Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha bashkėbisedon me banorė nė Ishėm, mbi programin pėr punėsimin, turizmin dhe bujqėsinė
 

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorë të Ishmit, Durrës, mbi programin për punësimin, turizmin dhe bujqësinë.

Komuna Ishëm, me 8800 banorë, ka si drejtime kryesore të zhvillimit bujqësi-blegtori-bletari, pyjet, bimët medicinale, peshkimi dhe turizmi.

Një traditë e hershme, gërshetimi i detit, fushës dhe kodrinave, një florë dhe faune mjaft e pasur e bëjnë komunën Ishëm një nga zonat më të favorshme për zhvillimin e turizmit në përgjithësi dhe agroturizmit në veçanti.

Përparësi në komunën Ishëm kanë prodhimet bio dhe prodhimet tipike të zonës, ku janë ngritur disa ferma BIO. Në këtë zonë kultivohen 2 hektarë me bime aromatike mjekësore. Nga subvencionet në bujqësi për periudhën 2007-2013, në komunën Ishëm  kanë përfituar 100  fermerë.

Një nga aktivitetet prioritare është edhe peshkimi dhe prodhimi që ato realizojnë shërben jo vetëm për plotësimin e nevojave të vetë zonës, por edhe për furnizimin e kompanive të mëdha grumbulluese në rreth si KORAL, ACUARIO etj.  

Ndërsa në qarkun e Durrësit, gjatë këtyre viteve janë ndërtuar mbi 550 kilometra rrugë, 71 sisteme ujësjellës e kanalizime, 66 shkolla dhe është ndërtuar universiteti i ri, 73 ambulanca e qendra shëndetësore.

Në bujqësi janë subvencionuar 800 hektarë në ullinj, vreshta, sera dhe kanë përfituar 3300 fermerë e blegtorë, 10 milionë dollarë në vaditje, kullim e  vepra hidroteknike.

Zhvillime pozitive ka njohur biznesi. Numri i tyre është pothuaj dyfishuar, nga 8800 biznese në vitin 2005 në 15 400. Rritje ka njohur edhe biznesi turistik. Gjatë këtyre viteve janë shtuar mbi 1100 biznese të reja turistike. Është ndërtuar terminali i ri i Portit të Durrësit, është ndërtuar Porti i ri i Peshkimit.

Në vijim, bashkëbisedimi i Kryeministrit me banorë të Ishmit.

“Së pari dua t’ju falenderoj përzemërsisht për mikpritjen dhe organizimin e këtij takimi të shkëlqyer me banorë të Ishmit, në këtë mjedis të mrekullueshëm. Së dyti, dua t’ju shpreh nderimin tim më të madh, respektin tim më të thellë, ishmakëve kudo ku janë, banorë të një zone shumë të pasur në histori, shumë të pasur në përpjekjen tuaj për të ndërtuar një jetë më të mirë e më të begatë, shumë të pasur në burime natyrore të gjithëllojta dhe me një perspektivë reale, të qartë, drejt përmirësimit e mëkëmbjes. 

Këto vite, ne jemi përpjekur të urbanizojmë komunën tuaj, kemi ndërtuar e rindërtuar rrugë që ju lidhin me Tiranën, me Durrësin, me detin. Jam këtu për t’u zotuar se do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë të çdo fshati kudo ku jeni.

Gjithashtu, ju garantoj se do të trefishojmë mbështetjen për projektet tuaja në ferma, blegtori, bletari, bimë mjekësore, ullishte, turizëm e çfarëdo projekti që ju të paraqisni.

Ne do të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e të gjithë potencialit tuaj të jashtëzakonshëm turistik. Ishmi ka ndër potencialet turistike më të pasura të vendit, njerëz punëtorë, të cilët kanë ndryshuar në të gjitha aspektet, jetën e tyre.

 

Ne do të bëjmë çdo gjë që katër vitet që vijnë, përveç rrugëve, të garantojmë vaditjen e  tokave tuaja, nëpërmjet rindërtimit të sistemeve ekzistuese apo ndërtimit të sistemeve të reja.

Ne jemi të vendosur dhe siç jeni njohur vendimet janë miratuar, t’ju paguajmë me para në dorë akcizën e naftës që ju përdorni për punimin e tokës, t’ju paguajmë me para në dorë TVSH-në prej 20 përqind të çdo gjëje që ju blini për të rritur prodhimin në fermat tuaja, nga traktori tek fidanët. Ne besojmë se kjo ndihmë është më e plota që mund t’ju jepet fermerëve dhe ne jemi të vendosur këtë kuadër. Natyrisht, punën ju e bëni vetë.

E tërë përpjekje jonë është të krijojmë sa më shumë vende pune në qytet, fshat e kudo. Njerëzit me punën e tyre ndërtojnë jetën, ndërsa përpjekja jonë është për rroga më të larta, pensione më të larta. Të gjitha këto janë projekte, por ju e keni provuar se ne i kemi qëndruar fjalëve tona. Ne kemi ndërtuar e asfaltuar rrugët më shumë se kurrë dhe këtë e shihni kudo, kemi dyfishuar pensionet në fshat, kjo është evidente dhe do vazhdojmë t’i rrisim, filluam subvencionin për projekte dhe kjo ka funksionuar, është ndër sukseset e mëdha të këtij vendi e kësaj qeverie dhe ne do t’i trefishojmë. Ne do të bëjmë gjithçka për prodhim më të madh në fermat tona, për suksesin më të madh të bizneseve tona.

Ne do të përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike, gjë e cila jep mundësi biznesmenëve të rrisin më tej investimet e tyre, të zgjerojnë kapacitetet për mikpritjen, fjetjen e të gjitha aspektet, të punësojnë qytetarë më shumë dhe ju të përfitoni. Ju jeni zonë turistike. Ne kemi hequr taksën 10 përqind për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lekë dhe kjo është ndihmë tjetër e madhe. Po ashtu, çdo i ri që do të punësohet në çdo biznes apo fermë nuk do të ketë asnjë detyrim fiskal për tre vjet.

E tërë filozofia jonë, po ta shihni me vëmendje, është besimi tek ju tek, tek forca, energjitë tuaja e mendja juaj. Ne bëjmë gjithçka t’ju lehtësojmë, bëjmë rrugën, ujësjellësin, kanalizimet, shkollën, por jetën ju e ndërtoni vetë. Ne përpiqemi që t’jua lehtësojmë sa më shumë.

Ju ftoj që çdo mendim që keni, çdo problem që ju shqetëson ta shtroni në këtë takim. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, për ta ndjekur e zgjidhur në përputhje me ligjet e vendit. Faleminderit.  

Zoti Kryeministër ju uroj mirëseardhjen. Siç i thonë, fshati që duket nuk do kallauz dhe ne si fshat i kemi të gjitha kushtet, në sajë qeverisjes suaj. Ne nuk kalonim as me mushka e sot shkojmë në çdo shtëpi me asfalt. A ka probleme? Po ka. Problemi kryesor i bujqësisë që i vjen ën ndihmë asaj është vaditja. Ne si fshat kemi shansin rezervuarin prej 12 milionë metra kub  ujë, por që është lënë në mëshirë të fshatit a Zotit. Nuk shkon pikë ujë tek vaditja, sepse para qeverisjes suaj u investua shumë për kanalizime, por nuk ekziston një kanal që ta çojë ujin tek ara. Rezervuari shtrohet për të vaditur në dy bashki, Sukth dhe Manëz e komunën tonë, por vetëm se e shohim se rezervuari hapet dhe uji shkon në det. Janë prishur portat. Ndërmarrja e Bordit të Kullimit ka kanalet, argjinaturat, por sot nuk ekzistojnë. Janë ndërruar 20 drejtorë, por ma merr mendja se drejtorët që kanë ikur nuk e dinë sa kanale të para ka, sa kanale të dyta ka, ky është problemi i Ministrisë së Bujqësisë. Si person, punë ta palodhur që bëni ju nuk bën kush e ma merr mendja se nuk ka për ta bërë kush kryeministër si ti, por kam vërejtje ndaj ministrave, duhet të jenë më të përkushtuar. E dyta, puna jonë shtrihet e gjithë në turizëm, kemi bregdet edhe nga veriu e nga perëndimi. Punojmë gjithë ditën, shkojmë të lahemi në det, dalin e na thonë uleni këtu, uluni në shezlong, por ndoshta nuk kam lekë ta paguaj. Të na lihet vija bregdetare siç ka qenë dhe të bëjmë plazh. Të tretën e kam për rendin. Policia duhet ët jetë në shërbim të popullit. Si ajo e rrugores, si e rendit duhet t’i përkushtohet atyre që dalin në rrugë pa patenta, bëjnë aksidente etj.. policia duhet ti çojë në burg këta, se del e më vret fëmijën. Të falenderojmë shumë nga zemra.

Kryeministri Berisha: Të falënderoj shumë për çështjet shumë thelbësore që ke ngritur. Në mënyrë të pamohueshme, për vaditjen mund të ishte bërë më shumë. Për një gjë duhet të jemi të hapur e t’ia themi njëri-tjetrit siç është. I gjithë përqendrimi ynë ka qenë tek rrugët. Dua t’ju rrëfej një gjë. Nuk ka gjë më të lehtë sesa të mos bësh një rrugë. Shumica të thonë të mos e bëjmë e t’i përdorim ato para, por, t’ju rrëfej hapur, kemi bërë gjithçka që të ndërtojmë rrugë dhe besoj se kjo nuk është gabim. Jam i bindur se rruga përbën themelin e zhvillimit, pas shkollës dhe energjisë elektrike. Por a mund të ishte bërë më shumë më vaditjen? Po, edhe me ato fonde mund të ishte bërë më shumë. Si qeveri, pas rrugëve, projekti i dytë më i madh do të jete vaditja. Ju jeni specialist i kësaj fushe dhe vaditja kërkon fonde. Për ta organizuar në shkallë vendi, ajo kërkon një projekt që nuk është i kushtueshëm sa rrugët, por kërkon të paktën disa qindra milionë dollarë. Në ujësjellës deri tani kemi financuar 550 milionë dollarë dhe akoma do të vazhdojmë. Pa gjysmë miliardi dollarë, vaditja nuk mund të vendoset siç duhet në shkallë vendi dhe ne jemi të përgatitur ta japim këtë gjysmë miliardi. Do të bëjmë gjithçka katër vitet që vijnë që ne të ndërtojmë sistemin më të mirë të vaditjes, me presionin, ku të mundemi pa ngritje dhe në të gjitha format.

Mund të shfrytëzohet rezervuari.

Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se shqetësimin tënd do ta trajtoj me përparësi të madhe. Së dyti, çështja e plazhit publik dhe atij privat. Dje isha në Velipojë dhe qytetaret e Velipojës më ngritën të njëjtin shqetësim. Ne do të bëjmë gjithçka, të përcaktojmë një raport shumë të drejtë e rigoroz për këtë qëllim. Këtë e ka qeveria vendore, por ne do të përcaktojmë parimin, të cilin duhet ta zbatojë qeveria vendore.

Lidhur me rendin, në mënyrë të padiskutueshme janë shtuar veprat e kriminalitetit dhe policia duhet të bëjë më shumë. Por shkallën e zbulimit, policia e ka ndër më të lartat dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por një reformë tjetër duhet në polici. Këto kohë forcuam disa vepra penale. Dënimi tavan ka qenë 25 vjet dhe për disa vepra penale si për hakmarrjen, vrasjen e gruar, të punonjësit të policisë etj. e çuam në 35 vjet. Disa dënime penale për vepra të tjera duhet të shqyrtohen. Jam plotësisht dakord me ju. Ju garantoj se një reformë tjetër, e thellë, e policisë do të bëhet. Mund të ketë mundësi shtimi i numrit të tyre, nuk e përjashtoj pasi shoh vëllimin e punës dhe po të jetë problemi do ta shtojmë edhe numrin e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e një rendi publik, siç e meritojnë qytetarët shqiptarë.

Fshati im përbëhet nga rreth dy mijë banorë. Përsa i përket infrastrukturës është 4.5 kilometra rrugë që vetëm qerret mund të kalojnë dhe që është një fshat që lidhet me bregdetin në Kep të Rodonit dhe Gjirin e Lalzit, është në qendër të zonës turistike, por është e palidhur me infrastrukturën. Si çështje të dytë kisha atë të pronave të vjetra. Si nip i të parëve të mi që kam prona të vjetra, kam katër vjet në arshivë, në kadastër për verifikimin e pronave të vjetra. Edhe pse i verifikova, më janë futur dy pronarë të mëdhenj nga Shkodra në pronat e të parëve të mi. Këtë e verifikova kur shkova për aplikim në hipotekë. Si pronar duhet të mohoj të drejtën e pronës sime apo siç thotë malësori, të më pjellë mendja për ekstrem, si duhet të veproj unë të mbroj pronën time?

Kryeministri Berisha: Projekti i rrugës i fshatit Pjesëz ekziston. Ne do ta financojmë e ndërtojmë rrugën. Unë e di ku ndodhet fshati yt dhe është në plan asfaltimi i rrugës dhe do të asfaltohet. Për këtë, t’i garantosh bashkëfshatarët e tu se rrugën do ta bëjmë.

Së dyti për tokën, unë mund të ngarkoj specialistë për të verifikuar dokumentet e palëve. Unë të kuptoj në pretendimin tënd të ligjshëm. Do të bëjmë gjithçka për identifikimin e origjinalitetit të dokumenteve dhe të jesh i sigurt se do të kesh të gjithë mbështetjen që tokën mbi bazën e dokumenteve origjinale ta marrë i zoti.

Unë dua vetëm atë që më takon.

Kryeministri Berisha: Në qoftë se ju keni dokumente origjinale të pronës, ju do të merrni pronën. 

 

Faleminderit. Jeni i vetmi Kryeministër që vjen e dialogun në kuvend të burrave se burrat kur bëjnë kuvend është taman si tradita e shqiptarit.

Jam nga fshati Bizë në kodër, i cili laget nga dy krahët me det, nga Gjiri Lalzit dhe nga Patoku. Nuk e di pse nuk bëhet rruga, por në çdo fushatë hidhet nja dy kamionë me çakëll. Lidhur me tokën, tapitë na i ka dhënë komisioni, por tapia nuk korrespondon me certifikatat, ka një zhvendosje të madhe. Drejtuesit tona kanë ardhur na kanë kërkuar votën, ia kemi dhënë, ndërsa sot, ai i pari që ka qenë, ai që është sot e që do të vijë, se kështu ka qenë, është e do të mbetet, na thotë drejtohuni gjykatës. Para disa kohësh, ju zoti Kryeministër keni thënë pronën do ta marri ai që e punon. I drejtohemi gjykatës, por gjyqtarët e rrethit Durrës janë bërë si Berluskoni, deri sa po arrijmë të shesim gjakun, të fitojmë pronën. E fundit, në jug, ju keni thënë se çdo fshat që lidhet me det, brenda këtij mandati që po mbyllet do bëhet të paktën me çakëll.

Kryeministri Berisha: Së pari lidhur me rrugën, sa banorë ka fshati?

Rreth 700 votues.

Kryeministri Berisha: Parimi i parë që ndjekim është çdo fshat do lidhet me rrugë, i dyti është fillimisht ato që kanë më shumë banorë. Kjo është mënyra si kemi ecur. Kemi ardhur ngaa Bubqi në qendër të komunës, do shkojmë më tutje, do të vijmë edhe në Bizë, por i vetmi kriter është ky që ju thashë, kriteri i banorëve. Por kjo nuk na pengon ta ndërtojmë rrugën dhe absolutisht ajo do të ndërtohet. Së dyti, është shumë e vërtetë, çdo fshat që lidhet me detin në tërësi janë lidhur, janë ndërtuar 504 kilometra rrugë që shkojnë drejt detit dhe në male. Ka ende, jo vetëm fshati juaj, ka zona që po ndërtohen, por ne do t’i ndërtojmë të gjitha. Nëse do të ndërtohet e para ajo apo rruga që ju lidh me qendrën e komunës, kjo do shqyrtohet. Por ne rrugët do t’i ndërtojmë. Ky është zotimi ynë.

Përsa i përket tapive, kur janë ndarë tokat me ligjin 7501, për fatin më të keq, le ta quajmë procesi gjeometrik i kësaj ndarjeje në shumë raste ka qenë jo i saktë dhe kjo ka krijuar këto probleme. Si do të zgjidhet kjo? Ne po bëjmë hartën dixhitale të tokës, e cila do të tregojë qartësisht pozicionin e çdo parcele. Me dy vendime shumë të rëndësishme, ne ju kemi dhënë të gjitha kompetencat kryetarëve të komunave. Do të sjellim edhe hipotekën në komunë, në mënyrë që brenda vitit të verifikojmë e ndajmë tapitë. Ky është vendimi ynë.

Atje ku ne kemi pronat tona, nga relievi që është, kanali i ujërave të larta është thyer në dy vende e na mbyt tokat. Kemi një urë që kalojnë banorët e fshatit e shkojnë në pronat tona, por ura ka kohë që është thyer nga firma që ka shtruar rrugën dhe e ka mbyllur urën me çakëll. Sot, ajo urë është e privatizuar. Edhe të duam ta pastrojmë kanalin, nuk kemi si ta pastrojmë.

Kryeministri Berisha: Do t’i kërkoj prefektit të Durrësit të vijë në vend të shikojë si qëndron problemi. Ndërsa çakllin, nga viti 2005 e këtej e kemi ndaluar si qeveri. Komunat mund ta përdorin, por ne e ndaluam se hidhnin një makinë çakëll dhe regjistronin dhjetë. Paratë avullonin në çakëll. Një nga arsyet që ne asfaltuan rrugët ishte se hoqëm dorë nga çaklli. Kur erdhëm në pushtet, gjetëm qindra e qindra projekte në çakëll, sikur kishin hedhur aq e kaq çakëll, kur në fakt nuk kishin hedhur asgjë, vidhnin paratë dhe i shpallnin çakëll. Kështu që shpëtuam nga çaklli, po bëhen rrugët.   

Jam banues në komunën Maminas e rrjedh nga një familje e shtypur nga ish regjimi. Jam së bashku me fëmijët me teserën e PD-së, por nuk kam gjetur përkrahjen as vetë dhe as bashkëshortja nga dega e PD-së Durrës për punë, qoftë edhe minimale, por më keq e kam parë veten kur djali mbaroi dy shkollë të larta dhe sot është papunë. Kemi trokitur e nuk kemi gjetur përkrahje.

 

Kryeministri Berisha: Kërkesa më e drejtë e njeriut është ajo për punë dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për t’ju mbështetur juve. Të falënderoj për mbështetjen dhe kontributin.

Jam banor i komunës Ishëm. Është nder e privilegj që m’u dha mundësia t’ju bëj një kërkesë të drejtpërdrejtë, si dhe të të presim si kryeministër. Je kryeministri i të gjitha kohërave që ke vizituar komunën tonë. Investimet në këtë komunë kanë qenë të panumërta. Unë kisha një kërkesë për lumin e Ishmit që përshkon disa bashki e komuna. Ky lumë është shumë i ndotur dhe na ndot edhe detin. Kërkojmë të merret ndonjë masë për një impiant pastrimi.

Kryeministri Berisha: Shumë faleminderit edhe për mbështetjen, edhe për çështjen që shtrove. Faktikisht, lumi i Ishmit përbën problemin numër një për detin ku derdhet, pasi ky lumë ka shkarkimin e të gjitha ujërave të zeza të Tiranës. Çdo të bëjmë? Së pari, shumë shpejt Tirana fillon ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza. Në territorin e Tiranës është vendosur e do të zbatohet projekti, me të cilin ujërat e Tiranës do të derdhen në Ishëm të pastra si kristali. Për ta mbrojtur Ishmin nga ujërat e ndotura, përveç Tiranës, do ta shqyrtojmë edhe kërkesën tuaj. Ne kemi një objektiv që në dete të mos derdhet asnjë pikë uji i ndotur dhe jemi shumë afër kësaj. Për Durrësin e bëmë impiantin dhe ai nxjerr ujë të pastër. E inauguruam për Shëngjinin e Lezhën, po e ndërtojmë në Velipojë, e inaugurojmë së shpejti në Vlorë, pra, jemi duke ndërtuar kudo. Impianti i Tiranës është më i kushtueshëm, rreth 100 milionë dollarë, por do e bëjmë. Ishmi do të bëhet një nga lumenjtë më të pastër të Shqipërisë.  Ne jemi shumë të vendosur në pastrimin e ujërave dhe kemi investuar shumë, janë 16 impiante të mëdha përpunimi që janë inauguruar apo do të inaugurohen së shpejti.   

Ju urojmë mirëseardhjen në komunën e Ishmit. Jeni kryeministri më i shquar nga 500 vjet e këndej në Shqipëri. Nuk dua të përsëris fjalët e shokëve të mi dhe të komunë, por punët vazhdojnë, njeriu duhet t’i përmendë edhe punët e mira që ka bërë shteti shqiptar këto tetë vjet. Unë e uroj me gjithë shpirt se është njeriu në udhëheqjen shqiptare, familjari më i nderuar,  njeriu që fjalën që e premton e bën, se të gjitha për një ditë nuk bëhen. Ne jemi ambiciozë për njeriun e ndershëm dhe për ata që punojnë shumë për ndërtimin e Shqipërisë dhe popullin. Megjithatë, i vetmi udhëheqës shqiptar që i ka afruar të gjitha trevat shqiptare me asfalt, kudo ku janë shqiptarët anekënd, se i kemi komshi shqiptarët tanë, por i vetëm udhëheqës që i ka çuar rrugën dhe ta kuptojnë se ç’është demokracia. Demokracia është kuptimplotë, nuk ka luftë në demokraci. Ai që e kupton ia ka çuar rrugën atje. Këto i kemi folur edhe kur nuk ka qenë kryeministri dhe i ka dëgjuar ekipi. Ka një ekip të mirë dhe unë flas për zonën time. Edhe në Tiranë kryeqytet, zona ime me kullim ujërash, ujë të pijshëm dhe ndërrime tubash i bëri kryetari që qe. Për ata janë merita, të mos bëhemi bukëshkalë, me ia harru punën e nderin atij tjetrit. Ne kemi dy liqene që po ta çosh edhe 5 metra lart e kthen në hidrocentral, në ujë të pijshëm dhe për vaditje. Duhet parë kjo se furnizon komplet turizmin. Kryeministri shqiptar me fitoren e tretë do të merret me bujqësinë dhe punësimin. Kjo është fitorja e popullit, hiqni dorë nga ambiciozët, nga ngatërresat, të jemi njerëz që ta vëmë dorën në qafë me pastërti, jo me hile. Atij i them shqiptar i vërtetë. Nga këto shqiptarë të vërtetë, ka bë Zoti emër që ka lindur pas 500 vjetësh një stërnip i Skënderbeut dhe t’i shkojë puna mbarë.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe ju garantoj se do ta shqyrtoj me shumë përparësi problemin e rezervuarit, lartësimit të digës dhe potencialin për të ndërtuar hidrocentral aty, mbi bazën e këshillës së specialistëve. Por nga ajo që thatë, e vërtetë do të merremi fuqimisht me bujqësinë dhe jemi marrë. Kur kemi nisur asfaltimin e rrugëve rurale, ka qenë një nismë pothuaj e pabesueshme që mund t’i dilej dhe ka pasur një mbështetje të paktë, sepse paraardhësit tanë kishin përpunuar një koncept shumë të gabuar që ne nuk investojmë në zonat e asgjësë. Por ky koncept ishte ai i dënimit të shqiptarëve. Ju garantoj se Shqipëria absolutisht kudo nuk ka zona asgjëje. Në Shqipëri mund të mbjellësh, të korrësh, të nxjerrësh të ardhura nga kjo tokë. E kam përsëritur shumë herë dhe e marr si shembull. Në vitin 2005, kur inaugurova në Peqin një copë rrugë nga xhadeja kryesore tek qendra e komunës, i them deputetit përse erdhëm për kaq gjë të vogël dhe ai më tha se ajo ishte e para rrugë që ishte asfaltuar. Nuk kishte asnjë kilometër të asfaltuar, përveç aksit kombëtar. Mbi 60 përqind e buxhetit është investuar në Shqipërinë rurale dhe kjo është absolutisht e drejtë, se pa zhvillimin e Shqipërisë rurale, Shqipëria nuk bëhet vend i zhvilluar. Një fshat që nuk ka rrugë, nuk ka shpresë, njerëzit ikin, nuk kanë pse rrinë aty. Një fshat që nuk ujë, shkolla, përse do t’i mbajë fëmijët aty. Pra, kjo është politikë e drejtë dhe ne do t’i qëndrojmë asaj. Në 4 vitet që vijmë do të bëjmë gjithçka. Ai nga fshati Bizë më tha mua që rruga nuk u ndërtua. Edhe ai ka të drejtë, sepse edhe ai e do rrugën, e do urën, do të shfrytëzojë rrugën që të lidhet me qendrën e komunës. Këto janë kërkesat më normale dhe ne këto do t’i bëjmë.

Nga ky shoku i autobusit që shan, bërtet dhe mohon tërë ditën, një problem duhet ta mbani mend. Ai ka një premtim jashtëzakonisht kërcënues për ju. Ai premton se do të heqë TVSH-në për qumështin, për vezën, për miellin, për vajin, për grurin. Ju jeni të mençur vetë. Në qoftë se hiqet TVSH-ja për këto, çdo prodhues gjigand në Evropë do të sjellë të shesë prodhimet e tij në Shqipëri, pasi këtu hyn pa TVSH. Dhe efekti do të jetë që qumështi i lopëve tuaja do t’ju mbetet në shtëpi, sepse qumështi me gjemi do të vijë shumë lirë; djathi që ju shisni nuk ka më vlerë, sepse djathi që do të vijë me gjemi do të vijë shumë më lirë; gruri që ju mbillni nuk duhet mbjellë më, sepse gruri nga Ukraina, nga Rusia, Kanadaja, etj., ka kosto shumë më të ulët; nuk do të shisni dot vajin e ullinjve tuaj, sepse vaji nga Italia, Spanja dhe Greqia ka kosto më të ulët. Pse ky premtim? Ky premtim ka vetëm një qëllim - të krijohen monopolet e ushqimeve. Ushqimet janë produktet që pasurojnë tregtarët më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo është e njohur. Pra të krijohet grupi i miliarderëve me ushqime. Natyrisht, i gjithë investimi juaj në lopë race, në fabrika bloje, në ulli, investimi që ju bëni për prodhime më të kushtueshme, për të fituar më shumë, kthehet me kokë poshtë.

Cila është zgjidhja? Çfarë bëjmë ne? Ne ju mbështesim juve. Ne kemi rritur rrogat dhe pensionet. Sot rritja e çmimeve është proces i pashmangshëm. Interesi juaj është që rriten çmimet e produkteve bujqësore, por ju blini produkte industriale. Edhe ato rriten dhe në këtë mënyrë kjo kompenson. Ne për të përballuar rritjen e çmimeve kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi rritur me 70-80 përqind pensionet në qytet, kemi mbi dyfishuar rrogat e administratës.

Ai bërtet vazhdimisht, thotë janë rritur çmimet. Po zotëri, në çdo vend që zhvillohet çmimet rriten. Ky është ligj themelor i kapitalizmit. Ajo është një rritje që, kur është rritje normale, nxit ekonominë. Në një ekonomi që nuk rriten çmimet ajo shkon kokëposhtë. Rriten çmimet, ne rrisim dy herë më shumë rrogat. Edhe në qoftë se shohim sot shportën e ushqimeve që përdorim në muaj, me rritjen e rrogës çdo punonjës mund të vendosë në shportë, pavarësisht nga shpenzime të tjera edhe 44 kg ushqime të ndryshme. Kjo është e vërteta dhe kjo është rruga. Rruga nuk është t’jua ulim juve çmimet edhe t’ju dëmtojmë. Rruga është të rrisim rrogat, pensionet, ndihmën ekonomike që prodhimet tuaja të blihen.

E dyta, po kaq e rëndësishme. Pse ndodhi kjo krizë? Kjo krizë ka pasur një nga shkaqet themelore, heqjen dorë nga këto prodhime, injorimi i tyre. Mirëpo në qoftë se largohemi ne nga këto, ta lëmë grurin e me radhë, se do t’i sjellim me tregtarë nga Italia, Serbia, Argjentina, etj., ne shndërrohemi në një republikë shërbimesh, në një republike ku njerëzit varen nga këta furnitorë dhe jo nga muskujt e tyre, jo nga toka e tyre, jo nga biznesi i tyre. Pra absolutisht kjo rrugë është e kundërt me zhvillimin. Zhvillim sjell djersa, sjell puna, sjell prodhimi. Ndaj dhe do të bëjmë gjithçka për të vazhduar të jemi një republike prodhimi. Se prodhojmë, ne ia dolëm ti rezistojmë krizës, ta ruajmë rritjen ekonomike. Se po t’i kthenim në shërbime, edhe ne e pësonim si të tjerët. Ne do të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe më këmbë në tokë është që të prodhojmë sa më shumë, të nxisim sa më shumë prodhimin.

Zoti Kryeministër, unë kam ardhur nga Durrësi apostafat për ju. Të uroj shëndet e mirëseardhje dhe i bëj thirrje fshatarëve të mi që të votojnë Partisë Demokratike, sepse kjo i ka të mirat tona. Unë jam një i persekutuar. Dy letrat e pronës i kam marrë me vështirësi shumë të madhe, nuk kam paguar gjë, i kam marrë me anën tënde edhe të falënderoj njëqind herë. Në ndarjen e tokës kam qenë vetë komisioner. Shkova te kryetari i komunës dhe ai më tha nuk kam gjë në dorë. Më priti mirë. Ne kishim pas për të ndarë 3.5 dynym tokë. Zotërinjtë kryetarë që janë këtu e dinë mirë. Në fund, ky kryetari i ri na solli një shkresë zyrtare dhe thoshte keni për të marrë nga 3 dynym e 500 metër, por ne kemi ndarë 2 dynym e 500 metër. Zoti Kryeministër, si i bëhet kjo? Kanë ndarë mbi 40 hektarë tokë në fermë dhe se kush e ka marrë e di kryetari i komunës. Se atij i kanë thënë emër e mbiemër. Ndërsa unë kam lënë fëmijët pa tokë. Unë i jap me emër, po të doni, se kush është në hipotekë, kush vjedh, kush prish demokracinë. Se kur na zgjodhën në Komisionin e Ndarjes së Tokës, demokrat unë, socialist kryetari i komunës. Ndenjëm 10-12 vjet duke ndarë. Iku Aliu, erdhi Gëzimi. Iku Gëzimi erdhi ai Kërtusha. Me keq, shitën bregun e detit. Ndërsa unë si familje kam ende tokë për të marrë. E kam hedhur nëpër gjykata, më kanë dhënë të drejtën e pronës. Plus, një tjetër e ka hedhur përsëdyti, më takon thotë. A durohet kështu? Ilir Meta është në tokën time. I thash je komshi me mua, ku e gjete? I kam mbjellë unë ato pisha. Tjetër, kam leje për gjueti. Erdha të gjuaj në fshat dhe gjithë kalamajtë e fshatit ishin duke më vrarë me pushkë. Ika, nuk gjuajta. Sa i përket tokës, unë dua të interesohesh, kam për të marrë edhe 14 dynym. Unë vetë e di kush e ka marrë, kush e ka shitur, të gjitha. Edhe njëherë i bëj thirrje popullit tim, miqve dhe shokëve të mi, të votojnë 44-ën, se ajo është rruga jonë e mbarë. Ta votojmë, se ky Kryeministër mbi të gjitha është i ndershëm.

Kryeministri Berisha: Edhe unë të shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen dhe për çështjet që ngrite. Unë të garantoj që do merremi me to. Mua më vjen mirë që ti ke marrë një përgjigje pozitive, por shumë e rëndësishme është që ju paraqisni këtu problem shumë serioze, të vërteta, zgjidhja e të cilave ndryshon shumë më për mirë situatën. Ka anën e saj që këto nuk janë zgjidhur mirë, por është jashtëzakonisht frymëzues besimi juaj në zgjidhjen e tyre. Unë po marr rastin e zotërisë nga Rubjeka që më tha se i ka dy fëmijët pa punë dhe nuk e gjen kontributin e tij të shpërblyer. Përsëri ka diçka, ka besimin se ne krijojmë vende pune. Premtimi i tij (Ramës) me taksën e lartë është vetëm shkatërrim vendesh pune. Uroj e shpresoj që çdo i papunë ta mbajë besimin. Unë nuk mund t’i mburrem kurrë atij sot, derisa ai është i papunë. Vetëm se nuk e them unë, por e tha Komisioni Evropian një muaj më parë, Banka Botërore, etj., që Shqipëria në katër vendet e vetme që kishin rritje ekonomike ishte e vetmja që kishte ulur papunësinë në këtë kohë të vështirë. Kjo do të thotë që masat që kemi vendosur kanë mbrojtur vendet e punës, kanë krijuar vende të reja pune. Tek ne ka shpresë.

Çfarë ofron alternativa tjetër? Absolutisht të kundërtën, rritjen e taksave. Ka një dallim të madh. Po të jetë problemi midis parave tek ju dhe tek shteti, ato janë më të dobishme tek ju. Nëse i keni ju tuajat, ju investoni, punësoni. Ndaj dhe ne mbajmë taksa të ulëta. E theksoj këtë, sepse mbetem jashtëzakonisht mirënjohës ndaj jush. Ju shprehni besim dhe unë ju garantoj se do bëjmë gjithçka që mos të zhgënjeheni. Ne do të bëjmë gjithçka për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Mirëserdhe për herë të dytë në Ishëm. Ju ishin pak kohë më parë në 100 vjetorin e Shkollës. Shkolla e Ishmit sot është Shkollë e Mesme e Bashkuar dhe ka një rritje prej 12 maturantësh. Në qoftë se vjet shteti dha 12 bursa për të vazhduar shkollën e lartë, dje një grup maturantësh më thanë a do të na ndihmojë shtetin vitin e ardhshëm me bursa për të vazhduar shkollën e lartë? Jo vetëm kishin mesatare mbi 9.5, por ndoshta nuk kishin mundësi të paguanin bursën. I thashë që nesër do të jem bashkë me Kryeministrin dhe do t’ia shtroj këtë kërkesë. A do të ketë mundësi nga ana juaj t’ia shtojmë numrin e bursave këtyre maturantëve këtë vit?

Kryeministri Berisha: Absolutisht do ta shoh me shumë përparësi. Ti premtojua dhe atyre do t’ua bëjmë. Ata shkollë po kërkojnë.

Gjimnazet po zvogëlohen dhe po zëvendësohen me shkolla profesionale, njësoj si në Gjermani. Unë mendoj që në shkollën time të hapet dhe një klasë me drejtim bujqësor, blegtoral, turizëm-hoteleri, në mënyrë që shkolla ime ti ofrohet bregdetit të Ishmit që një mrekulli natyrore, Zoti e ka falur. Unë vazhdimisht takoj me elektoratin e zonës time dhe i rri shumë afër. Këtu kam një qytetar që 20 vjet voton vetëm Partinë Demokratike, ka ardhur nga ka ardhur dhe më kërkoi një zonë të lirë për të ndërtuar një shtëpi. I thashë hajde shkojmë takojmë Kryeministrin. A mund ti shihet mundësia këtij qytetari, në mënyrë që të ketë një sipërfaqe që ta ndërtojë një shtëpi në zonën tonë?

Kryeministri Berisha: Drejtor, lidhur me bursat u morëm vesh. Sa i përket shkollës, dje të njëjtin problem më ka ngritur drejtori i shkollës së mesme Velipojës. Absolutisht do t’jua bëjmë të mundur. Mesa di unë ligji i ri i arsimit para-universitar ua lejon plotësisht, por edhe nëse ka pengesë ligjore, e shoh që është e domosdoshme. Kjo është kërkesë shumë e drejtë. Se çfarë ka ndodhur? Sot ka një përpjekje të fuqishme në bujqësi që nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë, për të ndërtuar ferma të mira. Kudo që shkoj unë shoh se kërkohet domosdoshmërish dije, mendje, përgatitje. Ne do ta bëjmë patjetër.

Lidhur me Nikën, kjo është kompetencë e plotë, ekskluzive e kryetarit të komunës dhe kryetari i komunës të bisedojë me të. Ai po kërkon diçka shumë normale. Unë për këtë do të ngarkoj edhe Prefektin.

Zoti Kryeministër, dua të nxjerr në pah punën e shkëlqyer tuajën dhe të qeverisë tuaj në drejtim të ndërtimit të rrugëve, ujit, dritave dhe në veçanti bujqësisë. Unë jam një fermer nga ish N.B Sukth. Qeveria me ju në krye është e vetmja qeveri i ka dhënë dorën fermerit shqiptar, e ka nxjerrë nga një batak që kish mbetur, duke dhënë në mënyrë direkte investime për t’i dhënë një shtytje zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri. Subvencioni është dhënë pa të voglin korrupsion, se paratë janë marrë direkt në bankë. Unë jam një prej përfituesve nga subvencionet. Këto janë rezultate të shkëlqyera që ne po i prekim. Ju i keni dhënë kujdes të veçantë bujqësisë, truizmit, infrastrukturës. Ne të zonës së Sukthit kemi problem hipotekimin e tokës, sepse ajo duhet të kalojë në shit-blerje për ta përdorur fermeri, qoftë edhe si kolateral. Se dyti, kullimi para vaditjes. Nëse bimët që mbjellim në mars i mbyt uji, ne nuk kemi çfarë vadisim në korrik. Këto janë dy problemet tona. Ju falënderoj shumë. Ju do të jeni Kryeministër edhe për 4 vitet e ardhshme.

Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj se hipotekimi do të përfundojë. Ne do të sjellim zyrat e hipotekat pranë komunave dhe do të bëjmë gjithçka për ta përfunduar brenda këtij viti. Brenda këtij viti ne përfundojmë hartën dixhitale të tokës. Ajo është forma më e saktë e regjistrit të tokës, kufijve të saj. Ne prej një viti po punojmë me kompani të mëdha ndërkombëtare dhe harta dixhitale e tokës është përgjigja më e shkëlqyer ndaj çdo mbivendosje dhe çdo keqkuptimi. Së dyti, jam absolutisht dakord me ju se problemi më i mprehtë është kullimi. Kjo problematikë më është ngritur në disa takime. Ne do të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar dhe forcuar këtë komponent si elementi më thelbësor edhe më pas vaditja. Ky është premtimi im.

Përshëndetje nga e gjithë zona e Ishmit. Unë kam 20 vjet që votoj Partinë Demokratike, se nuk kam besë te socialistet. Nga kryetar bashkie do të bëhet kryeministër. Do gjeneral përnjëherë, por nuk ka gjeneral përnjëherë. Unë kam shqetësim çështjen e rendit. Lerë bujqësinë. Nga kalldrëm e baltë dhe e bëre lule Shqipërinë. Je i vetmi Kryeministër dhe rrofsh, Skënderbeu i II-të. Këtu e ka pas Skënderbeu Kalanë, në Rodon. Se tokat që kur u prish sistemi nuk kanë kanalizime. Ne kemi rezervuari, ka ujë për të na mbytur, por është kot. Për këtë nuk ke faj ti, ka deputeti. Se deputeti një herë në tre muaj të vijë të bisedojë me fshatarët, të shohë ku i kemi hallet. Unë kisha shqetësim çështjen e rendit, mundësisht të mos bashkëpunojnë me hajdutët. Se ka nisur vjedhje në masë në popull. Katër krerë lopë i kanë vjedhur një bashkëfshatarit tim në Lalz. Lerë që nuk po lënë as bidona rakie e asgjë. Rrofsh e qofsh 100 vjet ishalla.

Kryeministri Berisha: Unë dua t’ju premtoj këtu se ashtu siç zhdukëm bandat që kontrollonin Tiranën, Durrësin, Lushnjën dhe shumë zona të vendit, ne do të bëjmë çdo reformë dhe çdo përpjekje, ndonëse ato kanë qenë shumë më të vështira. Kjo do të marrë përgjigjen më të shpejtë me një reformë të plotë dhe të mirë të sistemit të garantimit të ligjit edhe zbatimit të ligjit. Ky është premtimi im për ju dhe të gjithë shqiptarët.

Zoti Kryeministër, pas gjithë të mirave që keni bërë për Ishmin dua të bëj një kërkesë, pasi e di që do të jeni sërish Kryeministër i Shqipërisë. A ka ndonjë projekt për zhvillimin e aktiviteteve sportive në Ishëm dhe kështu rinia e Ishmit ka mundësi të zhvillohet, kanë mundësi të shfaqin edhe talentet e tyre.

Kryeministri Berisha: Të falënderoj shumë. Sa vjeç je?

-18 vjeç!

Kryeministri Berisha: Gëzohem. Vota jote është mesazhi më i mirë.

-Sigurisht, do të votoj për Partinë Demokratike.

Kryeministri Berisha: Projekti ynë për katër vitet që vijnë është që në çdo komunë të ndërtojmë terrenet sportive, në çdo shkollë do të ndërtojmë palestra.

E falënderojmë Kryeministrin Berisha që mori pjesë në këtë takim me banorët e Ishmit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Ju falënderoj edhe unë me gjithë zemër për këtë pritje vëllazërore, për këtë shtrim të hapur dhe të përgjegjshëm të të gjithë problematikës që ju shqetëson. Kjo është një mbështetje e madhe për mua. Ju garantoj se do të bëj gjithçka për zgjidhjen e tyre.

Fitore!”


11/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave