Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Estonisë për Shqipërinë z. Andres Talvik, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve dhe qeverive, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen, bashkëpunimin dhe ndihmën që Estonia i ka dhënë Shqipërisë, në veçanti në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe e-government.
Ambasadori Talvik i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i ka dhënë misionit të tij gjatë kësaj periudhe. Ambasadori Talvik vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka shënuar gjate kësaj periudhe në të gjitha fushat, në veçanti në reformat e lidhura me anëtarësimin në BE dhe uroi që bazuar mbi këtë progres, vendi ynë të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat.
Në takim u vlerësua gazsjellësi TAP si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë, zhvillimin e ekonomisë së saj dhe rajonin, i cili përbën edhe një arritje të rëndësishme gjatë kësaj periudhe.
22/07/2013