Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjalim i Ministrit pėr Inovacionin dhe TIK Genc Pollo nė seminarin "Pėr lirinė e medias dhe lirinė e shprehjes nė kuadrin e integrimit tė Shqipėrisė nė BE”
 

E nderuar kolege Bregu, Ministre e integrimit Evropian,

I nderuar zoti Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Sequi,

E nderuar zonja Kryetare e Komisionit Kuvendor të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, znj. Leskaj,

I nderuar Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri zoti Leidekker,

I nderuar Drejtor i Institutit Shqiptar të Medias zoti Lani.

 

“Nuk jam dakord me ju, por do të jepja jetën time që ju ta shprehnit lirisht mendimin tuaj”, - është një thënie që i atribuohet filozofit freng të iluminizmit Jean François Marie Arouet, i njohur si Voltaire të cilin unë e njoha, e lexova për herë të parë, në moshën shkollore. Kujtoj se një shprehje e tillë shkaktoi asokohe tek mua pothuaj një shock kulturor, kaq fort kontrastonte me propagandën totalitare të asaj kohe mbi një mendim të vetëm të drejtë dhe përjashtues për çdo arsyetim alternativ.

Gjithsesi, për fat të mirë, nuk kam njohur, ndonjë që t’i jetë dashur të japë vërtet jetën, që dikush tjetër, me të cilin ai nuk binte dakord, të mund të shprehej. Por këtu është me vend të kujtohet që nën regjimin komunist, dhjetëra mijë shqiptarë u pushkatuan, torturuan, burgosën e internuan sepse, ndër të tjera, kishin kërkuar lirinë e shprehjes, të drejtën që gjithkush, përfshi edhe komunistët, të mund të afishonin e diskutonin lirisht pikëpamjet e tyre.

 

Kjo perspektivë historike është domethënëse sot, 22 vjet pasi filluam përpjekjet për të zhvilluar një Shqipëri pluraliste dhe demokratike, e kur mund të themi se jemi futur në një rrugë të pakthyeshme të zhvillimit, konsolidimit, zgjerimit të të Drejtave të Njeriut, ndërmjet të cilave spikat e drejta që gjithkush të shprehë mendimin e vet.

 

Ky seminar, të cilin e organizojmë me Bashkimin Evropian e partnerë të tjerë, i kushtohet lirisë së shprehjes e asaj të medias. Dhe është vërtetë impresionuese të vëresh ndryshimin epokal që ka ndodhur nga botimi në 5 janar të vitit 1991 i numrit të parë të gazetës Rilindja Demokratike, organ i opozitës demokratike, të shfaqur një muaj më herët, deri tek mediat e ditëve të sotme. Në qoftë se do të doja të përmendja të gjitha gazetat që botohen përditë në Shqipëri, qendrore dhe vendore, do të merrte kohë sepse bëhet fjalë për disa duzina. Nëse flasim për televizione dhe radio, përsëri vlen e njëjta gjë. Dhe nuk po guxoj të tentoj të numëroj të gjithë ato media që funksionojnë vetëm on line si blogje lajmesh e opinionesh, pasi do të merrja kohën e tërë panelit. Por ndërsa numri i mediave është i rëndësishëm, pluraliteti i tyre është edhe më domethënës. Ne mund të pohojmë këtu se, në Shqipëri, gjithkush që ka një opinion, të cilin dëshiron ta ndajë me të tjerët, arrin ta bejë këtë, arrin të gjejë platformën e duhur, si në median tradicionale ashtu edhe, vetëkuptohet, në median online.

Gjithsesi media e lirë, e pavarur, e përgjegjshme dhe kritike, nuk është diçka që krijohet me dekret dhe njëherë e përgjithmonë. Ajo zhvillohet në kuadrin e duhur politik e ligjor, në mjedisin e përshtatshëm kulturor dhe si çdo gjë tjetër që ka bërë njeriu është produkt i veprës së grave dhe burrave të guximshëm, të aftë e punëtorë. Është e domosdoshme, në një shoqëri demokratike, jo vetëm për të përcjellë lajmet e dobishme dhe të rëndësishme për njerëzit, por edhe për të luajtur një rol në balancimin e pushtetit dhe në kufizimin e arbitraritetit potencial të tij.

 

Për të hapur një gazetë në Shqipëri nuk duhet leje, mjafton regjistrimi si biznes; për të hapur një televizion apo radio duhet të jenë të disponueshme frekuencat, sepse bëhet fjalë për një burim të fundëm (finite resource) ndërsa për blogjet mjafton vetëm të duash dhe të dish ta bësh.

 

Askush në këtë tokë nuk pretendon të jetë perfekt dhe kjo vlen edhe për punonjësit e medias. Ata përveç punës për të përçuar të vërtetën, edhe mund të përcjellin të pavërteta, të bëhen tendeciozë dhe malinjë, apo tu shërbejnë interesave të veçanta, që janë në mospërputhje ose në kundërshtim me interesin publik. Por kemi gjykuar që edhe kur ata veprojnë kështu, asnjë zyrtar i Qeverisë nuk do të duhet t’i padisë për shpifje në gjykatë, pasi ky mund të ishte një antidot që vret trupin e jo sëmundjen, lirinë e jo abuzimin. Ky ka qenë një qendrim i anonçuar gati 8 vjet më parë nga Kryeministri Berisha dhe të cilit i janë përmbajtur zyrtarët përkatës. Dhe Qeveria synon që edhe në katër vitet e ardhme të ruajë të njëjtin qendrim.

 

Ne kemi gjykuar që, edhe legjislacioni penal për shpifjen, që ishte në fuqi deri një vit më parë, ishte i ashpër, pothuajse drakonian, dhe që nuk përputhej me nevojat demokratike të vendit e me trendin ndërkombëtar. Në këshillim me institucionet evropiane, me kompetencë në këtë fushë, ne përgatitëm abrogimin e ndëshkimit penal për shpifjen. Gjithsesi bëhej fjalë për Kodin Penal, për një ligj që ndryshohet me 3/5-at e votave, për të cilin u negociua gjatë me kolegët e opozitës. Këta kolegë kishin pikëpamje shumë më konservative për këtë çështje dhe si përfundim u arrit një kompromis, me një reduktim të ndjeshëm të ndëshkimit penal për shpifjen. Shpresoj që në të ardhmen, në legjislaturën 2013-2017 të hapim dialogun për këtë çështje, të veprojmë me synim lënien e trajtimit gjyqësor të shpifjes si një çështje ekskluzivisht e të Drejtës Civile.

 

Ne po hedhim hapat e duhur që të kryejmë kalimin nga transmetimet analoge në ato digjitale, e njohur gjerësisht si Digital Switchover. Një motiv i rëndësishëm për këtë proces, që po ndodh, ose ka ndodhur kudo në botë, është shtysa nga zhvillimet teknologjike, për një përdorim efektiv të burimeve të fundme, siç është radio-spektri. Ky proces shoqërohet gjithashtu dhe me lirimin e frekuencave, të dividendit digjital, përdorimi i të cilit pritet të sjellë një nxitje të jashtëzakonshme për ekonominë digjitale. Por, po të lë pak mënjanë konsideratat ekonomike, kalimi në transmetime digjitale, sjell edhe potencialisht mundësi edhe shumë operatorëve të përmbajtjes të kenë mundësi të transmetojnë, çka nuk është e mundur sot për të gjithë, pikërisht për shkak të faktit natyror se radio-spektri është një burim i fundëm.

 

Projektligji për mediat audiovizuale që po shqyrtohet në Kuvend, adopton direktivën përkatëse të BE-së dhe synon të rregullojë veprimtarinë e medias audiovizuale në vend, duke i vendosur të gjithë aktorët në kushte të barabarta, jo diskriminuese.

Projektligji është një nismë e Komisionit Kuvendor të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, që punohet prej 7 vjetësh. Me këtë kohëzgjatje, jam i sigurt që ky projektligj futet në Guiness-in e parlamenteve shqiptarë, që nga viti 1920. Projektligji duhet të vendosë normalitetin, mbi një situatë de facto paligjshmërie të zaptimit të frekuencave dhe që pengon kalimin në transmetime digjitale. Projektligji duhet miratuar sa më shpejt dhe pas fillimit të punës nga Komisioni në tetor të vitit të kaluar unë shpresoj që kjo të ndodhë në 2-3 javët e ardhshme, sepse nuk ka asnjë arsye tjetër për ta vonuar.

 

Projektligji për mediat audiovizuale jep një kornizë tjetër për KKRT, rregullatorin, që në të ardhmen do të quhet AMA dhe që mendoj duhet të ndjekë rrugën e modeleve të provuara të suksesshme në Evropë e botë, të cilat respektojnë mazhorancën e opozitën e ditës, por që afatmesëm dhe afatgjatë lejojnë check and balances të duhura e forcojnë për pavarësinë politike të këtij rregullatori.

Flasim për pavarësinë dhe me të drejtë KKRT-ja duhet të jetë e pavarur. Por le t’i themi gjërat siç janë: problemi real i KKRT-së nuk ka qenë varësia e njëanshmëria politike, por ka qenë aftësia për të qenë efektiv dhe për të zbatuar gërmën dhe frymën e akteve ligjore dhe rregullatore në terren dhe në ajër, ka qenë aftësia për të qendruar fort përballë grupeve mediatike me shumë pushtet, kur këto të fundit janë në shkelje të ligjit. Për të bërë siç duhet detyrën e vet, KKRT, ka nevojë për mbështetje politike nga të gjitha krahët.

 

Për TVSH-në, Televizionin Publik, gjithashtu projektligji është shumë i rëndësishëm, për t’i dhënë atij një dimension tjetër, për t’i dhënë autonominë e nevojshme dhe hapësirat e duhura, të cilat lipsen të mirëmenaxhohen në mënyrë që në konkurrencën mediatike, TVSH-ja të mund të zërë një vend qendror.

 

Ndërsa lidhur me çështjen, nganjëherë të debatuar, të reklamave shtetërore, mbetemi të parimit se porositë e agjencive shtetërore, për të përcjellë përmes mediave private, njoftime me interes publik duhet të jenë në bazën e neutralitetit, mos përdorimit të parave të taksave për të influencuar linjën editoriale. Për këtë arsye Qeveria, në gusht të vitit 2008 ka miratuar një VKM, për të rregulluar këtë marrëdhënie. Në dhjetor 2012, Kuvendi amendoi sërish ligjin për prokurimin publik, duke transpozuar direktivat evropiane të fundit dhe ne do të mirëprisnim çdo këshillë e asistencë, që të përmirësonim legjislacionin tonë sekondar mbi këtë çështje.

 

Ndërsa lidhur me çështjen e vetë-rregullimit më tej të sektorit, jemi të prirur të dëgjojmë edhe në këtë seminar se cila është rruga më e mirë për tu ndjekur. Ka pa dyshim shumë për tu bërë. Vërej këtu se raporti Leveson, porositur nga qeveria britanike, pas skandalit me gazetën News of the World, hasi në kundërshtime kur sugjeroi që zbatimi i etikës mediatike të bazohej në ligj. Qeveria është e prirur të mbështesë brenda rolit të saj ligjor, çdo zgjidhje për të cilën biem bashkërisht dakord.

 

Gazetat tradicionale që ishin botime të përditshme në letër, të cilat mund t’i shfletoje duke rrufitur kafen e mëngjesit ekzistojnë ende, por japin shenja se janë specie në zhdukje. Website-t e tyre on line, sot janë një kombinim i gazetës, radios, televizionit, shto këtu edhe aspekte interaktive. Ky zhvillim paraqet dy sfida: Së pari, interneti duhet të jetë i lirë; në Shqipëri nuk ka asnjë lloj kufizimi në përdorimin e internetit. Madje qeveria e ka promovuar këtë qendrim aktivisht në arenën ndërkombëtare përfshi edhe në konferencën e ITU-së në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në dhjetorin e shkuar, ku ne nuk nënshkruam ITR-të (rregulloret) e miratuar jo me konsensus, në linjë me pozicionin e CEPT e të BE.

Së dyti, interneti duhet të jetë i aksesueshmëm e i përballueshëm dhe për këtë i është hapur rrugë investimeve private, përmes legjislacionit e rregullimit liberal, që nxit konkurrencën. Përtej kësaj, projekte si e-schools dhe Pikat e Aksesit Publik (Posta Shqiptare), të filluara që 7 vjet më parë, e kanë çuar penetrimin internetik të popullsisë në afro 60 % nga 4,8% që ishte në vitin 2005.

 

Respektimi i të Drejtat e Autorit, ose shikuar më gjerë Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale është  tipar i një shoqërie të evoluar dhe i një ekonomie të formalizuar: Nuk kanë munguar përpjekjet nga Zyra përkatëse dhe ministria e linjës, por mbetet shumë për të bërë për këtë fushë. Po përgatitet një projektligj i ri që reflekton Acquis-në e fundit dhe që besoj do të balancojë siç duhet lirinë on line me të drejtën e autorit. Miratimi i projektligjit për median audiovizuale, që përmenda më parë, do t’i japë fund edhe sagës së gjobave të vëna nga KKRT e të pambledhura, pasi parashikon një procedurë ekzekutimi efektive.

 

Së fundi, do të doja t’ju njoftoja edhe për dy nisma të Qeverisë që kanë të bëjnë me transparencën, kanë të bëjnë me përfshirjen në qeverisje; është projektligji për njoftimin dhe konsultimin publik, i cili do të vendosë rregulla e norma, procedura dhe afate, në mënyrë që çdo akt i nxjerrë nga Qeveria dhe agjencitë e saj t’i nënshtrohen paraprakisht një konsultimi të plotë, me të gjitha grupet e interesuara. Kjo nismë ligjore vjen në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të hapur (Open Government Partnership) ku Shqipëria është anëtare. Gjithashtu po hartohet projektligji për të drejtën e informimit, që do të zëvendësojë atë të vitit 1999, i cili në kushtet e shoqërisë së informacionit ka dalë jashtë kohe. Këta dy ligje ne synojmë që muajt e ardhshëm t’i dërgojmë për miratim në Kuvend.

 

Do të doja të falenderoja organizatorët e këtij seminari dhe do të shpresoja që tubimi i sotëm të ishte nxitës për veprime apo përshpejtim të veprimit.

 

Ju faleminderit!

 


16/01/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave