Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Energjia mė e fuqishme e kėtij vendi ėshtė energjia e tregut
 

Ata, të cilët vendosim projektet e tyre në Shqipëri, dëshmojnë një besim të madh tek ky vend.

 

Të gjitha ata që sot janë lokomotivë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi i garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal që bazohet në rrënimin e të pasurve.

 

Qeveria do të konsiderojë çdo hap tjetër, për të lehtësuar veprimtarinë  e tyre, si dhe do të ndërmarrë një përpjekje të re të madhe, për të zgjeruar lirinë  ekonomike të sipërmarrjes.

 

Kryeministri Berisha prezantoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, dokumentin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2012-2014 dhe projektprogramin buxhetor afatmesëm 2012-1014.

 

Duke paraqitur kuadrin makroekonomik e fiskal 2012-2014, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të përmbledhur të performancës ekonomike të vendit për periudhën 9 mujore, të këtij viti. Kryeministri tha se ekonomia shqiptare ka “një dinamizëm të admirueshëm” dhe “të dhënat janë inkurajuese”, një vlerësim ky i bazuar në rritjen e disa treguesve ekonomikë. Rritja e eksporteve me 320 milionë dollarë në 9 muaj, veçanërisht e eksportet e mallrave “Made in Albania” me 27 për qind, rritja e investimeve, rritja e lirisë ekonomike me 16 për qind, sipas raporteve serioze ndërkombëtare, përmirësimi i përvitshëm i konkurrueshmërisë, qëndrueshmëria e monedhës shqiptare, rritja e lëvizshmërisë së mallrave brenda vendit dhe rregullave lehtësuese jashtë tij janë disa nga treguesit themelorë që, theksoi Kryeministrit, dëshmojnë se ekonomia shqiptare funksionon. “Të gjithë, kur lëvizin sot nëpër këto rrugë, -  tha Kryeministri - shohin makina e njerëz që qarkullojnë, por harrojnë se ato janë arteriet e qarkullimit të energjisë më të fuqishme të kësaj toke, që është energjia e tregut.”

 

Kryeministri Berisha riafirmojë bindjen se mekanizmi më i mirë për t’i rezistuar krizës më të thellë financiare dhe të borxheve në Europë e në botë është inkurajimi i biznesit. Ai garantoi se qeveria do të ndërmarrë përpjekje të reja, për të zgjeruar lirinë  ekonomike të sipërmarrjes, “me besimin më të madh se kjo është rruga më e sigurt në këtë kohë tepër të vështirë.”

 

“Ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar e luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do të begatojnë vendin duke bllokuar privatizimet, koncesionet dhe partneritetin publik-privat,  - tha Kryeministri - nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk kthehet kurrë më në këtë vend. Sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme.”

 

Por, më gjerësisht, Kryeministri u shpreh:

 

“Rendi i ditës është i ngjeshur dhe i rëndësishëm. Sot, miratojmë kuadrin makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2012-2014, që përfshin një vit të këtij mandati dhe një vit të mandatit të ardhshëm. Sot miratojmë dhe projekdokumentin e programit buxhetor afatmesëm 2012-2014.

 

Të dhënat janë inkurajuese. Unë dua t’i informoj shqiptarët lidhur me performancën ekonomike dhe me funksionimin e makinerisë ekonomike shqiptare në këto 9 muaj. Shqipëria sërish prodhon lajme pozitive. Dinamizmi i ekonomisë shqiptare është i admirueshëm. Dua t’ju njoftoj se në këtë 9 mujor, eksportet e këtij vendit, të cilat janë dëshmia më autentike e prodhimit, kanë një rritje prej rreth 320 milionë dollarë, krahasuar kjo me vitin 2010, vitin e rritjes më të madhe të eksporteve shqiptare. Ajo që është shumë pozitive në këtë rritje qëndron në faktin se vjet dhe këtë vit, trendi i rritjes së eksporteve “Made in Albania”, domethënë të prodhimeve mirëfilli shqiptare, dominon mbi trendin e rritjes së eksporteve të bazuara në materiale të importuara. Faktikisht, këto 9 muaj, eksportet me mallra “Made in Albania” kanë pasur një rritje prej 27 për qind. Ndërsa eksportet e bazuara në përpunimin e mallrave të importuara si lëndë e parë bazë kanë një rritje prej 20 për qind. Kështu, gjithnjë e më shumë prodhimet shqiptare po preferohen në tregjet e botës.

 

Kjo rritje shkon dora-dorës me disa tregues të tjerë themelorë të funksionimit të një ekonomie, siç është përmirësimi i përvitshëm i treguesit të kompetitivitetit të ekonomisë. Ky tregues është rezultante i një universi të tërë treguesit. Eksportet shqiptare, si dëshmia më e sigurt e rritjes së produktivitetit dhe rritjes së prodhimit, e pësuan këtë rritje, paralel me rritjen e lirisë ekonomike. Dokumenti i fundit mbi lirinë ekonomike në botë fakton se ajo ka pasur ndrydhje, se kriza financiare, ekonomike dhe e borxheve ka shtyrë qeveritë drejt masave që kanë ngushtuar e ndrydhur lirinë ekonomike. Por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, madje ka ndodhur e kundërta, liria ekonomike është rritur me 16 për qind.

 

Rritja e eksporteve shqiptare, në kulmin e krizës së borxheve në Europë, shkon paralel me rritjen më të madhe të investimeve të huaja në historinë e vendit, investime që vitin e kaluar, pavarësisht nga kriza europiane dhe botërore, shënuan në Shqipëri, rritjen më të madhe në tërë rajonin, ose Shqipëria, vendi i vetëm me rritje të investimeve në tërë rajonin. Dhe paralel me të është edhe rritja e madhe e eksporteve të vendit, rritje që tregon se ekonomia shqiptare në garën rajonale dhe botërore po funksionon e po garon gjithnjë e më mirë.

 

Në këtë rritje, në mënyrë të padiskutueshme, një rol shumë të madh kanë krijimi i kushteve për lëvizjen e lirë të mallrave brenda vendit dhe rregullave lehtësuese jashtë vendit. Në të katër anët e vendit, ne po ndërtojmë një infrastrukturë moderne. Të gjithë, kur lëvizin sot nëpër këto rrugë, shohin makina e njerëz që qarkullojnë, por harrojnë se ato janë arteriet e qarkullimit të energjisë më të fuqishme të kësaj toke, që është energjia e tregut. Dhe pikërisht në këtë faktor qëndron një nga arsyet madhore pse ekonomia e një vendi të vogël, pse monedha e një vendi të vogël, siç është Leku, po tregohet Lek i vërtetë, po dyfishohet gjithnjë e më shumë respekti e besimi për të, sikundër edhe besimi tek Shqipëria. Investime janë para së gjithash e mbi të gjitha, banka besimi. Ata, të cilët depozitojnë e vendosim projektet e tyre në Shqipëri, dëshmojnë një besim të madh tek ky vend. Ndaj më duhet të përshëndes të gjithë sipërmarrësit punonjësit e tyre, të gjitha ata që sot janë lokomotivë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi dhe i garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar e luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do të begatojnë vendin duke bllokuar privatizimet, koncesionet dhe partneritetin publik-privat nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk kthehet kurrë më në këtë vend. Sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal që bazohet në rrënimin e të pasurve. Ndaj dua t’i garantoj sipërmarrësit dhe investitorët jo vetëm që nuk mund të ketë ndonjë mendim për t’i rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë çdo hap tjetër, për të lehtësuar veprimtarinë  e tyre, si dhe do të ndërmarrë një përpjekje të re të madhe, për të zgjeruar lirinë  ekonomike të sipërmarrjes, me besimin më të madh se kjo është rruga më e sigurt në këtë kohë tepër të vështirë. Nuk mund të mohohet se Europa nuk ka njohur ndofta një krizë kaq të thellë të sistemit të borxheve. Krizë, e cila nuk do mund të kapërcehet për një kohë të shkurtër. Jo, absolutisht. Fakti është fakt. Borxhet provohen tashmë si një tepri, pasi është tepruar me to, sepse ato janë marrë dhe nuk janë investuar në ekonomi, infrastrukturë, në teknologjitë më të mira për të rritur prodhimin, por janë shpërdoruar për qëllime hedonistike apo të tjera. Dhe kjo është një krizë që do të persistojë. Borxhet kanë arritur këto kulme, me 120, 130, me 85 etj., si rezultat i politikave shumëvjeçare. Natyrisht, nuk po them se do të duhen po kaq, por e sigurt është se do të duhen shumë vite për të dalë nga pasojat e këtyre politikave. Në një aspekt, ato kanë një ngjashmëri me flluskat, me piramidat që u shembën gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, por problemi është se sektori privat, krahasuar me atë publik, është qindra herë më i fuqishëm, gjë që bëri që ai të rikuperojë, ta kapërcejë, ndërsa sektori publik në Europë e në botë, borxhet publike po kalojnë një krizë e thellë. Krizë që po shoqërohet me alternativa nga më të rëndat, po shoqërohet me fshirje të detyrimeve, me mosnjohje të tyre, me përgjysmim të pensioneve dhe rrogave dhe masa të tjera drastike që janë të domosdoshme për të përballuar barrën e një borxhi që vjen gjithnjë në rrije të pamëshirë, që bëhet gjithnjë e më i rëndë mbi supet e qytetarëve. Sigurisht që Europa ka të gjithë potencialet për ta kapërcyer, por e vërteta është se kriza ka një histori jo të shkurtër, ndaj nuk kapërcehet dot për një kohë të shkurtër.

 

Qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo ditë e çdo javë reforma. Ne nuk kemi asnjë mburojë tjetër, asnjë mekanizëm tjetër për t’i rezistuar kësaj krize, veçse inkurajimit, nxitjes së biznesit. Një politikë kjo që ka funksionuar. Unë përshëndes të gjithë sipërmarrësit dhe i siguroj se jo rrënimi i pasurive të tyre, por konsolidimi dhe garantimi i tyre është në konceptin tonë, mekanizëm themelor i rritjes së prosperitetit dhe kjo është faktuar dhe e njohur që nga traktatet e Adam Smith e gjer më sot. Ata le të merren me Marksin po të duan, por i siguroj se do të mbetet brenda selisë së tyre, se Marksi nuk do të mund të shëtisë më, në rrugët e qytetet e Shqipërisë. Jo! Shqiptarët e kanë provuar më shumë dhe në mënyrën më të tmerrshme se gjithë të tjerët. Të dalësh sot me taksën progresive, në një kohë kur bashkinë e falimentove duke rritur taksat dhe e dorëzove si një institucion të falimentuar në rrafshin fiskal, atëherë më thoni se çfarë mund t’i bëjnë Shqipërisë politikat marksiste, përveçse rrënimit. Faleminderit."



02/11/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave