Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha bashkėbisedon me qytetarė tė njėsisė bashkiake nr.1 nė Tiranė
 

Së pari, ju falenderoj me shumë mirënjohje për këtë pritje të zjarrtë dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që jam këtu tek ju, për të dëgjuar mendimet tuaja të çmuara, për të dëgjuar zërin, kritikat dhe propozimet tuaja për programin e katër viteve që vijnë. Programi, i cili ka si qëllim kryesor, Shqipërinë vend të zhvilluar, punësimin e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por në rastin konkret të qytetit të Tiranës, ka qëllim kryesor vazhdimin e një kapitulli të ri që ju hapët më 8 maj të vitit 2011, kapitull me të cilin ne, duke mbështetur bashkinë e Tiranës, synojmë një transformim të plotë të situatës  së qindra blloqeve të apartamenteve dhe mbi 250 kilometra rrugë që janë të pashtruara, janë munduese dhe jashtë çdo standardi.

Dua t’ju sqaroj se kurrë, kjo qeveri nuk do të kishte pasur as edhe mendimin më minimal që të përjashtonte Tiranën dhe nuk e përjashtoi. Cilido nga ju mund të marrë e të lexojë buxhetin dhe do të shohë se Tiranës i kemi akorduar trefishin e buxhetit që ai merrte më parë me qeverinë socialiste. Por ndodhën dy gjëra. Së pari, ish kryetari i bashkisë trefishoi rrogat. Ju jeni dëshmitarë se në mandatin e dytë, ky shok, 273 ditë në vit nuk qëndronte në bashki dhe këto i shndërroi në rroga, arriti ta bëjë bashkinë e Tiranës me 5200 punonjës, të gjithë militantë, përzierje e ndryshme. Së dyti, ne morëm 45 milionë dollarë kredi qeveritare për unazën e madhe, domethënë e llogaritur në borxhin e qeverisë.  Mirëpo, unaza, një segment e kishte në Tiranë dhe segmentin tjetër e kishte në Farkë. Banka kërkoi që për Farkën të përgjigjej qeveria dhe për bashkinë e Tiranës të përgjigje bashkia. Ai nuk pranoi në mënyrë absolute, ndërsa ne pranuam. Banka kërkoi të krijonim një komitet të përbashkët. Ne i thamë dakord dhe këtë e bëmë për qytetarët e Tiranës. Por ajo që ndodhi ishte katandisja e trafikut të Tiranës dhe ndotja më e lartë në Europë, pasi unaza nuk ‘ecte’ dhe bulevardin e futi në rindërtim. Por kjo është e shkuara, pasi ju e arkivuat atë si kryetar bashkie.

Tani, ky zotëri, pasi ka humbur çdo betejë me Sali Berishën, nga e para tek e fundit, pasi ka një mungesë totale argumentesh, alternativa e tij është tërësisht e braktisur. Faktikisht, vini re sheshet. Ai ka blerë lente të kamerave, për ta bërë njeriun trefish. Pasi ka paraqitur alternativën më të rëndë, me rritje të taksave për vendin, tani ka gjetur alternativë të re dhe thotë ma lësho ti se je lodhur, të vij unë i çlodhur. Është aq vulgar e aq naiv sa nuk ka ku të shkoi. Ka humbur çdo betejë me mua dhe tani ka dalë me tezën ma lësho se nuk e marr dot. Dhe unë kam tezën time, ne do të vazhdojmë të lodhemi çdo ditë, se njeriu punëtor do të lodhet, se ai që ka ndërmend të bëjë punë, e ka kënaqësi lodhjen, e ka pjesë të jetës së tij. Ti rri në kuti, rri në autobus dhe vazhdo. Ne të vazhdojmë së bashku. Po ecim të sigurt drejt një fitoreje të shkëlqyer që e lexoj tek çdo qytetar shqiptar, në të katër anët e vendit. Një fitore që ne do ta shndërrojmë në mirësi të vërtetë për çdo qytetar shqiptar. Faleminderit. 

Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë flas në emër të rreth 300 familjeve që ndodhen në ambientet e ish Uzinës së Aautotraktorëve që janë kthyer në banesa. Ju falenderojmë pa masë për VKM për privatizimin e këtyre banesave me pagesë zero. Ekipet e punës kanë ardhur, matjet janë bërë dhe ne presim fillimin e procedurave për aplikim pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. E vetmja gjë që kërkojmë duke ju shprehu mirënjohjen maksimale, është përshpejtimi i këtyre procedurave.

Kryeministri Berisha: Së pari, atë e keni merituar plotësisht dhe kam kënaqësinë se vendimi i qeverisë jo vetëm për ju, por në të gjitha rastet kur ne kemi pasur mundësi të qëndrojmë, në mënyrë absolute kemi qëndruar e qëndrojmë në anën e qytetarit. Përsa i përket kërkesës për përshpejtim, unë do t’i kërkoj kryetarit të bashkisë dhe zyrës së hipotekës të krijojë një ekip të veçantë, në mënyrë që të procedojë me shpejtësi të madhe.

Problematika që unë dua të parashtroj është në lidhje me banesat e ndërtuara para viteve ‘90. Ekziston një VKM për to dhe bashkia, këshilli i qarkut dhe zyrat e regjistrimit janë duke u marrë me këtë çështje, por shohim se procesi është shumë i ngadaltë. A mundet të bëhet një përshpejtim i këtij procesi, në mënyrë që këta banorë, që janë banorë të Tiranës që prej viteve ‘50-‘60 të shekullit të kaluar, të arrijnë të marrin tapitë plotësisht të ligjshme.

Kryeministri Berisha: Janë dy vendime që i japin përgjigje përfundimtare të marrjes së tapive të të gjithë atyre që kanë ndërtuar në tokën e tyre para vitit ’91, por që për konceptin e diktaturës, sipas të cilit, askush nuk mund të kishte tokë të vetën, ia jepte tokën e vet në përdorim. Absolutisht e tëra do të bëhet me shpejtësinë më të madhe. Procedura e përcaktuar nga qeveria është e thjeshtë dhe e saktë.

Si tabor i lagjes “Ali Demi” desha të ndaj një shqetësim edhe në emër të komunitetit. Aty po ndërtohet një rrugë e re falë investimit të bashkisë së Tiranës dhe u përurua para gjashtë muajsh. Rruga po bëhet në bazë të një projekti, që kishte një vlerë të konsiderueshme. Ne e mirëpritëm dhe e përkrahëm. Por në këtë projekt ka devijime, po kufizohet, nuk po zbatohet siç kërkohet dhe nuk afron një rrugë bashkëkohore për këtë komunitet. Ia kemi ngritur problemin edhe kryetarit të bashkisë, i cili na përkrahu, por gjetëm rastin t’jua ngremë edhe juve si problem. Ajo është një rrugë që dikur ka qenë si rrugë fshati dhe tani po bëhet si rrugë qyteti. Rruga lidh rrugën “Pjetë Budi”, “Pasho Hysa” dhe “Ali Demi”, por nuk po bëhet me parametra, nuk do të ketë trotuare, do të ketë aksidente, apo nuk do të ketë pemë, ndriçim. Në këtë këndvështrimin tonë si banorë, kërkojmë edhe ndihmën tuaj. Kryetari i bashkisë, zoti Lulzim Basha erdhi na përkrahu, por duam edhe ndihmën tuaj. Unë mendoj se nuk mund të ketë integrim brenda komunitetit as në Tiranë dhe as ndërkombëtar, në rast se nuk bëhen rrugë bashkëkohore.

Kryeministri Berisha: Unë të falededroj shumë dhe menjëherë do të bisedoj me kryetarin e bashkisë. Nuk jam i sigurt, por edhe qeveria mund të jetë bashkëfinancuese e kësaj rruge, pasi edhe ne jemi duke financuar rrugë në blloqet e banimit në Tiranë. Keni shumë të drejtë. Ne do të përpiqemi që çdo gjë, me çdo kusht, të jetë e parametrave më të mira. Shikoni bulevardin “Petro Nini”. Krejt tjetër. Por dua t’ju informoj gjithashtu se në këtë njësi bashkiake janë rreth 700 milionë lekë që do të investohen gjatë vitit në vazhdim dhe vitit të ardhshëm, për asfaltim e sisteme. Sikundër Lana do të vazhdojë rrugën e vet sipër, pra, urbanizmi i Lanës, po ashtu unaza do të vazhdojë në drejtimin nga sipër. Ne jemi të vendosur të investojmë shumë në Tiranë, ku duhen disa qindra milionë se janë 250 kilometra rrugë, nga të cilat një pjesë e mirë janë rrugica, por një pjesë janë edhe sheshe të pallateve që nuk janë pa kosto. Ne do t’ju mbështesim plotësisht dhe këtë çështje do ta diskutoj menjëherë edhe me kryeartin e bashkisë.

Falenderoj Zotin që bëri të mundur takimin me ju, të flas dy fjalë e të bëj një pyetje që për ne shqiptarët është thembra e Akilit dhe ka të bëjë me legalizimet. Ky proces ka tre vjet që ka filluar, por janë me qindra dosje nëpër sirtarë që nuk po marrin zgjidhje. Unë mendoj se këtu ka burokraci, ta themi hapur, edhe korrupsion. Atëherë si mund të zgjidhet ky problem, kur deri më sot hy proces ka ecur si një traktor i prishur, po nesër si do bëhet, çdo bëjë qeveria për ta zgjidhur këtë problem, kur dihet se janë investuar miliarda dollarë për shtëpitë që i kemi, por nuk janë tonat, pasi, përderisa nuk privatizohen, ato nuk kanë vlerë.

Kryeministri Berisha: Ne po decentralizojmë plotësisht procesin. Domethënë, gjatë kësaj periudhe, duke parë këtë që ju thatë, kemi krijuar jo një, por shumë agjenci legalizimesh, Kamza të vetën, Kashari të vetën, Paskuqani të vetën, Farka të veten e me radhë. Ne do të shkojmë drejt decentralizimit të plotë dhe këtë po e bëjmë për të zhdukur çdo mbingarkesë. Në këtë mënyrë, ne japim të gjitha resurset njerëzore dhe në një mënyrë apo në një tjetër, kjo ka filluar të funksionojë. Por jo në çdo lagje është bërë kjo, ndaj do të shohim që në çdo lagje të ngremë agjencinë e legalizimit. Kjo është rruga më e shpejtë. Absolutisht ka vonesa. A mund të gjenden praktika të tjera më të mira? Ne po kërkojmë e jemi në studim të gjetjes e vendosjes së një praktike tërësore më të mirë, përveç decentralizimit që është i domosdoshëm. Do ta shpejtojmë me çdo kusht.

Zoti Kryeministër shumë falemindetit që na dhatë mundësinë të bashkëbisedojmë e të qajmë hallet. Ju urojmë shëndet dhe fitore. Jam një banor i vjetër i lagjes dhe që të vësh në diskutim sot, rrugët e ç’është bërë në Shqipëri nuk ka shqiptar që ta kundërshtojë këtë, pasi udhëtojmë të gjithë, njerëzit janë me automjete dhe i shohin, nuk janë qorra. Por ka mbetur puna për disa gjëra të vogla. Si është puna e rrugicave tona, që kanë infrastrukturën e vitit ‘57, me kanale të dëmtuara dhe pa asfalt. Në qoftë se ka mundësi, brenda këtij katërvjeçari të shihet me precedencë.

Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj se po shihet e do të shihet me precedencë shumë të madhe. Dhe ne, pikërisht në këtë lagje kemi parashikuar 700 milionë lekë investime në rrugë, rrugica e blloqe pallatesh dhe jemi të gatshëm t’i shtojmë ato, pa llogaritur investimet në periferi që janë fond tjetër. Bashkia me fondet e veta kryesisht, por edhe me shtesa të qeverisë ka planifikuar 700 milionë lekë dhe këtu janë në plan për rindërtim 25 rrugë. A është apo jo rruga që ju thoni, duhet të shoh hartën. Po rindërtimi do të jetë shumë bindës. Ju e thatë bukur, ato kanë nevojë për rindërtim të plotë dhe do bëhet rindërtimi. Bashkia po e quan rikualifikim, çka do të thotë kanalizime, gjelbërim.

Edhe unë desha të trajtoj një problem tepër të rëndësishëm siç është ajo e të pastrehëve në zonën e Shkozës, ku kanë përfunduar 385 apartamente të bllokut të banesave sociale. Para disa kohësh, ju keni bllokuar një tentativë të zotit Rama për të strehuar atje punonjës të bashkisë që nuk ishin të pastrehë. Do të donim që ju të vazhdoni inkurajimin e këtij qëllimi, për të ndihmuar sa më shumë të pastrehë me banesa sociale. Pyetja ime është kur do të ndahen këto banesa.

Kryeministri Berisha: Banesat që janë ndërtuar tek uzina janë ndërtuar me një kredi të marrë nga qeveria nga Banka e Këshillit të Europës, fonde që kanë destinacion njerëzit në nevojë. Aty do të mund të strehohen vetëm ata që janë qartësisht në nevojë. Por strehimi aty ka një kusht dhe kushti është mundësia e atij që strehohet aty, për të paguar bankën, pasi është një marrëdhënie qeveri-bankë, por edhe marrëdhënie bankë-klient, për arsye se banka do të dijë kush janë ata që strehohen dhe ata duhet të kenë mundësinë të paguajnë dhe ajo është kredi shumë e butë. Kështu që kjo do të bëhet. Për strehimin i kemi dhënë bashkisë së Tiranës edhe për një mijë hyrje. Sapo të përfundojë zgjidhja përfundimtare e problemit të banesave të pronarëve, absolutisht do të akordojmë kredi të bura të tjera për strehimin e qytetarëve. Për pronarët ishte rreth tremijë dhe ne do të vazhdojmë përsëri avancimin e një sasie tjetër prej tremijë kredish, për ata që janë në nevojë dhe këto nuk kanë kushtet e ndërtesave të ndërtuara nga Banka e Këshillit të Europës. Këto kanë kushte të tjera.   

Unë jam njeri besimtar, korrekt dhe mundohem të punoj me djersën time, me mundësitë e mia. Pyetja ime është si ka mundësi një 60 vjeçar i legalizuar në Tiranë, të bëhet i palegalizuar. Desha një përgjigje zoti Kryeministër se do më nderonit shumë, kam edhe dy fëmijë në rrugë dhe vetë jam invalid.

Kryeministri Berisha: Unë ju falenderoj për çështjen që ngritët, por kjo më kërkon që të dërgoj njerëz e ta shohin konkretisht këtë problem, i cili në pamje të parë është kryekëput i papranueshëm. Por, natyrisht, do të dërgoj ekspertë tek ty të të takojnë dhe të shohin ku qëndron problemi e të gjejnë zgjidhjen.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam banor i Shkozës. Faleminderit që keni marrë mundimin për të takuar çdo qytetar, për të qarët hallet tona, hallet e popullit. Ne si lagje kërkojmë ndihmën tuaj për një shkollë fillore dhe një qendër shëndetësore. Që fëmijët tanë të mos bëjnë kilometra rrugë për në shkollë, në zonë është një objekt i ushtrisë i lirë që shumë mirë mund të përshtatet për këtë.

Kryeministri Berisha: Unë ju premtoj se shkollon do ta ndërtojmë ose do t’ju japim objektin. Duhet të dini se bashkia ka në plan ndërtimin e 9 shkollave të reja dhe i kam kërkuar që të synojë periferinë. Kjo sepse shkollat e qendrës i kanë klasat me 40-45 vetë dhe kanë një dyndje të madhe nga periferia. Bashkia ka fondet dhe në dijeninë time, Shkoza është plotësisht e përfshirë dhe këtu do të ndërtohet një shkollë e mesme dhe një nëntëvjeçare. Është e tërë periferia ku do të ndërtohen një seri shkollash.

Zoti Kryeministër mirë se erdhët në Tirana nr.1, nga ku do të fillojë edhe fitorja e Partisë Demokratike. Desha të pohoj si pioniere e parë e demokracisë se ajo që nuk është bërë 100 vite me radhë, ju zoti Kryeministër e keni bërë për tetë vjet. Uroj të qëndroni edhe tetë vjet në pushtet, titanik i mendjes, titanik i gjithë vegjëlisë shqiptare. Desha të bëj një pyetje, por e di përgjigjen. Çfarë do të bëni ju për pensionistët.

Kryeministri Berisha: Shumë normale. Për pensionistët do të bëjmë dy gjëra. Së pari, rritje të vazhdueshme pensionesh. E dyta, lehtësira të tjera në shërbime. Do të përpiqemi të organizojmë e të kemi edhe qendra të tjera që ju vijnë juve në ndihmë. Por rritja e pensioneve është  e mbetet një politikë absolute, e pandryshueshme. Unë nuk harroj një moment në parlament. Në të gjitha vendet ish komuniste, pensionistëve ju takoi një fat jashtëzakonisht i pamerituar. Djersën e kanë derdhur lumë, por kontributet në atë kohë atë mundësi kishin. Kur i pyeta socialistët se si ka mundësi të votoni kundër rritjes së pensioneve, më thanë: ti po i rrit pak. Në atë moment më dërgon një mesazh një shqiptar nga Gjermania, ku  më thoshte se po na ndiqte në lokalin e tij bashkë me Ollgën, një polake. Ajo, më thoshte, është pensionistë dhe merr pension nga vendi i vet 70 euro. Në vende të tjera, që kanë rroga shumë të larta se ne, kam gjetur situata të tilla. Ne po rrisim e do t’i rrisim rrogat pensionet. Kjo është politika jonë. Ne kemi rritur edhe rimburisimin e ilaçeve, kemi zgjeruar listën e rimbursimit dhe do të bëjmë gjithçka që ilaçet të rimbursohen tërësisht për pensionistët. Shërbimet e tjera do t’i marrim një nga një, në mënyrë që të lehtësojmë maksimalisht koston e tyre të jetesës. 

Unë kam mbaruar me legalizimet, me noteri, pagesa dhe në gazetë më ka dalë emri që në 27 maj vjet, por nuk po marr gjë. Kam biseduar edhe me drejtorin, ai më ka marrë numrin e telefonit dhe ka katër muaj dhe asgjë.

Kryeministri Berisha: I është fikur telefoni drejtorit. Absolutisht do ta ndjekim, por shumë keq që drejtori të ka marrë numrin dhe nuk të ka kthyer përgjigje. Do të kthejë përgjigje patjetër.

Dua t’i jap një lajm të gjithëve. Sot kalova rrugën Elbasan-Tiranë nga tuneli. Herë të tjera e kam bërë për një orë e gjysmë, sot avash-avash e bëra për gjysmë ore hyra në Tiranë. Tani, në periudhën e ardhshme që është absolutisht e Partisë Demokratike, dëshiroj ligj e rregull për ndotjen akustike. Banorët e lagjes tonë kanë këtë vend të mrekullueshëm ku zbavitën fëmijët e rehatohen pleqtë, por ka një kënd që bën një zhurmë të pandalshme për 24 orë. Ky është fenomen edhe në qoshe të tjera të Tiranës. Mendoj se duhet parë me më pak rigorozitet çështja e ligjit për ndotjen akustike. Ju faleminderit shumë.

Kryeministri Berisha: Edhe unë miku im të falënderoj shumë për këtë çështje që ngritët. Është absolutisht e papranueshme që për të bërë para për veten tënde, të prishësh gjumin apo qetësinë e të tjerëve. Të jeni i bindur se ligji do të rreptësohet shumë.

Jam një ndër 24 banorët e rrugës e rrugës “Gani Domi”. Kemi pesë vjet që masakrohemi. Kemi pesë vjet që bredhim shtëpi më shtëpi, na dhanë një herë një bonos, e kanë prerë edhe bonusin. Aty është një fenomen. Ne jemi 5-6 familje që i kemi dokumentet, të tjerët nuk i kanë, por ato shtëpia janë që në ’38 dhe të jemi koshientë na kanë nxjerrë me dhunë.

Kryeministri Berisha: Cila ishte arsyeja?

Arsyeja se u bë rruga.

Kryeministri Berisha: Tani ku jeni?

Tani jemi në shtëpi me qira.

Kryeministri Berisha: Nuk jeni shpërblyer?

Jo në asnjë mënyrë.

Kryeministri Berisha: Absolutisht do të shpërbleheni. Rrugët do të ndërtohen, por ata që preken do shpërblehen. Unë ju garantoj se do të shpërbleheni.

Më lejoni t’ju shpreh falenderimet e mia që në axhendën e ngjeshur elektorale gjetët kohën të jeni sot këtu me ne. Jam pronare e një fabrike llullash, prodhojmë e eksportojmë llulla artizanale dhe punësojmë 20 punëtorë. Desha të flisja në emër të sipërmarrësve të Tiranës që ne mbështesim e mirëpresim çdo nisëm të qeverisë suaj për nxitjen e punësimit. Është e qartë që qeveria vetë nuk hap vende pune, ato i ka sektori privat. Por qeveria me lehtësitë e saj fiskale motivon sektorin privat për të hapur vende pune. Këto lehtësira fiskale përbëjnë atraktivitet për investitorët e huaj që janë një faktor i rëndësishëm në tregun tonë të punës, por dekurajomi i këtyre investitorëve me tezën e hedhur nga kundërshtarët tuaj, me idenë për anulimin e koncesioneve, për mendimin tim do të shkonte në kurriz të qytetarëve, që do t’i privonte nga punësimi. Sa problematike e vlerësoni këtë situatë, në lidhje me tezën e anulimit të koncesioneve.

Kryeministri Berisha: E vërteta është që, në qoftë se ka një vend në botë që ka nevojë më jetike për investime të huaja, është Shqipëria, pasi ne e kishim të ndaluara ato me Kushtetutë. Pastaj rajoni në luftë dhe kushdo që shihte nga larg luftën në Ballkan, mendonte se përse të shkonte atje, rreziqe ka. Tani dolëm në paqe, u anëtarësim në NATO dhe me firma më serioze kemi bërë studimet e të gjitha kapaciteteve thithëse të investimeve në Shqipëri. Falë kësaj klime, të taksës së ulët dhe disa përpjekjeve të tjera, si dhe anëtarësimit në NATO, ne regjistruam një rritje prej 316 përqind të investimeve të huaja katër vitet e fundit. Nga viti 1997-2005, Shqipëria ka marrë mesatarisht 37 milionë dollarë investime të huaja. Shifra më qesharake që mund të jete. Filluan të rriten, por nga viti 2009 deri në vitin 2013, ne kemi marrë 4.2 miliardë dollarë investime. Pra, kemi një rritje shumë të mirë. Kapaciteti ynë vjetor është 2 miliardë dollarë në vit. Absolutisht, koncesionet janë një nga levat kryesor e këtyre investimeve. Imagjinoni në kaskadën e Devollit ka nisur investimi një miliardë euro, në lumenjtë e Fanit ka nisur investimi fillestar 146 milionë dhe në skemën përfundimtare është 400 milionë euro investim, në lumenjtë e Alpeve do të ngrihen hidrocentrale me kapacitet 283 megavat. Projekte ku do punësohen me mijëra e dhjetëra mijëra. Në mënyrën më të papërgjegjshme, që nuk ndodh kund, ky njeri, që ka vetëm një politikë: bllokim, dëmtim, thotë do t’i largoj. Shkoi në Patos, ku kompania ka rritur prodhimin e naftës, nga 320 mijë tonë po kalon në një milionë tonë dhe thotë do t’i përzëmë. Kjo është gjuha dhe mentaliteti i vjetër. Koha është e pamëshirë. Pa investime të huaja, ne nuk zhvillohemi dot. Ne duhet të punojmë shumë vetë, por kemi nevojë për kapital të huaj.

Çdo të bëjmë në? Për katër vitet që vijnë, ne kemi vendosur të përgatisim vetë projekte me firma të mëdha, për resorte turistike dhe t’ua ofrojmë kompanive për të shpejtuar investimin. Ne do të bëjmë gjithçka qe në Shqipëri të zbarkojnë flamuj të mëdhenj të kompanive. Këto janë rrugët që i kanë thithur vende të tjera këto kompani, sepse ato kërkohen kudo dhe janë çmuara në çdo vend ku instalohen. Ne kemi një projekt që të tërheqim sa më shumë. Së dyti, ne kemi pasur sukses të madh në koncesionet e hidrocentraleve. Ne jemi vetëm në fillimet e përdorimit të partneritetit publik-privat. Dogana e Tiranës u ndërtua në partneritet publik – privat dhe u ndërtua në 6 muaj një nga komplekset më moderne. E ndërtoi privati, ndërsa shteti i dha tokën. Pra ka shumë forma për të nxitur.

Ne në filozofinë tonë jemi parti e taksave të ulëta, sepse besojmë te iniciativa e lirë e individit. Ndiqeni pak shokun e autobusit mavi. Po t’ia marrësh listën e shpenzimeve, ai trefishon shpenzimet. Akoma nuk ka arritur te luga e artë, por po ecën drejt saj. Nga ana tjetër thotë do të vë taksën progresive, por atë vetëm te 5 përqind, se të tjerëve do t’ua ulë taksat. Skema e tij është, e para skema e largimit të investitorëve të huaj; e dyta e shkatërrimit të dhjetëra mijëra vendeve pune të brendshme; e treta skemë falimentimi. Sot në botë nuk dëgjon asnjë politikan, pa përjashtim, që të thonë se do të zgjerojmë bazën e taksueshme. Natyrisht, ai që ka më shumë paguan më shumë dhe taksa e sheshtë është më shkëlqyera në këtë drejtim. Ai që merr 1000 paguan 100, ai që merr 10 paguan 1, paguan 100 herë më pak. Ndaj deklarata e tij se do të kthejë taksën progresive ka ngjallur një shqetësim të madh te biznesmenët e huaj në Shqipëri. Por 23 qershori po vjen dhe unë jam i bindur se qytetaret shqiptarë do të dinë t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve të politikës së tij fiskale në mënyrën më të merituar. 

Zoti Kryeministër, mirëserdhët! Pyetja e parë, ne demokratët në 2005 kemi luftuar shumë kampin e majtë, sepse ishte krijuar një administratë nga divizioni i parë, Gjirokastër, Tepelenë, Lumi i Vlorës. A jeni në dijeni të zëvendësimit të kësaj administrate? Pyetja e dytë, në Shqipëri gjatë qeverisjes tuaj janë aplikuar 2 amnisti fiskale. Kjo e fundit u bë pjesërisht. Në qoftë se do të merrni sërish  pushtetin, a do të bëni ju në fillim të mandatit tuaj të ri një amnisti, jo për qëllime elektorale, por për ata njerëz që kanë probleme? Sa i përket koncesioneve të huaja, a ka një program të qeverisë që investitorët e huaj krahun e punës në Shqipëri ta kenë shqiptarë? Ministria t’ua vër këtë kusht.

Kryeministri Berisha: Çështja e parë, e amnistisë. Historiku i amnistisë është që në 100 vjetorin e pavarësisë ne vendosëm të bëjmë një amnisti siç është amnistia. Amnistia kap çështje civile, kap edhe çështje penale. Se kur nuk i referohet biznesit, amnistia ka të bëjë në tërësi vetëm më çështje penale. Në këtë rast, ne kishim të drejtë. Ne donim që biznesi të amnistohej për detyrimet e tij civile, por edhe për detyrime që përbënin vepër penale, përveç parave të krimit, me origjinë të qartë nga krimi. Opozita e bllokoi këtë amnisti, sepse votimi i saj kërkonte 3/5 e votave. Meqenëse u bë e pamundur për shkak të 3/5, ne bëmë një gjë të pjesshme, bëmë faljen. Kur erdhi problemi i këtyre 3 ligjeve, unë i kërkova opozitës ta bëjmë të plotë amnistinë, sepse çdo shtet bën amnisti. Opozita nuk pranoi dhe ne përsëri mbetëm në një gjë të pjesshme. Unë, absolutisht, jam në favor. Nuk di ndonjë shtet që nuk fal. Dënon, dënon, por edhe fal. Së dyti, çështjen e kredive do ta shqyrtojmë. Nuk mund të të japë një përgjigje tani. Ato mund të ishin plotësisht pjesë e amnistisë që u bë, por nuk deshi opozita. Ai thotë që do të amnistojë gjobat e 4 marsit.

Lidhur me koncesionet, kjo qëndron. Kompanive të huaja ne u kërkojmë edhe mund të kërkojmë që të kenë punëtorë shqiptarë. Në qoftë se është problemi për kompaninë që po ndërton hidrocentralet e Fanit, ata më siguruan mua që 950 punëtorë, inxhinierë, teknikë do të jenë shqiptarë. Ne insistojmë në këtë. Natyrisht, në disa pozicione ne duhet t’i respektojmë ata dhe nuk i imponojmë dot. Ata kanë në disa procese teknologji të veçanta dhe njerëz të kualifikuar për to. Kompania “Aktor”, e cila po ndërton tunelin dhe autostradën Tiranë – Elbasan, ka 200-300 ekspertë grekë edhe 1200 punëtorë e inxhinierë shqiptarë.

Shqetësimi im lidhet me oraret urbane, cilësinë e tyre dhe shitjen e aboneve për qytetarët. Këta elementë lënë shumë për të dëshiruar. Kur do të kemi një shërbim cilësor urban?

Kryeministri Berisha: Shqetësimi yt është shumë i drejtë. Në qoftë se ka një shërbim bazë që bashkia duhet t’i garantojë qytetarit, ai është transporti. Kjo është një kërkesë shumë e drejtë. Në rastin konkret, Tirana ka pasur dhe ka ende një transport problematik, por në mënyrë të padiskutueshme do të shkojë drejt zgjedhjes. Vendosja e linjave të tramvajit dhe hapja ndaj kompanive të tjera do të disiplinojë në shkallën më maksimale respektimin e orarit dhe të aboneve. Kompanitë ankohen se janë çmime të ulëta. Në qoftë se kjo provohet, bashkia duhet t’u subvencionojë atyre një sasi nafte ose të rrisë çmimet. Unë nuk jam për rritjen e çmimeve. Unë jam që ata të kenë fitimet e tyre, me kusht që ata të zbatojmë me përpikmëri detyrimet kontraktuale në bashki. Ata kanë disa muaj që thonë se e kemi me kosto të lartë transportin. Sikundër, ju jeni informuar se po punohet shumë për tramvajin e Tiranës. Tirana do të ketë tramvajin e saj, në mënyrë të padiskutueshme.

Zoti Kryeministër, nëse ne arrimë qe të marrim statusin e vendit kandidat në vitin 2014, kur mund të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian?

Kryeministri Berisha: Ne statusin e vendit kandidat, me zhvillimin e zgjedhjeve normale, e marrim brenda këtij viti. Kjo është e sigurt. Ka një vetëdije të gjerë në Evropë që një njeri i papërgjegjshëm i bëri vendit të tij atë që nuk ia ka bërë askush tjetër. Unë kam qenë disa herë në Bruksel dhe një nga zyrtarët më të lartë më tha - si ka mundësi që ky njeri i bën këtë Shqipërisë? Më tutje më tha - mirë ky që mund të ketë probleme, por ata që janë rreth tij si mund të pranojnë një gjë të tillë? Ky është një problem i pamohueshëm. Këtë duhet ta zgjidhin shqiptarët në mënyrë demokratike, me votë. Unë kam qenë i kësaj. A na vonoi? Na vonoi në mënyrën më të pakonceptueshme me 1 vit. Se tani mund të jetë harruar, por opozita ndenji dy vjet jashtë Parlamentit duke thënë hap kutitë. Protestoi për vizat, por për vizat në mënyrë të përsëritur i kam thënë - bëj ç’të duash, vizat do të na i japin, sepse vizat kanë lidhje me kërkesa krejt të tjera.

Ne duhet të bëjmë gjithçka për zgjedhje të shkëlqyera dhe kemi plotësisht mundësi. Kjo është një fushatë e qytetëruar që po zhvillohet. Unë edhe një herë gjej rastin që të dënoj çdo akt dhune. Se në fushatë, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë motiv politik, merr një karakter të papërshtatshëm. Ne do të votojmë në mënyrën më dinjitoze dhe absolutisht statusin do ta marrim gjatë këtij viti. Marrja e statusit nënkupton një etape të dytë, me të cilën duhet të hapen negociatat.

Një gjë duhet të krahasojmë këtu. Të marrim për një moment Serbinë, e cila gjatë këtyre 15 vjetëve u përball ushtarakisht me botën e lirë. Sot Serbia po ecën në mënyrë të sigurt drejt hapjes së negociatave dhe përpara.  Pse? Më bukur se kushdo tjetër e tha Kryeministri i tyre – ne firmosëm marrëveshjen me Kosovën për interesin evropian të Serbisë. Ai u tha serbëve - ose të rrimë e të merremi me sherre me Kosovën ose të shohim drejt Evropës. Pra ishte një interes kombëtar. Ndërsa ne pa pasur asnjë lloj shkaku, 3 ligjet nuk i votoi. Rroftë mundësia që i kanë krijuar zgjedhësit, i dhanë pushtetin për të përdorur votën kundër tyre dhe e përdori votën kundër tyre. Pas marrjes së statusit do të hapen negociatat dhe janë 26 kapituj, sipas fushave, të cilat duhet të kapen një e nga një. Ne do të punojmë në mënyrën më serioze për të përmbushur çdo lloj kriteri, siç i përmbushëm vizat. Ato kanë qenë 120 kërkesa dhe i kemi përmbushur një nga një. Kështu kërkohet edhe me kapitujt e progresit drejt anëtarësimit në BE.

Që nga 1990 e deri më sot, mbivendosjet që kemi në fshatin Farke ende nuk janë mbaruar. Kur do të mbarojnë edhe si?

Kryeministri Berisha: Për fat të keq mbivendosja është një dukuri jo e rrallë, e paqëllimshme ose e qëllimshme nuk e di, por ne po bëjmë hartën dixhitale të tokës. Harta dixhitale e tokës është regjistri milimetrik më i saktë i tokës që ekziston sot në botë. Edhe ne kemi marrë kompani të mëdha, shumë të njohu në botë dhe brenda vitit 2013 ne finalizojmë në tërësi regjistrin dixhital të tokës. Këtë projekt e kemi bashkë me Bankën Botërore. Ky regjistër i jep fund çdo lloj mbivendosje dhe dëshmon pozicionimin më të saktë të çdo parcele. Ky regjistër do të jetë transparent për çdo qytetar dhe çdo qytetar, nga çdo cep i vendit, do të mund ta kontrollojë për parcelën e tij. Kjo është përgjigja për mbivendosjen.

Mirëmbrëma, zoti Kryeministër! Unë punoj në arsim. Dua t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka që qeveria jonë ka bërë për masivizimin e arsimit. Ju keni synuar edhe cilësinë e arsimit. Vëmendja juaj ka bërë që unë nga një rrogë 218 mijë lekë që e kisha para 8 vjetësh, sot të marr 590 mijë lekë. Unë kam një merak, çdo të bëj qeveria ime në 4 vitet e ardhshme për arsimimin e fëmijëve që nuk jetojnë në Shqipëri, por  në trojet shqiptare? Dua të di se çdo të bëjë qeveria ime për t’i imponuar respekt qeverisë greke, kur ne me shumë tolerancë i kemi hapur shkolla minoritetit grek.

Kryeministri Berisha: Së pari, ju garantoj se arsimi ka qenë, është dhe do të mbetet përparësi absolute. Nuk ka asgjë më jetike për kombin sesa të përgatisë dijen e tij, të ardhmen e tij. Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave. Ne kemi fiksuar shumën 700 dollarë për arsimtarin dhe këtë do të mbajmë. Por këtu do të rriten të gjitha rrogat.

Ne po shkojmë drejt njësimit të kurikulave me Kosovën dhe me të gjithë shqiptarët. Pra ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë punuar shumë edhe së shpejti do të ketë një produkt shumë të mirë. U fillua me abetaren, do të shtrihet me lëndë të tjera. Ne do të bëjmë gjithçka të ketë një kurikul unike për të gjithë shqiptarët aty ku janë. Së dyti, janë duke punuar për të bërë abetaren dhe lëndë të tjera online për shqiptarët kudo që janë.

Për Greqinë, meqenëse unë jam marrë me këtë punë, dua t’ju informoj se e vërteta është që janë të shumtë kryetarët e bashkive dhe komunave në Greqi që kanë treguar vullnet. Bashkimi Evropian ka një ligj, i cili u kërkon vendeve anëtare dhe i subvencionon që ditëve të shtuna t’u japin klasa në dispozicion fëmijëve të emigrantëve për të mësuar lëndë në gjuhën e tyre. Në këtë drejtim e vërteta është që janë jo të pakta bashkitë e qyteteve greke që e kanë ofruar këtë ndihmë gjatë këtyre viteve. Mirëpo emigranti është njeri me mundësi të kufizuara. Ai duhet të përballojë transportin dhe shumë gjëra. Ne do të bëjmë çdo gjë që t’i furnizojmë maksimalisht me mjete dhe tekste. Mund që edhe të paguajmë mësues për fëmijët e tyre, aty ku krijohen klasat. Por  kësaj radhe nuk mund të themi që pala tjetër nuk krijoi kushte. Në shumë e shumë raste kushtet janë krijuar, por nuk janë shfrytëzuar.   

Përshëndetje, zoti Kryeministër! Çfarë masash do të ndërmarrë qeveria për punësimin e të rinjve, të atyre që dalin për herë të parë në tregun e punës?

Kryeministri Berisha: Së pari, përqendrimi më i plotë dhe më total në katër vitet që vijnë do të jetë krijimi i vendeve të punës. Ky do të jetë objektivi numër Një. Ne për këtë qëllim hoqëm taksën mbi çdo lloj makinerie që do të përdoret nga bizneset. Ky është një lehtësim, sepse bizneseve të paktën 20 përqind më pak do t’u kushtojë investimi. Ne hoqëm taksën edhe për çdolloj materiali që do t’u duhet bizneseve për prodhim. Ne hoqëm taksën 10 përqind për ata që marrin rroga nën 30 mijë lekë. Së treti, janë projekte të mëdha që vijnë në horizont. Projekte të mëdha janë kaskada e Devollit dhe TAP-i. Edhe të gjitha lajmet se TAP-i do të fitojë po shtohen çdo ditë e më shumë. Çfarë sjell TAP-i? Ata janë flamuj jashtëzakonisht tërheqës për biznesin botëror. Kur dikush sheh dhe dëgjon se këtu po ndërton Statkraft,  Njëshi në botë në ndërtimin e hidrocentraleve, mendon që është një vend me klimë serioze, një vend me potenciale. Po kështu edhe TAP-i. TAP-i është një projekt që prodhon shumë vende pune dhe e bën Shqipërinë shumë më të besueshme, rrit besimin ndaj biznesit. Plus këtyre është edhe sistemi ynë fiskal i favorshëm. Pra ne presim një shtim të madh të investimeve, por edhe zgjerim të kapaciteteve ekzistuese të bizneseve aktuale. Përveç kësaj, për të rinjtë kemi përcaktuar një afat 3-vjeçar dhe në këtë periudhë çdo punëdhënës që punëson një të ri nuk do të ketë asnjë detyrim për të riun që ka punësuar. Qeveria që do të paguajë sigurimet e tyre shoqërore. Gjithashtu, ne do të marrim përsipër edhe rikualifikimin e tyre.

Unë dëgjoj shpesh atë zotërinë që thotë se në Shqipëri janë bërë juristë sa për gjithë Ballkanin. Në çdo vend në qoftë se zbatohet liria e individit, kjo është e pashmangshme. Në qoftë se bën me diktat, ti cakton dhe nxjerr 100 juristë, nxjerr 100 mjekë e me radhë. Çfarë ndodh? E tha dikush këtu edhe unë dua t’i përgjigjem për administratën. Në administratë nga 1 përqind që kishte të shkolluar jashtë vendit, sot 21 përqind e administratës janë vajza dhe djem të shkolluar në universitet më të mira. Kjo është e vërteta. Çfarë do të bëjmë? Ne do të bëjmë kualifikimet. Këto kohë një djalë nga rrethinat e Tiranës më dërgoi një CV, kishte studiuar në një universitet shumë të mirë për IT dhe kishte punuar në IT. Më pas shkon dhe mbron një Master për energjinë e rinovueshme. Ai u punësua në sektorin për energjinë e rinovueshme, sepse me të e lidhi pasioni. Ne do t’u japim mundësi të rinjve të kualifikohen dhe të ri kualifikohen. Qeveria do të marrë përsipër shpenzimet. Këto janë përpjekjet tona për të punësuar të rinjtë.

Në përfundim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe ju garantoj se çështjet që ju ngritët do të marin zgjidhje. Ky dialog do të vazhdojë dhe të gjitha do të jenë pjesë e programit tonë dhe programit të bashkisë, edhe pas fitores. Le të ecim përpara drejt fitores tonë të merituar më 23 qershor.

Fitore!”


12/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave