Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha prezanton nė Sarandė, kandidatėt pėr deputetė tė qarkut tė Vlorės
 

“Qytetarë dhe qytetare të Sarandës.

Vëllezër dhe motra.

Zonja dhe zotërinj.

Mirëmbrëma.

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për uraganin madhështor të fitores sonë në këtë shesh. Sytë e shqiptarëve, zemrat e tyre kudo në Shqipëri, në rajon dhe në botë  janë sonte me ju, festojnë fitoren e ardhshme të 23 qershorit. Festojnë sëbashku me ne vendosmërinë tonë, për të ecur përpara, për të ecur drejt punësimit, drejt mirëqenies, drejt integrimit në Bashkimin Europian, drejt të ardhmes sonë që ne e meritojmë.

Qytetarë dhe qytetare të Sarandës.

Sot kam nisur ditën në Përmet. Kam takuar qytetarët e Përmetit, Tepelenës, Delvinës, Mesopotamit, kam biseduar me fermerët e Delvinës dhe të Sarandës në Metoq. Një ditë e tëra në një atmosferë të fitores së madhe, e cila do të ketë idetë e mëdha të Frashërit, vendosmërinë e Tepelenës, bukurinë e Sarandës, atdhetarinë e Delvinës dhe të mbarë Shqipërisë. Ne ecim drejt një katër vjeçari të vendosur që me djersën e ballit, me punën dhe përkushtimin që ta bëjmë Sarandën, ta bëjmë Delvinën, ta bëjmë Vlorën dhe Shqipërinë, vend i zhvilluar.

Ne jemi gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë që realizojnë ëndrrat tona, projektet tona. Ne sëbashku Shqipërinë e anëtarësuam në NATO, në aleancën më të madhe të lirisë së kohërave. Ne sëbashku në këto pak vite, me punën përkushtimin tonë, me djersën seriozitetin tonë, ia dolëm të heqim vizat, të lëvizim të lirë në mbarë Europën, ia dolëm të firmosim me Europën kontratën historike stabilizim-asociimin, të meritojmë statusin e vendit kandidat, të bëjmë që ai që na bllokoi dhe mori peng për një vit, të dorëzohet më në fund, ti votojë ligjet. Statusi i kandidatit na pret gjatë muajve të ardhshëm.

Miqtë e mi,

Këto nuk kanë qenë vite të lehta, por kanë qene vite me vepra, kanë qenë vite në të cilat nga Orikumi deri në Konispol kemi ndërtuar rrugë të reja, të denja për ju, burrat dhe gratë punëtor të Sarandës, Himarës, Delvinës, Vlorës, mbarë Shqipërisë. Kanë qenë vite në të cilat, ne kemi ndërtuar nga Vlora në Konispol një infrastrukturë të re ujorë, ujësjellësa, kanalizime, sisteme përpunimi të ujërave, kanë qenë vite në të cilat nga Mifoli në Konispol, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 80 shkolla, kemi hapur universitete, si në Sarandë. Kanë qenë  vite në të cilat, vetëm në vijën bregdetare, Orikum-Ksamil, pa llogaritur rrugën kryesore janë investuar në infrastrukturën e vogël mbi 50 milion dollarë. Kanë qenë vite në të cilat, në Sarandë u hap universiteti. Në Sarandë, në Vlorë, në Himarë, në mbarë Shqipërinë, turistët dhe vizitorët  u rritën me shpejtësinë më të madhe. Banka Botërore dëshmon se Shqipëria u rendit në 10 vendet e para me rritjen më të shpejtë të turizmit dhe kjo para së gjithash nga zemra e bardhë e juaja, mikpritja e zjarrtë e juaja, anëtarësimi  në NATO, infrastruktura që ndërtuam me taksat tuaja. Ndihem krenarë,  i gëzuar që jam sot këtu në një ditë të shënuar jo vetëm për Sarandën, por për mbarë Shqipërinë, sot inauguruam  portin, kalatën e re të pasagjerëve. Porti i Sarandës merr thellësinë e portit të Durrësit, do të presë anije në 200 metra gjatësi, anijet më të mëdha, linjat më serioze të botës të crocerave, do të ankorohen në brigjet e bukuroshes shqiptare, në brigjet e Sarandës.

Ne jemi sot këtu në këtë shesh, në shenjë të fitores, për tu zotuar se katër vitet që vijnë ne sëbashku do të bëjmë që Saranda, Delvina, Vlora dhe mbarë Shqipëria, të krijojnë mbi 250 mijë vende pune. Me uljen e taksave, me përgjysmimin e taksës për industrinë turistike, Vlora, Himara, Saranda, Ksamili dhe i gjithë bregu shqiptarë, do të dyfishojë potencialin  e vet turistik. Ne jemi të vendosur të inkurajojmë biznesin dhe investimet e mëdha të huaja. Do të bëjmë gjithçka për projekte, të cilat do të thithin gjatë viteve të ardhshme miliarda dollarë investime, do të krijojnë dhjetëra mijëra vende pune. Dy ,nga të cilat së shpejti po bëhen realitet, Kaskada e Devollit 1 miliard euro, TAP dhe gazifikimi i Shqipërisë mbi 1.5 miliard euro. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë për të rritur rrogat dhe pensionet dhe jam sot këtu për tu zotuar para jush, se mësuesit e Shqipërisë, do të marrin një rrogë prej 700 dollarësh dhe të gjithë punonjësit e administratës rrogën e trembëdhjetë. Në drekë kalova një bisedë të paharruar dhe të dobishme me fermerët e Sarandës dhe Delvinës, në Metoq, dëgjova zërin e tyre. Më bëri përshtypje shumë njëri prej tyre, i cili mu drejtua dhe më thotë:  - Zoti Berisha ne jemi  rreth shumë bujqësore, dhe e tha me shumë krenari, është e vërtetë dhe unë garantoj fermeret se në rast se katër vitet, që shkuan ne financuam 45 mijë fermerë , në mbarë Shqipërinë, Sarandë, Delvinë dhe kudo, katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantin për ta nga 56 milion në 165 milion. Do të ndërtojmë sistemin më modern të vaditjes, do të ndërtojmë infrastrukturën të njëjtë me lagjet e qyteteve tona , si shqiptarë të barabartë para ligjeve. Do tu paguajmë para në dorë, akcizën e naftës, do tu paguajmë para në dorë TVSH e makinerive, që do të blejnë, plehrave kimike dhe çdo lloj inputi që përdorin në blegtori, pemëtari, bletari dhe në çdo fushë tjetër të saj.

Por Saranda, Vlora, Delvina, Shqipëria presin me padurim ditën e integrimit të tyre të plotë në Europë, ndaj dhe përpjekja jonë e madhe zotimi ynë solemn për të bërë gjithçka, për të ecur me hapin më të shpejtë drejt integrimit përfundimtarë të Sarandës, Vlorës, Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Zonja dhe zotërinj.

Qytetarë të lirë të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë.

Shoferi i autobuzit mavi, me një mentalitet arkaik, ku mendon se anëtarësia në NATO, lëvizja e lirë, ndërtimi i mbi 10 mijë kilometrave rrugë, mbi 1300 shkollave, mbi 360 ujësjellësve , 420 sisteme kanalizimesh, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të gjitha këto mendon ai, janë vepër e kryeministrit shqiptarë dhe ato duhet të mohohen totalisht. Së pari, dua ti them atij dhe çdo njeriu që del nga autobuzi  mavi, se këto janë vepra para së gjithash e atyre grave dhe burrave, që djersijnë gjithë ditën për të mirën e vetes së tyre, të familjes së tyre, të shoqërisë sonë. Se pa djersën e tyre, pa mundin e  tyre, pa krijimin e tyre, pa taksat e tyre, Shqipëria nuk anëtarësohej në NATO, shqiptarët nuk lëviznin të lirë, shqiptarët nuk kanë rrugët që kanë, shkollat që kanë, rrogat që kanë, pensionet që marrin, por natyrisht qeveria me politikat e saj ka detyrë, të mbështesë  fuqishëm iniciativën e tyre të lirë, të respektojë liritë e tyre, forcën e madhe krijuese të tyre dhe ne këtë e kemi bërë. Pikërisht se kemi bërë këtë, kemi realizuar ato, të cilat ai i mohon nga mëngjesi deri në darkë. Dy javë më parë dhe përsëri sot nga Vlora shoku i autobuzit shpalli Vlorën si qarkun , qytetin e izoluar. Një deklaratë e tillë është një fyerje për çdo vlonjat, që sot e ndien veten krenarë si anëtar i NATO-s, një deklaratë e tillë është një fyerje për çdo sarandjot, delvinjot, vlonjat e shqiptarë, që sot me meritën e  tij lëviz i lirë në mbarë Europën pa viza. Një deklaratë e tillë e papërgjegjshme  është një fyerje për lumenjtë  e djersës, që kanë derdhur shqiptarë këto vite dhe rezultate  e pamohueshme, që ata kanë arritur në fshatrat, qytetet,  familjet dhe vendin e  tyre. Është një fyerje për qytetarin e qarkut të Vlorës, që nga Ura e Mifolit  deri në Konispol, ecën  në rrugë të reja të klasit ndërkombëtar. Shoku i autobuzit thotë se ky shesh, këta qytetarë janë robër skllevër të regjimit.

Zonja dhe zotërinj

Ky shesh është një univers i mrekullisë njerëzore, në këtë shesh o shoku ia autobuzit kemi qytetarët të Sarandës, kemi  lebër, kemi bregdetas, kemi minoritarë grek, kemi çam kemi vlle, kemi të gjitha , gra dhe burra të lirë, të cilët janë mbledhur këtu për të kënduar fitoren e ardhshme  të 23 qershorit.

Shoku i autobuzit kalon nga sheshi në shesh duke mashtruar shqiptarët, duke u zotuar dhe betuar se taksa e të dhjetave qenka taksa më e lartë sesa taksa e Marksit dhe e dajës së tij Spiro Kolekës. Taksa e të dhjetave është taksa e librave të shenjtave, e drejtësisë së Zotit, ai që merr dhjetë paguan vetëm një, ai që merr njëmijë paguan vetëm njëqind, pra paguan njëqind herë më shumë se ai që merr dhjetë. Kjo taksë të dashur qytetarë të Sarandës, bëri të mundur që Shqipëria të dyfishojë të ardhur, sepse u dyfishuan bizneset, sepse u shumëfishuan investimet e huaja , sepse u trefishuan eksportet. Me këto të ardhura e dyfishuan rrogat, pensionet, u ndërtuan 10 mijë kilometra rruge dhe shumë arritje të tjera. Mashtron dhe thotë, po mësuesi paguan 5 mijë lekë taksë dhe unë do t’ia lë atë të ketë një rrogë më tepër. Mashtrimi është vesi më i lig i burrit. Sepse sot çdo mësues, çdo mjek dhe infermier pasi paguan taksën, merr jo një, por merr së paku 14 rroga më shumë në vit sesa merrte në vitin 2005. Me zhvillimin nuk është rritja e taksave, vjen nga liria e qytetarëve, vjen nga liria ekonomie, vjen nga liria e biznesit, vjen nga liria e fermeri dhe taksat janë hanxhar mbi të.

Deklarata se Vlora është e izoluar dhe se në kohën e gjyshit tregonte sot ai, lëviznin gjemitë dhe një ditë shkoi dhe u tregoi fotografi të kohës kur gjiri i Vlorës ishte i pushtuar nga fuqi imperialiste të kohës dhe i paraqiti ato si dëshmi e gjallërisë së detit të Shqipërisë. Mund ti them shokut të autobuzit, hajde pak këtu në Sarandë, porti i Sarandës ka thellësinë e portit të Durrësit. Të ka mbetur ora tek koha e gjyshit ne do të ecim përpara.

Përpara drejt punësimit.

Votoni 44, përpara drejt Bashkimit Europian.

Përpara drejt mirëqenies, përpara drejt fitores.

Fitore, Fitore, Fitore!” 


09/06/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave