Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha merr pjesė nė ceremoninė e inaugurimit tė autostradės Levan-Vlorė
 

Autostrada Levan-Vlorë, pjesë e autostradës Tiranë-Vlorë, nga sot është funksionale, me të 4 korsitë e saj, për qarkullim. Përurimi i përfundimit të këtij segmenti të rëndësishëm në rrjetin rrugor të Shqipërisë u bë sot pasdite, në prani të Kryeministrit Berisha, autoriteteve vendore dhe qytetarëve të kësaj zone.

Autostrada, e ndërtuar në standardet më të avancuara bashkëkohore, ka vlerë investimi rreth 60 milionë euro. Me gjatësi rreth 24.5 kilometra dhe gjerësi 24 metra, shpejtësi lëvizjeje 120 kilometra/orë, ajo do të lehtësojë trafikun, do të shkurtojë kohën dhe do të rrisë cilësinë e udhëtimit. Autostrada përfshin edhe dy ura: Ura e Ferrasit me gjatësi 385 metra dhe ura e Vjosës me gjatësi 130 metra. Veçanërisht i lartë është impakti i saj në sezonin turistik. Sikundër, duke lidhur dy qarqe të mëdha të vendit, Vlorën dhe Fierin, impakti i saj vlerësohet i rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar autostradën ndër më të bukura në vend, garantoi se Shqipëria do të ketë së shpejti rrjetin rrugor më modern në rajon, për të cilin po punohet çdo ditë, në të katër anët e vendit.

Duke folur për investimet në dy ndër qarqet më të mëdha të vendit, Fierit e Vlorës, Kryeministri theksoi në shifra se në  këto dy qarqe, qeveria ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në rrugë, ujësjellës-kanalizime, shkolla, në subvencionimin e ullishtave, vreshtave e drurëve frutorë etj.. Kryeministri premtoi se investime shumë të rëndësishme janë projektuar e po projektohen për qytetin e Vlorës, si shëtitorja buzë detit, projekti i rrugës që do të qarkojë gadishullin e Karaburunit, ndërsa ka përfunduar projekti për Bypass-it e Vlorës.

Kryeministri Berisha komentoi edhe deklaratat e opozitës për anulim të marrëveshjeve apo koncesioneve me investitorët e huaj, duke theksuar se zërat që vijnë për anulim të investimeve janë arkaikë dhe anakronikë dhe reminishencë e Kushtetutës së '72-it, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri.

 

Në vijim fjala e Kryeministrit Berisha, në ceremoninë e përurimit.

 

“Të dashur qytetarë të Vlorës, së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë e madhe që sot sëbashku inauguruam një nga rrugët më të bukura, më të rëndësishme e më moderne të Shqipërisë dhe të rajonit, autostradën që lidh Levanin me Vlorën. Autostradë, e cila në strukturën e saj mund të krahasohet me autostradat e metropoleve të vendeve më të zhvilluara të Europës e botës. Autostradë, e cila me funksionet e strukturën e saj qëndron në lartësinë e bukurive mahnitëse të Vlorës dhe e paraqet atë një qytet modern, i cili po bëhet çdo ditë e më shumë, i njohur në rajon, në Mesdhe e mbarë Europën, për bukuritë e saj të jashtëzakonshme natyrore, për ujërat  e brigjet e saj. Kjo autostradë ka kushtuar rreth 60 milionë euro, është 24.5 kilometra dhe jep mundësi për shpejtësi lëvizjeje 120 km/h. Ajo shkurton në mënyrën më të djeshme distancën midis Vlorës me Levanin, Fierin e Tiranën. Autostrada ka dy ura me gjatësi të përbashkët mbi 515 metra. Kostoja e saj është 2.45 milionë euro për kilometër, që është një ndër kostot më të leverdishme në rajon e më gjerë.

 

Zonja e zotërinj,

 

Në këto vite, qeveria e kësaj mazhorance ka investuar në dy qarqet e mëdha të Fierit  e Vlorës në rrugë, kanalizime, ujësjellës, centrale e termocentrale, linja elektrike, në energji, naftë dhe të gjithë sektorët në total 1.2 miliardë euro, investim i pa precendent në historinë e këtyre qarqeve. Vetëm në rrjetin elektrik të këtyre qarqeve dhe energji janë investuar rreth 500 milion euro nga buxheti i shtetit. Janë ndërtuar mbi 900 kilometra rrugë, 165 ujësjellës, rreth 120 shkolla. Janë subvencionuar 4200 hektarë me ullinj, vreshta e dru frutorë. Kjo mazhorancë e ka vendosur Vlorën në pozicionet më të larta përsa i përket tërheqjes së turistëve nga rajoni e mbarë bota.

 

Çdo ditë, siç konstatoni, Shqipëria ndryshon dhe afrohet me projektin që kanë në mendje shqiptarët për të. Sot, ne inauguruam këtë autostradë ndër më të bukurat e rajonit e më gjerë. Në harkun kohor një javor, sëbashku do inaugurojmë rrugën Levan-Damëz që përbën një nga rrugët më të bukura dhe arteriet më jetike të vendit, pasi nga fundi i vitit ajo do të lidhë Levanin me Tepelenën dhe do shkurtojë ndjeshëm distancën Gjirokastër-Tiranë dhe Tepelenë-Tiranë.

 

Në të katërt anët e vendit, sot po ndërtohet dhe e vërteta është se kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka ndërtuar me këto ritme e shpejtësi dhe ndofta asnjë vend tjetër i këtyre përmasave nuk ka ndërtuar më shpejt, në histori. Në një hark kohor  pak vjeçar, nga viti 2006 e gjer sot, në Shqipëri kanë përfunduar apo janë në ndërtim mbi 10 mijë kilometra rrugë, nga Pogoni e Konispoli në Vermosh, Valbonë e në çdo skaj të këtij vendi. Në të katër anët e vendit po investohen qindra milionë euro në ujësjellës, kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore. Çdo ditë, shqiptarët po zbulojnë vendin e tyre, bukuritë e mëdha që ai fsheh dhe potencialin e jashtëzakonshëm që mbart për qytetarët e tij.

 

Shqipëria, në dallim nga vendet e tjera të rajonit, i qëndroi pa rënë në recesion, pa rënë në ndalim të rritjes ekonomike, krizës ekonomike më të madhe që Europa po jeton që nga vitet ’30 të shekullit të shkuar.

 

Ju jeni dëshmitarë se, ndonëse rrugën nuk e kemi si këtë që ndërtuam dhe do të duhen edhe vite të tjerë për ta pasur si kjo, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj në Shqipëri po ndërtohet, po hapen vende të reja pune, po hapen biznese të reja, po investohet nga shqiptarët dhe investitorë nga mbarë bota. Besimi tek Shqipëria e shqiptarët është sot më i madh se kurrë. Janë jo statistikat e të dhënat e kësaj qeverie, por statistikat e të dhënat e Komisionit Europian që faktojnë se në Shqipëri rritja ekonomike, në katër vitet e fundit, në krizën ekonomike më të madhe në Europë, ishte katër herë më e madhe, sesa rritja mesatare e rajonit. Janë këto raporte, të cilat faktojnë se, në dallim nga vendet e tjera, në Shqipëri jo vetëm që nuk u rrit papunësia, përkundrazi, ajo u ul nga viti në vit. Dhe këto para së gjithash nga zhvillimi e fuqizimi i sektorit privat. Dje, statistika e Tiranës faktonte se në kryeqytet, brenda një viti, u krijuan 1200 biznese të reja, u punësuan 6000 vetë. Tirana nuk është ishull. Ju garantoj se nga Velipoja gjer në Ksamil, këtë verë janë të punësuar në turizëm mbi 170 mijë shqiptarë. Në rast se në vitin 2004, Shqipërinë  e vizituan 300 mijë turistë e vizitorë, vitin e kaluar e vizituan 4 milion e 1 mijë turistë e vizitorë. Këto janë disa nga rezultatet e prekshme të reformave tona të përbashkëta.

 

Shqiptarët, me mundin, djersën, por edhe duke shfrytëzuar hapësirat e lirisë që krijojnë reformat tona ekonomike, ndërtuan të dashur qytetare e qytetarë, nga viti 2001 në vitin 2012, shtëpi banimi më shumë se çdo komb tjetër në Europë, përveç lituanezëve, në 30 vite të marrë sëbashku. Shqiptarët, që në vitin 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se të gjithë kombet e tjera të Europës në vitin ’80, në vitin 2011, me vilat, pallatet e apartamentet e tyre, ata kanë lënë mbrapa pesë kombe anëtare të Bashkimit Europian dhe anëtare të vendeve të zhvilluara të OECD-së.

 

Sërish rrugën nuk e kemi si këtë që e inauguruam. E kemi rrugë djerse, mundi e nderi. Por ne do ta përshkojmë atë. Shqipëria, sot, ende nuk është një vend i zhvilluar, por ajo ka kapur për qytetarët e saj, disa nga treguesit më të themelorë të vendeve të zhvilluara. Në rast se në shekuj dekada, vdekshmëria foshnjore në këtë vend ishte në niveleve afrikane, në dy vitet e fundit, ne kemi kapur nivelin e vendeve të zhvillua e ndër më të zhvilluara. Në rast se vdekshmëria amtare e nënave në lindje ishte ndër më të larta, vitet e fundit, ky tregues është ndër më të ulëtit në botë. Në rast se më parë, vdekshmëria e shqiptarëve nga sëmundjet, uria e mjerimi e bënte që të ishte ndër më të lartat, sot shqiptarët lënë mbrapa në vdekshmërinë e tyre të përgjithshme disa nga vendet e zhvilluara dhe jetëgjatësia e tyre rritet në mënyrë të pandalshme.

 

Këto arritje janë meritë e shqiptarëve të lirë. Unë jam i bindur se këto që kemi realizuar gjatë këtyre viteve janë thjesht një stacion, për ta shndërruar Shqipërinë, sëbashku, gjatë mandatit të ardhshëm, në një vend të zhvilluar, për të bërë që pasuritë përrallore të këtij vendi, potencialet e jashtëzakonshme turistike, ujore,  minerare, njerëzore e  të gjithanshme, të shndërrohen në pasuri për qytetarët e Vlorës dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.

 

Ky zhvillim i madh ekonomik, këto arritje të mbarë qytetarëve shqiptarë, janë dëshmi e besimit të madh që ka krijuar Shqipëria në Europë e në botë tek investitorët. Nuk duhet të harrojmë se 20 vjet më parë, ne ishim vendi i investimeve të huaja të ndaluara me Kushtetutë, ndërsa sot qëndrojnë në krye të botës për investime të huaja për frymë, që vijnë gjithnjë e në rritje.

 

Një psikologji e së shkuarës i kërcënon investitorët e huaj e investimet. Çdo ditë, zoti Rama, njëlloj sikur të betohej në Kushtetutën e ’76-s, u thotë investitorëve të huaj se do t’jua marrë këtë koncesion apo se do t’ju anulojë atë marrëveshje.

 

Të dashur qytetare e qytetarë, kjo nuk ndodh kund në Europë dhe në asnjë vend të lirë. Kjo ndodh vetëm me këtë opozitë, e cila ka në mënyrë të padiskutueshme reminishenca të një mentaliteti të vjetër e të papranueshëm. Ndaj këtu, nga Vlora, dua t’u bëj thirrje investitorëve nga rajoni, Europa  e bota: Investoni në Shqipëri se këtu do të gjeni klimën më miqësorë për bizneset tuaja, këtu do të gjeni klimën më njerëzorë e më miqësore nga qytetarët e këtij vendi, se shqiptarët do të respektojnë projektet tuaja, ëndrrat tuaja dhe e marrin atë si shkallën më të madhe të besimit. Ne kemi nevojë, siç ka zogu për ajrin, për investimet dhe investitorët e huaj, në mënyrë që të kapin kohën e humbur, në mënyrë që ta vendosim Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara, në mënyrë që fëmijët tanë, qytetarët e këtij vendi të jetojnë njëlloj si qytetarët e vendeve të zhvilluara. Kjo rrugë është e pandalshme! Kjo rrugë është e pakthyeshme! Zërat që vijnë për anulim të investimeve, zërat që vijnë për anulim të marrëveshjeve janë arkaikë dhe anakronikë dhe  mund të varen vetën në gozhdën e asaj Kushtetute, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri!

 

Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë rrugë dhe ju premtoj se çdo premtim i bërë për këtë qark do të shndërrohet në realitet. Ne ndërtuam rrugën Trans Ballkanike dhe shiheni në ç’gjendje e ka lënë Shpëtim Gjika, një nga bulevardet më të bukur të rajonit e më gjerë dhe kjo, vetëm e vetëm se e ndërtoi qeveria. Por ne do të ndërtojmë edhe shëtitoren buzë detit dhe do ta bëjmë Vlorën me një nga lungomare-t më të bukura. Ne kemi përfunduar projektin e Bypass-it të Vlorës, i cili do të kalohet mbrapa në luginën e lumit e do të dalë në Tragjas. Ne do të bëjmë edhe projektin e rrugës që do të qarkojë gadishullin e Karaburunit. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë mahnitëse të këtij rrethi t’i shndërrojmë në vlera të vërteta për qytetarët e Vlorës e mbarë Shqipërisë. Gëzuar rrugën!”

 

 


26/07/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave