Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Kompanitė mė tė mėdha norvegjeze projekte shumė tė rėndėsishme nė fushėn energjetike nė Shqipėri
 

Kryeministri Berisha njohu sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, anëtarët e tij dhe median e pranishme me vizitën e zhvilluar në Mbretërinë e Norvegjisë. Duke bërë një përmbledhje të bisedimeve dhe takimeve të zhvilluara, sipas një axhende të mirëpërcaktuar, Kryeministri shprehu kënaqësinë që me bashkëbiseduesit e tij gjeti mirëkuptimin dhe u ra dakord për çështje të rëndësishme në bashkëpunimin midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjisë, ICT-së dhe zhvillimit të qëndrueshëm jeshil.

 

Kryeministri informoi se axhenda e bisedimeve përfshinte çështje e projekte konkrete të bashkëpunimit në fushën e energjisë si avancimi i projektit për ndërtimin e tre hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, për të cilin janë angazhuar kompania norvegjeze Statkraft dhe ajo austriake EVN dhe që në muajt e parë të vitit të ardhshëm pritet të hapet tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjes e kompanive për ndërtimin e tyre; si dhe projekti për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), për të cilin janë angazhuar tre sipërmarrje gjigande në fushën e energjisë, kompania zvicerane EGL, kompania norvegjeze Statoil dhe ajo gjermane EON.  Kryeministri Berisha i konsideroi bisedimet e zhvilluara me homologun e tij Stoltenberg shumë të rëndësishme, për shtytjen përpara të këtij projekti shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe furnizimin me gaz nga Kaspiku drejt Europës Perëndimore.  

 

Një çështje tjetër për të cilën Kryeministri ka marrë mbështetjen e Kryeministrit norvegjez ishte projekti kombëtar i qeverisë shqiptare për krijimin e sipërfaqeve të gjera pyjore me drurë frutorë dhe arrorë. “Kushtet, rrethanat, klima, toka e cilësitë e saj në Shqipëri - u shpreh Kryeministri - e bëjnë plotësisht të mundshme krijimin e pyjeve me drurë frutorë, kthimin e Shqipërisë në kopshtin më të madh të Europës. Ky projekt gjeti simpati të madhe.”  

 

Pjesë shumë të rëndësishme e axhendës së vizitës në Norvegji, Kryeministri vlerësoi edhe takimet me përfaqësues të sipërmarrjeve norvegjeze. Kryeministri theksoi se konstatoi me shumë kënaqësi interesin shumë të madh, simpatinë dhe vlerësimin që ata dëshmuan për Shqipërinë, vendosmërinë e tyre për të investuar në Shqipëri, në të gjitha fushat.

 

Lidhur me këto çështje, më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Së pari, dëshiroj t’ju informoj ju dhe qytetarët shqiptarë, mbi vizitën time në Mbretërinë e Norvegjisë.

 

Mbretëria e Norvegjisë është një nga vendet më të zhvilluara të planetit. Vend që është ndër vendet e para në botë në të ardhurat për frymë, në ICT, në mjedis, në jetëgjatësi, në prodhim energjie. Kjo Mbretëri është sot, eksportuesi i dytë në botë i gazit dhe furnizon kontinentin dhe Mbretërinë e Bashkuar me sasi gazi të njëjta me ato të Gazpromit. Norvegjia është model i zhvillimit të qëndrueshëm jeshil.

 

Vizitova Norvegjinë me ftesë të Kryeministrit Stoltenberg dhe me një agjendë shumë të përcaktuar. Qëllimi im kryesor dhe çështja kryesore që diskutuam me mirëkuptim të plotë me mikpritësin tim, Kryeministrin Stoltenberg, ishte bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e energjisë, ndihma dhe mbështetja e Norvegjisë për Shqipërinë, në përpjekjen e saj për zhvillimin e qëndrueshëm jeshil. Ne diskutuam gjerësisht mbi potencialet e mëdha të këtij vendi, për një zhvillim të tillë. Norvegjia është njëshi në botë për investime e ndërtime hidrocentralesh në vende të tjera. Kompanitë më kryesore norvegjezë janë prej kohësh në Shqipëri dhe kanë studiuar e kanë fituar në tendera koncesione, ndër të cilat sëbashku me kompaninë austriake EVN kanë projektin e kaskadës së Devollit, projekt që, pasi të realizohet, përbën një prodhim prej 20 për qind të prodhimit aktual të energjisë në Shqipëri. Një investim ky afërsisht 1 miliardë Euro. Norvegjia disponon fondin e dytë sovran, më të madh në botë të investimeve, me të cilat ky vend mbështet investitorët e saj kudo dhe qëllimi më kryesor i vizitës sime ishte që të parashtroja kërkesën e të gjeja mirëkuptim që të mbështeteshin kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri. Gjatë drekës të zgjatur të punës me Kryeministrin Stoltenberg, ju siguroj se ai e priti shumë mirë dhe me simpati vendosmërinë tonë për një zhvillim të qëndrueshëm jeshil të vendit, përpjekjen tonë për t’u shndërruar në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon, për të shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme të energjisë së rinovueshme. Sikundër më garantoi se qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm sipërmarrjet norvegjeze që do të investojnë në këto fusha në Shqipëri.

 

Ajo çka unë dua të informoj qytetarët shqiptarë është se projekti më i madh privat në këto 20 vite, projekti i kaskadës së Devollit, pra, ndërtimi i tre hidrocentraleve, që aktualisht është projekti më i madh në Europë, në fushën e energjisë ujore, do të fillojë dhe ky është një vendim përfundimtar dhe i pandryshueshëm. Ka përfunduar gjithçka dhe pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet, kompania austriake EVN dhe ajo norvegjeze Statkraft, gjatë muajve të parë të vitit që vjen, hapin tenderin e fillimit të punimeve. Natyrisht, kjo është vepra më komplekse e më madhore që është ndërtuar ndonjëherë në vend, që bazohet në dhjetëra kilometra tunele dhe ka investimin më të madh. Në takimet e mia për këtë problem, është rënë dakord që qeveria të fillojë vitin e ardhshëm, ndërtimin e rrugës në përputhje me kontratën që ka me këto dy kompani dhe qytetarët e Gramshit të kenë të gatshme rrugën e re që i sjell drejt kryeqytetit, para se të ndodhë përmbytja e rrugës së vjetër. Rruga, prej 18 kilometrash, do të jetë rruga më panoramike e rajonit. Imagjinoni se çfarë avantazhi i madh do të jetë një rrugë buzë liqenit, ku do të ndërtohen edhe vepra arti që do t’i përshtaten shumë terrenit. Ndaj kam shumë kënaqësi të informoj se kaskada e Devollit do të jetë realiteti më i madh i investimeve private në Shqipëri këto 20 vite. Me këtë rast, marrin një qetësim edhe skeptikët, të cilët këtë projekt e kanë vështruar me skepticizëm. Por, faktikisht, kjo ëndërr e bukur, ëndërr e madhe do të fillojë të shndërrohet në realitet. Në këtë kontekst, unë gjeta mirëkuptimin e plotë të qeverisë norvegjeze, të drejtuesve të Statkraft. Muajt e parë të vitit që vjen hapet tenderi ndërkombëtar për kompanitë që do ta ndërtojnë.

 

Së dyti, duke mbetur sërish tek energjia. Tashmë është e njohur se një gazsjellës që fillon në Kaspik, në fushën e gazit të Shah-Deniz-it dhe kalon në Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali dhe degëzohet drejt veriut, është projekti më fizibël i të gjitha sistemeve gazjsellës të ndërtuar gjer më sot, të projektuara për të çuar gazin e Kaspikut drejt Europës Perëndimore. Është projekti që kushton 2.2 miliardë Euro më lirë, se të gjitha projektet e tjera që shkojnë drejt Italisë. Është projekti që mund të ndërtohet në kohë rekord, më shpjet se çdo projekt tjetër, për shkak të distancës më të shkurtër. Ky projekt, fillimisht, kishte në bërthamë konsorciumin EGL, një nga sipërmarrjet kryesore energjetike të Zvicrës dhe Statoil, ndërmarrja kryesore e naftës e gazit në Norvegji, eksportues i dytë i gazit në botë, tani i është bashkuar edhe një gjigand tjetër, EON, sipërmarrja e madhe energjetike e Gjermanisë. Projekti është avancuar në sajë të vullnetit të hekurt që kanë dëshmuar korporata EGL dhe Statoil dhe përpjekjeve të tjera të vendeve, ndër të cilat edhe Shqipëria, ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet e Azerbaxhanit, me Turqinë dhe vende të tjera. Projekti ka tani një mbështetje të fuqishme, shumë të rëndësishme politike dhe e ka të qartë perspektivën. Në Shah Deniz, autoritetet e kësaj fushe gjigande gazi, në të cilën Statoil është aksioner me mbi 20 për qind, kanë marrë oferta të disa konsorciumeve dhe e vërteta është se oferta e bërë nga Trans Adriatic Pipeline (TAP) është në distancë më e qarta, më e sigurta, më fizibël dhe më e shpjeta që mund të sjellë gazin në Europë. Gjatë qëndrimit në Oslo, diskutuam me Kryeministrin Stoltenberg për të bashkërenduar përpjekjen tonë që ky projekt gjigand europian të bëhet sa më shpejt realitet dhe Kryeministri u prononcuan direkt edhe në media për TAP-in si një prioritet për mbështetje nga qeveria norvegjeze. Jam i bindur se këto bisedime kanë qenë  shumë të rëndësishme, për shtytjen përpara të këtij projekti shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Europën.

 

Problemi i tretë, zotërinj ministra, me të cilën unë diskutova në filozofinë e zhvillimit jeshil të këtij vendi, ishte përpjekja e kësaj qeverie, e kësaj mazhorance, për pyllëzimin e vendit me drurë frutorë. Unë e njoha bashkëbiseduesin tim me vendosmërinë tonë dhe studimet tona që faktojnë se Shqipëria është një vend ideal për drurët frutorë. Dhe në këtë kontekst, qeveria është e vendosur dhe ka filluar zbatimin e dy projekteve, projektin e ullirit dhe atë të arrorëve, me të cilat kjo qeveri synon që në 8 vjet të mbillen 250 milionë dru frutorë, në Shqipëri, pra, të krijohen qindra e mijëra hektarë pyje me dru frutorë. Kushtet, rrethanat, klima, toka e cilësitë e saj në Shqipëri e bëjnë plotësisht të mundshme krijimin e pyjeve me drurë frutorë, kthimin e Shqipërisë në kopshtin më të madh të Europës. Ky projekt gjeti simpati të madhe. Norvegjia ndihmon shumë vende në procesin e  pyllëzimit, me qëllimin që t’i kundërvihet pasojave të ndryshimit të klimës. Në të katër anët e botës, ky vend bujar ndihmon qeveritë në politikat e tyre të pyllëzimit, për të përballuar më mirë pasojat e ndryshimit të klimës, por edhe për të tamponuar rritjen e emetimeve të dioksidit të karbonit. Kështu që edhe në këtë projekt të madh, jam i bindur se qeveria norvegjeze do të na japë mbështetje të fuqishme në ekspertizë dhe mbështetje tjetër shumë të çmuar.

 

Mendoj se bashkëpunimi me këtë vend duhet të njohë e do të njohë dimensione të reja. Ky është një model për t’u ndjekur në përpjekjen tonë për zhvillimin e qëndrueshëm jeshil të Shqipërisë.

 

Në udhëtimin tim, unë kisha me vete një grup të gjerë biznesmenësh shqiptarë, më së shumti të orientuar në fushën e energjisë, pro edhe në fusha të tjera, të cilët në Forumin e përbashkët, të organizuar në Oslo me investitorë e sipërmarrës norvegjezë, patën rastin të diskutojnë gjerësisht mbi projektet e tyre dhe të ftojnë investitorët norvegjezë në këto projekte. Unë takova grupin e investitorëve shqiptarë dhe i gjeta shumë të kënaqur me këtë udhëtim dhe takimet që kishin pasur.

 

Gjatë qëndrimit në Oslo, çështje tjetër shumë e rëndësishme e bisedimeve ishte ICT, Shqipëria dixhitale. Norvegjia ka një ndër pozicionet më të larta në botë në teknologjinë dixhitale. U ra dakord të fillohet menjëherë me bashkëpunimin dhe përfaqësues të korporatave të rëndësishme norvegjeze do të vijnë së shpejti në Shqipëri, për të nisur nga puna. Mendoj se ata kanë sistemin, ndër më të zhvilluarin në botë, të instalimit dhe funksionimit të ICT-së. Bashkëpunimi me ta ka një interes shumë të madh dhe do të na ndihmojnë në mënyrë të vendosur si në përgatitjen e kuadrit, ashtu edhe në organizimin dhe konsolidimin e modelit të Shqipërisë dixhitale.

 

Unë pata një nder shumë të veçantë, u prita nga Princi i Kurorës, pasi Madhëria e Tij, Mbreti, nuk ndodhej në Norvegji. Pata një pritje shumë të përzemërt nga Princi. Mbeta vërtet i prekur nga ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. E njoha Princin me qëllimet e vizitës sime në Norvegji dhe kam bindjen se autoriteti i madh i Princit të Kurorës dhe Familjes Mbretërore do të jetë një faktor moral, një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin  mëtejshëm  të marrëdhënieve miqësore të bashkëpunimit midis dy vendeve e kombeve tona.

 

U takove gjithashtu, me Zëvendës Presidentin e Parlamentit norvegjez, pasi Kryetari nuk ndodhej. Takimi ishte një takim shumë miqësor dhe unë e informova me të gjitha përpjekjet e Parlamentit shqiptar dhe reformat e thella. Ju garantoj se reformat e Shqipërisë ishin fare të njohura, çka u shpreh në vlerësimin më të madh nga bashkëbiseduesit.

 

Gjithashtu u takova me shumë përfaqësues të biznesit, përfaqësues të studentëve shqiptarë në Oslo. Vizitën e mbylla me një udhëtim të gjatë, ku vizitova një nga hidrocentralet e mëdha të Norvegjisë. Një sistem mahnitës digash e tunelesh, i cili fillonte me një digë në lartësinë 860 metra, por uji i saj rrihte turbinat e 9 hidrocentraleve gjersa zbriste në nivelin zero, në det. Ishte një mrekulli e vërtetë energjetike. Edhe ne do të shkojnë deri në 6 hidrocentrale me Drinin, dy hidrocentralet e Skavicës dhe i Bushatit. Ndofta Vjosa do të jenë me 8 ose 9 hidrocentrale. Përballja kaskadë që kemi zgjedhur është më e drejta, më e shkëlqyera. Edhe u frymëzova, edhe u ndava me optimizëm nga kjo vizitë.

 

Dua ta mbyll duke i shprehur mirënjohjen time më të thellë, Kryeministrit të Mbretërisë së Norvegjisë, zotit Stoltenbeg, për pritjen shumë miqësore dhe bisedimet e frytshme që më rezervoi, falënderoj përzemërsisht Princin e Kurorës Haakon Magnus, Zëvendës Presidentin e Parlamentit, drejtuesit e Statoil, të Statkraft dhe të gjithë biznesmenët norvegjezë që takova gjatë qëndrimit tim, për interesin shumë të madh, simpatinë dhe vlerësimin që dëshmuan për Shqipërinë, vendosmërinë e tyre për të investuar  në këtë vend, në të gjitha fushat. Unë jam shumë i bindur se një nivel i ri marrëdhëniesh të shkëlqyera midis dy vendeve do të ecë përpara.”



16/11/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave