P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë V E N D O S I: Në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni 1 Pika 3, e nenit 4, “Niveli i taksave kombëtare”, ndryshohet, si më poshtë vijon: “3. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij ligji, dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit. 18 për qind e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Procedura e ndarjes të të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore.”. Neni 2 Pas pikës 1, të nenit 9, “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje: “1/1. Falen të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Adminstrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për qëllime përdorimi apo rishitjeje.”. Neni 3 Dispozita kalimtare Pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve, që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitin 2013, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksës, paguajnë sipas këtij ligji. Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet, që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, fillon nga data 1 janar 2014. Neni 4 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. K R Y E T A R I JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)11/04/2013 |