Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Buxheti i ardhshėm do tė pėrqendrohet nė realizimin e premtimeve kryesore pėr qytetarėt shqiptarė
 

- Viti i ardhshëm do të shënojë sërish, rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike të mbi 820 mijë familje shqiptare.

- Buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e Shqipërisë dixhitale. Viti i 100 vjetorit të pavarësisë duhet të jetë viti i Shqipërisë dixhitale.

- Buxheti do të përqendrohet me fondet më të mëdha, tek infrastruktura, në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. Qeveria do të ecë me vendosmëri krahas përfundimit të akseve të mëdha, drejt vargmaleve  e maleve të Shqipërisë.

- Shqipëria jeshile është dhe do të mbetet drejtim tjetër themelor i zhvillimit të vendit.

- Do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligji. Institucionet, duke filluar nga Këshilli i Ministrave do të kenë një shkurtim prej 5 % të shpenzimeve operative.

Kryeministri Berisha disktutoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për buxhetin, duke e përcaktuar atë, si  një çështje kryesore të qeverisë në javën e ardhshme. Kryeministri informoi se Ministria e Financave ka bërë një punë intensive në përputhje me kërkesat, projektet dhe parashikimet e agjencive.

Kryeministri theksoi se është në detyrimin e ekzekutivit që buxhetin, i cili është më i madhi në historinë e vendit  ta përqendrojë në realizimin e objektivave kryesore të politikës së qeverisë, të premtimeve kryesore të maxhorancës, duke u drejtuar në disa destinacione më themeloret. “Natyrisht, një buxhet nuk plotëson kurrë, as edhe në vendin më të pasur dhe më të fuqishëm të gjitha kërkesat dhe pritshmërinë, ndaj është dhe në detyrimin e ekzekutivit që buxhetin ta përqendrojë para së gjithash,  në realizimin e objektivave kryesore  të politikës së saj, të premtimeve kryesore të mazhorancës kështu që edhe ky buxhet që është më i madh në historinë  e vendit do të ketë destinacione më kryesore.” - u shpreh kryeministri.

Në këtë kontekst, si drejtim kryesor, kryeministri përcaktoi rrogat dhe pensionet, të cilat pavarësisht nga kriza financiare që ka përfshirë Evropën dhe botën, do të mbeten në fokusin  e qeverisë, që do të ketë si objektiv rritjen e tyre të mëtejshme. “Investimi në burimet njerëzore është dhe mbetet investimi i të gjitha investimeve, me i rëndësishmi. Kështu që viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike, të mbi 820 mijë familje shqiptare.”- tha Kryeministri.

Duke vijuar më tej, me investimet kryesore të buxhetit, kryeministri bëri të ditur se buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e “Shqipërisë dixhitale”. Kryeministri kërkoi nga të gjitha ministritë që në një afat kohor një javor të vendosin si përparësinë më madhore, projektet për dixhitalizimet. “Këto projekte janë jetike për transparencën, për shërbimet ndaj qytetarëve, për qeverinë  e hapur.” - theksoi kryeministri

Kryeministri vlerësoi si një përparësi tjetër madhore të përdorimit të buxhetit, infrastrukturën, duke theksuar se buxheti do të përqendrohet në fondet më të mëdha, në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. “Viti i 100 vjetorit do të jetë viti vendimtar i një Shqipërie tjetër, i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne.” - nënvizoi Kryeministri.

Si një prioritet tjetër të rëndësishëm,  kryeministri veçoi investimet në projektet për drurët frutorë, duke theksuar se  Shqipëria e gjelbër është dhe do të mbetet drejtim tjetër themelor i zhvillimit të vendit. “Është në avantazhin tonë të madh që të konsolidojmë në këtë vend, zhvillimin e qëndrueshëm. Shqipërinë ta shndërrojmë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil, ndaj dhe ky vit shënon një përpjekje të re në politikën tonë, në dy projekte të mëdha kombëtare, ullirin dhe arrorët, por absolutisht dhe çdo dru frutor , që duan të mbjellin”. tha kryeministri. Në këtë kontekst, kryeministri informoi se eksporti i frutave këtë vit është rritur me 2,9 herë krahasuar me 9 mujorin e vitit 2010, si dhe janë rritur në vlerë 2,5 herë dhe në vëllim dy here eksportet e perimeve.

*  * *

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat nuk do të preken nga ky shkurtim.  Kryeministri sqaroi se institucionet e tjera, duke filluar nga Këshilli i Ministrave do të kenë një shkurtim prej 5 % të shpenzimeve operative.

Më gjerësisht në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:

“Javën që vjen buxheti do të jetë çështja kryesore  e qeverisë dhe ministria e financave ka bërë një punë intensive, në përputhje dhe me kërkesat , projektet , parashikimet e agjencive.

Natyrisht një buxhet nuk plotëson kurrë, as edhe në vendin më të pasur dhe më të fuqishëm të gjitha kërkesat dhe pritshmëritë, ndaj është dhe në detyrimin e ekzekutivit që buxhetin ta përqendrojë para së gjithash,  në realizimin e objektivave kryesore  të politikës së saj, të premtimeve kryesore të mazhorancës kështu që edhe ky buxhet që është më i madh në historinë  e vendit do të ketë destinacione më kryesore.

-Së pari, rrogat dhe pensionet, pavarësisht nga një krizë e egër borxhesh që ka pllakosur Evropën dhe botën, dinamizmi i ekonomisë shqiptare na bën ne të mundur që të qëndrojmë sërish në premtimin tonë, në objektivin tonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve.

Kjo përbën një lehtësi të madhe për ne, përbën një avantazh shumë të madh pasi investimi në burimet njerëzore është dhe mbetet investimi i të gjitha investimeve me i rëndësishmi. Kështu që viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike, të mbi 820 mijë familjeve shqiptare.

-Buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e Shqipërisë dixhitale.

Zotërinj ministra, deri javën që vjen keni kohë, në mënyrë që të vini parësore në projektet tuaja, projektet për dixhitalizmiet. Këto projekte janë jetike për transparencën, për shërbimet ndaj qytetarëve, për qeverinë  e hapur.

Viti i ardhshëm duhet të shënojë reformën më të thellë në sistemin e shëndetësisë, në sistemin  e pronësisë, në sistemin e shpenzimeve publike dhe në një seri sistemesh të tjera, tatimeve, etj, ndaj dhe është e domosdoshme që ju të rishqyrtoni edhe një here përparësitë, duke shpallur përparësi të parë, “Shqipërinë dixhitale”. Nuk ka asnjë fushë, në të cilën paratë  e taksapaguesve shqiptare mund të shpenzohen më me interes për ta, se sa fusha dixhitale. Në projekte dixhitale janë disa të tilla, të cilat interesojnë disa agjenci, çka do të thotë se ministri Pollo dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit sa bashku me ju do të marrë nga secila ministri fondin e nevojshëm për realizmin e projektit ndërministror mund të jenë dy ,tre, ato që janë duhet të parashikohen në buxhet.

Pra viti i 100 vjetorit duhet të jetë viti i Shqipërisë dixhitale, duhet të jetë vendimtar për Shqipërinë digjitale. Ky vend nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar shekullin e dhimbjeve e  vuajtjeve, e sakrificave, sesa  si Shqipëria digjitale. Kjo do të ishte  një kurorë e shkëlqyer, një nderim i madh, për një komb që iu desh dekada të notojnë kundër rrymës për shkaqe të njohura, që nuk është e nevojshme të hymë në histori sot, megjithë pasionin e madh që kam për historinë, prapë atë duhet tua lëmë historianëve. Politikanët, sipas dëshirës e vetmja që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtime para se të dalin në pension, ose në pension dhe kjo po ndodh është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit “Kur hidheshin themelet  e korrupsionit në bashkinë  e Tiranës”  është i kësaj gjinie, i kujtimeve në prag të pensionit politik.

Pra kthehemi tek Shqipëria dixhitale, nuk mund të jetë Shqipëri e kujtimeve. Shqipëria dixhitale është Shqipëria e së ardhmes, ndaj dhe ne duhet të investojmë me të gjithë përparësinë në drejtim të projekteve.Kemi 125 projekte. Zotërinj ministra, uluni dhe i rreshtoni një nga një, në mënyrë që 100 vjetori ta gjejë këtë vend, një vend dixhital, shoqëri dixhitale.

- Përparësi madhore dhe tërësisht e përqendruar do të jetë infrastruktura. Viti i 100 vjetorit do të jetë viti vendimtar i një Shqipërie tjetër, i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne. Unë e kuptoj që përqendrimi i madh dhe i jashtëzakonshëm në rrugë dhe ujësjellës sjell vështirësi, mangësi dhe mungesa në sektorët e tjetër, por ne, rrugët do ti bëjmë . Motoja jonë është do të bëjmë rrugët. Ky është projekti më i vështirë për të ecur dhe nuk  mundemi ne, që kemi ndërtuar, rindërtuar dhe asfaltuar  mbi 9 mijë km rrugë, që të lodhemi në miljen e fundit. Milja e fundit është shumë  e rëndësishme, ndaj dhe zotërinj ministra, më duhet të them se kur të mendoni se ku është buxheti, mëndja duhet tu shkojë tek rrugët. Ky buxhet do të përqendrohet në fondet më të mëdha në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. Për ne është jetik, për tregun është jetik, por ky projekt, wshtw jetik edhe për qytetarët.  Akoma kemi dhjetëra komuna që nuk janë të lidhura me akset kombëtare, me rrugë të asfaltuara, madje shumë prej tyre nuk kanë patur fare aks kombëtar ku të lidhen, kështu që ndërtimi i sistemit të ri rrugor, i cili do të bëjë që Gjirokastra të kapet nga Tirana, në më pak se dy orë, Saranda në  rreth dy orë e 20 minuta, Bulqiza në rreth 30 minuta, Peshkopia në më pak se një orë, sistem që do të bëjë që Elbasani dhe Tirana pothuaj të bashkohen dhe Malin e Kërrabës ta  kenë thjesht si një dekoracion , në mes të një metropoli gjigand që krijohet pas përfundimit të tunelit dhe të autostradës. Infrastruktura do të ece me shpejtësi drejt të gjitha maleve të vendit. Ato janë një pasuri e jashtëzakonshme, e gjithanshme, që për fat të keq në tërësinë  e vet, e shfrytëzuar vetëm në mënyrën më simbolike, në disa zona të kufizuara, ndërkohë që potencialet e vargmaleve të Shqipërisë të Veriut, të Verilindjes, të Lindjes, të Jugut janë jo qindra, por mijëra here më të mëdha se këto që shfrytëzohen sot dhe fatkeqësisht janë krejt të panjohura. Po të bësh një anketë sot, ju garantoj se nuk rreshtohen as 200 shqiptare që kanë qene tek Kroi i Bardhë, i cili është një nga potencialet skijore me të mëdha të Shqipërisë dhe rajonit. Pra ne do të ecim me vendosmëri, krahas përfundimit të akseve të mëdha drejt vargmaleve  e maleve të Shqipërisë.

Qeveria do të mbështesë në buxhetin e vet reforma të mëdha dhe projekte të rëndësishme në sistemin e arsimit, të shëndetësisë, trashëgimisë kulturore dhe kulturës, modernizmit të të gjitha shërbimeve të sistemit të shëndetësisë.

- Shqipëria jeshile është dhe do të mbetet drejtim tjetër themelor i zhvillimit të vendit. Është në avantazhin tonë të mëdh që të konsolidojmë në këtë vend zhvillimin e qëndrueshëm , Shqipërinë ta shndërrojmë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil, ndaj dhe ky vit shënon një përpjekje të re në politikën tonë, në dy projekte të mëdha kombëtare, ullirin dhe arrorët, por absolutisht dhe çdo dru frutorë, ku të duan që ti mbjellin. Qeveria inkurajon, qeveria mbështet, qeveria nuk dikton dhe ka besim të plotë në mençurinë, në njohurinë që fermerët kanë për tokën e tyre. Ne do ti mbështesim ata fuqishëm. Mbjellja në 8 vite e 250 milion dru frutorë është një nga aktet më madhore, më të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij vendi, për  një mjedis ndër më të shëndetshmit, më të larmishmit dhe ne qëndrojmë plotësisht, ndaj dhe dua të informoj kryetarët e komunave dhe fermerët shqiptarë se gjatë këtyre javëve janë zhvilluar konsulta intensive me ministrinë  e bujqësisë, me ministrinë  e mjedisit, dhe me faktorë të tjerë dhe po shqyrtohet i gjithë kuadri ligjor në mënyrë që kompetencat të shkojnë tek ata që administrojnë territorin. Ministria ka politikat, por ka në bazën e ligjit detyrimin që të zhdukë pengesat. Pra, ministria do të mund të ndërhyjë vetëm kur arbitrarisht, autoriteti vendor nuk i jep përparësi fermerit ose jo fermerit, sepse faktikisht sot, mbjellja e drurëve frutorë po shndërrohet në një pasion shumë të gjerë dhe ne inkurajojmë shumë këtë. Janë me qindra biznesmenë që mbjellin mijëra e mijëra drurë frutorë afër sipërmarrjeve të tyre apo në parcela që ata marrin dhe unë mendoj që i bëjnë një shërbim shumë  të madh vendit me këtë. Dhe këtu ana më pozitive është një pasion i madh që gjendet kudo dhe ne po i mbështesim në industri përpunuese,po i mbështesim  në infrastrukturë , e cila i afron ata me tregun. Prodhimi i mollëve ishte i jashtëzakonshëm në Peshkopi, por nxjerrja  e tyre në treg ishte shumë e vështirë, se është tjetër gjë ti sjellësh në treg duke u sjellë vërdallë dhe është tjetër gjë të vish nga Peshkopia për treçerek ore ne Tiranë.

Të nderuar ministra,  do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative, për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat nuk do të preken nga ky shkurtim. Institucione të tjera, duke filluar nga Këshilli i Ministrave do të kenë një shkurtim prej 5 % të shpenzimeve operative.

Unë ju lutem ju, të shqyrtoni të gjithë mundësitë e kursimeve duke mos cenuar në asnjë rast funksionimin normal. Ka shpenzime të detyrueshme që janë bërë dhe do të bëhen nga të gjitha agjencitë. Në përgjithësi ka përpjekje serioze për ti bërë ato sa më të ekonomizuara, por prapë ju garantoj se ka mënyra për ti reduktuar ato dhe më shumë, qoftë nëpërmjet procedurave të reja, qoftë nëpërmjet teknologjive të reja, instalimeve të reja. Ndaj dhe ti shqyrtojmë në mënyrë që të mund të rrisim investimet , të mund të rrisim investimet  në Shqipërinë dixhitale, investimet ne rrugë, investimet në shëndetësi, në shkolla, por të rrisim në mënyrë të veçantë mbështetjen e fuqishme për fermerët shqiptarë. Disa të dhëna të fundit janë shumë të mirëpritura. Unë dua tu informoj ju se eksporti i frutave këtë vit është rritur me 2,9 herë krahasuar me 9 mujorin e vitit 2010. Nuk ka qenë viti më i mirë për frutat ky vit, pasi 2010 ka qenë viti më i mirë i shekullit në bujqësi, por fakti është se drurë të rinj frutorë hynë në përdorim dhe sipërfaqet janë rritur dhe po rriten me shpejtësi të madhe . Eksportet e agroindustrisë po rriten, janë sot 53 %  e eksportit bujqësor. Edhe ky është një tregues shumë i rëndësishëm i fuqizimit të këtij sektori. Janë rritur në vlerë 2,5 herë dhe në vëllim dy here eksportet e perimeve dhe të gjithë këto janë lumenj djerse pune i fermerëve, por janë rezultat dhe kontribut edhe i politikave të drejta që ne ndjekim për të mbështetur fermerët shqiptarë. I kemi mbështetur fuqishëm serat diellore. Ne mbështetëm mbjelljet e drurëve frutorë dhe këto tani po japin rezultate shumë premtuese. Natyrisht shumë pozitive është rritja e eksportit të mishit, ndonëse ne mbetemi importues të mëdhenj të tij, ndaj dhe në skemën e subvensioneve , ne krahas mbështetjes së gjedhëve dhe të të imtave për qumësht ne duhet të përfshijmë në skeme edhe mbështetjen për mish, në mënyrë që të inkurajojmë sa më shumë prodhimin e këtij produkti të mrekullueshëm.”



26/10/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave