Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Bashkėbisedim i Kryeministrit Berisha dhe ish Sekretarit amerikan tė Mbrojtjes, Donald Rumsfeld me ushtarakė, ish ushtarakė dhe studentė
 

Kryeministri Berisha sëbashku me ish Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald  Rumsfeld zhvilluan sot në mesditë në Tiranë një bashkëbisedim me ushtarakë, ish ushtarakë dhe studentë shqiptarë lidhur me rolin dhe kontributin e Shqipërisë në sigurinë e komunitetit euro-atlantik dhe paqen në botë. Ky takim organizohej nga ish ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, zoti Fatmir Mediu.

-Në fjalën e tij, në fillim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Sot kemi këtu një nga miqtë më të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, por edhe një nga promotorët më të mëdhenj të lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga strategët e paqes dhe sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë, ish Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Zoti Sekretar, ne jemi shumë të nderuar dhe shumë krenar që ju jeni sot këtu, në Shqipëri. Kjo është vizita juaj e tretë në Shqipëri dhe natyrisht, kësaj radhe vizita juaj në Shqipëri ka qëllime të tjera. Ju garantoj se për ne mbeteni gjithnjë një nga miqtë më të shquar tanët; mbeteni një personalitet i madh për të cilin ne kemi mirënjohjen më të thellë. Unë jam dëshmitar i ndihmës shumë të madhe që ju personalisht dhe administrata e Presidentit Bush i dhatë Shqipërisë në përpjekën e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Anëtarësimi në NATO, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë akti më madhor në historinë tonë kombëtare.

Unë e vlerësova shumë vendimin e Presidentit të Republikës për t’ju dekoruar ju me “Urdhrin e Flamurit”. Për ne shqiptarët flamuri është kulti më suprem. Ne atë kemi gjënë më të lartë dhe ky ishte një dekorim plotësisht i merituar i një miku që aq vendosmërisht na ndihmoi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si një Aleancë vlerash, si një Aleancë paqeje dhe sigurie, si një Aleancë që këto 20 vite historia e dha që të përdorte forcën e saj në mbrojtje të lirive dhe të  drejtave njerëzore për herë të parë në Kosovë, për të çliruar shqiptarët.

Të dashur miq,

Sekretari Rumsfeld është promotor i lirisë në vendin e tij dhe kudo në botë. Ai është promotor i aktit të madh të lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktë janë njerëzit mbi tokë që ndodh të lahen dy herë në ujërat e të njëjtit lumë. Sekretari Rumsfeld vjen këtu sot si ish Sekretari i 13-të dhe i 21-të i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm. Nën udhëheqjen e Presidentit Bush në drejtim të Pentagonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës larguan me forcë dy nga diktatorët më të egër, më të shëmtuar të kohërave, më barbarët, më mizorët, Mulla Omarin dhe Sadam Hysein. Ato qenë luftëra që natyrisht kishin edhe efektet e tyre kolaterale, por është e sigurt se ata që përfituan më shumë janë populli i Afganistanit dhe populli i Irakut, të cilët në përpjekje të mëdha përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të lirë, një sistem demokratik, i cili me të gjithë problematikën që ka është i vetmi sistem që garanton ndërtimin e të ardhmes. Një aspekt tjetër është se me largimin nga pushteti të klikave të Mulla Omarit dhe Sadam Hyseinit, bota arabe mori një mesazh të fuqishëm lirie. Ajo që ne pamë në Pranverën Arabe ishte një përpjekje e fuqishme e kombit arab për të ecur në rrugën e lirisë. Sigurisht, një rrugë jo e lehtë, një rrugë me shumë vështirësi, por shumë herë më e sigurt sesa me Gedafin dhe diktatorë të tjerë që u larguan nga pushteti.

Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë timen, të shqiptarëve për ju miku ynë i shquar, për kontributin e madh që ju dhatë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për kontributin e madh që keni dhënë në axhendën e lirisë, paqes dhe stabilitetit në botë.

Faleminderit shumë!

-Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald  Rumsfeld: Zoti Kryeministër, shumë faleminderit për komentet tuaja bujare dhe faleminderit shumë për praninë tuaj. Unë kam parë fushatën tuaj zgjedhore një natë më parë në televizor dhe pashë grumbuj me qindra e mijëra njerëz. Unë mahnitem me energjinë dhe kontributin që keni dhënë dhe ju uroj për këtë, si dhe ju falënderoj që gjetët mundësinë për të qenë këtu sot.

I dashur ish ministër i Mbrojtjes, gjithnjë është kënaqësi e madhe të takohem me ju dhe është kënaqësi e madhe që kam punuar me ju më përpara.

Faleminderit shumë dhe ju anëtarë të Forcave të armatosura për gjithçka keni bërë. Është gjithmonë privilegj i posaçëm të jesh me njerëz me uniformë, të kesh mundësi të shprehësh mendime dhe dua të shpreh vlerësimin tim jo vetëm për kontributet tuaja në Afganistan dhe në Irak, por edhe për vendin tuaj.

Gjithashtu, është kënaqësi që ju takoj edhe ju të rinjve.

Mendoj për vendin tuaj dhe për atë që është arritur në 20 vite. Është një gjë të jetosh në një vend ku ke lindur, ku ke qeverinë tënde dhe ku ndoshta nëse je pjesë e shërbimit civil edhe mund të kesh mundësi të kontribuosh, por të bësh atë që keni bërë ju për t’i dhënë formë një vendi të ri, për të bërë tranzicionin e vështirë nga një sistem  totalitar dhe ekonomi jo të lirë, në një sistem politik të lirë dhe sistem ekonomik të lirë, është një tranzicion i vështirë. Çdo vend ka rrugën e tij. Edhe vendi im ka kaluar një udhëtim të vështirë, nuk ka dyshim për këtë. Ne kemi pasur një luftë civile, një luftë revolucionare përpara saj. Kam parë udhëtimet e vendeve të tjera dhe të vendit tuaj edhe mahnitem me atë që është arritur në një periudhë kaq të shkurtër. Kam një fotografi të bërë nga sateliti dhe ajo çfarë tregon kjo fotografi është se në vendet e lira mund të shikoni çdo lloj elektriciteti gjatë natës, mund të ndjeni aktivitetin, energjinë që ekziston në një sistem të lirë politik. Për shembull në Gadishullin Korean, të njëjtën njerëz dhe burime janë në veri dhe jug, në veri është errësirë, në jug ka elektricitet, ka energji. Të copëtohet zemra për njerëzit që jetojnë në sisteme politike dhe ekonomike jo të lira. Ne jemi me shumë fat në vendin tim dhe unë do të thosha që edhe ju jeni me shumë fat në vendin tuaj.

Kryeministri Berisha përmendi NATO-n dhe rëndësinë e saj në ditët e sotme, e cila është një Aleancë vlerash të përbashkëta, ku njerëzit që mendojnë njësoj punojnë sëbashku dhe e shikojnë botën sëbashku, kuptojnë që çfarë bëjnë e bëjnë me vendet e tjera. Ashtu ndihen amerikanët për shqiptarët dhe e vlerësojmë shumë atë bashkëpunim.

Isha me Presidentin, pak minuta më parë, bëra një koment për shqiptarët se ata e vlerësojnë përfshirjen në NATO dhe çfarë besojnë ata se i sjellë NATO popullit shqiptar. Unë do ta përmbys atë, se unë shoh se çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energjinë, eksperiencën, freskinë, përqasjen e lidershipit tuaj ushtarak dhe civil. Ju po jepni një kontribut të rëndësishëm në Aleancën, e cilat është e vjetër, e krijuar nga mesi i viteve ‘40-‘50.  Unë kam qenë ambasador në NATO në vitin ‘73-‘74. Ishte një NATO ndryshe në atë kohë. Një NATO me 15 vende anëtare. Ndërkohë që sot me 28 vende anëtare, NATO ka një energji tërësisht të re. Në atë kohë ne shqetësoheshim për konfliktet brenda vendeve, ndërkohë që sot thuajse të gjitha problemet me të cilat përballet NATO janë me vende jashtë zonës së NATO-s, janë probleme për të cilat duhet të punojmë së bashku, duhet t’i trajtojmë. Si për shembull problemet e terrorizmit, piraterisë, krimit kibernetik etj., që kanë shumë rëndësi. Mendoj që Aleanca është e rëndësishme dhe mendoj që përfshirja juaj në Aleancë është vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Aleancën. Kështu që zoti Kryeministër edhe një herë faleminderit shumë për kontributin tuaj. Shoh ish ministrin e Mbrojtjes, shoh miqësitë që janë zhvilluar midis popullit shqiptar dhe vendeve të tjera dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu. Shumë prej oficerëve këtu i kam takuar në takime në SHBA, në Bruksel. Me kalimin e viteve keni zhvilluar një lloj ndjesie për vendin. Duhet të them që takimi me Presidentin dhe Kryeministrin edhe ndjerja e energjisë. Në fakt në hotel u takova me turistë nga SHBA që më shprehën të njëjtat mendime, se ishin të kënaqur që ishin këtu dhe donin të kuptonin më mirë marrëdhënien midis dy vendeve tona.

-Ministri Mediu: Në librin tuaj, shpesh ndodh që në marrëdhëniet e SHBA me disa vende është sikur ta shohin njëri -tjetrin nga dy anë të ndryshme të një teleskopi. Vendet e vogla e shohin SHBA nga ana e vogël e teleskopit, drejt anës së madhe dhe i duket shumë potente  dhe që mund të bëjë gjithçka, kurse SHBA i shikon nga ana e vogël e teleskopit drejt anës së madhe dhe i duken vendet e vogla  dhe të pa vlerë dhe ndonjëherë problemet e këtyre vendeve vijën duke u bërë më të vështira për tu zgjidhur. Kryeministri përmendi faktin e “Pranverës Arabe”, do të doja gjykimin tuaj për situatën aty?

-Sekretari Rumsfeld:  Ministri më pyeti sesi e shikojmë neve atë çfarë ndodh në botën Arabe dhe në vendet e tjera, të cilat po kalojnë periudha të vështira. Kur shikon energjinë e tyre, kur shikon nivelin e shqetësimit të njerëzve, copëtimin e zemrave të njerëzve që ngrihen për të drejtat e tyre në këto vende, kur shikon në shesh, shikon të gjithë shpresën, dëshirën për ndryshim, nuk diskutohet fare që edhe ti bashkohesh me ta, zemra juaj bashkohet me ata njerëzve. Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara të  Amerikës, kur shikonin se çfarë po ndodhte, qofshin ngjarjet  në kontekstin e “pranverës Arabe”, pastaj të “vjeshtës Arabe”, të “dimrit Arab” etj e etj, gjithë kohës ne kemi qenë me shpresë. Mënyra sesi e shikoj unë është se shikoj njerëz nga i gjithë spektri , shikoj të rinj, njerëz të papunë, që sot shohin ne televizion, në rrjetet sociale, shohin mundësitë që ekzistojnë në vendet e tjera. Vende që kanë sisteme të lira ekonomike dhe politike dhe nuk mund të mos e duan këtë edhe për veten e tyre. Ka një shprehe që thotë, se nuk do të ketë paqe në botë derisa të gjithë te jenë të lirë, sepse çdo njëri  në veten e tij është bota. Ne kur ngrihemi në mëngjes mendojmë për jetën tona, ,mendojmë për rrethanat tona, mendojmë se bota është një shpresë, por përveç këtyre njerëzve që kërkojnë mundësinë, ka edhe shumë njerëz të tjerë, njerëz, të cilët janë më mirë të organizuar, janë më mirë të financuar  dhe le të jemi të ndershëm, që ata njerëz në grupet e njerëzve në sheshe, të cilët janë brutal janë shumë të ashpër.  Sot në Egjipt ajo çfarë shohim është një pakicë, që ka kontrollin e parlamentit, ndërkohë që njerëzit që janë në rrugë dhe në sheshe, që në vend që të inkurajohen, janë të zhgënjyer. Ata që e kanë parë se çfarë ka ndodhur në Egjipt, në Tunizi apo vende të tjera, ne që kemi akoma shpresë, por nëse dikush sheh poshtë nga marsi mbi tokë, realiteti në fakt është se  sistemet e lira politike dhe ekonomike ofrojnë mundësitë më të mira për qeniet njerëzore. Njerëz, që duhet të kenë gjëra më të mira për veten e tyre, për familjet e tyre, që kërkojnë të njëjtat mundësi që ekzistojnë në vendet e tjera, punë, produkte, ndenjën e të qenit të lirë.  Mënyra sesi iu përgjigja pyetjes z. Ministër, është se unë vazhdoj të shpresoj, unë jam nga ajo pse e SHBA, vij nga perëndimi i mesëm i SHBA, dhe jemi më të mirët nga dy skajet e tjera, e them pak me anësi këtë gjë, që ndoshta nuk është e drejtë, por kush tha se bota është e drejtë, por unë jam optimist, besoj se ka shprese në bote për njerëzit që duan të realizojnë gjerat. Njerëz si puna juaj që keni bërë çfarë keni bërë, por sërish ia keni dalë për të krijuar një vend të lirë. Sigurisht që rruga është e vështirë, është me gropa, njerëzit mund të thonë se kjo gjë mund të ishte bërë mirë dhe ajo tjetra mund të ishte bërë më mirë. Kam shkruar  një libër, i cili quhet “Të njohurat dhe të panjohurat”, dhe po i thoja ministrit, që ka një teoricien të madh në SHBA, i cili merr një copë letër, bën një vizë dhe çdo ide të mirë  e vendos sipër vizës  dhe çdo ide të keq e vendos poshtë vizës, sa më shumë e shikon këtë gjë e ndryshon, gjërat e mira i vendos poshtë vizës, gjërat e këqija i kalon sipër vizës, dhe të gjitha gjërat bëhen  jo shumë të qarta, ndaj titullin e librit e kam quajtur “Të njohurat dhe të panjohurat”, por zgjedhja e dytë, që ka qenë në konkurrim deri në fund, që e kam përfshirë në librin tim “Rregullat e Rumsfeld” është “qentë nuk u lehin makinave të parkuara”, çfarë do të thotë, do të thotë se nëse dikush bën diçka, do të jetë dikush të cilit nuk i pëlqen ajo gjëja që bën ti, por një situatë e vështirë është kur nuk bën asgjë në jetë. Sigurisht që ka diskutime dhe debate, dhe diskutimet dhe debatet janë të shëndetshme, sigurisht që kur shohim se çfarë ndodh në atë pjesë të botës, duhet të mbajmë optimizmin, duhet të mbajmë shpresën se njerëzit që besojnë tek sistemi i lirë ekonomik dhe politik do të triumfojnë.

-Pyetje: Është  kënaqësi që jemi këtu, sepse jeni një mik i padiskutuar për  Shqipërinë, duke parë situatën e 20 viteve të fundit, që prej rënies së komunizmit dhe me shikimin drejt të ardhmes, si mendoni se do të jetë klima e sigurisë në Ballkan në këtë epokë të re, duke patur parasysh të shkuarën e paqëndrueshme?

-Zoti Rumsfeld:  E tashmja dhe e ardhmja do të jetë shumë herë me e mirë sesa e shkuara. Pse? Sepse mendoj se progresi i bërë, jetën e humbura, energjitë e harxhuara,  mendësitë  pozitive e kanë çuar vendin tuaj, dhe shumë vende fqinje, në një pozicion të ri, ndryshe, dhe ajo eksperiencë, vështirësitë, ajo rrugë që keni bërë ka patur shumë gropa, dhe njerëzit i provojnë vështirësitë në rrugë, ashtu siç bën çdo vend. Por problemet me të cilat përballemi janë pothuajse probleme të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm nga një vend. Ka probleme për të cilat duhet kërkuar bashkëpunim nga vende te ndryshme, qoftë problemi i armëve të shkatërrimit në masë, ose të luftës kundër terrorizmit, piraterisë, trafiku i drogës, gjërat që shikojmë në botë dhe janë shkatërruese, të dëmshme. Është një prej atyre problemeve, p.sh. sulmet kibernetike që nuk mund te zgjidhet nga një vend i vetëm dhe duhet një shkallë me e madhe bashkëpunimi se ç’kemi patur. P.sh  shikoni periudhën pas luftës së dytë botërore në fund të viteve 40, pjesa më e madhe e institucioneve ndërkombëtare që ekzistojnë sot janë krijuar atëherë si FMN, NATO, Banka Botërore, OKB, të gjitha institucionet e tjera, të cilat janë ngritur pas përfundimit të luftës së dytë botërore dhe fillimit të luftës së ftohtë. Ajo çfarë ka ndodhur është se nuk ka patur modernizimit, ose të ri inkuadrimit të këtyre institucioneve për t’iu përgjigjur zhvillimeve të reja të botës, pra ne e kaluam pikën e infleksionit në fund të luftës së ftohtë, në fund të bashkimit sovjetik, dhe lëvizëm drejt shekullit të 21, në epokën e informacionit, por nuk kemi parë shumë rregullime të këtyre institucioneve për t’iu përgjigjur situatës aktuale. Mua më duket sikur këto institucione nuk po na shërbejnë aq mirë, sa na kanë shërbyer 20-30 apo 40-50 vite më përpara. Kështu që mendoj se duhet lidership nga ana e kombeve dhe mendoj se ndryshimi  është shumë i vështirë, sepse ne zakonisht jemi rehat me gjërat që bëjmë gjithmonë. Epoka e informacionit. Mendoni pak luftën në Afganistan, ishte lufta e parë në epokën e informacionit,  ndërkohë që ndryshimet lidhur me informacioni që kishte e gjithë bota ishte e ndryshme me informacionet që kemi pasur ne dispozicion në luftën e dytë botërore, të Vietnamit, Koresë , kështu që personalisht mendoj se po shkojmë në këto drejtime, duhet të gjejmë mënyrën për të bërë rregullime këtyre institucioneve dhe se të  gjithë do të shihemi në pasqyrë dhe të themi, se ne këtë gjë, nuk mund ta bëjmë vetëm, duhet të bashkëpunojmë me vendet e tjera , duhet të punojmë në mënyrë efektive apo edhe më shumë efektive, sesa kemi punuar aktualisht. Kështu që mendoj se jam optimist për Ballkanin, mendoj se e ardhmja e Ballkanit do të jetë e ndryshme.

-Sekretari Rumsfeld:  Do të doja që ne të kishim pasur një taksë të tillë të sheshtë prej 10 përqind. Çdo vit kur dërgoj taksat, i dërgoj një shënim, shërbimit të brendshëm të të ardhurave, i them “i dashur zonjë ose zotëri, këto janë taksat e mia, nuk e kam idenë fare nëse janë të sakta apo jo, sepse janë shumë të komplikuara për mua , mundohem të kuptoj sesi funksionon shërbimi i taksave, nëse keni pyetje më telefononi.” Ne do të kishim qenë shumë më mirë, shumë mirë për ju.

-Pyetje: Kam një pyetje për kryeministrin Berisha. Gjatë  tetë viteve të qeverisjes suaj, Shqipëria ka njohur arritje të rëndësishme dhe të prekshme për të gjithë ne, në politikën e saj të jashtme dhe në marrëdhëniet  me vendet e BE. Duke filluar që me anëtarësimin në NATO, marrëveshjeve  e stabilizim-asociimit, lëvizjen e lirë pa viza. Cilat janë benefiqet që ka pasur vendi ynë  qoftë ën siguri, në zhvillimin ekonomik-tregtarë, në lëvizjen e lirë qoftë edhe ne gjeopolitikën rajonale dhe botërore?

-Kryeministri Berisha:  Dy momente dua të theksoj në këtë mes. Së pari, unë theksova se Shqipëria u rrit 11 herë, por përveç shfrytëzimit  nga ana e shqiptarëve të lirisë, faktor tjetër madhor ka qenë  solidariteti ndërkombëtar, ndihma  e jashtëzakonshme që vendet mike dhe partnere i kanë dhënë Shqipërisë . Një solidaritet i pa precedent në tërë historinë tonë. SHBA, BE, Italia, Gjermania dhe shumë e shumë vende të tjera. Së dyti, anëtarësimi në NATO, përbën pasaportën më të shkëlqyer të sigurisë  për investitorët e huaj. Ne në vitin 2006-2007 kemi marrë 300 milion euro investime, katër vitet e fundit ne kulmin e krizës, ne kemi marrë çdo vit mbi 1 miliard investime dhe këtu absolutisht është besimi që ngjall Shqipëria, për shkak të qenies  së saj anëtare e NATO-s. Natyrisht Shqipëria ka bërë përpjekjen e vet, të luajë rolin që i takon si anëtare e aleancës. Ne jemi në Afganistan ku është një front i nxehtë dhe në proporcion jemi në nivelet më të larta për frymë dhe në GDP. Njësitë tona kanë operuar në zonat ndër më të nxehta të Afganistanit, krah për krah me njësitë e specializuara të SHBA. Ne besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë  në NATO sëbashku me Kroacinë ka bërë rajonin më të sigurtë dhe shpresojmë së shpejti edhe vendet e tjera. Pra Shqipëria sheh rrolin  e saj modest në kuadrin e paqes dhe sigurisë globale, ne kuadrin e aleancës së Atlantikut të Veriut.

-Ish-Ushtarak: Faleminderit z. Sekretar për diskutimin shumë të lirshëm me neve. Si ish ushtarak do të doja të dija diçka më tepër  në lidhje me opinionin se NATO ka nevojë për një armik për të qene i unifikuar për të qenë e bashkuar përball kampit socialist?

-Sekretari Rumsfeld:  Nëse shikojmë vitet e parë të NATO, që është aleanca më e gjatë në histori, dhe të sugjerojmë nëse do ishte ndryshe, sepse ka patur një armik , Bashkimi Sovjetik. Unë do të thosha që nuk ishte ndryshe, ka pasur ndasi në NATO  gjatë asaj periudhe. Nëse shikojmë prapa ka patur periudha kur eurokomunizmi  ishte më shumë në modë, ai ishte komunizmi i mirë, ka patur këmbëngulje nga njerëzit në të gjitha ata vende, në një periudhe të qëndrueshme që lidershipi politik në partitë politike të vendet tona, dhe në vendet NATO, në fakt këmbëngulja fitoi. Por ka pasur ndasi, ka patur ndryshime, në vend që të përdor fjalën armik do të përdorja fjalën sfida dhe do të thoja se sfidat sot janë reale, serioze, është e vërtetë nuk ka Bashkim Sovjetik, por rrezikshmëria e armëve sot  është shumë herë më i madh sesa ka qenë dekada më para. Çka do të thotë se niveli i gabueshmërisë nga drejtuesit politik në botës është shumë më i vogël. Një studim i universitet John Hopkins i quajtur “Dimri i Errët”, është shkruar nga njerëz nga të dyja partitë  politike, analizuan kërcënimin në SHBA, dhe kërcënimet  ishin në tre pika në Amerikë dhe përfundimet e tyre ishin se brenda një viti do të shkaktohej vdekja e një milion amerikanëve. Nëse armët nuk do të kishin këtë fatalitet, liderët politik mund të bënin gabime, te krijonin vonesa. Sot, fatalitetet janë të një niveli që nuk e kemi parë më parë. Lidershipi politik ka një problem të komplikuar, për të cilin duhet të punojnë me shumë vende të tjera, nuk ka mundësi që një vend të përballet me ato probleme i vetëm. Në fakt unë shqetësohem  për nivelin e investimeve ushtarake. Kur dola nga marina në 1957, dhe shkova në kongres ne 1960, qeveria shpenzonte 10 përqind të buxhetit për  mbrojtjen, ndërkohë  që ata sot harxhojnë vetëm 4 përqind dhe aleatët më pak se  2 përqind. Problemet nuk janë lehtësuar, problemet janë bërë më të rrezikshme, përsa i përket rrezikshmërisë së armeve dhe problemet që mund të shkaktohen, nëse ne bëjmë gabime, ne njerëzit në qeveri. Personalisht unë kam dalë në pension, por shqetësohem për të dhe ju duhet të bëni diçka për këtë gjë.

-Ministri Mediu: Zoti Kryeministër , meqë këtu kemi një që ka punuar me   Presidentin Regan dhe ju i referoheni shpesh presidentit Regan, do të doja një konfrontim përsa i përket lirisë së tregut , sidomos në këndvështrimin që ju keni për të mbështetur biznesin nëpërmjet taksës së sheshtë?

-Kryeministri Berisha: Ndër të gjitha vendet ish komuniste, Shqipëria filloi si një vend, si vendi i tretë më i varfër  në planet pas Ugandës dhe Angolës, flas 20 vjet përpara. Shqipëria sot është nga të paktat vende në të cilat në 21 vite ka rritur 11 herë prodhimin e saj të brendshëm, GDP. Kam bindjen më të thellë se përpjekjet  për të zgjeruar dhe respektuar lirinë ekonomike, kanë qenë vendimtarë. Sekretari Rumsfeld, ditën që unë jam bërë President i Republikës,  kam qenë kardiolog dhe njohuritë e mia ekonomike ishin ndër me rudimentaret, por në tërësi këto ishin edhe njohuritë e stafit tim, një staf i shkëlqyer me një vullnet të hekurt për të mësuar. Në Shqipëri dhe në shumë vende Presidenti Regan ishte një idhull për qëndrimet e tij antikomuniste dhe unë kisha librat e tij, njëri prej  tyre një libër shumë i vogël, me copëza fjalimesh për ekonominë. 3 kanë qenë mësimet më të mëdha për mua nga Presidenti Regan, së pari paratë në kontot e qytetarëve janë më të vlefshme sesa në arkën publike dhe bazuar në këtë princip, në Shqipëri u vendosën taksat më të ulta që mund të ekzistonin. Shqipëria për atë kohë u shndërrua në vendin e vetëm përveç  Norvegjisë me rritje dy shifrore ekonomike. E dyta, Regan thotë është mëkat  të përpiqesh të shërosh industritë e sëmura, Shqipëria dhe qeveria e saj nuk bëri asnjë përpjekje për të ripërtërirë teknologjitë e kohërave të vjetra, vendi u përball me një situatë pothuaj katastrofe, pasi papunësia ishte gati 80 përqind, por nëpërmjet privatizimeve dhe ndarjes së tokës, situata filloi të ndryshojë me shpejtësi, të ardhurat për frymë nga 204 dollarë, sepse unë jam ulur në Shtëpinë e Bardhë pranë oxhakut me Presidentin George  Bush, dhe isha një president me 16 dollarë rrugë në muaj, kjo ishte gjendja  e vendit tim. Të ardhurat u rritën vit për vit, nga 204 në 820 dollarë. Kalova në opozitë u riktheva sërish në pushtet, përsëri taksat e ulta.

-Ministri Mediu: Faleminderit, unë e di se keni edhe shumë pyetje të tjera, por për shkak të axhendës së kryeministrit duhet ta mbyllim këtë takim.


17/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave