Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha njeh anėtarėt e qeverisė me vizitėn e zhvilluar njė ditė mė parė nė Maqedoni
 

Gjatë mbledhjes së sotme, Kryeministri Berisha njohu anëtarët e kabinetit qeveritar lidhur me vizitën e zhvilluar një ditë më parë në Maqedoni.

Duke shprehur falënderimet e tij për mikpritjen e rezervuar, si në Shkup edhe në Tetovë, Kryeministri Berisha u shpreh: Dëshiroj t’ju informoj shkurtimisht për vizitën e djeshme në Republikën e Maqedonisë. Ishte një vizitë njëditore, por e shkëlqyer, intensive dhe e frytshme. Shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht mikpritësin tim, Kryeministrin Nikola Gruevski, por edhe autoritet më të larta të vendit, si Presidentin Ivanov dhe Kryetarin e Parlamentit për pritjen e ngrohtë e miqësore që më rezervuan, si dhe për bisedimet shumë të frytshme që ne zhvilluam. Në një takim të hapur pune, tepër të rëndësishëm, me Kryeministrin e Maqedonisë dhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe në çdo takim tjetër, spikat një interes i veçantë, një vullnet i qartë, një vetëdije e plotë për rëndësinë e madhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ndaj dhe ramë plotësisht dakord që të bëjmë gjithçka për intensifikimin e këtij bashkëpunimi. Do të shqyrtohen të gjitha procedurat e vendosura midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të adaptohen në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, në dogana, në kalim kufiri. U vendos që qytetarët të lëvizin me letërnjoftime dhe marrëveshja do të nënshkruhet nga ministrat e Punëve të Jashtme.

Përpjekje të mëdha do të bëhen për të zgjeruar komunikimin. Në këtë kontekst dua të veçoj dëshirën e qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e një terminali hekurudhor kontinierësh në Strugë dhe ndërtimin nga pala shqiptare e pala maqedonase të kilometrave respektivë, në mënyrë që kontinierët nga porti i Durrësit të arrijnë në territorin e Republikës së Maqedonisë. Kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht hapin e parë më të rëndësishëm për lidhjen hekurudhore Strugë – Kërçovë. Kjo është një lidhje shumë e rëndësishme për të dy vendet tona pasi, me disa ndërtime hekurudhore që bëhen në Turqi, ndjek rrugën e mëndafshit, këtë herë jo me deve, por me tren. U ra dakord të bëhen përpjekje të shpejta, në mënyrë që liqeni i Ohrit të ketë transportin më të mirë midis Pogradecit dhe Ohrit. Turistët, në të dy anët, të mund të njihen me trashëgiminë e madhe kulturore të zonave të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kjo do të jetë një nxitje e madhe për turizmin midis dy vendeve, por edhe për turizmin evropian. U diskutua për lidhje të tjera ajrore. Do të konsiderohet seriozisht vendosja e një linje ajrore midis Shkupit dhe Tiranës, si dhe ndërtimi i lidhjeve të tjera tokësore, të cilat bëjnë të mundur që qytetarët e të dy vendeve të arrijnë sa më shpejtë në destinacionet e tyre, në Tiranë apo në Shkup. Kryeministri Gruevski më premtoi se qeveria e tij po konsideron dhe do të rindërtojë rrugën për në Dibër të Madhe, gjë e cila, pas përfundimit të rrugës së Arbrit, afron dy kryeqytetet tona me 103 kilometra. Përveç kësaj një tjetër rrugë është në përfundim, rruga Librazhd – Stëblevë, e cila do të ketë të gjithë parametrat ndërkombëtarë dhe do të lidhë vendet tona me këtë rajon malor, mahnitës për nga bukuritë e tij. Me Kryeministrin Gruevski diskutuam për të bashkërenduar përpjekjet tona në të gjithë procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Maqedonia është një vend shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin e Jugut. Në këtë kontekst, mirëkuptimi midis etnive në këtë Republikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Edhe një herë shfrytëzoj rastin t’i shpreh falënderimin më të sinqertë Kryeministri Gruevski dhe mikpritësve të tjerë zyrtarë, Presidentit Ivanov dhe kryetarit të Parlamentit.

Gjatë qëndrimit tim në Shkup, unë nisa ditën me takime me kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti, me kryetarin e PDSH-së, zotin Menduh Thaçi dhe kryetarin e LSDM-se, ish presidentin Branko Crvenkovski. Pata diskutime shumë të frytshme me udhëheqësit politik të shqiptarëve të Maqedonisë, me zotin Ahmeti dhe zotin Thaçi. U shpreha nderimet dhe vlerësimin tim më të madh për rolin e tyre shumë të rëndësishëm në jetën politike dhe të gjithanshme të Maqedonisë në tërësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Programi i qeverisë aktuale është një program i integruar. Siç më informoi zoti Ahmeti, por edhe Kryeministri Gruevski, një nga shtyllat kryesore të këtij programi është zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshje jetike kjo për paqen dhe stabilitetin në Republikën e Maqedonisë dhe që brenda një harku të shkurtër kohor janë shënuar hapa konkretë në zbatim të saj, si në përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe, përdorimin e flamurit kombëtar dhe ndërprerja e disa proceseve politikisht të motivuara ndaj luftëtarëve të lirisë, të cilët në luftën e tyre e bënë Maqedoninë më të lirë, më të drejtë, më stabël dhe u kthyen shqiptarëve në Maqedoni lirinë dhe dinjitetin që meritojnë.  Ky ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm.

Po kështu, me zotin Thaçi, avokat i pamposhtur i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në opozitë, por me qëndrime konstruktive, i vendosur të mbështesë qeverinë dhe të votojë për të gjitha proceset e integrimit. I vendosur të bëjë opozitën që i takon, por ta bëjë atë me një pasion konstruktiv, në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tij.

Pata një takim me ish Presidentin dhe kryetarin e LSDM-se, z.  Branko Crvenkovski. Me të diskutuam për zhvillimet në të dy vendet. Më njohu me vendosmërinë e tij për të mbështetur procesin e integrimit të vendit të tij në NATO, për të votuar opsionin e qeverisë për zgjidhjen e problemit të emrit dhe zhbllokuar procesin e anëtarësimit në NATO. Tek bisedoja me të mendja më shkonte se si t’ia bëjmë kryetarit të socialistëve shqiptarë që të marrë një kurs prej tij. Ua thashë dhe atyre të tjerëve, se si nuk mund të bllokohet, nuk mund të përdoret pushteti, pavarësisht nga kundërshtitë që ke me rivalin tënd në pushtet. Nuk mundet kurrë ta përdorësh pushtetin për të ndëshkuar qytetarët e tu. Nuk mundet kurrë të viktimizosh fëmijët, burrat, gratë e këtij vendi se humbet vetë, se të kap sindromi obsesiv i kurbani dhe do të kurbanizosh interesat më jetike të fëmijëve të këtij vendi. Edhe në takimin me kryetarin e Parlamentit gjeta një interes të veçantë për intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare midis dy vendeve. Kjo ishte pjesa e vizitës time në kryeqytetin e Maqedonisë, të cilën unë e vizitojë për herë të tretë.

Por dita e djeshme do të mbetet ndër më të veçantat në tërë jetën time, në tërë karrierën politike, me vizitën në Tetovë. Kjo vizitë u karakterizua nga momente jashtëzakonisht emocionale për mua. Vizitë në një qytet që ka bërë aq shumë për historinë kombëtare, një qytet që ka martirët e fundit në Evropë për liri dhe  dinjitet njerëzor, një qytet që me qëndresën e kontributin e tij bëri përfundimisht të lirë të gjithë shqiptarët, një qytet që me një shpejtësi të madhe është shndërruar në një tempull të vërtetë dije dhe universitetesh. Është e njohur, shqiptarët e Maqedonisë, pasionet e tyre më madhore dhe dashuritë e tyre më të mëdha i kanë për vendin, punën, familjen. Në një kohë të shkurtër ata e kanë shndërruar Tetovën në një qytet kryesor të dijes dhe arsimit për kombin shqiptar. Tetova numëron në një hark kohor 14 vjeçar mbi 25 mijë studentë në dy universitete, mbi 32 mijë nxënës në shkollat e mesme të saj, nga asnjë studentë dhe asnjë universitet 14 vjet më parë, nga shumë më pak se 1/5 e nxënësve në shkollat e  mesme. Një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Zoti ministër i Arsimit, ndihma dhe mbështetja e këtyre dy universiteteve duhet të jetë përparësia më madhore e bashkëpunimit të universiteteve tona. Ndaj do t’u akordohet atyre i tërë numri që u duhet për doktorata dhe master për qëllime të funksionimit të katedrave, departamenteve, degëve dhe fakulteteve. Së bashku me rektorët e universiteteve të Tiranës, ju duhet të hartoni me zotin Reka dhe zotin Dika, rektorët respektivë të universitetit shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore, një program pune ku ne të ofrojmë të gjitha lehtësitë që kemi mundësi me gradat, me dërgimin e pedagogëve në degët e reja që hapim, me hapjen e bazave laboratorike dhe të tjera për studentët e këtyre universiteteve. Ishte e jashtëzakonshme për mua vizita në ato dy universitete, të ngritura mbi sakrificën e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Tetovës. Sot universiteti i parë është shtetëror, por nuk duhet të harrojmë se u ngrit mbi bazën e kontributeve të tyre dhe bashkatdhetarëve tanë dhe u shndërrua në tempull të vërtetë dritë dhe lirie.

Vizita ime në Tetovë nisi me takimet me qytetarët në rrugët dhe sokakët e saj, vazhdoi me një takim vëllazëror në komunën e qytetit, me kryetarin e saj zotin Sadi Bexheti, kryetarin e këshillit, këshilltarët dhe drejtues të tjerë kryesorë. Kryetari i komunës më njohu me të gjithë vizionin dhe perspektivën e madhe të këtij qyteti. Ishte një takim shumë vëllazëror, i ngrohtë, miqësorë. Ndaj dhe dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë zotit Sadi Bexheti, qytetarëve të Tetovës për atë mikpritje që unë nuk do ta harroj kurrë në jetën time. Dy momente të tjera shumë të veçanta ishin takimet në universitetet e Tetovës. Në universitetin shtetëror me  rektorin Agron Reka, bashkëpunëtorë të tij dhe studentë të këtij universiteti. Më njohën me përpjekjet e tyre të mëdha, me degët që ata kanë hapur në komuna të tjera për shkollimin e shqiptarëve. I sigurova se gjatë këtyre 20 viteve nuk kam ndjekur më nga afër jetën e një universiteti, se atë të universitetit shtetëror të Tetovës. U themelua si një dëshmi vullneti të hekurt të shqiptarëve të Tetovës për të shkolluar fëmijët e tyre, për të bërë realitet ëndrrën e bukur universitare të fëmijëve të tyre. Në shumë mënyra u përpoqën ta pengonin. Një betejë e pandershme u zhvillua me këtë universitet, por, siç është në ligjin universal, betejat me  universitete të gjithë ata që i ndërmarrin i kanë të humbura. Sepse universitetet janë tempuj lirie. Kjo ndodhi edhe me universitetin e Tetovës.  E fitoi betejën dhe sot ka 10-15 mijë studentë.

Në universitetin e Evropës Juglindore që lindi dhe ai mbi sakrificën e shqiptarëve, me një kontribut të madh ndërkombëtar, në një përpjekje të madhe të qytetarëve të Tetovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, brenda një kohe të shkurtër për ta shndërruar atë në një tempull serioz të vlerave, të mësimit, të edukimit, të  dritës, të tolerancës. Mu rezervua një pritje shumë e ngrohtë. U ndjeva shumë i emocionuar, sepse historia e lirisë së shqiptarëve, para së gjithash, këto dekadat e fundit është historia e universiteteve të tyre, në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe kudo. E mbyll këtë fjalë duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj rektorit Reka, ndaj rektorit Dika, prof. Veton Latifit, i cili më nderoi edhe më një çmim, të cilin e pranova si një akt nderimi dhe respekti të madh për veprën, për punët e ndritura që ata bëjnë.

Kjo ishte një vizitë njëditore, jashtëzakonisht intensive, shumë mbresëlënëse.

Faleminderit!

 


11/11/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave