Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Bashkėbisedim i Kryeministrit Berisha me qytetarė tė Velipojės, Shkodėr
 
“Së pari dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj sot këtu, për mbështetjen tuaj dhe t’ju ftoj të shprehni haptas çdo mendim, çdo sugjerim dhe kritikë për çdo problem që ju keni, që besoni se ka një rrugë më të mirë zgjidhje edhe duam ta zgjidhim sa më shpejtë.

Në këto pak vite ne ia kemi dalë sëbashku të shndërrojmë turizmin në një degë kryesore të ekonomisë sonë. Ne erdhëm nga një vend i panjohur në rrafshin turistik. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë gjithsej që merrnim në vitin 2004, ne vitin e kaluar morëm 4.7 milionë turistë dhe vizitorë, por duhet ta dyfishojmë turizmin gjatë 4 viteve që vijnë. Në sektorin e turizmit sot janë të punësuar direkt rreth 150 mijë qytetarë shqiptarë, por potenciali për punësim të mëtejshëm është shumë i madh.

Ne po ndërtojmë dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne në rrugë, ujësjellës, kanalizime, në të gjitha brigjet e deteve dhe liqeneve tanë. Vetëm rrugët që zbresin nga boshtet kombëtare të rrugëve drejt detit dhe që shkojnë drejt maleve janë 504 kilometra, të gjitha të ndërtuara nga fillimi.

Ne jemi të vendosur të investojmë në infrastrukturën turistike me përparësi absolute. Ne këtë vit vendosim për përgjysmimin e të gjitha taksave për operatorët dhe industrinë turistike, çka do të thotë mundësi shumë më e madhe investimesh nga këto kompani. Ne kemi vendosur që në 4 vitet që vijnë të kontraktojmë kompanitë më serioze të botës, në mënyrë që për disa zona të caktuara të bëjnë vetë projektet e zhvillimeve më të fuqishme të tyre dhe t’i paraqesin në tregun ndërkombëtar. Velipoja, në mënyrë të veçantë, përbën një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar.

Të dashur miq,

Ne inauguruam sot rrugën Baks – Rrioll, me gjatësi 8.4 kilometër, por që dyfishon plazhin e Velipojës. Kjo rrugë do të shkojë shumë shpejt drejt Shëngjinit. Unë jam këtu për t’u zotuar se krahas lidhjes me Shëngjinin, e cila shkurton distancën Tiranë-Velipojë me 40 kilometër, do të ndërtojmë edhe rrugën Torovicë - Velipojë dhe Velipojën do ta bëjmë që të lidhet në të katër anët me vendin. Ju jeni dëshmitarë se ne po ndërtojmë në qytet një infrastrukturë moderne, bulevarde dhe shëtitore të denja për çdo qytet të çdo vendi të zhvilluar. Projekti më i madh do të jetë projekti Shëngjin – Velipojë - Ulqin, të cilin ne do ta bëjmë realitet në vitet që vijnë.

Unë isha në Sarandë. Atje bëra një takim me qytetarë, fermerë dhe biznesmenë. Një prej tyre më tha – zoti Berisha, ne jemi një rreth shumë i fuqishëm bujqësor. Edhe ashtu është. Edhe ju, Velipoja, jeni një zonë e fuqishme bujqësore dhe ne do të bëjmë gjithçka për suksesin e fermave tuaja. Ne do të subvencionojmë projektet tuaja. Ne kemi subvencionuar 45 mijë projekte në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë. Unë ju garantoj se do të trefishojmë këtë financim.

Duke ardhur për këtu pashë rrugës tokë që punohej me traktor. Ne do t’ju financojmë juve akcizën e naftës me para në dorë. Ne do t’ju japim në dorë paratë e TVSH-së, në qoftë se blini traktorë apo mjete të tjera, do t’ju japim në dorë paratë e TVSH-së për plehrat kimike, fidanët dhe gjithçka që ju përdorni për prodhimin në bujqësi, në blegtori e kudo.

Këtu ka pasur probleme me përmbytjen. Unë qëndroj garant i juaji se do të paguhet çdo gjë, veçse kërkoj mirëkuptim nga ju. Ato nuk ua paguan qeveria dhe nuk keni pse t’ia dini për nder. Juve ua paguan ligji. Ne kemi bërë ligjin që çdo metër katror që përmbytet nga digat do të paguhet nga pronari i digave. Ne qëndrojmë garantët tuaj. Kjo do të zbatohet. Nuk u zbatua dot një vit e gjysmë, sepse borxhliu ishte në gjendje shumë të vështirë. KESH-i ishte pothuajse në prag falimentimi për shkak të ujërave. Ndërsa tani është në gjendje të mirë dhe do ta shpërbleje qindarkë për qindarkë të gjithë detyrimin. Qeveria nuk i merr ato para, por qeveria i thotë shlyej një herë borxhet, pastaj na i jep ne.

Kjo është alternativa jonë. Alternativë jonë bazohet në djersën tuaj, në besimin që kemi te forca juaj për të zhvilluar biznesin, besimin që kemi te forca juaj për të zhvilluar fermat, besimin që kemi te përpjekja juaj për të ndërtuar një jetë më të mirë çdo ditë. Këto ditë keni pasur ndërprerje energjie dhe ka pasur qytetarë që janë mërzitur. Velipoja po bëhet me linjën 35 kilovolt. Në të janë bërë investime të mëdha. Këtu popullsia tre-katërfishohet gjatë verës, tre-katërfishohet pajisjet dhe gjithçka edhe duhet energji që të mjaftoheni. Ne tani shumëfishuam furnizimin tuaj me energji. Këtë e kemi bërë në të gjithë bregdetin dhe po bëjmë gjithçka për kushtet më të mira që ju të prisni sa më mirë turistët edhe vizitorët tuaj.

Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është alternativa e nxirjes së çdo pike djerse që ju derdhni. Pse e them unë këtë? Unë e them, sepse nuk ka shqiptar që i thotë vetes shqiptar dhe nuk konstaton se janë bërë ndryshime të mëdha. Sot çdo shqiptar që niset nga Hani i Hotit, zbret në Konispol në rrugë të re. Nuk ka shqiptar që nuk sheh qindra mijëra vila të ndërtuara, sa mendon se ku je. Unë isha në Malësi të Madhe dhe me treguan një histori shumë të bukur. Kishte ardhur një grup nga Zvicra për të ndihmuar në atë zonë. Ata kishin hyrë në rrugën për në Malësi të Madhe dhe kishin thënë- çfarë ndihme t’i japim ne këtyre?

Pra ka një zhvillim të pamohueshëm. Ka probleme, ka njerëz me halle, ka të papunë, ka njerëz që vuajnë, këto janë të vërteta, por nuk mund të nxijnë kurrë lumenjtë e djersës që ju keni derdhur për një jetë më të mirë dhe një Shqipëri më të mirë. Ne sot jemi në NATO, sot lëvizim të lirë, po ecim drejt Bashkimit Evropian dhe po bëjmë gjithçka për zhvillim. Po bëjmë gjithçka që pasuritë tona t’i shndërrojmë në vlera për qytetarët; plazhet tona të prodhojnë të ardhura për qytetarët tanë; ujërat tona të prodhojnë energji për qytetarët; rrugët tona t’i shërbejnë tregut dhe t’u kursejnë qytetarëve tanë kohën.

Shoku i autobusit thotë se jemi në mesjetë. Ai thotë kjo është mesjetë. Ai thotë se Shkodra ka 3 orë ujë, në një kohë kur Shkodra ka 24 orë ujë. Shoku i autobusit thotë se gjithçka është në rrënim, sepse ai edhe ëndrrat, jo vetëm ato brenda autobusit mavi, i sheh të gjitha drama, rrënime, shkatërrime. Këto janë probleme të tij të brendshme dhe nuk janë tonat.

Ne kemi vështirësi, por po ndërtojmë. Secili nga ne ndërton dhe përpiqet të vërë një tullë për një jetë më të mirë. Ndaj ta lëmë atë të shohë ëndrra të sëmura, të bëjë ç’të dojë. Ne të ecim përpara.

Dua t’i kërkoj një gjë kryetarit të bashkisë së Elbasanit, por nuk shkojnë më. Se ai e çoi njëherë në një fallxhore në Librazhd dhe ajo i tha që do humbësh edhe u prish me të. I them ta çojë diku tjetër, ti heqë ëndrrat e sëmura. Se nga autobusi nuk del dot ai. Ai nga autobusi do të dalë pas datës 23.

Faleminderit!

***

Zoti Kryeministër mirëserdhe në Velipojë. Të jemi shumë mirënjohës për çfarë keni bërë për ne. Ai që ka sy në ballë i sheh. Një është i qorruar krejt dhe ai është Edi Rama. Është edhe një tjetër që i shkon pas çdo ditë, por ishalla atë se lënë sytë fare. Kam një pyetje. Kjo sipërfaqe ku ne jemi sot është prona e gjyshit tim, familjes time, e njohur edhe me një dokument të pronësisë së vitit ‘96. Janë 120 700 metër tokë të njohur nga qeveria. Por këtu është investuar, janë bërë lulishte, etj., dhe nuk kemi kundërshtuar. Edhe sa ditë do të shkojnë që unë të eci lirisht në pronën, të cilën ma kanë lënë të parët e mi?

Kryeministri Berisha: Çështja e pronës është absolutisht një çështje themelore dhe e drejtë për çdo njeri. Toka që nga bashkitë shndërrohet në lulishte dhe kjo nuk mund të them se ndodh në të gjithë botën, por atij që i merret toka për lulishte i paguhet çdo qindarkë për truallin që i është marrë. Ky është ligji ynë. Unë të garantoj se ky ligj do të zbatohet. Këtu ka një gjë shumë të rëndësishme, plani urbanistik. Tirana e përfundoi planin urbanistik. Cila është ana më e drejtë e atij plani? Ne këtë plan e quajmë Kushtetutë të Qyteteve, sepse nuk ka gjë më themelore se prona. Në këtë plan nuk ka rëndësi fare se hynë tokën tënde, ndërtohet apo jo pallati. Ai që ndërton pallatin merr disa të ardhura dhe ato do t’i ndajë me ty, do t’i ndajë me tokën tjetër që mbetet lulishte, bëhet parkim apo mbetet mjedis i pallatit. Ky është ligji më i dejtë. Ky quhet Ligji i Zhvillimit të Drejtë të Pronës. Unë ju garantoj se kjo do të vendoset në çdo qytet. Se është fatkeqësi e madhe që këtu në truallin tim ndërtohet një pallat e bëhem milioner, ndërsa ky ngjitur me mua mbetet duarbosh, sepse atë nuk e lejon më hija e pallatit tim për të ndërtuar aty. Pra do të ketë një trajtim të tillë në tërësi.

Çfarë do të bëhet me pronat që janë bërë lulishte? Ato ose do kompensohet me para ose me truall mbi bazën e koeficientëve të caktuar. Nga ju edhe të gjithë pronarët kërkoj një mirëkuptim. Çdo njeri ka të drejtë absolute të kërkojë të drejtën e tij. Ne jo vetëm e kemi njohur këtë, por kemi përcaktuar rrugën maksimale të kompensimit të pronës. Ne kemi përcaktuar vlerën e tregut. Pse ua them këtë? Unë ua them, sepse në shumë vende nuk kanë ndjekur këtë rrugë, por rrugën simbolike të kthimit të pronës. Ka edhe shumë vendime nga Gjykata e Strasburgut. Kjo që ne kemi zgjedhur është më e ndershmja. Kjo ka diçka, çfarë do që të bësh nuk arrin ti kompensosh pronarët në kohën që ata duan të kompensohen. Por kjo është rrugë e sigurt, sepse vendi shkon në mënyrë të padiskutueshme duke krijuar pasuri të reja edhe shtetit është gjithnjë e më i mundshëm të shlyejë borxhin e tij ndaj pronarëve. Unë ndjej dhimbje reale për këtë. Shpesh marr letra nga miq të mi, të cilët më thonë se kanë një hall të madh. Edhe ata kanë hall të madh, por rruga që ne kemi zgjedhur nuk të jep mundësi tjetër.

E njëjta gjë është me të përndjekurit. Unë kam ndjeshmëri shumë të madhe ndaj tyre, por kemi zgjedhur rrugën e kompensimit më maksimal. Kjo është e drejta dhe kështu duhet. Po ta bëjmë që ti shpërblejmë më pak, do t’i ofendonim ata. Unë jam interesuar këto kohë edhe për ndryshimet ligjore që duhen bërë edhe me to shtohen 8 mijë dosje. Pra ne i qëndrojmë të drejtës ashtu siç është. Ne do të bëjmë gjithçka për kompensimin sa më të shpejtë të mundshme të pronarëve dhe të të përndjekurve politikë.

Kuptohet që ndryshime shihen. Ju falënderoj që na keni sjellë këtu si deputet Gjok Uldedën. Ne Ulqinin e kemi shumë afër dhe në qoftë se ju na lidhni me Ulqinin, atëherë Velipoja nuk ecën, por fluturon, turizmi zhvillohet. Të uroj jetë të gjatë dhe një mandat më të suksesshëm se këta dy të parët.

Kryeministri Berisha: Unë të siguroj se lidhja me Ulqinin përbën përparësi madhore që qeverisë në 4 vitet që vijnë. Duhet një urë. Se rruga nuk është problem, por një urë duhet.

Unë jam pensionist. Ne vuajmë për një plazh publik. Nga 15 qershori deri në 31 gusht vija e bregut të detit zihet me shezllone private. Kur duhet të kalojmë në rrugët e tyre për të shkuar në det, ata nuk na lejojnë se janë duke e privatizuar edhe detin. Ne jemi pensionistë dhe nuk mundemi të paguajmë shezllonin 20 euro, 10 euro, 15 euro. Të lutem shumë, vër dorë mbi këtë punë. Ne çdo vit na e premtojnë.

Kryeministri Berisha: Unë do ta shoh me përparësi këtë problem.

Faleminderit shumë! Unë kam 20 vjet që kam dalë në pension dhe ju si Kryeministër na i jepni ilaçet pa para, ndërsa këta duan të na japin shezllonin me 20 euro.

Kryeministri Berisha: Një gjë të këshilloj, në qoftë se vjen shoku i autobusit këtu, mos ia thuaj këtë të ilaçeve pa para, sepse e sëmure fare. Ai po e dëgjoj këtë do sëmurët. Edhe do të të nxjerrë jashtë.

Unë jetoj në Velipojë. Ju në Parlament aprovuat që ligji 7501 të zbatohet në një kohë sa më të shpejtë dhe udhëzuat pushtetin lokal për zbatimin e këtij ligji. Kërkesa ime e parë është kur do zbatohet ligji? Së dyti, ju në një takim me banorë disa javë më parë thatë se në çdo qendër komunë do të ndërtojmë në hipotekë edhe letrat tuaja nuk do të kalojnë në prefekturë, as kadastër. A do të zbatohet ky premtim juaji? Se ju jeni një burrë që i mbani premtimet. Së treti, komisionerët e asaj kohe që ndanë pronat ishin pa përvojë, pa shkollë dhe bënë shumë gabime. Ka probleme. Në vend që ta bënin arë, e kanë bërë livadh. Kanë bërë shumë ngatërresa. Së fundmi i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që më 23 qershor të votojnë Partinë Demokratike dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Kryeministri Berisha: Unë të falënderoj shumë ty, sepse ke ngritur një problem shumë të rëndësishëm. Duke parë të gjithë kompleksitetin dhe ngadalësinë e pajustifikueshme të pajisjes tuaj me tapi për tokën e dhënë mbi bazën e ligjit 7501, ne ndërmorëm një hap të ri. Ne me 2-3 vendime qeverie e kaluam këtë tërësisht në kompetencë të komunave. Dhe cila është ajo që po gjej? Unë isha në Hajmel. Kryetari i komunës më tha që jam në rregull dhe na ke dhënë të gjitha mundësitë që t’i japim përgjigje përfundimtare problemeve. Unë isha në një zonë tjetër, në Dumre, ku kryetari i komunës më tha se ka disa probleme me këto 2 vendime që krijojnë zvarritje në marrëdhëniet kryetar komune - prefekt, kryetar komune - kryetar qarku. Shoh që vendimet kanë një qëndrim shumë të drejtë. Me to ju mund të pajiseni me tapi brenda këtij viti. Po ka shumë mundësi që ata të kenë nevojë dhe të bëjnë një seminar me të gjithë kryetarët e komunave.

E dyta, në rast se ka ndonjë që krijon ngadalësi, ne nuk jemi për ngadalësi, por për shpejtësi. Me këto vendime nuk i është dhënë ende përgjigje kalimi i hipotekës te komunat. Kjo, sepse hipoteka në këtë periudhë është e angazhuar në tërësi me regjistrin elektronik të tokës, i cili ka lidhje me çështjen tjetër të drejtë që shtruat ju, kur thatë se matjet nuk janë bërë mirë, se parcelat nuk dalin siç janë. Ne po bëjmë regjistrin më të saktë të tokës, i cili do të përjashtojë çdo mbivendosje. Për shkak të atyre dokumenteve ti shkon të regjistrosh tokën, vjen  regjistruesi dhe sipas dokumenteve toka të del në një vend tjetër. Dhe kjo për gabimet që janë bërë. Kjo do të marrë përgjigje brenda këtij viti. Ne do të kompletojmë regjistrin dixhital të tokës. Ne pas zgjedhjeve do të bëjmë vendimin për decentralizimin e zyrës së pasurisë dhe për një periudhë të caktuar ajo do të qëndrojë në komuna. Pasi të sistemohet, ajo zyrë nuk ka më nevojë që të qëndrojë aty. Por për 1 ose 2 vjet të qëndrojë pjesë e organikës së kryetarit të komunës.

Përshëndetje z. kryeministër. Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve është duke u bërë por neve na duket i ngadaltë, si do të jetë zgjidhja?

Përse nuk u dekretua ligji i lustracionit, sepse të gjithë ata njerëz që na persekutuan sot ndoshta janë në qeveri edhe pranë teje?

Përse nuk i hiqen dekoratat Enver Hoxhës, që e çoi vendin në këtë gjendje?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për pyetjet. Ke absolutisht të drejtë, që dëmshpërblimi mund dhe duhet të jetë më i shpejtë dhe do të bëjmë gjithçka për ta shpejtuar. Por ka dy gjëra dhe unë kërkoj mirëkuptim. Çfarë ka ndodhur në këtë ligj? Ky ligj ka ardhur duke u plotësuar vazhdimisht. Edhe tani janë 8 mijë emra të rinj, të cilët duhet të futen në proces dhe është shumë e drejtë  të futen, pritet të mblidhet parlamenti për të amenduar  ligjin dhe për ti futur ata. Megjithëkëtë unë besoj se puna e bërë deri më tani dhe përfshirja e këtyre 8 mijëve krijon baza ligjore më të plota për shpejtimin më të madh të këtij procesi. Sëbashku me të përndjekurit politik, unë kam bërë shumë takime para vitit 2005 dhe në vitin 2005 dhe unë kam plotësuar pikë për pikë kërkesën e tyre dhe e kam quajtur të drejtë. Në çfarë kuptimi. Vendet e tjera kanë përdorur praktika krejt të tjera. Disa prej këtyre vendeve ju kanë lidhur një pension të mirë dhe kaq. Të tjera ju kanë bërë një dëmshpërblim simbolik , ne kemi vendosur dëmshpërblim të plotë dhe kështu duhet. Kjo kërkon vetëm një gjë. Durimin e atyre që dëmshpërblehen, sepse natyrisht është e pamundur pavarësisht dëshirës, që kjo të bëhet në mënyrë më të shpejtë. Por, ligji përcakton ‘17 si afat dhe  unë të premtoj se do të bëj gjithçka për ti qëndruar atij afati.

Ligji i lustracionit. Ne jemi i vetmi vend ish komunist, që bëmë jo vetëm ligjin e lustracionit, por ne bëmë ligjin e gjenocidit për dënimin e krimeve kundër njerëzimit të sistemit komunist dhe ai ligj është në fuqi. Ai ligj krijoi shumë zhurmë në Europë, por e kam mbrojtur me të drejtë. Me fakte se në Shqipëri ishte kryer gjenocid dhe nëqoftëse ishte kryer gjenocid, nuk ka pse të mos e quanim gjenocid, sepse më kërkonin llogari pse e quajte gjenocid. E quajta, sepse ishte dhe jepja fakte e dosje. Ligji është në fuqi. U dënuan me atë ligj 73 ish-anëtarë të  nomeklaturës, por problemi është se me cilën drejtësi u dënuan.  U dënuan me drejtësinë e asaj kohe, po të më pyesësh sot, cila do të kishte qene rruga? Rruga nuk do të kishte qene jo ajo që zgjodhëm ne. Rruga do të kishte qenë drejtësia ndërkombëtare, që këta ti merrje e ti çoje në Hagë me dosje, sepse krim kundër njerëzimit ishte ai, të firmosësh ti ekzekutimin e 27 intelektualëve pasi ishin ekzekutuar pa gjyq. Genocid kulturor ishte të marrësh dhe të rrafshosh Kisha e Xhami. Apo të zvarrisësh në ’90 njerëz në qytete si në Shkodër , Sarandë e qytete të tjera. Këto janë krime kundër njerëzimit, ka konventa për këtë dhe jo se e them unë. Më vonë filloi gjykata ndërkombëtare. Por a do të pranonte e majta evropiane, që këto raste të shkonin në Gjykatën ndërkombëtare? Kurrë jo. Nuk do të pranonin.  Erdhëm në pushtet në 2005, e kthyem prapë ligjin, u ngritën fuqishëm kundër nesh, pesë gjykatës që i kishin dosjet deri në tavan, me gjykimi kundër qytetarëve për bindje politike dhe e rrezuan ligjin. Ishte Gjykata Kushtetuese. Nuk është se ne nuk bëmë përpjekje, ne bëmë përpjekjet më të jashtëzakonshme, por problemi është se në këtë sistem , ajo  që quhet ndarje dhe balancë e pushteteve ka efektet e veta. E bllokoi sistemi i drejtësisë, shkoi dhe mori një mendim në Komisionin e Venecias dhe ato i dhanë të drejte gjykatës.  Ne e bëmë ligjin për së dyti dhe e bëmë shumë të mirë, por na e rrëzoi gjykata.

Për dekoratat. Shumicën e atyre që ishin gjallë ne i çuma në gjykatë për krime kundër njerëzimit. Unë di se ka një vendim parlamenti që jua heq të gjithave, por nuk jam i sigurtë. Di që ka një rezolutë parlamenti që jua heq të gjitha.

- Përshëndetje. Vij nga emigracioni, dhe dëgjova me vëmendjen përgjigjen për ish të përndjekurit. Por të shohësh në politikë Gramoz Ruçin, që ka vrarë kjo është e rëndë. Nuk them ta vrasim se ne jemi burra dhe dimë të falim, por të dënohet.

Kryeministri Berisha: E vërteta është se nuk ishte e suksesshme përpjekja jonë, që ne bëmë dhe jo vetëm që nuk gjeti mbështetje, por gjeti kundërshti, nga Komisioni i Venecias gjeti edhe nga Gjykata Ndërkombëtare. Ligji është në fuqi, por problemi është se me çfarë kam parë unë këto vite, përgjigja më e mirë do të ishte Gjykata Ndërkombëtare, sepse Gjykata Ndërkombëtare do të jepte vendime të besueshme të pa qortueshme. Gjykatat e vendit dështuan, ne i provuam dhe kjo është e vërtetë.

-Përshëndetje. Ne kemi shqetësim legalizimet, të cilat nuk janë kryer akoma në zonën e Velipojës, akoma nuk kemi një dokument apo tapi për ta pasur në xhep?

-Për infrastrukturën ka filluar, por duam që ne të punojmë 12 muaj e vitit dhe jo vetëm dy mua. Problem është uji i pijshme, i cili ka ardhur në Velipojë, por për mungesë infrastrukture nuk ka shkuar në çdo objekt dhe nuk është kryer puna plotësisht. Po kështu edhe me dritat kemi pasur problem, e cila vjen pas rritjes së ngarkesës. Pasi turisti kërkon kushtet?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për çështjet që ngrite. Lidhur me legalizimet. Edhe këtu ne po i decentralizojmë, d.m.th ne do ti sjellim drejtoritë e legalizimeve pranë pushteti vendor. E bëmë në Tiranë dhe po shpejtohet, do ta bëjmë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo në mënyrë absolute do ta përshpejtoje në mënyrë të jashtëzakonshme procesin. Përsa i përket ujit. Ne kemi investuar në ujë dhe kanalizime 9 milion euro në Velipojë, do të vazhdojmë investimin, derisa Velipoja në çdo skaj të saj në të gjitha zonat  të ketë ujë 24 orë dhe ujësjellësin e kemi ndërtuar. Sikundër po ndërtojmë impiantin për ujërat e zeza, faza e parë ka përfunduar dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e tij. Për dritat. Tani Velipoja është me 35 kv, pra është përmirësuar cilësia dhe do të ketë krejtësisht furnizim tjetër. Por sepse u bë tani? Siç e di CEZ falimentoi dhe nuk bënë investime. Administrimi i ri nisi menjëherë rimëkëmbjen e sipërmarrjes dhe përparësinë më absolute përcaktoi vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil. Dhe ne Velipoje do të mbarojë, sepse një qytetar i Velipojës me sms mu ankua sesa orë rrinit pa drita dhe unë kërkova shpjegime dhe shpjegimet qenë këto se është jetike për ta për sezonin turistik. Ju vërtet keni tani turistë, por do të keni shumëfishin në korrik dhe në gusht dhe duhet të kesh kushte më të mira. Do të bëjmë përgjysmimin e taksave të hotelerisë dhe në tërësi të industrisë turistike, në mënyrë që ju të zgjeroni kapacitete pritëse.

Në mandatin e ardhshëm e mundemi ne  të fusim në shkollën e mesme të Velipojës, degë profesionale veçanërisht të turizmit?

Kryeministri Berisha: Ju garantoj se do të mund ta bëni plotësisht dhe katër vjeçari i ardhshëm, do të jetë përpjekja jonë më e madhe drejt arsimit profesional. Drejt përgatitjes për bujqësinë, për turizmin dhe për sektorët e tjerë. Ne kemi një rritje në këtë drejtim, por rritjet dhe nivelet më të larta do të mund ti kapim katër vitet  që vijnë dhe kjo do të ndodhë plotësisht.

Përshëndetje z. Kryeministër , unë jam kosovar, vij prej tete vitesh në Velipojë  dhe shoh shumë ndryshime. Vetëm i verbri nuk i sheh këto ndryshime  e përparime, ju përgëzoj që të vazhdoni edhe më mirë qeverisjen tuaj. Si turistë ne vijmë  që prej 1 qershorit, jemi një grup qe vijmë për pushime dhe kërkojmë të kemi ujë të bollshëm dhe drita të sigurta dhe të mos luajnë me çmimet.

Kryeministri Berisha: Faleminderit shumë dhe unë ju siguroj se po punojmë shumë dhe energjia merr përgjigje përfundimtare me investimet që janë bërë tani. Përsa i përket ujit ne kemi bërë investime janë investuar 9 milion euro  dhe do të investojmë më shumë derisa të plotësohet. Përsa i përket çmimeve qeveria po ul taksat me besimin më të madh, se do tu ofrohen klientëve çmimet më të arsyeshme.

Ne e dimë që qeveria ka qenë pranë probleme dhe ju ka dhënë  zgjidhje, në çdo fshat shkon rruga e asfaltuar. Problemi im ka të bëjë me bujqësinë. Nëse turistëve ju sigurohet infrastruktura ne mendojmë për kushte më të mira për ushqimin që të konsumojnë ushqim Bio dhe për këtë qeveria ka subvencionua. Unë shtroj pyetjen a mund të krijohet një treg që të bëhet furnizimi me perime nga zona e Velipojës?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj shumë  kape një çështje shumë thelbësore. Unë dua t’ju garantoj se për qeverinë, për Sali Berishën, për PD, qëndrimi ndaj fermereve  është një qëndrim kapital, që ka të bëjë dhe që është kusht themelor për zhvillimin e Shqipërisë. Unë ju garantoj juve se bindja jonë absolute është se nuk ka Shqipëri të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar. Kjo në planin parimor lidhet me një arsye tjetër, shqiptarët kudo që banojnë në fshat apo qytet duhet të kenë infrastrukturë të njëjtë duhet të kenë rrugë , duhet të kenë ujësjellësa kanalizime shkolla dhe shërbime të njëjta me lagjet e  qyteteve, janë të barabartë para ligjit dhe duhet të gëzojnë këto të drejta bazë. Së dyti në Shqipëri 45 përqind e popullatës është në fshat, duhet të bëjmë gjithçka për mirëqenien e tyre. Nëse ne nuk i mbështesim ata do të zhyten në varfëri. Së treti çfarë tregon kjo krizë botërore. Kjo krizë botërore ka disa mësime, për ata që duan të mësojnë.  Një nga mësimet më të mëdha të kësaj krize është se nuk duhet hequr dorë kurrë nga prodhimi në tërësi dhe prodhimi i ushqimeve në tërësi, për të mbetur sa më e fortë ekonomia dhe sa më reale për të mbetur sa më shumë e bazuar në djersë dhe për të qene ekonomia sa më e qëndrueshme. Këto të tria janë të mjaftueshme për ne në mënyrë të hapur dhe publike të na detyrojnë ne si qeveri të investojmë se 60% të investimeve tona ti bëjmë në Shqipërinë rurale dhe ne e bëjmë këtë. Ju garantoj se perimet do ti përfshijnë në skemë. Janë serat, por jo perimet. Tani do të jene edhe primet në serë dhe pa serë. Me perime merret me shumë fitim sesa me misër dhe ne do bëjmë gjithçka, që ju të fitoni sa më shumë. Ju ftoj ju dhe ftoj të gjithë fermeret shqiptarë të ndjekin këtë fushatë. Çfarë po ndodh? Shoku i autobuzit po premton në mënyrën më të papërgjegjshme heqjen e TVSH për qumështin, për miellin, për grurin, për vajin dhe për vezën. Tek po vija këtu pashë një tufë lopë race të mrekullueshme, secila prej tyre kushton së paku 6 mijë euro dhe ju e dini sesa duhet të shpenzohet për ta ushqyer në një ditë dhe çfarë shërbimesh do. Nëse ne heqim TVSH për qumështin, qumështi i lopëve të Europës, që marrin për koke 3 euro subvencion në ditë, del më i lirë.  Kështu që lopët e tua mbetet për ti hequr, se qumështi  yt nuk shitet më. Kjo ndodh po e bëmë me vajin, ju po mbillni ullinj, në vend që të nxisim prodhimin e vajit ne e frenojmë atë me heqjen e TVSH. Pse bëhet kjo? Kjo bëhet vetëm për të vendosur monopolet e partisë mbi ushqimet. Se tregtia e ushqimeve është tregtia  më fitimprurëse të bënë miliardie përrallor. Mos mendoni ju se Toma, Koçoja apo Fideli kanë syrin tjetër. Ky klubi i miliarderëve të PS këto nuk ti lënë. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme se ajo taksë që premtohet për të hequr  godet në zëmë prodhimet tuaja. Cila është politika jonë? Ne nuk e heqim, por mbrojmë  dhe vetëm mbrojmë.  Pse? Sepse nuk ju japim dot 3 euro për lope, siç i jep BE ne nuk jemi ne BE dhe nuk na i jep. Ne do mbrohemi me TVSH me referenca. Kjo do të jetë politika jonë. Kini shumë kujdes ky premtim mbart rrezik të madh për ju, natyrisht nuk do të behet kurrë realitet, sepse zgjedhjet do i fitojmë ne dhe ne do të trefishojmë grantet  për ju nga 56 milion do të japim 156 milion. Pas rrugëve është vaditja. Ne do të ndërtojmë vaditjen më të mire. Dhe kemi hequr çdo gjë që përdoret për prodhim dhe besoj kjo është mbështetja më e fuqishme dhe ne do ta bëjmë këtë.

Mirëserdhët zoti kryeministër. Jam Lumnije Hoxha Kam një shqetësim të madh lidhur me pronën time, të cilën nuk po e marr prej 10 vitesh. Prona ime është shitur në një moment që kam patur një hall shumë të madh më ka vdekur djali dhe më është shitur e gjithë prona. Prona është e gjyshit tim dhe ekziston mbi mua, por unë nuk e marr dot. Nuk përballemi dot me gjyqtarët. Nuk fitoj dot në asnjë seancë gjyqësore.

Kryeministri Berisha: Unë të falënderoj shumë. Për të mbështetur qytetarët ne do të hapim zyrat publike të avokatisë, të këshilltarëve ligjorë publikë që do të ketë shërbim gratis për qytetarët, falas. Dëgjoj rëndom se avokati më kushtoi aq apo kaq dhe këto janë të vërteta, por zgjidhja që do të japim ne tani dhe kemi miratuar dhe ligjin është se do të  hapim zyrat  e këshilltarëve publik falas në çdo qytet në mënyrë që ato tu përgjigjen fuqishëm qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë. Unë ju jap fjalën se do të përpiqem të caktoj specialistët më të mirë civilë që të shqyrtojnë dosjen tuaj.

-Zoti kryeministër, ju falënderoj nga zemra në emër të zonës, në emër të popullit të veriut për punën e madhe që keni bërë. Për mua jeni i palodhur dhe jemi shumë mirënjohës që keni ardhur të bashkëbisedoni me ne. Unë jam nga Thethi. Ne kemi  një problem argjinaturën e Bunës sepse përmbyt gjithë Velipojën, ajo përmbyt gjithë Shkodrën. Gjithashtu ju keni sjellë ujin , dritat në fshat dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Çfarë do të bëhet për urbanizimin e zonës dhe të kanalizimeve?

Kryeministri Berisha: Unë të falënderoj dhe të garantoj se ne do të vazhdojmë investimin. Kemi investuar 250 milion lekë argjinatura dhe do të investojmë aq sa duhet. Në qoftë se tre vjet më parë nuk kishte njohuri, kishte sepse ne kemi specialistë shumë të mirë, por nga përmbytjet ju garantoj se kemi marrë ekipet më të mira të kësaj toke, kemi marrë ekipin më të mirë të Holandës, vendin më të mirë në botë për ujërat. Qeveria holandeze na i dërgoi ata. Kemi marrë ekspertin më të mirë të Britanisë së madh ,me grupin e tij , për ujërat dhe digat. Kemi marrë grupin më të fuqishëm italian dhe ajo që mund tu them është se i kanë marrë, studiuar të gjitha format dhe tani kemi një ide shumë të qartë se ku duhet të ndërhymë dhe ku nuk ja vlen të ndërhyet. Kështu, ishte shumë  e rrahur ideja që të thellonim derdhjen e  Bunës, për të cilën na thanë se ishte  e kotë një ndërhyrje e tillë, pasi ajo do të mbushej sërisht. Por dhanë mendime të tjera shumë të vyera dhe ne do të ecim në drejtim të tyre. Ne do të bëjmë argjinaturën që ka mbetur pa bërë dhe të tjera në vazhdim ne do të thellojmë drenimin dhe do të bëjmë gjithçka për të kufizuar maksimalisht dëmin që mund të sjellë përmbytja dhe për ta parandaluara atë. Për këtë ju garantoj se kemi investuar dhe do të investojmë .

Pra koncepti ynë për infrastrukturë fshat qytet nuk kemi asnjë dallim. Ne do të ndërtojmë rrugë, kanalizime, ujësjellës, si në fshat dhe në qytet.

Ne inauguruam një shkollë në Bushat identike me atë që është ndërtuar në Shkodër, me atë që është ndërtuar në Tiranë.

Ne nuk do të bëjmë dallim. Ne banorëve do tu ofrojmë të njëjtat shërbime, ndaj dhe këtë do e bëjmë patjetër për fshatrat. Do të ndërtojmë impiantin e ujërave të zeza. Do të shohim që ai impiant të mbledhë të gjithë ujerat e zeza të Shkodrës, të Velipojës po e po , por edhe të fshatrave të tjera në mënyrë që të ecim sa më mirë.

Ju falënderoj për bashkëbisedimin dhe ju garantoj se do të përpiqem për zgjidhjen më të mirë të problemeve tuaja.


10/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave