Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Sė shpejti, strategji nxitėse dhe zhvillim i sistemit tė mikrokreditit, pėr zhvillimin e zonave malore e biznesin social
 

Është e domosdoshme që shumë shpejt, në kuadrin e Komitetit Ndërministror për Turizmin, të aprovohet paketa që përjashton për 7-8 vjet nga çdo lloj takse në zonat malore, ku nuk ka investime.

 

Ne kemi vendosur të bashkëpunojmë me nobelistin e shquar Muhammad Yunus, në sistemin e mikrokreditit.

 

Ne do të bëjnë gjithçka për të rritur me mbi 100 herë drurët frutorë, në zonat kodrinore e malore të vendit.

 

Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për domosdoshmërinë e një strategjie të qartë për shfrytëzimin e zhvillimin e potencialeve të mëdha të zonave malore, si dhe për nxitjen e biznesit social.  Duke prezantuar vendimin për miratimin e statutit të shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, Kryeministri tha se strategjia duhet të synojë së pari, ndërtimin e infrastrukturës nga Çajupi në Vermosh. Sikundër konsideroi si një masë të domosdoshme miratimin së shpejti, në kuadrin e Komitetit Ndërministror për Turizmin, të paketës që i përjashton nga çdo lloj takse, për 7-8 vjet, në zonat malore, ku nuk ka investime. 

 

Një tjetër aspekt të rëndësishëm, Kryeministri vlerësoi zhvillimin e sistemit të mikrokreditit që do t’i adresohet kryesisht zonave më të varfra dhe grave, për  zhvillimin e të cilit qeveria shqiptare do të bashkëpunojë me nobelistin në këtë fushë, Muhammad Yunus. Veçanërisht ndihmues ky sistem do të jetë për projektin kombëtar të ullirit dhe arrorëve, i cili, tha Kryeministri,  përputhet plotësisht me konceptet e mikrokreditit.

 

Duke trajtuar gjerësisht këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Zhvillimi i Shqipërisë është një proces i vështirë, i ndërlikuar e kompleks. Ky vend ka potenciale shumë të mëdha, por edhe probleme të mëdha. Të mos harrojmë se vetëm 22 përqind e këtij vendi është ultësirë bregdetare e fushë. I tërë është zonë kodrinore dhe malore. Kodrat e malet e bëjnë Shqipërinë një vend me lartësi dy herë më të madhe, se mesatarja e Europës, një vend me lartësi me lartësi rreth 708 metër dhe kjo, jo se Shqipëria ka majat më të larta, por i ka të panumërta. Por Shqipëria nuk mund të jetë një vend i zhvilluar, në rast se ajo nuk zhvillohet në çdo skaj të saj, në çdo komunë, fshat, zonë e kudo. Ky është një objektiv i vështirë, ambicioz, por plotësisht i mundur, sepse kudo, në kodrat, luginat e malet e saj, ekzistojnë potenciale reale të mëdha, për t’u zhvilluar. Ky është një vend i bekuar, në pasuri e ujëra. Nga malet e Shqipërisë burojnë rezerva të mëdha ujore. Ato mbartin në gjirin e tyre pellgje botërore mineralesh. Por, mbi të gjitha, ato ofrojnë potenciale turistike të mëdha, potenciale të virgjëra, të pashfrytëzuara që në disa aspekte janë të fjetura që nga mesjeta. Koha atje ka lëvizur shumë pak, ka qenë shumë e plogësht dhe koha nuk lëviz nëse ne nuk i afrojmë infrastrukturë moderne, nëse drejt tyre nuk ecim me të gjithë infrastrukturën e zonave të tjera turistike. Ndaj është e domosdoshme që shumë shpejt, në kuadrin e Komitetit Ndërministror për Turizmin, të aprovohet paketa që në zonat malore, ku nuk ka investime, të përjashtohen për 7 a 8 vjet nga çdo lloj takse. Të mos harrojmë se me potencialin e jashtëzakonshëm turistik që kemi në male, ne mund të dy-trefishojmë numrin e turistëve që kemi pasur vitin e kaluar dhe e shndërrojmë Shqipërinë në një vend turistik të çdo sezoni. Por ka një problem. Për investitorët në këto zona ekziston një druajtje, për leverdishmërinë e këtij investimi. Sikundër duhet të jemi realistë, ekziston edhe një mungesë tradite. Ky popull ka pasur vuajtjen konstante, por jo turizmin dimëror, në traditën e tij. Por ai duhet dhe do të zhvillohet. Ndaj për nxitjen e zhvillimit në këto zona, nga Çajupi në Vermosh, të cilat të marra sëbashku bëjnë tre herë sipërfaqen e ultësirës bregdetare, ne duhet të kemi një strategji të kthjellët, të qartë, nxitëse. Strategji që duhet të synojë së pari, ndërtimin e infrastrukturës drejt tyre. E vërteta është se ne po ecim me infrastrukturë drejt të gjitha zonave malore, nga Çajupi në Vermosh. Fatmirësisht, sot janë në ndërtim e sipër rrugë që do të garantojnë në një hark kohor dyvjeçar, aksesin e plotë në këto zona. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është të nxisim me të gjitha mundësitë tona investimet vendase e të huaja në këto zona. Imagjinoni Alpet e Shqipërisë, me masivin e madh që kanë, përveç Thethit e Valbonës, këto bukuri mahnitëse natyrore, nuk kanë as edhe një ndërtim turistik. E tillë është e tërë Shqipëria jo bregdetare, Shqipëria malore. Ndaj përpunimi me shpejtësi i këtij kuadri, nxitja dhe gjetja e stimujve për ata që investojnë në këto zona, është jetike, përcaktuese për zhvillimin e ekuilibruar të vendit.

 

Sot, ne miratojmë statutin e shoqërisë “Nxitja e biznesit social”. Ne kemi vendosur të bashkëpunojmë me nobelistin e shquar Muhammad Yunus, në sistemin e mikrokreditit. Filozofia jonë e projektit kombëtar të arrorëve përputhet plotësisht me konceptet e babait të mikrokreditit në botë, i cili ka pranuar ftesën tonë dhe së shpejti, ne vendosim këtë sistem të suksesshëm. Ne do të bëjnë gjithçka për të rritur me mbi 100 herë drurët frutorë, në zonat kodrinore e malore të vendit. Ne nuk mund ta bëjmë këtë në zonën fushore, në këtë shkallë, sepse ajo ka edhe destinacione të tjera. Por e tërë zona kodrinore e malore nuk mund të ketë destinacion më të mirë, sesa drurët frutorë. Ne po ecim shumë mirë me projektin e ullirit. Por një fillim të mbarë kanë edhe arrorët, që, siç del, ka një territor tre herë më të gjerë ku mund të mbillen, sesa ulliri, duke mos injoruar këtu se edhe në zonën e ullirit mund të mbillen  shumë mirë arrorët, por të supozojmë se kjo zonë do të mbetet vetëm për ullirin. Qeveria do t’i rrisë në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit, grantet për fermerët shqiptarët, sepse, në fund të fundit, kjo fushatë sigurisht që solli qeveritarët e zgjedhur vendorë, parlamentet vendore, por, krahas kësaj, edhe një nga projektet më të bukura e më madhështorë në historinë e vendit, Shqipëria kopshti më i bukur i Europës. Kudo ku unë kam shkuar në këtë fushatë, lexoja në sytë e qytetarëve këtë ide, këtë projekt. Përse të mos e bëjmë, çfarë mund të bëjmë më shumë se kjo, për të ndarë shqiptarët nga varfëria, për të bërë që çdo pëllëmbë tokë e këtij vendi të ketë vlerën e vet. Kjo është e para. Edhe sistemi i mikrokreditit që do të nisim me nobelistin Yunus, që do t’i adresohet kryesisht grave në konceptin e bashkëkryefamiljarit, pasi dihet se ato janë më korrekte në kthimin e  saj, sikurse është e sigurt se ato nuk mund të përfundojnë ndonjëherë në lojërat e fatit apo të mëkatit, do të ndihmojë shumë, veçanërisht në projektin e arrorëve, pasi do t’i adresohet zonave të varfra, që potencialin më të madh e kanë në këta dru frutorë që kanë treg të pakufishëm, të pakonkurrueshëm në Europë. Importi i Europës për arrorët  është nga më të mëdhatë. Le t’i prodhojmë dhe të mund të bëheni një vend shumë i rëndësishëm në prodhimin e tyre.   

 

Këto ishin disa nga aspektet njerëzore, sociale të kësaj mbledhjeje të qeverisë, e cila ka e do të ketë gjer në fund parimin qeveri e zemrës së dhimbsur. Këtu qëndrojmë ne. Mbledhjen tjetër do të diskutojmë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, natyrisht, edhe për shkurtimin e ndjeshëm të shpenzimeve. Borxhi nuk mund të rritet dhe ky është edhe vendimi më kategorik që kemi ne si qeveri. Do të marrim e t’i shohim edhe një herë me sy të vëmendshëm, do të përqendrohemi në projektet më kryesore që kanë impaktin më pozitiv në jetën e shqiptarëve. Natyrisht, rrogat e pensionet do të rriten.” 


01/06/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave