P R O J E K T L I G J
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7829, DATË 1.6.1994, “PËR NOTERINË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.7829, datë 1.6.1994, “Për noterinë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 37, pas pikës 9 shtohen pikat 10 dhe 11, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“10. Administron Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, në të cilin regjistrohen testamentet e nënshkruar prej noterëve;
11. Administron Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit, në të cilin regjistrohen çeljet e trashëgimive ligjore dhe testamentare.”.
Neni 2
Në nenin 52, pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi i tretë, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“Noteri, pasi të ketë redaktuar testamentin, në përputhje me paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, bën regjistrimin e tij në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë.”.
Neni 3
Neni 53 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 53
Çelja e trashëgimisë
1. Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar:
a) Kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil;
b) Dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, të cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit.
2. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit nëse trashëgimlënësi ka lën një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgmisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter.
3. Brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri:
a) drejton personin e interesuar tek noteri i cili ka çelur trashëgminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka;
b) procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore/testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit.
Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil, dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes.”.
Neni 4
Pas nenit 53 shtohen nenet 53/1, 53/2, 53/3, 53/4, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“Neni 53/1
Dëshmia e trashëgimisë
Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil si dhe në këtë ligj. Përveç elementeve të parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë:
a) bazën ligjore dhe elementet mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë;
b) të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin;
c) të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes;
ç) të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa;
d) të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit;
dh) të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimi, nëse ka;
e) të dhëna mbi legun dhe barrën, nëse ka;
ë) pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve;
f) çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi.
Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë të njësuara me origjinalin.
Noteri shënon në një regjistër të posaçëm, të dhënat e çdo personi të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.
Neni 53/2
Ndreqja e gabimeve, ndryshimi ose revokimi i dëshmisë së trashëgimisë
Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë.
Noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndryshojë ose revokojë dëshminë e trashëgimisë në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta.
Noteri njofton menjëherë të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, për çdo ndreqje gabimesh, ndryshim ose revokim të dëshmisë së trashëgimisë.
Neni 53/3
Ankimi në gjykatë
Pavarësisht parashikimeve të nenit 41, të këtij ligji, ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm, në përputhje me nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.
Neni 53/4
Pezullimi i efekteve të dëshmisë së trashëgimisë
Efektet e dëshmisë së trashëgimisë mund të pezullohen nga:
a) noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, gjatë procedurës së ndryshimit ose revokimit të dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimit të paragrafit 2, të nenit 53/2;
b) gjykata , gjatë shqyrtimit të padisë sipas përcaktimit të nenit 53/3.
Gjykata ose noteri, sipas rastit, njoftojnë menjëherë për pezullimin e efekteve të dëshmisë së trashëgimisë, të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, të këtij ligji.
Në rast pezullimi të efekteve të dëshmisë së trashëgimisë dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij pezullimi nuk mund të lëshohen kopje të tjera të dëshmisë së trashëgimisë.”.
Neni 5
Pas nenit 70 shtohen nenet 70/1 dhe 70/2, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“Neni 70/1
Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit
Pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve, në të cilin noterët duhet të regjistrojnë testamentet e nënshkruar pranë tyre dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit, në të cilin noterët regjistrojnë çeljen e një trashëgimie ligjore apo testamentare.
Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Rregullat e hollësishme për Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe për Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.”.
Neni 6
Dispozitë transitore
Të gjithë testamentet e nënshkruar pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 7
Aktet nënligjore
Ngarkohet ministri i Drejtësisë që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të nenit 5 të tij.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
03/04/2013