Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
P R O J E K T L I GJ PĖR SIGURINĖ NĖ ANIJE DHE NĖ PORTE”
 
P R O J E K T L I GJ


PËR
SIGURINË NË ANIJE DHE NË PORTE”


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:


KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është garantimi i sigurisë në anije dhe në porte, si dhe parandalimi i akteve që kërcënojnë sigurinë në sektorin e transportit detar, në përmbushje të detyrimeve të vendosura nga aktet juridike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Neni 2
Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së strukturave që mbulojnë çështjet e sigurisë në portet e Republikës së Shqipërisë dhe anijet që ndërveprojnë me këto porte, marrja e masave për rritjen e sigurisë së tyre duke garantuar funksionimin normal të aktiviteteve detare.
Objektivat e ligjit janë:

a) Vendosja e një kuadri ligjor kombëtar për të marrë masa parandaluese ndaj kërcënimeve të sigurisë, që prekin anijet dhe/ose terminalet portuale që përdoren për transport ndërkombëtar;
b) Përcaktimi i roleve dhe përgjegjësive të institucioneve dhe agjencive lokale, kombëtare dhe private për përforcimin e sigurisë detare;
c) Sigurimi i një shkëmbimi sa më të shpejtë dhe efikas të informacionit në lidhje me sigurinë;
ç) Mundësimi i një metodologjie për vlerësimin e sigurisë si edhe ekzistencën e planeve e procedurave reaguese për ndryshimin e nivelit të sigurisë; dhe
d) Sigurimi për marrjen e masave të përshtatshme, konfidenciale dhe proporcionale, për sigurinë.

Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm kuptojmë:

1. “Anije pasagjerësh”, anija që transporton më shumë se 12 pasagjerë.
2. “Autoritet portual”, organi rregullator i portit, sikurse përcaktohet në ligjin nr.9130, datë 8.9.2003, “Për autoritetin portual”.
3. “Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale”, organi i cili garanton mbarëvajtjen e çështjeve të sigurisë në portet dhe anijet në Republikën e Shqipërisë.
4. “Certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të anijes (në vijim CNSA)”, certifikata e përhershme ose e përkohshme ndërkombëtare e sigurimit në anije, e lëshuar sipas seksioneve 19.2 dhe 19.4, të Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe Porteve (NSAP).
5. “Deklaratë sigurimi”, marrëveshja ndërmjet oficerit të sigurisë së anijes dhe oficerit të sigurisë së portit ose një anijeje tjetër, me të cilën ka lidhje, e cila përcakton masat e sigurisë që do të zbatohen nga secila palë.
6. “Deklaratë e përputhshmërisë e një terminali portual (në vijim DPTP)”, dokumenti që vërteton përmbushjen e kërkesave të Konventës “SOLAS”, kapitulli XI-2, dhe pjesës “A” të Kodit NSAP.
7. “Drejtuesi i portit”, këshilli drejtues i autoritetit portual ose drejtori i portit, sipas rastit.
8. “Forcë e sigurisë portuale (në vijim FSP)”, organi i ngarkuar për krijimin dhe mbajtjen e një mjedisi të sigurt për infrastrukturën dhe shërbimet në portin detar si edhe operatorët e ndryshëm që veprojnë në këtë port.
9. “Kodi”, Kodi Ndërkombëtar i Sigurisë së Anijeve dhe Porteve (në vijim Kodi NSAP), i Konventës “SOLAS”.
10. “Kontrolli Shtetëror i Flamurit”, struktura përbërëse e administratës detare i cili funksionon në zbatim të ligjit nr.10109, datë 2.4.2009, “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit shteti shqiptar ushtron kontrolle të rregullta inspektimi dhe certifikimi të sigurisë teknike për mjetet lundruese që mbajnë flamurin shqiptar, për zbatimin e kërkesave të vendosura nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë.
11. “Kontrolli Shtetëror Portual”, struktura përbërëse e administratës detare pranë kapitenerisë së porteve i cili kryen funksionet në zbatim të ligjit nr.9852, datë 26.12.2007, “Për aderimin e Republikës se Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual”, dhe Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë.
12. “Ministër”, ministri përgjegjës për transportin detar në Republikën e Shqipërisë.
13. “Ministria”, institucioni që ka në varësi institucionale portet detare.
14. “Niveli i parë i sigurisë”, niveli sipas të cilit kërkohet minimumi i masave mbrojtëse të sigurisë dhe përbën detyrim të përhershëm për përgjegjësit që garantojnë sigurinë.
15. “Niveli i dytë i sigurisë”, niveli sipas të cilit kërkohet marrja e masave mbrojtëse shtesë të sigurisë për një periudhë kohe, të kushtëzuar nga prania e një rreziku në rritje.
16. “Niveli i tretë i sigurisë”, niveli, sipas të cilit kërkohen masa të veçanta mbrojtëse të sigurisë për një periudhë të kufizuar kohe, të kushtëzuar nga një incident i mundshëm, pavarësisht nëse është kryer ose jo identifikimi i objektit.
17. “Oficer i sigurisë së anijes (në vijim OSA)”, personi në bord të anijes, në varësi të kapitenit, i caktuar nga zotëruesi si përgjegjës për sigurimin e anijes, përfshirë këtu edhe zbatimin dhe ruajtjen e planit të sigurisë së anijes, i cili përgjigjet edhe për mbajtjen e lidhjeve me oficerin e sigurisë së zotëruesit dhe oficerët e sigurisë së terminalit portual.
18. “Oficer i sigurisë së portit”, personi i caktuar si përgjegjës për hartimin, zbatimin, rishikimin dhe ruajtjen e planit të sigurisë së mjediseve të portit e që mban lidhje me oficerin e sigurisë së anijes dhe oficerët e sigurisë së shoqërisë.
19. “Oficer i sigurisë së zotëruesit (në vijim OSZ)”, personi i caktuar nga zotëruesi/pronari për të kryer vlerësimin e sigurisë në anije, për hartimin e planit të sigurisë në anije, për paraqitjen për miratim e më pas marrjen e masave për zbatimin dhe ruajtjen e këtij plani në anije, si dhe për të mbajtur lidhjet ndërmjet oficerëve të sigurisë së portit dhe oficerit të sigurisë së anijes.
20. “Operator i terminalit portual”, subjekti që kryen aktivitet tregtar në terminalin portual.
21. “Organet e përfaqësimit në porte”, Drejtoria e Përgjithshme Detare, autoriteti portual, drejtoria e portit dhe subjekte të autorizuara sigurie.
22. “Personat e autorizuar”, punonjësit të Forcës së Sigurisë Portuale.
23. “Plan i sigurisë së anijes (në vijim PSA)”, plani i hartuar për zbatimin në bordin e anijes të masave që synojnë të mbrojnë nga rreziku personat në bord, ngarkesën, mjetet për transportin e ngarkesës ose anijen.
24. “Plani i sigurisë së portit (në vijim PSP)”, plani që hartohet për të garantuar zbatimin e masave që synojnë mbrojtjen dhe sigurinë e terminalit portual dhe të anijeve, ngarkesave, mjeteve të transportit të ngarkesave dhe furnizimeve të anijeve.
25. “Port”, tërësia e objekteve të ndërtuara në zonën portuale, e përcaktuar për kryerjen e veprimtarive të anijeve detare, me karakter tregtar, prodhues, riparues, detar ose për qëllime të tjera detare.
26. “Qeveri kontraktuese”, qeveria e shtetit nënshkrues të Konventës “SOLAS”.
27. “SOLAS”, Konventa Ndërkombëtare e Sigurisë së Jetës në Det, e vitit 1974, me ndryshimet përkatëse, aderuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.9213, datë 1.4.2004.
28. “Subjekt i autorizuar sigurimi (në vijim SAS)”, organi i autorizuar për çështjet e sigurimit dhe për veprimet në porte e anije, që plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 4.5, pjesa “B”, e Kodit NSAP.
29. “Terminal portual”, vendi i përcaktuar nga ministri, ku realizohet lidhja ndërmjet anijes dhe portit, përfshirë zona të tilla si ato të ankorimit, të pritjes dhe drejtimet e ardhjes nga deti, ku anijet mund të ankorohen ose të hedhin cimat. Në rast se një zonë pranë buzës së detit shpallet e kufizuar, kjo përfshin edhe hapësirën nën sipërfaqe të ujit deri në fund të detit dhe çdo skelë pranë saj.
30. “Zonë detare portuale”, zona ujore e përdorur për trafikun detar ose për ushtrimin e veprimtarisë portuale. Kufijtë e zonës detare portuale përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për portet detare dhe të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
31. “Zonë e kufizuar”, zona brenda territorit të portit që paraqet rrezikshmëri për sigurinë.
32. “Zonë portuale”, tërësia e zonës së përcaktuar tokësore dhe detare, që shërben për kryerjen e veprimtarisë së portit (tërësia e elementeve të infrastrukturës së portit për realizimin e shërbimeve dhe të veprimtarisë portuale).
33. “Zotërues”, subjekti pronar ose përdorues, sipas rastit, i mjeteve dhe i veprimtarive në fushën e detarisë, i punësuar ose përfitues nga kjo veprimtari.

Neni 4
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për anijet që ndërmarrin udhëtime ndërkombëtare:

a) anije pasagjerësh, me shpejtësi të madhe, përfshirë mjetet për pasagjerë;
b) anije tregtare, përfshirë ato me shpejtësi të madhe, me tonazh bruto 500 tonë e më shumë;
c) platforma shpimi të lëvizshme në det.

2. Ky ligj zbatohet në të gjitha portet e Republikës së Shqipërisë që u shërbejnë anijeve të përmendura në pikën 1, të këtij neni, dhe për çdo terminal portual, të përcaktuar nga ministri përkatës, që shërben kryesisht për anije që nuk kryejnë udhëtime ndërkombëtare, por që, në raste të ndryshme, u shërbejnë anijeve që nisen ose mbërrijnë nga destinacione ndërkombëtare.

3. Ky ligj nuk zbatohet për anijet luftarake, mjetet detare ndihmëse ose anije të tjera, që janë pronë e qeverisë kontraktuese dhe përdoren prej saj për shërbime jotregtare.


KREU II

ORGANET PËRGJEGJËSE PËR ZBATIMIN E MASAVE TË SIGURISË NË ANIJE DHE NË PORTE

Neni 5
Ministri
Ministri është autoriteti mbikëqyrës, i caktuar nga ky ligj për:
a) zhvillimin dhe rishikimin e politikës kombëtare për sigurinë në anije dhe në porte;
b) propozimin ose nxjerrjen e akteve nënligjore për përforcimin e masave të sigurisë në anije dhe portet detare;
c) miratimin e planeve dhe të niveleve të sigurisë;
ç) autorizimin e subjektit të autorizuar të sigurimit;
d) lëshimin e deklaratës së përputhshmërisë së një terminali portual.

Neni 6
Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale

1. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale është pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe funksionon në bazë të këtij ligji.

2. Titullari i Drejtorisë së Përgjithshme Detare është njëkohësisht titullar i Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale.



Neni 7
Detyrat dhe përgjegjësitë e Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale
1. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, është autoriteti që siguron se FSP-ja kryen detyrat në përputhje me Kodin NSAP dhe kërkesat e këtij ligji. Detyrat dhe përgjegjësitë e tij janë:
a) t’i propozojë ministrit akte nënligjore për zbatimin dhe ndjekjen e këtij ligji;
b) të miratojë vlerësimin e sigurisë së terminaleve portuale të Republikës së Shqipërisë;
c) të shqyrtojë dhe përgatitë për miratim plane sigurie për operatorët që veprojnë në transportin detar;
ç) të caktojë kriteret e kualifikimit, detyrat dhe përgjegjësitë për oficerin e sigurisë së portit dhe terminalit portual dhe për anëtarët e FSP-së;
d) të miratojë oficerin e sigurisë së portit dhe të terminalit portual, që propozon drejtuesi i portit;
dh) të propozojë caktimin e nivelit të sigurisë që zbatohet në terminalet portuale shqiptare dhe në anijet me flamur shqiptar;
e) të njoftojë dhe të udhëzojë, sipas rastit, oficerin e sigurisë së portit, kapitenin e anijes, me çdo mjet komunikimi, për nivelin e sigurimit të miratuar për:

i) çdo anije shqiptare;
ii) çdo anije të huaj, që synon të veprojë ose vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë;
iii) çdo terminal portual në Republikën e Shqipërisë;

ë) të kontrollojë dhe vlerësojë efektshmërinë:

i) e planit të miratuar të sigurisë së portit dhe terminalit portual;
ii) e ndryshimeve të planit të miratuar të sigurisë së portit dhe terminalit portual;

f) të sigurohet për rishikimin periodik të vlerësimit dhe planit të sigurisë së terminaleve portuale një herë në pesë vjet.
g) të përcaktojë kërkesat për një deklaratë sigurimi;
gj) të mbajë kontakte me subjektin e autorizuar të sigurimit lidhur me zbatimin e kërkesave të këtij ligji dhe Kodit NSAP për çështjet e sigurisë në portet dhe anijet shqiptare;
h) të mbajë kontakte me Organizatën Ndërkombëtare të Detarisë (IMO) dhe autoritetet kompetente të qeverive kontraktuese të Konventës “SOLAS” për çështjet e sigurisë në portet dhe anijet shqiptare;
i) të marrë masa për zbatimin e qarkoreve dhe rezolutave të Organizatës Ndërkombëtare të Detarisë (IMO) lidhur me çështjet e sigurimit në anije dhe porte.
2. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, në bashkëpunim me oficerin e sigurisë së portit dhe organet e tjera shtetërore në port, sipas rastit, me oficerin e sigurisë së zotëruesit dhe oficerin e sigurisë së anijes organizon një ushtrim sigurie në vit, por pa kaluar 18 muaj nga ushtrimi në ushtrim, për të testuar komunikimin, bashkëpunimin, burimet në dispozicion dhe reagimin.

3. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, në zbatim të këtij ligji, mund të realizojë marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, të karakterit teknik, me autoritetet kompetente të shteteve kontraktuese, për masa alternative sigurie që mbulojnë lundrime të shkurtra ndërkombëtare, për linja fikse ndërmjet terminaleve portuale të palëve nënshkruese, me kusht që:

a) këto marrëveshje të mos cenojnë nivelin e sigurisë;
b) anijet pjesë të marrëveshjes të mos kryejnë veprimtari me anije të tjera që nuk janë përfshirë në marrëveshje;
c) marrëveshjet të jenë objekt rishikimi periodik.

4. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale ushtron kontrolle efektshmërie gjithëpërfshirëse, specifike dhe të paprogramuara.


KREU III

SIGURIA NË ANIJE

Neni 8
Përgjegjësitë e zotëruesit dhe të kapitenit të anijes

1. Të gjitha kërkesat e përcaktuara nga ky ligj, aktet nënligjore dhe Kodi NSAP për nivelin e sigurisë së anijes janë të detyrueshme për zotëruesin dhe kapitenin e saj:

a) para hyrjes dhe gjatë kohës së qëndrimit të anijes në një port në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) për anijet me flamur shqiptar në çdo kohë dhe vend që ndodhen.

2. Zotëruesi i anijes është i detyruar të garantojë kryerjen e vlerësimit të sigurimit të saj nga oficeri i sigurisë së tij ose nga një subjekt i autorizuar sigurimi.

Neni 9
Vlerësimi i sigurisë në anije
1. Vlerësimi i sigurimit të anijes përfshin këqyrjen në vend të sigurisë me, të paktën, elementet e mëposhtme:

a) identifikimin e masave, të procedurave dhe veprimeve ekzistuese të sigurisë;
b) identifikimin dhe vlerësimin e veprimeve të rëndësishme në bordin e anijes;
c) identifikimin e kërcënimeve të mundshme ndaj veprimeve në bordin e anijes, për të vendosur masat e sigurisë;
ç) identifikimin e mangësive, duke përfshirë edhe faktorët njerëzorë, infrastrukturorë, si dhe mënyrën e veprimit dhe procedurat.

2. Vlerësimi i sigurisë së anijes dokumentohet, rishikohet, pranohet dhe ruhet nga zotëruesi.

Neni 10
Plani i sigurisë së anijes (PSA)

1. Plani i sigurisë së anijes hartohet, zbatohet dhe ruhet detyrimisht nga zotëruesi i anijes, në bazë edhe të vlerësimit të bërë. Zotëruesi i anijes shqiptare është i detyruar të hartojë, të zbatojë dhe të ruajë planin e sigurisë së anijes, sipas vlerësimit të sigurimit të anijes. Në plan përfshihen dispozita për tri nivelet e sigurimit, siç përcaktohet në Kodin NSPA.

2. Zotëruesi ka të drejtë të angazhojë oficerin e sigurisë së tij ose një subjekt të autorizuar sigurimi për të përgatitur planin e sigurisë së anijes.

3. Plani i sigurisë së anijes dhe ndryshimet në të miratohen paraprakisht nga zotëruesi i anijes.

Neni 11
Miratimi i planeve të sigurisë së anijeve

1. Subjekti i autorizuar i sigurimit, i certifikuar nga ministri, rishikon dhe miraton planet e sigurisë së anijeve, ose edhe ndryshimet në to, me kusht që ky subjekt të mos ketë marrë pjesë në përgatitjen e:

a) vlerësimit të sigurisë;
b) planit të sigurisë;
c) ndryshimeve në planin e sigurisë së anijeve.

2. Plani i sigurisë së anijeve ose dhe ndryshimet e miratuara më parë, shoqërohen me vlerësimin e sigurimit, në bazë të cilit është hartuar plani ose ndryshimi.

Neni 12
Regjistrat që mbahen në bord

1. Kapiteni dhe zotëruesi i anijes sigurojnë që anija të ketë në bord planin e sigurisë. Elementet e përmbajtjes së këtij plani dhe subjekti hartues janë përcaktuar në nenin 10, të këtij ligji, dhe në Kodin NSAP.
2. Regjistrat mbahen në gjuhën e deklaruar të komunikimit të ekuipazhit të anijes dhe në gjuhën angleze.

Neni 13
Inspektimi i planeve të sigurisë së anijes

1. Kontrolli Shtetëror Portual inspekton mbajtjen në bord të planit të sigurisë së anijes dhe verifikon nëse është në përputhje me kërkesat e këtij ligji, Kodit NSAP dhe, sipas rastit, rregullat e administratës së shtetit, flamurin e të cilit mban anija.

2. Kontrolli Shtetëror Portual verifikon seksione të veçanta të planit, për të cilat vlerëson se mund të ketë parregullsi.

3. Kontrolli Shtetëror i Flamurit, për anijet me flamur shqiptar, inspekton dhe verifikon planin e sigurisë së anijes, nëse ka të dhëna se anija nuk është në përputhje me kërkesat e këtij ligji, të Kodit dhe akteve nënligjore.

Neni 14
Sistemet e sigurisë së anijes
Çdo anije është e detyruar të ketë sistem sigurie me alarm, sistem automatik identifikimi, evidenca të mbajtura në vazhdimësi dhe numër identifikimi të anijes, në përputhje me kërkesat e paraqitura në Kodin NSAP.

Neni 15
Alarmet e sigurisë së anijes

1. Në rast se Drejtoria e Përgjithshme Detare merr njoftim për alarm sigurie në anije, është e detyruar të njoftojë menjëherë autoritet kompetente të shteteve në afërsi të të cilave ndodhet anija.

2. Në rastin kur Drejtoria e Përgjithshme Detare merr njoftim për alarm sigurie në një anije që nuk është e regjistruar në Republikën e Shqipërisë, është e detyruar të njoftojë menjëherë administratën e anijes dhe shtetin ku është regjistruar anija.

Neni 16
Certifikata që mbahet në bord
Kapiteni i anijes në një port brenda territorit të Republikës së Shqipërisë është i detyruar që, pas kërkesës nga Kontrolli Shtetëror i Flamurit, për anijet me flamur shqiptar, apo Kontrolli Shtetëror Portual, për anijet me flamur të huaj:

a) të paraqesë certifikatën ndërkombëtare të sigurisë së anijes;
b) të bashkëpunojë në çdo rast.

Neni 17
Të dhënat që paraqet anija në port

1. Kapiteni, zotëruesi i anijes, ose personi i autorizuar, para hyrjes në port të anijes, detyrohet të paraqesë para oficerit të sigurisë së portit, si pikë kontakti për çështjet e sigurisë portuale, këto dokumente:

a) dëshminë se anija zotëron CNSA-në;
b) dëshminë e nivelit të sigurimit, që ka aktualisht anija;
c) dëshminë e nivelit të sigurimit me të cilën anija ka vepruar në secilin port ku ka pasur kontakt anije - port, për 10 (dhjetë) ndalesat e fundit;
ç) dëshminë për masat e sigurimit, të veçanta ose shtesë, që janë marrë nga anija në cilindo port të mëparshëm, gjatë periudhës së 10 (dhjetë) ndalesave të fundit;
d) dëshminë se procedurat e duhura për sigurimin e anijes janë zbatuar në çdo veprimtari anije - anije, gjatë periudhës së 10 (dhjetë) ndalesave të fundit në port;
dh) çdo të dhënë tjetër praktike që lidhet me sigurinë, me përjashtim të hollësive të planit të sigurisë së anijes, duke marrë parasysh udhëzimet e pjesës “B”, të Kodit NSAP.

2. Kur kapiteni i anijes ose zotëruesi nuk paraqesin dokumentet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, anija nuk lejohet të hyjë në port.

Neni 18
Kontrolli i anijes në port

1. Kur oficeri i sigurisë së portit konstaton se anija nuk respekton kërkesat e ligjit, kërkon kryerjen e inspektimit të anijes nga Kontrolli Shtetëror Portual ose Kontrolli Shtetëror i Flamurit.

2. Kur rezulton se janë shkelur kërkesat e këtij ligji, kapiteni i portit, për marrjen e masave për eliminimin e shkeljes, urdhëron:

a) vonimin e anijes;
b) ndalimin e anijes;
c) kufizimin e veprimeve të anijes, përfshirë lëvizjet brenda portit;
ç) përjashtimin e anijes nga porti, kur ajo përbën rrezik të dukshëm ndaj sigurimit të njerëzve, anijeve të tjera ose pronës.

3. Kur kapiteni i portit urdhëron largimin e anijes nga porti dhe ndërprerjen e shërbimeve në të, i kërkohet kapitenit të anijes ta drejtojë atë në një vend të caktuar, brenda ujërave territoriale ose të brendshme të Republikës së Shqipërisë.

4. Për arsye humanitare ose për qëllime sigurimi, kapiteni i portit vendos për hyrjen në anije të personave ose për shpërnguljen e personave që janë në bord.

5. Në marrjen e vendimeve, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, kapiteni i portit bashkëpunon me:

a) autoritetet vendore të Policisë së Shtetit;
b) kryetarin e Degës Doganore që vepron në port;
c) institucionin përkatës të Ministrisë së Shëndetësisë;
ç) institucionin përkatës të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
d) titullarin e çdo organi tjetër shtetëror, operacionet e të cilit mund të preken nga vendimi;
dh) titullarin e shërbimit shëndetësor të qarkut përkatës;
e) drejtuesin e portit / terminalit portual;
ë) subjekte të lidhura drejtpërdrejt me veprimtarinë e anijes në port dhe terminalin portual.

Neni 19
Shpenzimet e ndalimit

1. Nëse ndaj anijes janë marrë masat sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të nenit 18, të këtij ligji, zotëruesi ka detyrimin të mbulojë shpenzimet që rrjedhin nga vonimi ose ndalimi i anijes.

2. Kundër masave të marra sipas pikës 1, të këtij neni, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e njoftimit zotëruesit i lind e drejta për të bërë ankim te titullari i Drejtorisë së Përgjithshme Detare. Shqyrtimi i ankimit të depozituar nga subjekti kundërvajtës bëhet sipas Kodit të Procedurave Administrative.

3. Nëse vërtetohet se masat e marra janë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, zotëruesi i anijes ka të drejtën e dëmshpërblimit për çdo humbje, nga subjekti që ka urdhëruar kufizimin, ndalimin ose vonimin e tepruar të anijes.

Neni 20
Kërkesa të tjera

1. Kur merret masë kontrolli sipas pikës 1, të nenit 18, të këtij ligji, Kontrolli Shtetëror Portual apo Kontrolli Shtetëror i Flamurit është i detyruar të njoftojë, me shkrim, administratën e anijes për kontrollin e bërë, masën e marrë dhe arsyet për këtë veprim.

2. Kur ndaj anijes merret masa e largimit nga porti, Kontrolli Shtetëror Portual njofton, me shkrim, autoritetet përkatëse:

a) të shtetit të portit tjetër më të përshtatshëm pritës, nëse dihet;
b) të çdo shteti tjetër të përshtatshëm bregdetar.

3. Njoftimi duhet të jetë në përputhje me çdo udhëzim tjetër, të shpallur nga Organizata Ndërkombëtare Detare, të jetë i sigurt dhe konfidencial.

Neni 21
Përgjegjësia e kapitenit për sigurinë e anijes dhe sigurimin e saj

1. Vendimi i kapitenit të anijes për ruajtjen e sigurisë së anijes nuk diskutohet nga zotëruesi ose ndonjë person tjetër për:

a) mospranimin e personave të tjerë në bord, përveç atyre që janë identifikuar si të autorizuar nga oficeri i sigurisë së terminalit portual;
b) mospranimin e një ngarkese të dyshimtë, përfshirë konteinerët, ose të një ngarkese tjetër të paketuar.

2. Zotëruesi i anijes shqiptare është i detyruar të sigurojë mbështetjen e nevojshme ndaj kapitenit të anijes dhe oficerit të sigurisë së anijes, për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

3. Kur gjatë operimit kapiteni i anijes vëren konflikt në lidhje me kërkesat për sigurinë e anijes, ai:

a) është i detyruar t’u japë përparësi kërkesave për të ruajtur sigurinë e anijes;
b) zbaton masa të përkohshme sigurie, në përputhje me nivelin e sigurisë;
c) është i detyruar ta njoftojë menjëherë oficerin e sigurisë së terminalit portual;
ç) njofton autoritetin kompetent të deklaruar të shtetit përkatës të portit për një anije të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, që hyn në një port jashtë territorit të Shqipërisë.

4. Personi që hipën në anije për të kryer detyrat ose funksionet e veta ligjore, është i detyruar t'i paraqesë kapitenit të anijes ose oficerit të sigurisë së anijes dokumentin identifikues të funksionit që kryen.


KREU IV

SIGURIA NË PORT
Neni 22
Detyrat e operatorëve të terminalit portual

1. Operatori i terminalit portual është i detyruar të veprojë në atë nivel sigurie siç është përcaktuar nga Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, të zbatojë masat e procedurat në përputhje me nivelin e sigurisë së terminalit portual dhe të caktojë oficerë sigurie për atë terminal.

2. Nëse anijes i kërkohet ose ka nivel sigurie më të lartë sesa ajo e terminalit portual, oficerët e sigurisë së terminalit portual janë të detyruar t’ia raportojnë çështjen oficerit të sigurisë portuale dhe Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale.

3. Në rastet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, oficeri i sigurisë së portit, oficerët e sigurisë së terminalit portual dhe oficeri i sigurisë së anijes janë të detyruar të bashkërendojnë veprimet për të ndërmarrë masat e nevojshme në zbatim të kërkesave të këtij ligji.

Neni 23
Vlerësimet e sigurisë së portit

1. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale realizon vlerësimin e sigurisë së çdo porti. Ai mund t’ia delegojë këtë detyrë njërit prej subjekteve të autorizuar të sigurimit.

2. Kur vlerësimi kryhet nga njëri prej subjekteve të autorizuara të sigurisë, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale kontrollon nëse ai plotëson kërkesat e këtij ligji dhe të Kodit NSAP.

3. Vlerësimi i sigurisë së portit rishihet dhe përditësohet periodikisht, të paktën, një herë në pesë vjet, duke patur parasysh rreziqet ose çdo ndryshim që ndodh në port, në zbatim të këtij ligji.

4. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale përgatit një raport për ministrin për vlerësimin e sigurisë së portit.

5. Vlerësimi i sigurisë së portit duhet të përmbajë, minimalisht,:

a) Identifikimin dhe vlerësimin e aseteve dhe infrastrukturës me rëndësi për t’u mbrojtur;
b) Identifikimin e kërcënimeve ndaj aseteve e infrastrukturës dhe mundësinë e ndodhjes së tyre, me synim caktimin e përparësisë së masave të sigurisë, përfshirë llojin e armatimit;
c) Identifikimin, përzgjedhjen dhe përparësinë e kundërmasave dhe ndryshimeve procedurale e nivelin e tyre të efikasitetit për eliminimin e cënueshmërisë;
ç) Identifikimin e dobësive, përfshirë faktorët njerëzorë, në infrastrukturë, politika dhe procedura;
d) Vlerësimin e pasojave të incidenteve të mundshme.

Neni 24
Planet e sigurisë së portit

1. Plani i sigurisë së portit ose ndryshimet e një plani sigurie të miratuar më parë, miratohen nga ministri para se plani apo ndryshimet të hyjnë në fuqi.

2. Çdo operator portual detyrohet të hartojë dhe të përditësojë planin, të paktën, një herë në pesë vjet dhe të zbatojë e të ruajë planin e sigurisë së portit, sipas vlerësimit të sigurisë së atij porti.

3. Plani i sigurisë së portit përcakton qartë procedurat, masat dhe veprimet e hollësishme për të garantuar sigurinë portuale për të tre nivelet e sigurisë. Ky plan përbën një mekanizëm kontrolli i cili mundëson marrjen e masave korrigjuese të duhura.

4. Ky plan duhet të përmbajë, të paktën,:

a) Masat për parandalimin e armëve apo të çdo lloj substance tjetër ose pajisjeve të rrezikshme me qëllim për t’u përdorur kundër personave, anijeve apo porteve, për të cilat nuk ka autorizim për t’u mbajtur dhe për t’u futur në terminalin portual ose anije;
b) Masat për parandalimin e hyrjes së paautorizuar në terminalin portual, në anijet e akostuara në terminalin portual dhe në zonat e kufizuara të terminalit portual;
c) Procedurat për të reaguar ndaj cenimeve apo shkeljeve të sigurisë, përfshirë procedurat për ruajtjen e operacioneve thelbësore të terminalit portual apo të ndërfaqes anije-port;
ç) Procedurat për të reaguar ndaj çdo lloj udhëzimi sigurie që jepen nga autoritetet kompetente shtetërore në nivelin e tretë të sigurisë;
d) Procedurat e evakuimit, në rastet e kërcënimeve apo shkeljeve të sigurisë;
dh) Detyrat e FPSP dhe personelit tjetër të terminalit, lidhur me aspektet e sigurisë;
e) Procedurat për ndërfaqen e veprimtarisë së sigurisë me anijet;
ë) Procedurat për rishikimin periodik të planit dhe të përditësimit të tij;
f) Procedurat për raportimin e incidenteve të sigurisë;
g) Identifikimin e oficerit të sigurisë portuale (OSP) dhe oficerit të sigurisë së terminalit portual (OSTP), përfshirë detaje kontakti në çdo kohë;
gj) Masat që sigurojnë ruajtjen e informacionit që përmban plani i sigurisë;
h) Masat e parashikuara për të garantuar sigurinë efektive të mallrave dhe pajisjeve të përpunimit të mallrave si dhe të terminalit portual;
i) Grafikun dhe planin e veprimeve për alarmet e sigurisë, të cilat duhet të kryhen, të paktën, një herë në tre muaj;
j) Procedurat për auditimin e planit të sigurisë së terminalit portual;
k) Procedurat e reagimit në rastet kur aktivizohet sistemi i alarmit të sigurisë së anijes që ndodhet e akostuar në terminal; dhe
l) Procedurat për mundësimin e leje zbarkimit të personelit të anijes apo ndryshimeve të tij, si dhe të hyrjes së vizitorëve në anije, përfshirë përfaqësuesit e shoqatës së detarëve dhe të punësimit.

Neni 25
Komiteti i sigurisë në anijet dhe portet e hapura të Republikës
së Shqipërisë

1. Komiteti i sigurisë në anije dhe në portet e hapura të Republikës së Shqipërisë është organ kolegjial dhe këshillimor, që kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Portit/Autoritetit Portual dhe në përbërje ka këta anëtarë:
a) Përfaqësues nga Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale - anëtar;
b) Oficerin e sigurisë së portit / terminalit portual;
c) Përfaqësuesin e Drejtorisë së Portit/Autoritetit Portual;
ç) Përfaqësuesin e Drejtorisë së Policisë Kufitare;
d) Përfaqësuesin e Drejtorisë së Doganës;
dh) Përfaqësuesin e Kapitenerisë së Portit;
e) Përfaqësuesin e Rojës Bregdetare.

2. Ky komitet këshillimor mblidhet një herë në tre muaj dhe, sipas rastit, mund të mblidhet me kërkesë të kryetarit ose të njërit prej anëtarëve të tij.

3. Ky komitet këshillimor ka si objekt kryesor të punës së tij trajtimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë ndërmjet institucioneve të sipërpërmendura për çështjet e sigurisë portuale/facilitetit portual.

KREU V

MASAT PARANDALUESE TË SIGURISË
Neni 26
Zona e sigurisë në port

1. Zona e sigurisë në port përcaktohet nga Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, me propozimin e drejtuesit të portit dhe përfshihet në planin e sigurisë së terminalit portual.

2. Kufizime të veçanta në zonën e sigurisë në port përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin detar dhe ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.


Neni 27
Transportimi dhe mbajtja e armëve në anije ose në zonën e sigurisë
së portit

1. Ndalohet transportimi apo mbajtja e armëve, municioneve, substancave kimike, biologjike dhe helmuese në port, në anije ose në zonën e sigurisë së portit.

2. Transportimi ose mbajtja e armëve, municioneve, substancave kimike, biologjike dhe helmuese kryhet kur është pajisur me leje me shkrim të autoriteteve përkatëse ligjore. Oficeri i sigurisë së portit ose oficeri i sigurisë së terminalit portual kontrollon lejen e lëshuar nga organet përkatëse.

Neni 28
Sekuestrimi dhe bllokimi i sendeve të paligjshme

1. Kontrolli Shtetëror Portual ose Kontrolli Shtetëror i Flamurit kur zbulon në anije praninë e sendeve apo të lëndëve të përmendura në nenin 27, të këtij ligji, dhe ka argumente se sendi mund të jetë futur në anije në mënyrë të paligjshme, bën bllokimin e përkohshëm të anijes.

2. Kur personi i autorizuar zbulon në terminalin portual, praninë e individëve me sende apo lëndë, ose prani të sendeve apo lëndëve të përmendura në nenin 27, të këtij ligji, dhe ka argumente se sendet apo lëndët mund të jenë futur në zonën e terminalit në mënyrë të paligjshme, bashkëpunon me forcat e Policisë së Shtetit për bllokimin e tyre.

3. Në rastet e përcaktuara në pikën 1 dhe 2, të këtij neni, bashkëpunohet me Policinë e Shtetit dhe/ose kryetarin e degës doganore që vepron në port, për zgjidhjen e situatës.

Neni 29
Përballimi i shpenzimeve për bllokimin e anijes

1. Në rastet e bllokimit të anijes nga Kontrolli Shtetëror Portual apo Kontrolli Shtetëror i Flamurit, sipas pikës 1, të nenit 28, të këtij ligji, shpenzimet e shkaktuara nga bllokimi mbulohen nga zotëruesi i anijes.

2. Drejtoria e Përgjithshme Detare duhet t’i paguajë zotëruesit të anijes kompensimin për çdo humbje që rezulton nga bllokimi i paarsyeshëm i anijes.

Neni 30
Refuzimi i kontrollit

Kur subjektet refuzojnë kontrollin e tyre ose të bagazhit, personi i autorizuar njofton menjëherë organet kompetente dhe, në bashkëpunim, bën bllokimin e personave dhe mjeteve të tyre.
Neni 31
Përgjegjësitë ligjore për ndalimin

Personat që, pas verifikimit, rezultojnë se kanë shkelur dispozitën e parashikuar nga pika 1, e nenit 27, ndalohen nga personi i autorizuar në bashkëpunim me organet kompetente të Policisë Shtetit.
Neni 32
E drejta e hyrjes në zonat e sigurisë së portit dhe në anije

1. Një person i autorizuar mund të hyjë në çdo kohë në zonën e sigurisë në port, në çdo ndërtesë ose automjet për të kryer funksionet dhe detyrat e tij, në përputhje me këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore në fuqi.

2. Personi i autorizuar nuk mund të hyjë në anije, në mjediset e ekuipazhit ose të pasagjerëve pa miratimin dhe pa praninë e kapitenit ose oficerit të sigurisë së anijes.
Neni 33
Zona e kufizuar për portin dhe terminalin portual

Drejtuesi i portit, kur e vlerëson të domosdoshme për garantimin e sigurisë së portit dhe/ose terminalit portual dhe anijes, në zbatim të nenit 26, të këtij ligji, propozon zonën e kufizuar për portin dhe/ose terminalin portual, pas këshillimit me:

a) drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
b) drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave;
c) autoritetin përkatës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
ç) autoritetin përkatës në Ministrinë e Shëndetësisë;
d) titullarin e çdo ministrie tjetër, veprimet e së cilës mund të cenohen;
dh) kapitenin e portit;
e) operatorin e terminalit portual;
ë) oficerin mjekësor të shëndetit.
Neni 34
Strukturat e forcës së sigurisë së portit

Drejtuesi i portit, ngarkohet për ngritjen e FSP-së, hartimin e strukturës, organizimin dhe funksionimin e saj, bazuar në kriteret e përcaktuara në zbatim të këtij ligji dhe akteve nënligjore.
Neni 35
Kundërvajtjet administrative

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e detyrimeve të parashikuara në nenin 8, pika 2, në nenet 9, 10, 12, pika 1, në nenet 16, 17, 21, 22 e 23, pika 2, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:
a) anije pasagjerësh ose transporti lëndësh të rrezikshme të klasifikuara nga Kodi Ndërkombëtar Detar i Lëndëve të Rrezikshme, i Konventës “SOLAS”: tonazh bruto i anijes x 2 €;
b) anije të tjera të ndryshme nga ato të përmendura në shkronjën “a”, të këtij neni: tonazh bruto i anijes x 1 €;
c) port ose terminal portual me objekt kryesor përpunimi pasagjerë ose lëndë të rrezikshme të klasifikuara nga Kodi Ndërkombëtar Detar i Lëndëve të Rrezikshme, i Konventës “SOLAS”: Sipërfaqe toke të portit përfshirë terminalin portual në metër katror x 4 €;
ç) port ose terminal portual i ndryshëm nga ai i përmendur në shkronjën “c”, të këtij neni: Sipërfaqe toke të portit, përfshirë terminalin portual, në metër katror x 2 €;

2. Masa e gjobës aplikohet nga Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale;

3. Për shkeljet që kanë lidhje me anijet, raportohet nga subjekti i autorizuar i sigurimit ose oficeri i sigurisë së portit.

4. Kundër dënimit me gjobë, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet ankim te drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e njoftimit. Shqyrtimi i ankimit të depozituar nga subjekti kundërvajtës bëhet sipas Kodit të Procedurave Administrative.
Neni 36
Afati kohor i pagesës dhe sanksionet

1. Subjekti kundërvajtës kryen depozitimin e shumës së gjobës në Buxhetin e Shtetit brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data kur është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë, që përbën titull ekzekutiv, ose të komunikimit të vendimit të ankimit administrativ.

2. Në rast mosdepozitimi të shumës së gjobës brenda afateve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, dhe të mosmarrjes së masave për eliminimin e shkeljes së konstatuar ose për ankimin, në zbatim të ligjit për kundërvajtjet administrative, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale ose SAS-ja, vendos pezullimin e veprimtarisë së subjektit dhe/ose tërheq DPTP-në ose CNSA-në deri në përmbushjen e këtij detyrimi.


Neni 37
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të nenit 25, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për transportin për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të nenit 5, të këtij ligji.

Neni 38
Dispozita të tjera

Ligji nr.9281, datë 23.9.2004, “Për sigurinë në anije dhe në porte”, shfuqizohet.

Neni 39
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
21/08/2013
Votoni per projektligjin
PO:       JO: 

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave