Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Eksportet shqiptare rriten me 25 miliardė lekė, nė tetė muajt e vitit 2011
 

Modeli ynë ekonomik funksionon, është i qëndrueshëm, garanton e mbron vendin nga recesioni dhe kriza e borxheve që ka përfshirë një seri vendesh të mëdha e të vogla në Europë.

 

Çdo administratë është burokraci, jo në sensin pezhorativ të fjalës dhe për ne është e rëndësishme të mendojmë si të rrisim gjithnjë e më shumë eficencën tonë, si të bëhemi shërbëtorë më të mirë të qytetarëve dhe biznesit.

 

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, rritjen e eksporteve shqiptare për tetë muajt e vitit 2011, me 25 miliard lekë apo mbi 250 milionë dollarë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Kryeministri tha se rritja e eksporteve është një lajm pozitiv, si një tregues i dinamizmit të ekonomisë, konkurrueshmërisë, rritjes së investimeve dhe punësimit në vend, por njëherësh është edhe detyrues për qëndrimet më transparente e më pak burokratike ndaj biznesit. Në funksion të kësaj, Kryeministri konsideroi të rëndësishëm ndërtimin e portalit shqiptar të transparencës në marrëdhëniet e administratës me biznesin, një projekt i Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. “Tani është koha, - tha Kryeministri - që ne të ndërtojmë me shpejtësi portalin zyrtar të vendit, në të cilin çdo biznesmen, njëlloj si në pasqyrë, të mund të ndjekë të gjithë udhën e dokumentit të tij, të monitorojë rrugën, stacionet, vendimet që merren mbi dokumentin e tij.”

 

Më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Të dhënat e tetë mujorit për eksportet shqiptare, që përbën edhe statistikën më të saktë, flasin për një rritje thelbësore këto tetë muaj, krahasuar me tetë muajt e vitit, në të cilin eksportet u rritën më shumë se kurrë në historinë e vendit, vitit 2010 që, për disa arsye, shënoi rritjen prej 92 përqind të eksporteve, krahasuar me një vit më parë. Eksportet shqiptare në tetëmujorin e vitit 2011 janë rritur me 25 miliard lekë apo mbi 250 milion dollarë, krahasuar me vitin 2010. Kjo është një rritje shumë e rëndësishme që shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare. Rritja e eksporteve është një nga treguesit më thelbësor të rritjes së konkurrueshmërisë në këtë ekonomi, të rritjes së interesit të madh të investitorëve për ekonominë shqiptare, një nga treguesit më besnikë të rritjes së investimeve dhe punësimit në Shqipëri. Rritja e eksporteve në tetëmuajorin e vitit 2011 shoqërohet nga një rritje e ndjeshme e manifakturës, çka është më shumë se çdo gjë tjetër e lidhur me punësimin, shoqërohet me një rritje të qëndrueshme të eksporteve bujqësore, dëshmi kjo e një përballjeje të suksesshme të fermerëve shqiptarë me  fermerët e vendeve të tjera dhe prodhimet e tyre.

 

Fundi i këtij viti shënon trefishimin e eksporteve shqiptare, në një hark kohor më pak se gjashtëvjeçar. Kemi të bëjmë me një dëshmi tjetër madhore të suksesit të modelit tonë ekonomik. Të mos harrojmë se të realizosh trefishim të eksporteve, në një kohë kur vende të tjera kanë rënë masivisht në recesion, në mos rritje, në rënie, është një arritje e jashtëzakonshme. Ky model funksionon, është i qëndrueshëm, garanton e mbron vendin nga recesioni dhe kriza e borxheve që ka përfshirë një seri vendesh të mëdha e të vogla në Europë.

 

Zotërinj ministra, sigurisht, ky është një lajm shumë pozitiv e inkurajues, por është edhe detyrues, që do të thotë që ne duhet të bëjmë gjithçka për qëndrimet më transparente e më pak burokratike ndaj biznesit. Katër vite më parë, kur filloi kriza e subprimeve dhe pastaj vazhdoi me krizën e derivateve, flluskave etj., kishte debate se çfarë duhej bërë dhe përse nuk po merrnim masa. Në fakt, ne kishim marrë masat më të fuqishme antikrizë dhe ato nuk kishin lidhje me ndonjë parashikim tonin se do të vinte kriza, por kishin lidhje me modelin që ne besojmë, taksa të ulëta, qeveri të vogël, investime të mëdha, luftë kundër burokracisë në fushën e biznesit. Pavarësisht nga të gjitha debatet dhe një agresivitet i paprecedent e i paparë, një përpjekje shumë e padenjë për të dëmtuar bankën me propagandë ogurzezë, një përpjekje absurde kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, një mashtrim periodik se nuk do të kishim para për të paguar, pra, kundrejt të gjitha këtyre dhe të gjitha parashikimeve se ky model nuk do të funksionojë, ky model funksionoi dhe është një nga modelet më të suksesshme që ekziston. Kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për përsosjen e këtij modeli, për konsolidimin e shtyllave të tij. Biznesi dhe vetëm biznesi, gjallëria, dinamizmi, entuziazmi, vizioni i tij është ai që ka mbrojtur e mbron në sajë të reformave të qeverisë, vendin nga kriza ekonomike.

 

Zotërinj ministra, në disa aspekte, në ndihmë dhe mbështetje të biznesit, ne kemi vendosur standardet më të avancuara që ekzistojnë për të rritur kompetitivitetin. Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike njëqind përqind, u bëmë një sukses i vërtetë me ‘one stop shop’, kemi kapur çatinë e botës përsa i përket lirisë fiskale me uljen e taksave, jemi sot vendi me prodhimin nga sektori privat, në raport me sektorin publik, më të lartë se çdo vend tjetër, kemi vendosur praktika liberale. Por ne kemi sërish punë për të bërë për biznesin, thjeshtimin e të gjitha procedurave. Pak ditë parë, ministri i Drejtësisë më solli një propozim të vyer që një proces shumë të rëndësishëm nga pesë hallka e reduktonte në dy dhe nga 20 ditë shpenzime, këtë proces të mundimshëm,  - burokracia është e mundimshme, është labirint, ku futesh dhe hajde të dalësh prej saj - e thjeshton në pak orë apo dy-tre ditë. Po kështu ministra të tjerë.

 

Tani është koha që ne të ndërtojmë me shpejtësi portalin zyrtar të vendit, në të cilin çdo biznesmen, njëlloj si në pasqyrë, të mund të ndjekë të gjithë udhën e dokumentit të tij, të monitorojë rrugën, stacionet, vendimet që merren mbi dokumentin e tij. Kjo do të thotë dritë e plotë në labirintet e burokracisë. Ndaj do të fillohet nga puna. AKSHI dhe ministri Pollo po punojnë për konceptin, ju duhet të caktoni të gjitha burimet njerëzore e materiale, që ky portal të jetë një nga realitetet më të suksesshme, në mënyrë që drita të përshkojë të gjithë burokracinë tonë. Ne, nuk ka diskutim, jemi burokratë. Çdo administratë është burokraci, jo në sensin pezhorativ të fjalës dhe për ne është e rëndësishme të mendojmë si të rrisim gjithnjë e më shumë eficencën tonë, si të bëhemi shërbëtorë më të mirë të qytetarëve dhe biznesit. Ky është i tërë qëllimi ynë. Ky projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm kërkon që menjëherë të fillohet nga puna.

 

Kriza e borxheve do të vazhdojë. Kjo nuk është një krizë afatshkurtër. Kriza e borxheve është akumulim i një praktike ligjore, në aparencë se mund të ketë pasur dhe shkelje, disa dekadash. Tani rezulton se në tryezë është shpenzuar shumë më tepër, sesa duhej shpenzuar dhe duhet paguar. Nuk ka largim nga tryeza, pa paguar. Sigurisht do paguhet dhe ekonomia e këtyre vendeve në tërësi është një ekonomi që gjeneron, por, prapë se prapë, kriza e borxheve do të vazhdojë dhe ajo është përreth nesh. Le ta shndërrojmë në një avantazh. Këto ditë lexoja në shtypin italian dhe grek shkrime kushtuar emigrantëve shqiptarë. P.sh informacionet nga një provincë e Italisë ishin se 2000 emigrantë shqiptarë po kthehen në Shqipëri, sepse e konsiderojnë mjedisin shumë të përshtatshëm. Po kështu njoftonte edhe një gazetë e madhe greke për lagjet periferike atje. Ne do të bëjmë gjithçka që vëllezërit e motrat që vijnë, kursimet që kanë të mund t’i shndërrojnë në sipërmarrje të vogla e të mesme të suksesshme për familjet e tyre. Ndaj të fillojmë punën për krijimin e këtij portali. Ne që u bëmë vendi i parë në botë me prokurime njëqind përqind elektronike, mund të krijojmë edhe portalin më transparent të të gjithë marrëdhënies administratë-biznes.”

 


07/09/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave