Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Kemi detyrė zgjerimin gjithnjė e mė shumė tė hapėsirės sė lirisė pėr bizneset dhe ekonominė
 

Kryeministri Berisha tha sot, se edhe vitin e ardhshëm qeveria do të fokusohet në zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirës së lirisë për bizneset dhe ekonominë. Duke trajtuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dy çështje të rëndësishme që lidhen me thjeshtimin e procedurave burokratike, Kryeministri u kërkoi ministrave të shqyrtojnë qëndrimet e agjencive që varen prej tyre, mbi lejet e licencat, zvarritjen dhe burokracinë e tyre, si dhe të paraqesin listën e autorizimeve që lëshojnë drejtoritë e tyre, drejtoritë rajonale dhe agjencitë që varen prej tyre, për t’i shqyrtuar dhe parë mundësinë e thjeshtimit të tyre.  

 

Lidhur me këto çështje, Kryeministri u shpreh:

 

“Çështja më kryesore e rendit të ditës është ajo e reformës ekonomike. Ne kemi bërë një punë shumë të madhe si qeveri përsa i përket licencave. Kemi hequr 2/3 e tyre dhe kemi grupuar 1/3 në Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve. Me gjithë këtë përpjekje, për shkak të lejeve të ndërtimit, të cilat përbëjnë ndofta lejen e parë për nga rëndësia dhe mjerisht, të vlerësuara këto vetëm për Tiranën, ne u renditëm vitin që shkoi, në vendin e 183 në botë. Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër që ta sjellë këtë lejë në afatin kohor 45 ditor që është një nga afatet minimale që ekziston. Dhe kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Por, zotërinj ministra, unë kërkoj nga ju të shqyrtoni për të nxjerrë konkluzione mbi qëndrimet e agjencive që varen nga ju, mbi lejet e licencat, zvarritjen dhe burokracinë e tyre. Ka ankesa, nuk janë të shumta, por e vërteta është se ka ankesa sporadike, të rralla të jem i sinqertë, që agjencitë nuk i përgjigjen Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave në afatin e duhur kohor. Sigurisht, Qendra do të ketë porosi t’jua dërgojë juve të gjitha rastet e vonesave, por kjo mund të kontrollohet fare mirë nga ju, duke marrë në protokoll datën e paraqitjes së kërkesës tek ju dhe përgjigjes së saj. Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme.

 

Çështja e dytë që dua të sjell tek ju është ajo e autorizimeve, të cilat janë më pak burokratike se licencat e lejet, por janë akte burokratike. Në një mbledhje të mëparshme dhe mbi bazën e një urdhri të lëshuar më pak se një muaj më parë është kërkuar që ministritë të paraqesin listën e autorizimeve që lëshojnë ato dhe agjencitë e varura prej tyre. Deri tani janë jo në përgjigje të plotë Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe Ministria e Brendshme. Këto ministri duhet të paraqesin me shpejtësi listën e autorizimeve që lëshojnë drejtoritë e tyre, drejtoritë rajonale dhe agjencitë që varen prej tyre, në mënyrë që t’i shqyrtojmë bashkërisht. Ne mund t’i mbajmë ato, ose mund të shohim edhe se çfarë mund të heqim prej tyre.

 

Rëndësi të jashtëzakonshme ka që ne të bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën mbi biznesin. Ju e ndiqni këtë krizë. Një konkluzion është universal e përfundimtar. Kriza e borxheve është e do të jetë krizë afatgjatë. Ajo që u bë në samitin e fundit në Bruksel ishte një akt ligjor europian shumë i rëndësishëm për të vendosur themelet e financave të këtij shekulli. E vërteta është se mekanizmat e financave të shekullit të kaluar në tërësinë e tyre janë përgjegjëse për këtë që ne përjetojmë sot. Një gjë është shumë e sigurt që mbajtja e borxhit nën 60 për qind dhe ngushtimi drastik i deficitit buxhetor janë dy kushtet, të cilat do të parandalojnë në të ardhmen kriza të tilla. Ky është një proces në vazhdim dhe me përcaktimin e rregullave të reja të financave me këto ligje të vendosura, me këtë marrëveshje që arrihet në vendet anëtare të Bashkimit Europian të zonës euro dhe pastaj atyre që do të ecin drejt zonës së euros vendoset një disiplinë e hekurt në shpenzime.

 

Por jam i bindur se në kohën që vjen do të shqyrtohen edhe disa faktorë të tjerë themelorë që qëndrojnë në bazë të këtij problemi madhor, me të cilin përballet sot Europa e bota. Këta faktorë madhorë, në mendjen time, janë evazioni fiskal, i cili sa më të larta taksat, aq më i lartë evazioni. Unë nuk pretendoj dhe nuk them se duhet marrë shembull nga Shqipëria. Shqipëria ndjek modelin e saj me sukses të plotë, por e vërteta është se me përgjysmimin e taksave, ky vend ka inkasuar së paku, 8 miliardë dollarë më shumë.

 

Këto janë probleme që sigurisht do të zgjidhen. Ajo që është vendosur në Bruksel, në ligjin e buxheteve, është një domosdoshmëri, në mënyrë që askush të mos mund të shpenzojë, të mos mund të shtrijë këmbët më shumë se çka mundësitë, ose më gjatë se çka jorganin. Ky është morali i saj.

 

Duke theksuar këtë, ne na del detyrë të zgjerojmë gjithnjë e më shumë hapësirën e lirisë për bizneset, për ekonominë. Çdo hap në këtë drejtim është i një rëndësie jetike. Të mos harrojmë se ne kemi bërë një përparim të shkëlqyer në fushën e koncesioneve në energji dhe kjo është një nga rastet më unike, absolutisht, në Europë e në botë. Në një hark kohor të shkurtër janë firmosur 110 kontrata për rreth 300 hidrocentrale, nga të cilët, në 73 ose kanë filluar, ose kanë avancuar, ose kanë përfunduar punimet. Por ne kemi rezerva shumë të mëdha përpara po në fushën e lirisë ekonomike. Ne duhet të kemi qëllimin më kryesor partneritetin publik privat, i cili nuk është i njëjtë me koncesionin, është shumë i ngjashëm, por jo identik, por është një mekanizëm kryesor për të shumëfishuar investimet, për të mobilizuar kapitalin privat, në vepra të përbashkëta me qeverinë. Është mekanizëm që në vetvete është shumë më i fuqishëm, në rrafshin e ekonomisë, se të gjithë mekanizmat e tjerë sot. Ndaj detyrë kryesore për vitin e ardhshëm kemi në këtë aspekt, aplikimin e partneritetit publik privat, në të gjitha fushat, sikundër në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Jam informuar se Bashkia e Tiranës ka nisur një përpjekje shumë serioze në këtë drejtim dhe shembullin e saj shpresoj ta ndjekin edhe bashkitë e komunat e tjera të vendit, që, në interesin më të mirë të tyre, mund të përfitojnë nga kjo praktikë. Sipas drejtuesve të bashkisë, USAID-i ka marrë përsipër t’i mbështesë ata direkt në këtë proces. Kjo përbën një levë të fuqishme dhe një potencial të madh për nxitjen e investimeve.

 

Ne duhet të shqyrtojmë të thjeshtojmë praktikat. Edhe sot, ne kemi një ligj shumë të rëndësishëm të sjellë nga Ministria e Mjedisit, në vazhdim të paketës që miratuam në mbledhjen e shkuar lidhur me tokën,  kompetencat që ne i kalojmë qeverive vendore për të dhënë me qira, emfiteozë tokën bujqësore, tokën kullotë, zabele, tokën e pafrytshme, siç është e cilësuar nga specialistët, që, absolutisht, në Shqipëri nuk ka një metër katror tokë të pafrytshme, ndaj është mirë ta shohin atë term, pasi ai term vjen nga koha e dembelizmit socialist dhe tani njerëzit kanë pasion të punojnë kudo. Në tërësi, kjo është tokë e frytshme, aq më tepër, me dy projektet që ne kemi ndërmarrë e do të ndërmarrin, në projektin e ullishtave, atë të arrorëve, dy projekte që do të transformojnë tërësisht potencialet e mëdha prodhuese të kësaj toke e të këtij vendi.

 

Ndaj duhet një përqendrim shumë i madh në reformën ekonomike, në mënyrë që dallgët e krizës të mos  e përfshijnë këtë vend. Sigurisht, pasojat e saj ndjehen, por vendi ka rritje ekonomike dhe për shqiptarët është jetike ruajtja e rritjes ekonomike. Pa rritjen ekonomike do të kishte jo rritje, por ulje të ndjeshme të pagave. Pa rritjen ekonomike do të kishte jo rritje, por ulje të ndjeshme të pensioneve. Pa rritjen ekonomike nuk do mund të kishte investime. Pa rritjen ekonomike do të kishte rritje të madhe të papunësisë dhe ne jemi vërtet, i vetmi vend që shënon ulje të qartë të papunësisë.” 



14/12/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave