Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugės Bilisht – Miras, investim me vlerė 576 milionė lekė
 

Kryeministri Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës Bilisht – Miras, në Devoll, 15.5 kilometër dhe investim me vlerë 576 milionë lekë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve dhe qeveria shqiptare. Rruga lehtëson transportin për 20.000 banorë të komunave Miras, Qendër Bilisht, Hoçisht dhe 20 fshatra të këtyre komunave me njëra-tjetrën, me superstradën Korçë – Bilisht – Kapshticë dhe me qytetin e Bilishtit. Rruga e re shkurton kohën e udhëtimit 3 herë, krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës.

Ndikimi që sjell ndërtimi i kësaj rruge është shumëplanësh. Ajo do të ndihmojë në zhvillimin social – ekonomik të zonës dhe në rritjen e aksesit drejt qendrave administrative, shërbimeve shëndetësore dhe atyre arsimore.

Në kuadër të prioriteteve rajonale të zhvillimit të qarkut Korçë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërtuar edhe rrugët Zvezdë – Podgorie dhe Libonik – Rrembec – Plase. Tashmë edhe fermerët e fushës së Korçës e të fushës së Devollit kanë mundësi të tregtojnë prodhimet e tyre bujqësore edhe blegtorale në tregun rajonal të Korçës dhe atë të Bilishtit.

Në këto vite në Devoll janë ndërtuar 120 kilometër rrugë, 24 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh, 20  shkolla dhe 13 qendra shëndetësore  e  ambulanca. Në Devoll janë investuar 5 milionë euro në vaditje, kanale kulluese dhe subvencione, janë subvencionuar 450 hektarë dru frutorë e vreshta ose 16 herë më shumë se Partia Socialiste në 8 vite dhe kanë përfituar 1310 fermerë e blegtorë.

Rrethi i Devollit do të përfitojë së shpejti nga investimet e mëdha. Autostrada dhe tuneli Kërrabës do ta shkurtojë në 2 orë distancën Tiranë – Bilisht. Gazsjellësi TAP do të hyjë në Shqipëri nëpërmjet Devollit dhe do të sjellë hapjen e 5000 mijë vendeve pune, do të sjellë një rrugë të re lidhëse të Devollit – Beratit e Bregdetit dhe gazifikimin e Devollit e të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë rreth do të përfundojë kompletimi i rrugëve dhe i rrjetit të ujit e kanalizimeve; programi i ri vaditjes; shumëfishimi i subvencioneve dhe kreditimi i agro-përpunimit; mbështetja e fasoneve.

Kryetari i komunës Miras tha se kjo rrugë do t’u lehtësoj fermerëve dhe blegtorëve të zonës transportin e prodhimeve në tregun e Korçës dhe të Bilishtit. “I nderuar zoti Kryeministër, kjo është vepra më e madhe dhe më e rëndësishme për ne, por gjatë viteve të qeverisjes tuaj janë ndërtuar shumë rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime etj., duke ndryshuar kështu për mirë jetën tonë. Ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për të gjitha këto ndryshime, të cilat janë edhe një garanci për vepra të tjera që do të ndërtohen në komunën tonë. I ftoj të gjithë banorët të mbështesin programin e Partisë Demokratike, sepse ne kemi nevojë për më shumë vepra, për më shumë mbështetje për fermerët tanë. Ne kemi bindjen e plotë se të gjitha këto në mandatin e ardhshëm të Partisë Demokratike do të bëhen realitet”, tha ai.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë inaugurim dhe ftoi të gjithë fermerët dhe banorët e kësaj zone që, pavarësisht nga bindjet politike, të votojnë alternativën e Partisë Demokratike. “Pavarësisht nga bindjet politike, uluni dhe arsyetoni me njeri-tjetrin skemën që ne japim paratë në dorë për akcizën e naftës, japim paratë në dorë për TSVH-në e makinerive, farave, fidanëve, plehrave kimike, grantet që do të 3-fishojmë, rrugët që po ndërtojmë, ujësjellësit dhe sistemin e vaditjes. A ka për ju ndonjë mbështetje më të plotë se kjo? Na e thoni në qoftë se ka, por në qoftë se nuk gjeni, votoni këtë projekt, pavarësisht nga bindjet tuaja politike.”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 Të dashur banorë të Devollit,

Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që inaugurojmë sot këtë rrugë të bukur në komunën tuaj. Duke ardhur tek ju po mendoja që ndërtimin e rrugëve ne zakonisht e bazojmë në numrin e banorëve që rruga u shërben dhe ju i keni këto, por keni edhe diçka më shumë. Në qoftë se rrugët do t’i llogarisnim me kovat e djersës që banorët derdhin, ju do të ishit në krye. Ju meritoni çdo rrugë. Ndaj dhe kënaqësia ime që inauguruam sëbashku ketë rrugë. Unë jam këtu t’ju shpreh nderimin tim më të madh për punën tuaj, njerëz punëtore dhe të mrekullueshëm që e keni ndryshuar shumë jetën tuaj me mund e me djersë. Ne jemi përpjekur t’ju ndihmojmë dhe do t’ju ndihmojmë. Ne qëndrojmë fuqishëm pas jush. Ndaj ne ndërtojmë rrugë, shkolla, kanalizime, japim grante, por diçka tjetër më shumë, një mbështetje tjetër më e madhe është ajo që ne ju japim juve, është mbrojtja nga konkurrenca ndërkombëtare e pandershme.

Duke ardhur tek ju pashë fushat e mbjella me grurë. Çfarë premton pala tjetër? Me papërgjegjshmëri totale do t’ia heqë TVSH-në grurit. Ti heqësh TVSH-në grurit do të thotë që ju të mos keni më leverdi për asnjë kalli grurë. Mendon kush se do të ulet çmimi i grurit? Në mënyrë absolute, ulja e Prodhimit të Brendshëm vetëm rrit çmimet në mënyrë të papërmbajtur. Shikoni sa e papërgjegjshme është. Do të marrë monopolet, sepse tregtia e ushqimeve është tregtia më e leverdishme e kësaj toke. Dhe miliarderët e PS-së tani duan të ndërtojnë ëndrrën e tyre mbi monopolin e ushqimeve. Së dyti, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim. Prodhimi është alpha dhe omega e zhvillimit ekonomik, e suksesit ekonomik, e mirëqenies ekonomike. Zotëria nuk mendon ku ka këtu një pëllëmbë tokë të papunuar. Këto vite sipërfaqja e tokës së punuar është rritur katër herë.

Ju ftoj juve, fermerëve të Devollit dhe të mbarë Shqipërisë që t’i mendoni këto ditë mirë të dy politikat. Politika jonë është rritje rrogash në 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rroga minimale në 350 dollarë. Pse kjo? Mallrat duhet të blihen. Qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, por jo t’i rrënojmë dhe t’ua shkatërrojmë prodhimin në fushë. Shqipëria është me 1/3 e çmimeve të Bashkimit Evropian. Kush do të ecë drejt Evropës duhet të pranojë se çmimet do të shkojnë drejt rritjes. Qeveria është e detyruar të rrisë rrogat, të rrisë pensionet, të rrisë ndihmën ekonomike. Kjo është politika. Ndaj dhe thirrja ime vëllazërore për ju është që të votoni për mbrojtjen e prodhimeve tuaja, të votoni për të mbrojtur djersën tuaj. Ju duhet të prodhoni gjithnjë e më shumë, të fitoni gjithnjë e më shumë dhe jo të vijë t’ju konkurrojë qumështi i lopëve që subvencionohen me 3 euro në ditë; t’ju konkurrojnë ata që e hedhin farën e grurit me avionë, sepse i kanë fushat me mijëra hektarë. Ajo nuk është e ndershme. Ne ju mbrojmë juve. Ne ndërtojmë infrastrukturën kudo dhe sot jam i gëzuar që Mirasi, ku unë kam qenë disa herë, tani ka një rrugë si çdo qytet i vendit.

Nga ana tjetër, pavarësisht nga bindjet politike, uluni dhe arsyetoni me njeri-tjetrin skemën që ne japim paratë në dorë për akcizën e naftës, paratë në dorë për TSVH-në e makinerive, farave, fidanëve, plehrave kimike, grantet që do të 3-fishojmë, rrugët që po ndërtojmë, ujësjellësit, sistemet e vaditjes. A ka për ju ndonjë mbështetje më të plotë se kjo? Na e thoni në qoftë se ka, por në qoftë se nuk gjeni, votoni këtë projekt, pavarësisht nga bindjet tuaja politike.

Gëzuar rrugën!

Fitore!

Voti 44-ën, votoni PD-në, votoni fitoren!”


19/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave