Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Shqipėria po bėhet gjithnjė e mė shumė magjia e turizmit
 

Nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Aeroporti i Rinasit del aeroporti i tretë me rritjen më të madhe në Europë këtë vit, 23 përqind, kundrejt 4-6 përqind që është mesatarja vjetore e rritjeve.

 

Ata që parashikuan dhe përcaktuan Shqipërinë si destinacionin e parë  turistik të planetit, si magjinë vjetore të turizmit apo ‘Miss turizmi 2011’, u dëshmuan profetikë.

 

Në 6 muaj, mbi 2 milion shqiptarë kanë dalë nga vendi, për qëllime nga më të ndryshmet. Janë 347 mijë qytetarë më shumë, sesa para heqjes së vizave.

 

347 mijë shqiptarëve më shumë që  kanë dalë këto gjashtë muaj, do  ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar t’u dërgonin një letër ndjese apo të bënin një ndjesë publike.

 

Kryeministri Berisha, duke trajtuar sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, zhvillimin e turizmit në vend, shprehu kënaqësinë se edhe këtë vit, turizmi ka shënuar një rritje shumë të madhe dhe se Shqipëria ka qenë destinacioni i preferuar i një numri të lartë vizitorësh. Kryeministri bëri të njohur të dhënat e fundit mbi numrin e vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri në 6 mujorin e parë të këtij viti, sipas të cilave, nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë në Shqipëri 2 milion e 148 mijë vizitorë të huaj ose 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje, tha Kryeministri, në shumë aspekte, dëshmon se “Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë magjia e turizmit.”  

 

Kryeministri tha se rritje të lartë të numrit të udhëtarëve ka njohur edhe aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, me 23 përqind, kundrejt 4-6 përqind që është mesatarja vjetore e rritjeve, që e rendit atë si aeroportin e tretë me rritjen më të madhe këtë vit, në Europë. 

 

Kryeministri shprehu optimizmin se ky trend është shumë premtues dhe e shndërron turizmin në një ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare, por kërkoi njëherësh edhe ndryshimin e filozofisë së zhvillimit të turizmit, e cila e koncepton zhvillimin e bregdetit si një kombinim të zonave rezidenciale dhe resorteve turistike, si dhe moslejimin e ndërtimit të ndërtesave mbi tre kate në të gjithë vijën bregdetare, pa autorizimin e KRRTRSH-së. 

 

Po ashtu, duke konsideruar ruajtjen e zonave turistike nga hedhjet në mjedis të mbeturinave urbane, si një nga problemet më të mprehta, Kryeministri tha se është e nevojshme krijimi e konsolidimi i një kulture të re miqësore ndaj mjedisit nga qytetarët. “Ne, -  tha Kryeministri - mund të ndërtojmë impiantet më të fuqishme të djegies së tyre, po ndërtojmë landfill-e kudo, por kjo nuk mjafton, nëse qytetari nuk vendos që asgjë nga xhepi e qesja e tij nuk do të hidhet në rrugë, jashtë destinacionit të tyre.” 

 

Lidhur me këto çështje, më gjerësisht, Kryeministri u shpreh:

 

“Kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë turizmi dhe nuk mund të jetë tjetër veçse bumi i madh turistik që karakterizon këtë vit. Ata, të cilët parashikuan dhe përcaktuan Shqipërinë si destinacionin e parë  turistik të planetit, si magjinë vjetore të turizmit apo ‘Miss turizmi 2011’, u dëshmuan profetikë. Kam kënaqësi të informoj qytetarët shqiptarë se nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ko përbën një rritje të madhe dhe në shumë aspekte dëshmon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë, magjia e turizmit. Nuk ndodh që ndonjë vend të shënojë një rritje vjetore turizmi kaq të madhe, siç po ndodh në Shqipëri. Vetëm në një ditë, në datën 5 gusht, në Shqipëri hynë 57 mijë turistë dhe vizitorë. Pra, vetëm në një ditë, në Shqipëri hynë më pak se 1/6 e të gjithë turistëve dhe vizitorëve që hynë gjatë vitit 2004, gjithsej 300 mijë.

 

Mund të shkoni ku të doni, por unë ju garantoj se si brigjet shqiptare dhe malet e këtij vendi, nuk gjeni askund. Mund të gjeni hotele me shumë yje, por si këto nuk gjeni askund. Miq të mi shkuan në Montekarlo dhe i pyeta se përse në Montekarlo, keni shkuar për bankat apo për pushime. Për të bërë transaksione bankare apo kumar mund të shkoni, por brigjet e Jonit janë absolutisht, segmenti i brigjeve të detit më unik në tërë Europën. Unë e di se ka ujëra më të nxehta se Joni, i cili nuk është asfare i ftohtë, por nuk gjen kund det dhe Llogara, det dhe mali i Çikës, det dhe vargmali i Labërisë, çka të flet çdo minutë që ky është vetëm fillimi. Sapo ky kompleks të unifikohet, ne nuk do të jemi në gjendje të imagjinojmë se çfarë reputacioni dhe fame do të fitojmë në botë. Dikush shkoi në Marbella dhe çdo ditë kishte qëndruar në pishinë dhe dy herë kishte hyrë në det, sepse uji ishte akull. Unë e kuptoj se snobizmi është snobizëm, por ata që duan të bëjnë pushime të vërteta, të mirëfillta pendohen që nuk shijojnë disa ditë në brigjet e malet e këtij vendi. Kjo po kuptohet çdo vit, ndaj është edhe kjo rritje. Këtu nuk vijnë për të prishur paratë kot, pasi ata që vendosin të pushojnë dhe të shpenzojnë një pjesë të kursimeve, mendojnë thellë. Kjo është e vetmja gjë që nuk vjen aksidentalisht, por është meditim.

 

Rritja në gjashtë muaj me 411 972 turistë është një rritje shumë e madhe, premtuese, e cila justifikon plotësisht profecinë e atyre që shpallën Shqipërinë  ‘e bukura e dheut’ për vitin 2011. Natyrisht, kur them këtë, në mënyrë absolute nuk injoroj asnjë nga mangësitë e pafalshme që ekzistojnë dhe veçanërisht më kryesorja, plehrat. Ose do të dalim nga kjo psikologji e papranueshme e hedhjes së plehrave kudo në mjedis, përveçse në shtëpi dhe lokal, ose ne do të dëmtojmë rëndë një nga burimet më kryesore të të ardhurave dhe imazhit të vendit. Po na bëhen jashtëzakonisht problematike. Qeveria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për turizmin. Vetëm në rrethin e Vlorës janë investuar mbi 600 milion euro, në infrastrukturën e të gjitha llojeve, me impakt direkt në turizëm, në ujësjellës, energji, rrugë dhe janë investime të mëdha. Është përfunduar impianti i përpunimit të ujërave të zeza. Në qoftë se linja Tiranë-Podgoricë, financim i KFW, që është edhe linjë ndërkombëtare, kushtoi 47 milion euro, unaza e jugut, unaza e bregut që do të furnizojë bregun me energji njëlloj si qendrat urbane më të fuqishme të vendit kushton 49 milion euro dhe ky është vetëm një investim. TEC-i i Vlorës, investim 110 milion dollarë dhe i tërë në funksion të turizmit. Janë rrugë, autostrada dhe po përmend vetëm disa investime. Ne jemi të vendosur të kompletojmë në një kohë të shkurtër, një nga infrastrukturat më të mira në Europë për këtë zonë, sikundër edhe për çdo zonë tjetër turistike. Por kërkohet një qëndrim i ri ndaj hedhurinave nga çdo shqiptar, i cili i ka kontribuar kaq shumë turizmit, me shpirtin e tij të bardhë e mikpritës. Ne mund të ndërtojmë impiantet më të fuqishme të djegies së tyre, po ndërtojmë landfill-e kudo, por kjo nuk mjafton, nëse qytetari nuk vendos që asgjë nga xhepi e qesja e tij nuk do të hidhet në rrugë, jashtë destinacionit të tyre. Natyrisht, kjo është një kulturë për t’u krijuar, konsoliduar. Arsyet e këtij qëndrimi janë të kuptueshme, por mundësia e ndryshimit është shumë e madhe.

 

Rritja e hyrjeve në të gjitha pikat e kalimit kufitar është e jashtëzakonshme, është e papërmbajtur. Aeroporti i Rinasit del aeroporti i tretë me rritjen më të madhe në Europë këtë vit, 23 përqind, kundrejt 4-6 përqind që është mesatarja vjetore e rritjeve. Ky trend është shumë premtues dhe e shndërron turizmin në një ndër degët më kryesore të ekonomisë së vendit. Të mos harrojmë se ne jemi pothuajse në fillime. Kemi për të zhvilluar e rindërtuar edhe 90 përqind të bregut. Zoti ministër, i gjithë legjislacioni do të përshtatet me filozofinë e re të zhvillimit të turizmit. Bregu do të ndërtohet në zona rezidenciale dhe resorte turistike. Në këtë mënyrë realizojmë dy qëllime madhore. Së pari, kombi drejt detit. Ky është shansi historik i yni. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Me ndonjë përjashtim të vogël këtu, nuk mund ta besojnë se i tërë bregu shqiptar nuk ka pasur as tre fshatrat peshkatarësh. Edhe ata që jetonin në breg si kurorë të mikpritjes kishin qengjin. Historia, invazionet na kishin bërë që të gjenim strehë në male, se aty mbroheshim më mirë. Kjo është e vërteta. Por deti është ushqim, pasuri, është mundësi shumë e madhe. Duke mos i braktisur ato, pasi aty kemi edhe projektet më madhore si projekti i arrorëve dhe zhvillimi i zonave turistike, natyrisht, kombi sytë duhet t’i ketë nga deti. Ky është një shans historik. Pra, kombinim i zonave rezidenciale me resortet turistike. Sikundër ndërtesat mbi tre kate do të jenë të autorizuara vetëm nga Këshilli Qendror i Rregullimit të Territorit. Nuk do të mund të ndërtohet ndërtesë mbi tre kate në të gjithë vijën bregdetare, pa autorizimin e Këshillit Qendror të Rregullimit të Territorit. Nuk ka nevojë ta betonojmë, por të ruajmë ndërtimet më miqësore ndaj mjedisit.

 

 

***

 

Edhe një herë dua t’i uroj pushime të mbara të gjitha atyre që kalojnë pushimet në Shqipëri, numri i të cilëve ka tejkaluar 2 milion e 148 mijë turistë të huaj në gjashtë muaj. Uroj edhe shqiptarët, të cilët kanë dalë këtë vit më shumë se kurrë jashtë vendit të tyre, kanë lëvizur të lirë pa viza. Në gjashtë muaj, mbi 2 milion shqiptarë kanë dalë nga vendi i tyre, për qëllime nga më të ndryshmet. Janë 347 mijë qytetarë më shumë, sesa para heqjes së vizave dhe këta 347 mijë nuk janë borgjezia e re, por janë populli i thjeshtë, janë zemrat e përcëlluara nga dhimbja e malli për të takuar njerëzit e tyre. Këto ritme dëshmojnë se shqiptarët kanë përfituar shumë nga heqja e vizave. Ne u bëmë i vetmi vend në Europë, në të cilin opozita që lëvizte vetë me pasaporta diplomatike, që nuk e dinte se çfarë është viza dhe pengimi për të, u ngrit kundër heqjes së tyre, zhvilloi të gjitha llojet e fushatave për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Është e thjeshtë të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur këtë apo atë krerë institucioni, paçka se i ke sjellë në standardet më optimale europiane dhe të mos shprehësh pendesë se u përpoqe të pengosh çdo qytetar, nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshorte e bashkëshort të këtij vendi për të takuar njerëzit e tyre më të dashur, se bërë gjithçka për të mbajtur murin e Shengenit ndaj rinisë shqiptare. Pendesa duhet të fillojë nga kjo. Ndjesa duhet të fillojë nga kjo. Falja duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrigia e këtij apo atij. Atëherë bëhesh i besueshëm, sepse tregon se ke dhembshuri e respekt për tjetrin, tregon se një gabim të rëndë që bëre di ta korrigjosh, por jo të kërkosh paketë karrigesh e të mendosh se Kushtetuta është statut partie. Problemi është se këtyre 347 mijë shqiptarëve më shumë që  kanë dalë këto gjashtë muaj, do  ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar t’u dërgonin një letër ndjese apo të bënin një ndjesë publike. Qytetarët nuk kanë asnjë preokupim se zgjidhet presidenti me 5/6 apo 7/5. Qytetarët kanë preokupim që rregulli të ecë sipas Kushtetutës, preokupimi i tyre kryesor është rroga, pensioni, rruga, preokupimi më madhor është viza. Garantoj qytetarët se ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata në epiqendër, në piedestal të të gjithë përpjekjeve tona.”

 

 



10/08/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave