenë me moshë mbi 30 vjeç dhe jo me shumë se 65 vjeç, duke respektuar ligjin për pensionet, sipas përkatësisë gjinore;
• të kenë dokumentin e përfundimit të arsimit të mesëm;
• të kenë leje drejtimi të kategorisë, për të cilën kërkon të testohet, të marrë prej 10 (dhjetë) vjetësh ose leje drejtimi të vlefshme të një kategorie më të lartë, ndërsa për kategoritë “A” dhe “DE” duhet të kenë leje drejtimi të këtyre kategorive, të marra prej 10 (dhjetë) vjetësh;
• përveç lejes së drejtimit, duhet të kenë edhe certifikatën e aftësisë profesionale të së njëjtës kategori, kur personi i interesuar do të ushtrojë detyrën e përgatitjes së kandidatëve që aplikojnë për certifikatën e aftësisë profesionale.

Dëshmitë e aftësisë profesionale për mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës të autoshkollave jepen nga strukturat e DPSHTR-së, pas testimit përkatës, të përcaktuar në aktet nënligjore të nxjerra nga ministri përgjegjës për transportin rrugor. Dëshmia e aftësisë profesionale e mësuesit të teorisë është pa afat, rinovimi i saj bëhet për rastet kur ajo dëmtohet, humbet ose kur poseduesi i saj ndryshon vendbanimin. Dëshmia e aftësisë profesionale e instruktorit të praktikës lëshohet për një afat 5-vjeçar me të drejtë rinovimi, nëse poseduesi zotëron aftësitë e kërkuara fizike e psikike dhe shfrytëzohet vetëm për ato qëllime, për të cilat ajo është lëshuar. Dokumentet, që vërtetojnë plotësimin e kushteve të mësuesve të teorisë dhe të instruktorëve të praktikës, administrohen nga sektori përkatës i DRSHTR-së.

Të drejtën e anulimit të dëshmisë së aftësisë profesionale e ka organi, që e ka lëshuar atë, kur mbajtësi i saj nuk plotëson më kërkesat morale, të përcaktuara në nenin 118, kërkesat fizike, si dhe kur mbajtësi kryen shkelje në mënyrë të përsëritur të legjislacionit rrugor ose kur shpërdoron detyra.

13. Kur mjeti rrugor mësimor drejtohet nga një kandidat, në të lejohet të hipë vetëm një kursant tjetër, përveç instruktorit, ndërsa kur mjeti rrugor është autobus, me të cilin stërviten persona që do të pajisen me lejen e drejtimit të kategorisë “D”, mund të udhëtojnë vetëm pjesëtarët e të njëjtit grup stërvitor, por jo më shumë se 8 (tetë) persona.

14. Është e drejtë e çdo kandidati, që vazhdon autoshkollën, të ankohet te drejtuesi i autoshkollës ose strukturat përgjegjëse në DPSHTR për aktivitetin e autoshkollës, kur vëren se mungojnë kushtet, nuk bëhen përpjekjet e nevojshme për përvetësimin e programit të detyruar mësimor teoriko - praktik.

15. Përgatitja praktike e kandidatëve bëhet, si më poshtë vijon:

a) Fillimisht në fushë, rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje, për të marrë më parë reflekset e nevojshme, pastaj në rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje të dendura;
b) Në rrugë jashtë qyteteve e qendrave të banuara, ditën dhe natën;
c) Në rrugë, brenda qyteteve dhe me dendësi të madhe lëvizjeje, ditën dhe natën.

16. Personat, që duan të regjistrohen në autoshkollë, paraqesin pranë saj dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesën për kategorinë e lejes së drejtimit që do të përgatitet;
b) Certifikatën mjekësore që vërtëton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor;
c) Lejen e drejtimit të aftësisë së klasës të mëparshme (në qoftë se ka);
ç) Përpara fillimit të autoshkollës, ndërmjet palëve lidhet kontrata, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë.”.

6. Nenet 314 dhe 315 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 314
Kontrolli i autoshkollave (Neni 121 i Kodit Rrugor)

1. Ministria përgjegjëse për transportin rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, dhe strukturat përkatëse në drejtoritë rajonale ushtrojnë kontroll mbi veprimtarinë e autoshkollave. Përbëjnë objekt kontrolli veçanërisht:

a) dokumentacioni për licencimin dhe aftësinë profesionale të personelit;
b) dokumetacioni për administrimin e aktivitetit të përcaktuar në aktet në zbatim;
c) kushtet e zhvillimit të mësimit teorik, mjediset dhe pajisjet didaktike që mundësojnë zhvillimin normal të tij;
ç) dokumetacioni dhe gjendja teknike e mjeteve rrugore të autoshkollës sipas normave ligjore në fuqi;
d) ndjekja e seancave të zhvillimit të mësimit teorik dhe praktik;
dh) respektimi i udhëzimeve, rregulloreve apo urdhrave të nxjerrë nga ministria përgjegjëse, në zbatim të Kodit Rrugor.

2. Për kontrollin e kryer, hartohet procesverbal, ku shënohen parregullsitë në dokumentacion apo për mënyrën e funksionimit të autoshkollës. Një kopje e procesverbalit u jepet në moment drejtuesit teknik, pronarit të autoshkollës ose përfaqësuesit të tij ligjor dhe duhet të nënshkruhet nga palët.

3. Drejtuesi teknik i autoshkollës, pronari ose përfaqësuesi ligjor, brenda 5 (pesë) ditësh nga data e dorëzimit të procesverbalit duhet të njoftojë strukturën përkatëse të DPSHTR-së, që ka kryer kontrollin për shmangien e të metave që janë shënuar në procesverbal.

4. Në rastin e mosrespektimit të njoftimit dhe të përmirësimit të parregullësive, të përmendura në pikat 2 e 3, të këtij neni, struktura përkatëse në DPSHTR ose në DRSHTR, merr masa për pezullimin e veprimtarisë të autoshkollës në zbatim të pikës 3, të nenit 121, të Kodit Rrugor. Për raste të dokumentuara, që përcaktohen në pikën 4, të nenit 121, të Kodit Rrugor, DPSHTR-ja, publikon në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve vendimin e revokimit, në përputhje me parashikimet e neneve 12 e 14, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”. Si për rastin e pezullimit ose të revokimit të licencës strukturat e DPSHTR-së njoftojnë zyrtarisht drejtuesin e autoshkollës.

Neni 315
Identifikime të mjeteve rrugore të regjistruara në shtetet e huaja dhe shenjat dalluese të shtetit shqiptar (Nenet 127 dhe 131, të Kodit Rrugor)

Leja e drejtimit e lëshuar nga një shtet i huaj në kuptimin e pikës 3, të nenit 127, të Kodit Rrugor, pezullohet nga institucioni i prefektit, në juridiksionin e të cilit është konstatuar shkelja.”.

II. Çdo akt tjetër, që bie ndesh me këtë vendim, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/08/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave