Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
P R O J E K T L I GJ PĖR KUJDESIN PALIATIV NĖ REPUBLIKĖN E SHQIPĖRISĖ
 
P R O J E K T L I GJ

PËR

KUJDESIN PALIATIV NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të përfituar kujdes paliativ, i cili është i orientuar drejt nevojave të pacientit dhe familjarëve të tij, asistuar nga një ekip multidisiplinar.


Neni 2
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat për shërbimin e kujdesit paliativ, mënyrën e ofrimit të tij, si dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale që ofrojnë kujdes paliativ.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:

1. “Kujdes paliativ”, tërësia e ndërhyrjeve diagnostike, terapeutike dhe psikosociale të orientuara si ndaj pacientit, ashtu edhe familjarëve të tij, kur sëmundja dhe pacienti, për shkak të evolucionit e prognozës së saj, nuk u përgjigjen më pozitivisht ndërhyrjeve të parashikuara në trajtimin e saj.

2. “Ekip multidisiplinar”, ekipi i përbërë nga specialistë të disa fushave, si mjekë, infermierë, punonjës socialë, psikologë, fizioterapistë, terapistë okupacionalë, këshillues shpirtërorë, vullnetarë dhe specialistë të tjerë, të cilët veprojnë në mënyrë të koordinuar sipas protokolleve përkatëse për ofrimin e shërbimit paliativ.

3. “Trajtim i dhimbjes”, një ndërhyrje multidisiplinare dhe shumëplanëshe, diagnostike dhe terapeutike, për të identifikuar e për të aplikuar trajtimet medikamentoze, kirurgjikale, psikologjike dhe rehabilituese të alternuara me njëra - tjetrën për ndërprerjen dhe kontrollin e dhimbjes.

4. “Pacient i kujdesit paliativ”, pacienti që është prekur nga një sëmundje kronike e cila avancon, për të cilën nuk ekzistojnë terapi ose, nëse ekzistojnë, janë të pamjaftueshme për të stabilizuar sëmundjen.

5. “I sëmurë terminal”, personi, për të cilin trajtimi devijon nga qëllimi i shërimit në qëllim përkujdesjeje dhe lehtësimi. Pritshmëria e jetës së tij është mesatarisht 6 - 9 muaj.

6. “Kujdes terminal”, një vazhdimësi (pjesa e fundit e kujdesit paliativ) ku përshkruhet trajtimi i pacientëve gjatë periudhës kur fundi i jetës së pacientit është afër dhe atij i nevojitet shërbim intensiv.

7. “Hospis”, njësia e specializuar multidisiplinare e shërbimit të kujdesit paliativ, ku mund të ndërthuren ose të ofrohen të paktën një nga shërbimet: shërbimi në banesë, shërbimi me shtretër, shërbimi ditor. Gjithashtu, këto shërbime mund të shoqërohen me programe edukimi, trajnimi dhe/ose kërkimi në fushën e kujdesit paliativ.

8. “Terapi e dhimbjes”, tërësia e ndërhyrjeve diagnostike dhe terapeutike, me qëllim për të gjetur terapi të përshtatshme farmakologjike, kirurgjikale, psikologjike, rehabilituese etj., me qëllim ndalimin dhe kontrollin e dhimbjes.

9. “Analgjezikë opioide”, grup medikamentesh psikoaktive, përgjegjëse për kontrollin e dhimbjes së moderuar në të fortë, sipas shkallës analgjezike të rekomanduar nga OBSH-ja.

Neni 4
Parimet e ofrimit të kujdesit paliativ

Parimet që udhëheqin kujdesin paliativ janë:

a) mbrojtja e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim;
b)mbrojtja dhe promovimi i cilësisë së jetës deri në fund të saj si dhe konceptimi i vdekjes si një proces normal;
c) sigurimi i një jetese pa dhimbje deri në fund të saj;
ç) mbështetja e duhur mjekësore, psikosociale për personin e sëmurë dhe familjen e tij;
d) mosshpejtimi ose mosprovokimi i vdekjes.

Neni 5
Të drejtat e pacientëve në kujdes paliativ

Pacientët gjatë marrjes së kujdesit paliativ gëzojnë këto të drejta:

a) Të drejtën për të marrë kujdes paliativ të arritshëm dhe efikas;
b) Të drejtën për të marrë informacion mbi sëmundjen, prognozën dhe mënyrën e trajtimit;
c) Të drejtën për t’u njohur në mënyrë të përshtatshme me diagnozën dhe prognozën e vërtetë e të saktë të sëmundjes;
ç) Të drejtën për të zgjedhur mënyrën dhe llojin e trajtimit mjekësor ose për ta kundërshtuar atë;
d) Të drejtën e konfidencialitetit lidhur me gjendjen shëndetësore;
dh) Të drejtën për të marrë vendime dhe për të dhënë pëlqimin mbi trajtimin.

Neni 6
Përgjegjësitë e Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi për:

a) hartimin e politikave shëndetësore për ofrimin dhe promovimin e shërbimeve të kujdesit paliativ si dhe edukimin shëndetësor të profesionistëve shëndetësorë dhe publikut në fushën e kujdesit paliativ;
b) hartimin e politikave shëndetësore dhe monitorimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor me qëllim ofrimin e shërbimit të kujdesit paliativ sa më pranë pacientit dhe familjarëve;
c) disponueshmërinë dhe aksesin në përdorimin e barnave esenciale për të sëmurët që ndodhen nën kujdes paliativ.

Neni 7
Informimi i publikut

1. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet në varësi të saj, ndërmerr veprimet e nevojshme për informimin e publikut për:

a) mënyrën e ofrimit të kujdesit paliativ;
b) aksesin në kujdesin paliativ;
c) të drejtat që gëzojnë përfituesit e shërbimeve;
ç) aksesin ndaj medikamenteve;
d) llojshmërinë e shërbimeve të kujdesit paliativ në komunitet;
dh) përfshirjen në programe të ndryshme në fushën e kujdesit paliativ.

2. Subjekt i informimit publik, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të këtij neni, janë dhe pacientët e moshës pediatrike si dhe familjarët e përdoruesve të shërbimeve të kujdesit paliativ.

KREU II
SHËRBIMET E KUJDESIT PALIATIV
Neni 8
Kategoritë e shërbimeve

1. Shërbimet shëndetësore, përmes të cilave ofrohet kujdes paliativ, janë:

a) shërbimi në kujdesin shëndetësor parësor;
b) hospis në banesë;
c) hospis ditor;
ç) hospis me shtretër;
d) shërbime në institucionet spitalore;
dh) shërbimi i kujdesit paliativ pediatrik;
e) shërbimi vullnetar në nivel komunitar.

2. Shërbimet e kujdesit paliativ ofrohen edhe nëpërmjet nismave private të licencuara sipas legjislacionit në fuqi të organizatave jofitimprurëse, të familjarëve apo palëve të treta. Në çdo rast, në këto nisma private respektohen kriteret dhe normat e ofrimit të kujdesit paliativ dhe garantohet përdorimi etik e ligjor i të dhënave personale dhe konfidenciale.

3. Ngritja dhe mënyra e funksionimit të shërbimeve të kujdesit paliativ në institucionet publike të kujdesit shëndetësor përcaktohen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.

Neni 9
Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor

1. Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor është shërbimi që ofrohet nga mjekët e familjes, personeli infermieror ose personeli tjetër shëndetësor i


specializuar në institucionet e kujdesit shëndetësor parësor, qendrat shëndetësore dhe ambulancat, bazuar në paketën bazë të kujdesit shëndetësor parësor, të miratuar me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.

2. Kujdesi paliativ për këta pacientë kryhet nga personeli, mjekë dhe infermierë, në bazë të diagnozës së përcaktuar nga mjeku specialist. Në trajtimin dhe asistencën për pacientët përfshihet, gjithashtu, dhe shërbimi ndaj tyre në shtëpi.
Neni 10
Hospis në banesë

1. Hospis në banesë është shërbim i specializuar i kujdesit paliativ, që ofrohet nga një ekip multidisiplinar, qëllimi i të cilit është mbështetja për pacientin dhe familjen në banesë.

2. Shërbimi në banesë përfshin vizita të personelit multidisiplinar në shtëpinë e të sëmurit për të arritur kontroll optimal të simptomave dhe gjithashtu mbështetje psikosociale apo dhe shpirtërore për pacientin dhe familjen e tij.

3. Të gjitha vizitat, ndërhyrjet, procedurat, komunikimet, planifikimet dhe rishikimet e situatave të bëra nga një profesionist apo në grup kanë për qëllim rritjen e cilësisë së jetës së pacientit, mbështetjen për familjen përgjatë ecurisë së sëmundjes dhe në periudhën e zisë.

Neni 11
Hospis ditor

1. Hospis ditor është shërbim i specializuar i kujdesit paliativ, që ofrohet nga një ekip multidisiplinar në mjedise të posaçme për një pjesë të ditës, qëllimi i të cilit është trajtimi simptomatik, trajtimi i funksionalitetit, mbështetja psikosociale, socializimi i pacientëve, ndarja e përvojave ndërmjet tyre dhe mbështetje ndaj familjarëve të pacientëve.

2. Lëvizja e pacientëve nga banesa në hapësirën ose mjedisin e shërbimit bëhet e koordinuar, në orare të përcaktuara dhe me mjetet e këtij shërbimi.

Neni 12
Hospis me shtretër

1. Hospisi me shtretër, si pjesë e sistemit shëndetësor të integruar, është një shërbim i kujdesit paliativ me shtretër për të sëmurët në fazën terminale, të cilët si rezultat i situatës kritike mjekësore dhe sociale kanë nevojë për trajtim në këtë shërbim.

2. Kujdesi në hospis me shtretër ofrohet gjatë fazës së fundit të sëmundjes, procesit të vdekjes, periudhës së zisë.

3. Kujdesi në hospis me shtretër ofrohet dhe në rastet kur pacienti terminal nuk ndodhet pranë fundit të jetës, por paraqiten situata kritike dhe të komplikuara të cilat nuk përballohen në kushte shtëpie, prandaj është e nevojshme që për të të kryhen manipulime të ndryshme terapeutike, me qëllim përcaktimin e një terapie sa më efikase për kontrollin e dhimbjeve dhe simptomave të tjera.

4. Kujdesi në hospis me shtretër është 24 (njëzet e katër) orë dhe ofrohet nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga mjekë, infermierë të kujdesit paliativ, punonjës socialë, psikologë, farmacistë, terapistë dhe vullnetarë.

Neni 13
Shërbimi në institucionet spitalore

1. Shërbimi i kujdesit paliativ në institucionet spitalore ofrohet nëpërmjet personelit të përbërë nga mjekë, infermierë dhe punonjës socialë të specializuar për pacientët e shtruar në këto institucione.

2. Pranë çdo strukture spitalore në nivel rajonal ngrihet dhe funksionon shërbimi ndaj pacientëve, që kanë nevojë për kujdes paliativ me disa shtretër dhe personel shëndetësor që i asiston pacientët.

Neni 14
Shërbimi i kujdesit paliativ pediatrik

1. Kujdesi paliativ pediatrik shërben për trajtimin e fëmijëve me patologji të pashërueshme me qëllim:

a) garantimin e një cilësie më të mirë të jetës së fëmijës dhe familjarëve të tij, duke siguruar asistencë mjekësore, infermieristike, psikosociale e shpirtërore;
b) përcaktimin për çdo fëmijë të një programi të kujdesit paliativ për t’iu përgjigjur nevojave të tyre dhe familjes;
c) shmangien sa më shumë të jetë e mundur të shtrimit në institucionin spitalor për një periudhë të gjatë duke promovuar ofrimin e kujdesit paliativ në shtëpi.

2. Rrjeti i shërbimeve shëndetësore, që trajton fëmijët me patologji të pashërueshme, shtrihet në të gjitha strukturat shëndetësore ku ofrohet kujdes paliativ për të rriturit, por në seksione të veçanta.

Neni 15
Shërbimi vullnetar në nivel komunitar

1. Shërbimi vullnetar në nivel komunitar bazohet në kontributin vullnetar të personave të cilët ndihmojnë duke asistuar pacientët apo familjarët e tyre në shtëpi dhe hospis.

2. Pushteti vendor, brenda juridiksionit të tij, kontribuon për të organizuar dhe për të adresuar, sipas nevojave të familjeve të këtyre pacientëve, grupe vullnetarësh që asistojnë pacientët dhe familjet e tyre.

3. Ministria e Shëndetësisë mbështet nismat e organizatave jofitimprurëse që asistojnë me shërbime vullnetare pacientët dhe familjarët e tyre si dhe të atyre organizatave që synojnë monitorimin e jashtëm e të pavarur të respektimit të të drejtave të njeriut në këtë sektor.

4. Veprimtaria e organizatave jofitimprurëse në fushën e kujdesit paliativ pranë ambienteve të institucioneve shëndetësore publike rregullohet në bazë të marrëveshjes së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë. Në çdo rast, gjatë kësaj veprimtarie, këto organizata respektojnë legjislacionin në fuqi për përdorimin etik dhe ligjor të të dhënave personale dhe konfidenciale.

Neni 16
Kujdesi paliativ në institucionet e ekzekutimit të vuajtjes së vendimeve penale

Personat, që gjenden në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, përfitojnë kujdes paliativ, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe sipas kritereve e normave shëndetësore, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.

KREU III
MËNYRA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE

Neni 17
Shërbimet mjekësore

1. Në shërbimet mjekësore përfshihen pranimi, vlerësimi fillestar, vlerësimi mjekësor, plani i trajtimit, rivlerësimi dhe ndjekja në vazhdim, mbikëqyrja, komunikimi dhe edukimi i pacientëve dhe familjarëve.

2. Shërbimet infermieristike ofrohen nga infermierë të kualifikuar në kujdesin paliativ që bashkëpunojnë në krijimin dhe zbatimin e planit të kujdesit.

3. Në aktivitetet infermieristike përfshihen:

a) vlerësimi i pacientit;
b) zbatimi i planit të trajtimit;
c) vlerësimi i vazhdueshëm dhe përshtatja e planit të kujdesit;
ç) komunikimi me pacientin, familjarët, kujdestarët dhe ekipin;
d) mbikëqyrja e asistentëve vullnetarë;
dh) edukimi i pacientëve, familjarëve dhe kujdestarëve;
e) kujdesi i pacientit dhe familjes në kohën e vdekjes;
ë) shërbime të tjera të nevojshme sipas specifikës së pacientit.

Neni 18
Shërbimet sociale

1. Shërbimet sociale janë të siguruara nga punonjësit socialë të kualifikuar që orientojnë shqetësimet sociale e psikologjike të pacientëve, familjarëve, ofruesve të shërbimit dhe pjesëtarëve të tjerë të rëndësishëm, si para ashtu dhe pas vdekjes së pacientit.

2. Në shërbimet sociale përfshihen:

a) vlerësimi psikosocial;
b) planifikimi i kujdesit;
c) takime ndërdisiplinore;
ç) këshillim;
d) referime për shërbime dhe asistencë në procedura burokratike;
dh) edukim;
e) mbrojtje e pacientit dhe familjes;
ë) mbështetje psikosociale për familjet pas humbjes të së afërmit;
f) pjesëmarrje në zgjedhjen dhe trajnimin e vullnetarëve;
g) promovimin e kujdesit paliativ;
gj) mbikëqyrje dhe studime.

3. Në shërbimet sociale përfshihet dhe krijimi i rrjetit të vullnetarëve, me punonjës socialë, për ofrimin e asistencës në banesë.

Neni 19
Shërbime këshilluese dhe shpirtërore

1. Shërbimet këshilluese dhe shpirtërore ndihmojnë pacientët dhe familjet për të përballuar efektet e sëmundjes, vdekjen dhe dhimbjen.

2. Shërbimet këshilluese ofrohen nga psikologë, me qëllim vlerësimin psikologjik të gjendjes së pacientit dhe këshillimin e tij për të gjetur një mënyrë sa më efikase për t’u përballur me situatën ku ndodhet pacienti.

3. Mbështetja psikologjike e pacientit kryhet nëpërmjet mënyrave të ndryshme, si këshillim, meditim, dëgjim aktiv. Mbështetja psikologjike orientohet jo vetëm ndaj pacientit, por dhe ndaj familjarëve të tij për të ofruar mbështetje psikologjike si gjatë sëmundjes së familjarit të tyre, ashtu dhe gjatë periudhës së zisë.

4. Kujdesi shpirtëror sigurohet nga një përfaqësues fetar ose dikush, i kualifikuar me arsimim ekuivalent dhe përfshin meditim, këshillim, lutje, apo praktika e rituale të shenjta, dëgjim aktiv dhe prezencë mbështetëse, pjesëmarrje në varrime, shërbime përkujtimore.

5. Këshillimi ofrohet në një nivel bazë nga secili anëtar i ekipit multidisiplinar. Për nevojën komplekse psikologjike, shërbimi sigurohet nga psikologë ose profesionistë të specializuar.

Neni 20
Shërbime vullnetare

1. Shërbimet vullnetare janë një pjesë e integruar e kujdesit paliativ. Ekipi i kujdesit paliativ përzgjedh vullnetarët bazuar në aftësinë për të punuar si pjesë e ekipit, aftësinë e dëgjimit dhe komunikimit, ndjeshmërinë dhe sakrificën për njerëzit e sëmurë, konfidencialitetin, respektin për karakterin dhe qëndrimet personale të pacientit, si dhe integritetin moral.

2. Vullnetarët me përvojë personale të humbjes të të afërmeve të tyre nuk përfshihen në punë të drejtpërdrejtë me pacientë ose familjet e tyre, për një periudhë jo më pak se 2 (dy) vjet.

3. Vullnetarët, që punojnë në shërbimet e kujdesit paliativ, kanë nevojë për trajnim bazë dhe mbikëqyrje nga koordinatori vullnetar. Aktiviteti i vullnetarëve është i bazuar në një kontratë të shkruar me ofruesin e shërbimeve të kujdesit paliativ.

Neni 21
Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë

1. Të gjithë profesionistët shëndetësorë, pjesë e ekipeve multidisiplinare që ofrojnë kujdes paliativ, trajnohen për mënyrën e ofrimit të kujdesit paliativ.

2. Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë kryhet nga ato institucione, programet e trajnimit për kujdesin paliativ të të cilave janë të akredituara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.

3. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndërmarrin veprimet e nevojshme për hapjen e programit të studimit të formimit “Specializim afatshkurtër në kujdes paliativ”.

KREU IV
AKSESI NDAJ BARNAVE

Neni 22
Lista e barnave esenciale

1. Të gjithë pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ u garantohet aksesi në listën esenciale të barnave për kujdesin paliativ.




2. Lista e barnave esenciale për kujdesin paliativ dhe masa e mbulimit të tyre nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Përshkrimi i barnave të listës esenciale kryhet nga mjekët specialistë të kujdesit paliativ, mjekët onkologë dhe nga mjekët e familjes, të certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas rekomandimit të mjekut specialist në kujdesin paliativ ose mjekut onkolog.

4. Të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur janë të detyruara të disponojnë në çdo kohë të gjitha barnat e listës esenciale.

Neni 23
Aksesi te barnat “analgjesikë opioide”

1. Pacientët nën kujdes paliativ me dhimbje të moderuar deri në të fortë përfitojnë trajtimin me barna “analgjesikë opioide” në sasinë dhe për një kohëzgjatje sipas protokolleve të miratuara. Përshkrimi i barnave “analgjesikë opioide” bëhet për një periudhë deri në 28 (njëzet e tetë) ditë.

2. Barnat “analgjezikë opioide” përshkruhen nga mjekët specialistë të kujdesit paliativ, mjekët onkologë dhe nga mjekët e familjes, të certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas rekomandimit të mjekut specialist në kujdesin paliativ ose mjekut onkolog.

3. Për të gjitha rastet ku pacienti për shkak të humbjes së jetës nuk e përdor të gjithë sasinë e barnave “analgjesikë opioide”, familjarët ose përfaqësuesit ligjorë të tyre janë të detyruar që sasinë e mbetur ta depozitojnë pranë mjekut që ka përshkruar recetën për dhënien e barit “analgjesik opioid”.

4. Mjeku përkatës mban një procesverbal për sasinë e barnave “analgjesikë opioide” që ka marrë në depozitim. Mënyra e përdorimit të kësaj sasie të mbetur të barnave “analgjesikë opioide” përcaktohet me udhëzim të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

KREU V
FINANCIMI I KUJDESIT PALIATIV

Neni 24
Mbulimi nga skema e sigurimit shëndetësor

1. Personat, që kanë nevojë për kujdes paliativ, konsiderohen kategori ekonomikisht joaktive.

2. Mënyra e përfitimit nga skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor rregullohet nga legjislacioni në fuqi për sigurimet shëndetësore.

Neni 25
Financimi i shërbimeve

1. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kontrakton shërbimet e kujdesit paliativ, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 8, të këtij ligji, sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shëndetësore.

2. Shërbimet publike të kujdesit paliativ, të përcaktuara në nenet 8, pika 1, e 16, të këtij ligji, financohen në investime nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.

3. Shërbimet e kujdesit paliativ, që ofrohen nëpërmjet nismash private të organizatave jofitimprurëse, të familjarëve apo palëve të treta, mund të financohen nga Ministria e Shëndetësisë, sipas marrëveshjeve të lidhura paraprakisht, midis ministrisë dhe këtyre organizatave. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret e bashkëfinancimit të projekteve apo shërbimeve të kujdesit paliativ, për këto marrëveshje të lidhura, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe organizatave jofitimprurëse.

Neni 26
Mbështetja sociale

1. Të sëmurët terminalë përfitojnë një pagesë, pavarësisht nga mosha dhe të ardhurat e tjera, që përfitojnë nga shteti. Të njëjtën pagesë përfiton edhe kujdestari i të sëmurit terminal.

2. Masa e pagesës dhe mënyra e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozimin e ministrit që mbulon fushën e shëndetësisë dhe të ministrit që mbulon çështjet e punës dhe ato sociale.
KREU VI

Neni 27
Sanksione

1. Shkeljet e neneve të mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim administrativ kryesor, si më poshtë vijon:

a) Mosrespektimi i kritereve dhe normave të kujdesit paliativ, të përcaktuara në këtë ligj nga ofruesit e kujdesit paliativ si publikë edhe privatë dënohen me gjobë 50 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 100 000 lekë.
b) Shkelja e pikës 2, të nenit 9, të këtij ligji, mosofrimi i asistencës në banesë pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ nga shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor sipas paketës bazë të kujdesit shëndetësor parësor dënohet me gjobë 20 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 50 000 lekë.
c) Ofrimi i kujdesit paliativ nga vullnetarët pa kontratë me ofruesit e shërbimeve të kujdesit paliativ sipas përcaktimeve të bëra në pikën 3, të nenit 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë 30 000 lekë.
ç) Mospërshkrimi i barnave të listës esenciale sipas përcaktimit të pikës 3, të nenit 22, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 30 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 50 000 lekë.
d) Shkelja e pikës 4, të nenit 22, të këtij ligji, dënohet me paralajmërim dhe shoqërohet me urdhërimin e subjektit të inspektimit për korrigjimin e shkeljes duke përcaktuar dhe një afat të arsyeshëm për këtë qëllim. Në rast moszbatimi brenda afatit të urdhrit për korrigjimin e shkeljes, subjekti dënohet me gjobë 30 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 50 000 lekë.
dh) Mospërshkrimi i barnave “analgjesikë opioide”, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë 50 000 lekë.

2. Autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e dënimeve të përmendura në shkronjat “a”, “b”, “c”, “e” dhe “f”, të pikës 1, të këtij neni, është inspektorati që mbulon fushën e shëndetit, ndërsa autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e dënimeve administrative të përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 1, të këtij neni, është inspektorati që mbulon fushën farmaceutike.

3. Kur konstatohet mospërdorimi etik dhe ligjor i të dhënave personale dhe konfidenciale të pacientëve sipas përcaktimeve të bëra në pikën 2, të nenit 8, të këtij ligji, dhe në tërësinë e ligjit nga ofruesit e shërbimeve të kujdesit paliativ, dënohet me heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit deri 1 (një) vit nga urdhri profesionist përkatës.

4. Inspektimi i kërkesave ligjore të përcaktuara në këtë ligj kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, përveç kur parashikohet ndryshe shprehimisht në këtë ligj.

5. Ankimi ndaj vendimit të Inspektoratit Shtetëror që mbulon fushën e shëndetit bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin, ndërsa kundër vendimit të urdhrave profesionistë sipas legjislacionit përkatës.

6. Ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 28
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 9 (nëntë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 22, pika 2, 25, pika 3, dhe 26, pika 1, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri i Shëndetësisë, që, brenda 9 (nëntë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 8, pika 3, 9, pika 1, 16, 23, pika 4, e 26, pika 2, të këtij ligji.
Neni 29
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI ( ÇOBA)
21/08/2013
Votoni per projektligjin
PO:       JO: 

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave