Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Bashkėbisedimi i kryeministrit Berisha me sipėrmarrės tė Tiranės dhe punonjėsit e firmės Formplast Tirana, nė mjediset e kėsaj kompanie
 
“ Zoti President.

Të nderuar punëtore, inxhinier, teknikë.

Ju falenderoj për këtë pritje  dhe ju përgëzoj për suksesin, fryt  i mundit, djersës, përkushtimit, disiplinës suaj, udhëheqjes së drejtë të presidentit të kompanisë, dhe të  grupit teknik.  Unë jam këtu për tu dëgjuar juve për të dëgjuar zërin tuaj, vërejtjet, propozimet, sugjerimet tuaja, sesi ta përmirësojmë më mirë punën. Në konceptin tonë  biznesi është gjeneratori kryesor i vendeve të punës, i mirëqenies i zhvillimit. Gjithçka duhet të bëjmë ne, duhet të përpiqemi për klimën më miqësore të mundshme ndaj tij. Duhet të përpiqemi për lirinë ekonomike më të madhe të mundshme ndaj tij. Në këtë drejtim, ne pak vite më parë  vendosëm taksën e sheshtë, tatimin mbi të ardhurat personal e  zbritëm nga 23 në 10 përqind, në 1/10 e fitimit dhe tatimin mbi fitimin e zbritën nga 25 në 10 përqind.  Zbritëm sigurimet shoqërore nga 32 në 15 përqind me qëllimin e vetëm që të ulim koston e punës dhe të japim mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës. Ky veprim i yni, kjo reformë fiskale, u shoqërua me rritje të madhe të investimeve, d.m.th katër vitet fundit Shqipëria ka marrë mbi 1 miliard dollarë investime të huaja çdo vit, me të mëdha kanë qenë investimet e vendit. Shqipëria ia doli të mbajë një rritje ekonomike, ia doli të krijojë vende të reja punë,  të mos ketë rritje të papunësisë. Kjo është shumë mirë në kushtet e krizës, por kjo nuk mjafton po të kemi parash qytetarët tanë të pa punë. Ndaj dhe ne ndërmorëm një paketë  të dytë shumë të rëndësishme, në të cilën hoqëm çdo lloj tarife doganore apo takse për çdo makineri për, çdo material, për gjithçka përdoret për prodhim nga bizneset dhe me këtë kemi bërë një mbështetej të ndershme, të drejtë dhe shumë të fuqishme biznesit. Duke dëshmuara vullnetin tonë për të mos taksuar kapitalet të çdo natyre qofshin ato, por prodhimi në doktrinë dhe ky është parimi më  i drejtë, ne iu rikthyem këtij parimi. Ne hoqëm taksën për të ardhurat personale  10 përqind për të gjitha rrogat nën 30 mijë lekë , publike, private të gjitha. Çka përbën edhe kjo një hapësirë të re lirie ekonomike për zgjerimin e biznesit. Ne jemi të gatshëm të marrim çdo hap në mënyrë  që gjatë katër viteve që vijnë të arrijmë si vend të marrim jo 4 miliard, por 6 miliard dollarë, kjo është një shifër realiste. Sepse është realiste, sepse këtë katër vjeçar janë disa investime gjigante për Shqipërinë dhe ky është hidrocentrali i Kaskadës së Devollit, Kaskaka e Devollit me rreth 1 miliard dollarë dhe është në ndërtim nga kompania numër një e botës në ndërtimin e hidrocentraleve, kompania e Norvegjisë. Së dyti zhvillimet janë shumë pozitive për gazsjellësin e TAP , projekti më i madh i Europës në energji, i cili në 200 kilometra e tij kalon në territorin shqiptarë drejt Italisë. Edhe ky përbën një investim gjigant për Shqipërinë, të gazifikojë familjet shqiptarë dhe Shqipërinë, të përdorin qytetarët për ngrohje dhe gatim, energjinë me të lirë që është gati. I jep mundësi përdorimit të gazit për qëllime industriale në shkallë të gjërë. Janë një seri projektesh të mëdha. Dje nisi një tjetër në kaskadën e Fanit, rreth 146 milion euro dhe kështu me radhë, po krijohen dy parqe industriale në distancën mes Tiranës dhe Aeroportit, që kanë kapacitetin me rreth 30 mijë vende pune. Ne kemi punësimin e qytetarëve qëllimin tonë më  madhor. Kemi rritjen e  rrogave të tyre qëllimin e dytë për rritjen e mirëqenies. Këtu ka një histori të vërtetë suksesi , presidenti më informoi mua se kjo është një histori e shkurtër  e këtyre viteve të fundit, nga 2005 e deri më sot ka arritur një investim prej 4.5 milion dollarësh. Ka krijuar një sukses të vërtetë në cilësinë e prodhimit dhe të exportit , jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit. Ndaj dhe unë dua të dëgjoj zërin tuaj, të shpreh ndërtimin tim të madh për punën që bëni, tu siguroj se mbështetja e fuqishme ndaj bizneseve mbështetja e një politike konstante sikundër te theksoj këtu se dy modele po përballen sot njëri me tjetrin. Modeli i taksës së ulët, apo taksës së të dhjetave dhe modeli i taksës së lartë apo taksë progresive. Taksa  e lartë apo progresive do të thotë para shumë më pak për investitorin, do të thotë para shumë më pak për kompanitë do të thotë pamundësi rritje pagash pamundësi krijimesh vende pune dhe  e vendosur shkurt i madh i vendeve të punës dhe kjo është e vërteta. Kjo krizë që  kalon Europa u përballua në Shqipëri nga taksat e ulta. Përpjekja për të rritur taksat është përpjekja për të rrënuar ekonominë shqiptare, ai thotë do të ul taksat për 95 përqind të shqiptarëve, po ku do të shkojë kjo barrë tek 5 përqind. Por nëse ky 5 përqind  i merr ato kapitale dhe mund ti marrë që nesër të shkojë të investojë në Mal të Zi, në Maqedoni, kudo çfarë mbetet këtu? Këtu mbetet falimentimi i plotë i vendit. Në të gjithë botën në çdo vend të lirë, barra fiskale shpërndahet në shkallën më të gjërë të mundshme, edhe në SHBA, edhe në Gjermani ,dhe në Britani, pjesa 90 përqind e saj, përballohet nga mbi 90 përqind e popullatës nga  kontributet e gjithsecilit.  Ideja është aq naive dhe arkaike, të mendosh se 5 përqind e shqiptarëve do të mund të mbajnë shtetin mbi supe, as shkolla nuk mbahet dot, as spitalet nuk mbahen dot, as rrugët dhe asgjë.  

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë një diskutim të hapur për të gjitha këto probleme.

Faleminderit.

-Ju faleminderit për mundësitë që na dhatë që të shprehim shqetësimet tona lidhur me ecurinë e bizneseve tona në të ardhmen dhe të njerëzve të punësuar në të. Pyetja është se çfarë planesh do të ndjekë qeveria juaj në të ardhmen në mënyrë që ti qëndrojë asaj strategjie që ju keni zbatuar që ditën e  parë në mënyrë që një fasonist e nis si i tillë dhe kthehet në një prodhues dhe kjo ka funksionuar. Ne jemi në dilemë se çfarë do të vijë në ditët e ardhshme, do të kemi këtë mbështetje qe kemi patur deri tani?

Kryeministri Berisha: Ju siguroj se kjo mbështetje në të ardhmen do të jetë edhe më e madhe sepse ju nuk do të paguani asnjë taksë për makineritë që ju sillni këtu për prodhim. Së dyti, kemi hequr çdo detyrim doganor për materialet që ju duhen për prodhim, së treti kemi një kredi eksporti dhe shteti do të kreditojë eksportet në mënyrë që secili prej jush të dalë “made in Albania” dhe të shesë brenda vendit, ose të eksportojë jashtë. Ne kemi hequr për punëtorët 10 % dhe jemi të gatshëm të marrim përsipër trajnimin  e punëtoreve dhe tre vjet pa taksa për cdo të ri që punësohet nga ju. Këto janë zotimet tona për ju. 

-Unë dua tu përcjell edhe një shqetësim të partnerëve tanë jashtë, sepse ne jemi jo vetëm fasonistë, por edhe prodhues të lëndës së parë direkt nga Shqipëria. Partnerët tanë italianë janë shumë të shqetësuar për ato që flitet nga opozita se do të sulmohet pa mëshirë biznesi dhe këtë ne e ndjejmë dita ditës sepse mund të reagojnë me spostim investimesh nga Shqipëria në ndonjë vend tjetër.

Kryeministri Berisha: Në qoftë se investitorët e huaj vijnë tek ne një nga arsyet kryesore është taksa e ulët sepse po të jetë puna për taksë të lartë ata shkojnë në një vende të cilat kanë një sistem të konsoliduar të zbatimit të ligjit, kanë një sistem drejtësie pa diskutim më eficent se tonin, etj, pra interesi i tyre është taksa e ulët dhe këtë e shprehin rëndom kudo, por duhet ti sigurosh partnerët tuaj dhe nga gjithë bota se shqiptarët me votën e tyre do të mbrojnë sistemin e krijimit të vendeve të punës, sistemin e mbështetjes së biznesit. Kjo nuk është vetëm ndaj investimeve në industrinë e prodhimit fason , por kjo ndodh ndaj të gjithëve. Ai shkon në Patos dhe kompanisë e cila dorëzon 200 milion dollarë taksa në vit, pa asnjë lloj hezitimi i thotë, “këta kusarë do i përzëmë”. Ko është një politikë dështimi, një politikë pa vizion, një politikë e cila kupton se nuk ka të ardhme dhe pastaj thotë të dëmtoj sa të mundem.

Në fakt nuk do të ndodhë. Taksat i kemi ulur dhe kjo nuk është paketa përfundimtare. Ne, pas zbatimit të saj, shënimit të gjitha rritjeve me këtë paketë, do të fillojmë paketën tjetër. Ne besojmë tek liria ekonomike sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme në një shoqëri të lirë se sa të punësohen qytetarët. Kjo është arritja më  e madhe, punësimi i njerëzve të lirë në kushtet e tregut.Prandaj dhe ne veprojmë në këtë mënyrë.

-Zoti kryeministër ju falenderoj për energjitë që keni dhe që konsumoni për ne. Unë kam një zyrë kontabiliteti ku mbaj shumë firma. Dua të pyes për bizneset, taksa do të ulet apo do të qëndrojnë në këto nivele? Gjithashtu, duke patur parasysh këto lehtësi fiskale do të mund të thithim partnerë të huaj në vendin tonë për punësimin e të rinjve?

Kryeministri Berisha: Si forcë politike, filozofia jonë është taksa e ulët dhe ne nuk lëvizim prej saj, me bindjen se kjo është rruga më e shpejtë e zhvillimit. Në këtë kontekst, bëmë uljen e parë tek 10 % hoqëm çdo taksë mbi makineritë, hoqëm 10 % tatim mbi të ardhurat personale për pagat nën 30 mijë lekë, hoqëm 10 % mbi materialet e importit. Pra kjo është një paketë  e tërë uljesh dhe heqjesh taksash. Duhet të zbatohet kjo që të shihen efektet. Me këto heqje në këtë vit presim direkt të kemi jo më pak se 200 milion euro minus në buxhet. Këto i mbeten biznesit dhe ne nuk kemi keqardhje se ne  e kemi parashikuar këtë. Pasi të balancohet buxheti ne, në mënyrë absolute do të shohim paketën tjetër. Ne i qëndrojmë uljes së mëtejshme të taksave. Në rast se zotëria bën thirrje progresive të taksës, ne jemi për ulje të vazhdueshme të taksës.

-Më frikëson taksa e Ramës se nuk ka shtet pa taksa, nuk mund të mbijetosh

Kryeministri Berisha: Shumë  drejtë kjo që thoni ju, tani unë do të shpjegoj se përse unë i qëndroj këtij parimi. Pas vendosjes së taksës së sheshtë numri i bizneseve të mesme dhe të mëdha është rritur me dy dhe tre herë. Numri i u rrit sepse bizneseve i mbetën fitimet dhe investuan për zgjerim. Efekti i kësaj është dyfishimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në Shqipëri duke luftuar evazionin dhe rritja e biznesit bëri të mundur që ne të kemi vitin që shkoi një buxhet që shkoi me të ardhura 2 herë më shumë se sa në vitin 2005. Kjo na bëri të rrisim rrogat në mënyrë të ndjeshme, të ndërtojmë mbi 10 mijë km rrugë, por ndërtimi rrugëve kushdo që sheh rruga e kthen investimin 5 fish, nëpërmjet kohës, etj, por në mënyrë thelbësore  e kthen nëpërmjet vlerësimit të tokës dhe krijimit të bizneseve përgjatë saj dhe në qendrat ku ajo kalon. Të gjitha këto bënë të mundur që jo vetëm nuk pati rënie të ardhurash, por pati rritje të tyre. Në qoftë se të ardhurat do të mbeteshin të njëjta për qeverinë serish ajo do të ishim të fituar sepse të ardhurat tek biznesmeni konvertohen në vende pune. Punësimi është qëllimi kryesor. Ju më pyetët se kur do të merren masa të tjera dhe unë ju them kur të shihet efekti i këtyre dhe ky do të jetë pozitiv sepse tani bizneset do të kenë 20 % para më shumë për të blerë makineri dhe për të shtuar vendet  e punës. Por se kur do të jepet ky efekt, ne shpresojmë të fillojë nga fundi i viti dhe vitin tjetër. Zgjerimi i  bizneseve do të thotë bazë më e gjerë për taksim dhe të ardhura më shumë për shtetin, për qytetarët. Kjo është arsyeja që ne ecim me paketa dhe pas instalimit të tyre shohim efektet. Pas datës 1 maj ka filluar heqja e tvsh për makineritë. Bizneset filluan të marrin të gjithë atë që ju takon. Se sa kohë ju duhet bizneseve për ta investuar këtë, mund të them se bizneset e bëjnë këtë 100 herë më shpejt se shteti, pasi ato janë më të shpejta e kanë vendimmarrjen më të shpejtë, janë më pak burokratë, kështu që jemi në rregull.

-Me deklarimet on-line jemi ndihmuar shumë dhe për këtë ju falënderojmë.

Kryeministri Berisha: Edhe unë kam shumë kënaqësi që procedurat dixhitale janë shumë me leverdi për bizneset. Bëmë taksën on-line, bëmë doganën on-line, kështu që ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që të kursejmë në maksimumin  mundshëm kohën  për ju dhe do të ulim kostot e transaksioneve tuaja.

-Kam një shqetësim lidhur me pensionin  e bashkëshortit tim i cili ka punuar 17 vjet në Gjykatën e lartë prej nga ka përfituar një pension prej 60 mijë lekësh te vjetra, gjithashtu ai ka punuar edhe 20 vjet në fabrikën e leshit, vite të cilat nuk janë përfshirë ne pension. Për gjithë vitin ai ka marrë  një pension prej 480 mijë lekë të vjetra. Së dyti, unë jetoj në një korridor dhe dhomën e guzhinën na e kanë zënë pajisjet e elektrikut, duke rrezikuar jetën time. Na kanë premtuar disa herë se do ti heqin, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kryeministri Berisha: Lidhur me pensionin, ka një ligj mbi bazën e të cilit pensioni llogaritet. Në qoftë se ka gabime llogaritje në rastin tuaj, unë do ju ndihmoj ju me specialistët më të mirë të pensioneve, por ndryshim të ligjit për pensionet nuk mund të bëhet, pa u ndryshuar për të gjithë. Në qoftë se ai ka punuar edhe në fabrikën e leshit siç thoni ju duhet të marrë një vërtetim për vitet që ka punuar aty. Ne do ta shohim, unë kam këtu njerëz të cilët do ta ndjekin problemin. Për sa i përket kabinës së korrentit që ju keni vendosur në korridor, kjo do të hiqet edhe me shpejtësi madje, pasi është absurde.

-Ju falënderojmë zoti kryeministër për mundësinë që na jepni ne për të shtruar shqetësimet tona. Unë ka  një problem, ndër koleget tanë që punojnë këtu apo në dogana ka shumë që kanë mbaruar universitetet private. Kam dëgjuar shumë nga fushata  e opozitës se këtyre nuk do tu njihen më këto universitet si dhe masterat apo tituj të tjerë. Si do të funksionojë kjo?

Kryeministri Berisha: Zgjidhja është akreditimi, universitetet e akredituara do të njihen në mënyrë të padiskutueshme. Problemi është se nga të gjitha këto një numër i caktuar janë universitet, të tjerat janë shkolla të larta, nuk janë universitete. Kjo është e vërteta dhe këto që nuk janë të tilla përsëri janë të dobishme sepse japin një profesion , japin një formim, por jo universitar dhe ne po shkojmë drejt qartësimit përfundimtar të statusit. Qëndrimi do të jetë akreditimi. Universitetet e akredituara dhe të renkuara nga agjencitë ndërkombëtare rënkimit të tyre do të kenë trajtim të njëjtë, por kjo kërkon këto dy kushte. Siç e dëgjoni ju opozita po sulmon universitetet publike dhe private. Universitet publike i konsideron kombinate të fabrikimit të diplomave, ndërsa privatet i konsideron fabrika të fabrikimit të diplomave. Ka dy praktika, njëra praktikë është që i jep mundësi vetëm një përqindje të caktuar të ndjekë universitete. Këtë praktikë  e ka ndjekur Shqipëria deri në vitin 2005. Kjo lë pa hyrë në universitet të paktën 2/3 e të rinjve. Kjo nuk është e drejtë. Ëndrra universitare  e çdo të riu është një burim frymëzimi, përkushtimi dhe ne duhet ti krijojmë mundësinë të provohet e bën të vërtetë apo jo, por apriori ti themi se ti nuk hyn, kjo është  e padrejtë. Lind pyetja, a ka probleme cilësie? Sigurisht që ka, por a zgjidhet kjo duke mbyllur dyert? Absolutisht që nuk zgjidhet. Prandaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë, do të theksojmë me forcë rritjen e saj, por ti quash universitet piramida është shumë e pandershme. Natyrisht ka studentë që nuk mësojnë, ka studentë që nuk kërkojnë por kjo nuk mundet kurrë të përgjithësohet dhe nuk duhet të dekurajojë kursin tonë të shkollimit të qytetarëve, të përgatitjes së tyre ne universitetet e vendit dhe jashtë. Duhet të them një gjë, dëgjoja se këta siç fliste në mënyrë shumë të papërgjegjshme, se këta të rinj që i quante si Sudja, po mbushin administratën. Administrata sigurisht që ka të rinj, por në 2005 ka patur vetëm 1 % punonjës administrate të diplomuar jashtë vendit, sot janë 22 % punonjës administrate të diplomuar në shkollat e Evropës dhe të botës dhe ne kemi një kuadër të tërë ligjor që favorizon në një mënyrë ose në një tjetër të diplomuarit në shkollat më të mira.

 -Përshëndetje z. Kryeministër. Unë punojë në administratën e një fasoni. Dua të di nëse edhe pas 23 qershorit do të jetë i njëjti fluks pune, duke qenë se ne kemi pasur gjithmonë progres. Pra cili është plani juaj për fasonët?

Kryeministri Berisha: Plani ynë për fasonët është një mbështetje gjithnjë e më e fuqishme. Do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar dhe lehtësuar gjithnjë e më shumë këtë industri. Për të thjeshtuar qeratë dhe çdo tarifë tjetër mbi ta. Industria e fasonëve kanë dy tipare shumë të rëndësishme, së pari është prodhimi dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme për një ekonomi, sesa të bazohet mbi prodhimin.  Kriza dëshmoi se ekonomitë e bazuara mbi shërbimet bien dhe kanë probleme serioze nëse komponenti prodhim ju dobësohet, së dyti ky është sektori që punëson më shumë. Për ne është sektori që do të mbështesim më shumë.

-Zoti Kryeministër mirëserdhët. Ne jemi shumë banor të ardhur ne Kombinat, jemi drejt marrjes së letrave të privatizimit të shtëpive. Sa na mbështet qeveria jote në këtë proces?

Kryeministri Berisha: Plotësisht. Ne bëmë vendimet. Kishte ndodhur diçka? Burokracia kishte përgatitur vendimet për një pjesë  dhe lanë pjesën tjetër, tani janë përfshirë që të gjithë dhe keni mbështetje të plotë dhe totale për privatizimin e tyre, nuk ka më asnjë pengesë dhe nuk ka mbetur askush jashtë këtij kuadri. Ky është informacioni që kam unë. Nëse ka ndonjë gjë tjetër më thoni që ta zgjidhim.

-Përshëndetje. Unë kam një pyetje në lidhje me punësimin e të rinjve. Ka të rinj që guxojnë dhe hapin biznese tek ne. Prej kohësh më ka shqetësua mendimi ndaj po e them, se këta të rinj a ka mundësi që për një periudhë kohore të shkurtër të kenë mundësi të provojnë nëse biznesi i tyre ecën apo jo. Çfarë politikash mund të ndiqen për këta të rinj që guxojnë?

Kryeministri Berisha: Së pari nevoja e parë e tyre është të kenë një ndihmë, një këshillë më të qartë për plan biznesin dhe për hapjen e biznesit, të kenë një konsulencë. Në universitete kanë filluar të funksionojnë zyrat e karrierës, të konsulencës dhe të mbështetjes për punësim. Ne duhet të përpiqemi ti hapim këto edhe më gjërë. Për të rinjtë me profesione ne do të aplikojmë sistemin e kreditimit të butë. Isha në shkollën “Karl Gega” dhe drejtori më tha, se nxënësit që mbarojnë këtu  100 për  100 gjejnë punë. Pasi marrin profesione. Të tjerët më thanë se kemi hapur vete biznese. Këta që kanë profesion ne këta do ti ndihmojmë me kredi të buta për të zgjeruar më tej biznesin.

-Përshëndetje. Unë jam një tregtar që prej tete vitesh zhvilloj një biznes distribucioni në Tiranë dhe në Durrës. Në fillim ka qenë biznes i vogël tani është zgjeruar mjaft, kam të punësuar në këto momente që flasim 20 persona. Kam qenë Kanada dhe atje nuk mi dhanë këto mundësira, sot me këto lloj taksash shpresoj ta zgjeroj akoma më tej biznesin. A do të vazhdojë praktika e rimbursimeve ndaj biznesit brenda muajit siç kanë filluar tatimet të reagojnë këto muajt e fundit? Paralelisht në Kanada duke u njohur me miq që merren me biznes dhe ata janë të interesuar dhe kam kati 4-5 biznese që duan të afrohen pas zgjedhjeve për të investuar në Shqipëri dhe ata të njëjtën pyetje më bënë nëse do të vazhdojë kjo politikë taksash?

Kryeministri Berisha:  Unë ju siguroj se qëllimi ynë është që rimbursimi i TVSH të jetë automatik, i menjëhershëm dhe pa asnjë vonesë. Por a ka shteti mundësi? Po shteti ka mundësi plotësisht. Shteti  nuk ka vështirësi për të paguar TVSH, burokracia e vështirëson. Ky sistem që është vendosur do të zbatohet me rigorozitetin më të madh. Së dyti, janë me qindra e qindra investitorë, që presin të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Regjimi i taksave jo vetëm që nuk do të lëvizë, por do të shkojë duke u përmirësuar edhe më tej . E theksova edhe më parë, eksperienca jonë në këtë drejtim është shumë inkurajuese, po ju them se çdo ulje taksash krijon tek institucionet e mbledhjes se taksave një shqetësim shumë të madh dhe është normale si do t’ia bëjmë me të ardhurat. Ne qëndrojmë në këtë linjë, sepse ne me fakte, me shifra, me të ardhura, ne faktojmë se kjo politikë nuk ka sjellë rënie, por në një mënyrë ose në një tjetër, rritje të qartë të të ardhurave, ndaj dhe ne do të vazhdojmë të ulim taksat në mënyrë që të tërheqim sa më shumë investime dhe të punësojmë sa më shumë vende pune. Rimbursimi do të vazhdojë në mënyrë të sigurtë dhe të pa ndërprerë. Heqjen e TVSH për të gjitha makineritë dhe materialet, dhe jo vetëm industrinë, por edhe për bujqësinë. Qindra milion euro që inkasoheshin në arkën e shtetit nga TVSH mbeten tek biznese, kjo nuk ndryshon në mënyrë absolute dhe do të vazhdojë me vendosmëri të madhe.

-Përshëndetje. Kemi filluar aktivitetin në 2005. E kemi filluar me 50 punëtor dhe më pas i shtuam me 100 dhe sot jemi me 500 punëtor, kjo falë lehtësirave të krijuara, të cilat  filluan  me 10 përqindëshin, e më pas  me gjërat e tjera. Por shqetësimi që kam unë është ky. Duke qenë se punojmë fason ne kemi shumë miq italian, të cilët punojnë me ne dhe pyesin, sepse në Itali është 43 përqind taksa  dhe po të marrim këtë për investitorët e huaj vendi ynë ofron gjënë  më të mirë. Për momentin janë të frikësuar dhe nuk vijnë të investojnë, sepse dëgjojnë për taksën progresive, për anulim të koncesioneve . Por qeveria na ka krijuar lehtësira dhe heqja e TVSH për makineritë, ka qenë gjëja më e mirë që është bërë dhe lehtësira më e madhe. A do të ketë ju pas 23 qershorit gjetje të reja për të lehtësuar biznesin dhe çfarë përgjigje tu kthej unë investitorëve të huaj?

Kryeministri Berisha: Tu kthesh përgjigje se do të ketë në mënyrë absolute lehtësira të reja. Çfarë mendojmë ne, për mandatin që vjen. Ne mendojmë të krijojmë lehtësira logjistike dhe do ta konsiderojmë në mënyrën më serioze. Nëse vizitoni një ditë janë dy kompania e një familje të famshme Gjermane që po ndërton një park logjistik  dhe tjetra është grupi BalFin ne Fondin Shqiptarë-Amerikan, që po ndërtojnë një park logjistik shumë më të madh. E frymëzuar nga këto  qeveria vetë mund të ndërtojë pa vështirësi  kapacitete logjistike për tua ofruar kompanive me 1 euro ose me kushte më të favorshme. Edhe kjo është shumë e dobishme për ta. Pra qeveria do të shqyrtojë hap pa shapi të gjitha mundësitë për lehtësimin e biznesit. Qeveria në këto parqe logjistike do të përpiqet të krijoje infrastrukturën më moderne dhe ti ofrojë biznesit përdorimin e  tyre për veprimtarinë prodhuese, etj.

-Jam një investitor Italian që besova në projektin e Shqipërisë dhe që nga viti 2004 po investojmë në Shqipëri dhe projekti është konkretizuar në 2005 në bashkëpunim edhe me Skalabrino Seido dhe në këto vite, vit pas viti kompania është rritur dhe jemi nisur me shumë pak derisa u zgjeruam dhe vit pas viti kemi investuar në struktura të reja, që  mund të na japin mundësinë për të luftuar konkurrencën mbi të gjitha aziatike, e cila është shumë e fortë sidomos në këto moment e natyrisht edhe atë italiane, e cila ashtu si edhe ne po investon në Shqipëri. Ndaj falë këtij bashkëpunimi kompania italiane është zhvilluar më tej të mbrohet në treg e madje edhe kohët e fundit, pikërisht një muaj më parë, ne kemi bërë një investim të madh pikërisht për të shtuar kapacitetin dhe mbi të gjitha shpejtësinë e prodhimit, për t’iu përgjigjur një tregu, që porsa e bën porosinë e ke gati. Dhe këtu në Shqipëri ne kemi gjetur një përgjigje shumë pozitive, aktive, faktike. Ky investimi ynë në Shqipëri ka bërë që edhe investitorë të tjerë italianë të ndjekin rrugën tonë dhe të investojnë këtu në Shqipëri. Në këtë klimë që për ne është shumë favorizuese, themi që edhe këto zgjedhje të mund të vazhdohet në një vazhdimësi politike, që në Itali nuk po ndodh, shpresojmë që edhe pas 23 qershorit Partia Demokratike të vazhdojë politikën e saj, në mënyrë që ne që investojmë këtu në Shqipëri të mund të vazhdojmë akoma?

Kryeministri Berisha:  Unë të falenderoj përzemërsisht për besimin që ke treguar ndaj Shqipërisë. Vendimin tuaj fisnik për të bërë të vërtetë ëndrrën tënde , investimin tënd në Shqipëri. Dua t’ju garantoj se shqiptarët kanë mbështetur dhe mbështesin këtë politike, e cila ka sjellë trefishimin e investimeve të huaja në Shqipëri, në një periudhë krize të madhe për Europën. Është e vërtet që kryetari i opozitës ka një qëndrim absurd ndaj zhvillimit të ekonomisë. Shqipëria fale investimeve që erdhën, është sipas Komisionit Europian një nga katër vendet që ruajti rritjen ekonomike dhe është midis këtyre katër vendeve, i vetmi që pati edhe ulje të papunësisë. Të mendosh të rrisësh taksat, do të thotë të zhysësh në mënyrë të pashmangshme ekonominë tënde në recension. Një nga veprimet e  mençura të Mario Montit ishte vendimi i tij, për të ecur drejt taksës së sheshtë. Aktualisht jo në nivelin që e kemi ne, por të paktën të fillojë të ecë drejt asaj takse. Modeli që ofron opozita është një model tërësisht i bazuar në absurditetin, që nuk ekziston në asnjë vend të botës. Pse nuk ekziston në asnjë vend të botës, sepse nuk ka ndonjë vend mbi tokë, apo ndonjë politikan, që të imagjinojë që barra fiskale kryesore të përballohet nga 5 përqind e qytetarëve. Kjo është jashtë çdo lloj llogjike. Në çdo vend të botës të lirë shpërndarja e saj në mënyrë të ndershme është rruga më e sigurtë e një politike fiskale. Zotëria ka një ide kokëposhtë. Ai mendon se zhvillimi i ekonomisë vjen nga lart-poshtë. Zhvillimi i ekonomisë dhe shqoqërisë vjen nga klasa  e mesme , kjo është historia e zhvillimit, janë ata qindra  e mijëra burra dhe gra, të cilët nuk janë biznesmen të mëdhenj, por me pronën e tyre që kanë me punën e tyre që bëjnë ata janë gjeneratorët kryesor të të ardhurave të vendit. Sigurisht që bizneset e mëdha kanë rolin dhe vendin e  tyre, por përpjekja për ti shkatërruar ato është përpjekja për të rrënuar ekonominë. Ndaj dhe ajo nuk do të ndodhë. Idetë e tij, po vjen 23 qershori dhe do të marrin përgjigjen e merituar nga zgjedhësit shqiptarë.  Idetë e tij do të mbeten në kuti.

-Përshëndetje. Unë jam në shtëpi me qera dhe kam aplikuar për banesë sociale dhe kam dy vite dhe akoma nuk kam marrë asnjë përgjigje. A do të ketë një rrugëzgjidhje për ne që jemi në shtëpi me qera?

Kryeministri Berisha: Absolutisht që do të ketë. Bashkia e Tiranës ka në dispozicion si kredinë për qytetarët ashtu edhe banesat, të cilat i ka ndërtuar me kredinë e bankës së Këshillit të Europës, me destinacion njerëzit në nevojë, por me mundësi pagese.  Sikundër pas zgjidhjes së çështjes së  banesave të ish pronarëve, e cila po merr fund, po zgjidhet, qeveria sërish do të akordoje kredi të buta për katër mijë apartamente të tjera për të ndihmuar dhe mbështetur qytetarët në nevojë. Kjo është e sigurtë.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Unë ju falenderoj shumë për këtë mbështetje dhe ju garantoj se do të bëj gjithçka për të mbështetur suksesin tuaj të mëtejshme. Sukses ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, për vendin, për qytetin e Tiranë dhe vendin në tërësi. Ju keni arritur në një hark kohor të shkurtër të dhjetëfishoni kapacitetin e sipërmarrjes suaj, keni dëshmuar guxim, kurajo dhe siguri. Ju garantoj se do të jete mbështetja e vazhdueshme e qeverisë për ju dhe çdo biznes.

Urimet me të përzemërta ju dhe të gjithë punonjësve tuaj.”


11/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave