Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Nė ēdo procedurė e proces duhet tė kemi kriter tė parė luftėn kundėr korrupsionit
 

“Lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit janë kushte themelore për lirinë e tregut”.

 

“Shërbimet janë zgjedhje për qytetarin, i cili ka të drejtë të zgjedhë shërbimin më të mirë”.

 

“Është shumë e domosdoshme që të përcaktohen procedurat më transparente, në mënyrë që të emërohen, shkarkohen, transferohen pa lënë nënkuptuar se detyrohen të paguajnë ndonjë gjë e se detyrohen të marrin për të paguar”.

 

“Pas zgjedhjeve lokale, kryetari i ardhshëm i bashkisë do të ketë një nga përparësitë më kryesore përpunimin, pastrimin e ujërave të zeza të kryeqytetit, mos derdhjen e tyre në det, por trajtimin paraprak të tyre”.

 

“Sistemi kasave është sistemi më modern që ekziston, me server të përbashkët dhe i shërben shumë lirisë së tregut, luftës kundër informalitetit, por edhe shërbimit të qytetëruar”.

 

Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në disa aspekte të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, si një nga përparësitë absolute të qeverisë. Në këtë funksion, Kryeministri Berisha kërkoi procedimin me shpejtësi të dhënies së shërbimeve sektorit privat, si praktika më e mirë në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve. Duke vlerësuar  se aplikimi i këtij procesi po ecën pozitivisht në disa shërbime si në vendosjen e sistemit të skanimit në pikat e transitit kufitar, në inspektoratet kryesore, veçanërisht për kontrollin e cilësisë së karburanteve, Kryeministri theksoi se dhënia e menaxhimit sektorit privat duhet të konsiderohet për të gjitha shërbimet, përfshi elementet thelbësorë të Autoritetit të Kontrollit të Ushqimeve, shërbimi ambulator etj..  

 

“Lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit, - tha Kryeministri - janë kushte themelore për lirinë e tregut. Kështu u veprua në shembullin më të shkëlqyer me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, të cilat përbëjnë procesin më të përsosur, më të sigurt dhe jashtë çdo praktike korruptive që ne kemi”.

 

Duke theksuar se në çdo procedurë e proces, kriter i parë duhet të jetë lufta kundër korrupsionit, Kryeministri Berisha tha se një tjetër aspekt që nuk duhet neglizhuar në përpjekjet kundër korrupsionit janë edhe procedurat administrative për blerjet e vogla, për të cilën Agjencia e Prokurimeve Publike po përgatit katalogun elektronik të blerjeve të vogla.

 

Një tjetër çështje e rëndësishme që Kryeministri Berisha solli në vëmendje të anëtarëve të qeverisë ishin konkluzionet e raportit të Komisionit Europian për ekzistencën e problemeve serioze në procedurat e emërimit, transferimit dhe shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve. “Në këtë sistem, -  tha Kryeministri - siç thuhet në raport, emërimet, shkarkimet, transferimet janë jo transparente e me procedurë shumë të dyshimtë. Raporti i mëparshëm thoshte se të sapoemëruarit marrin ryshfet, për të paguar investimin që kanë bërë”. Në këtë kontekst, Kryeministri konsideroi të domosdoshme përcaktimin e kritereve dhe standardeve më transparente në emërimin, transferimin, shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Për përcaktimin e këtyre kritereve dhe standardeve, Kryeministri i kërkoi ministrit të Drejtësisë angazhimin e përbashkët të ekspertëve shqiptarë me ekipin e Bashkimit Europian që asiston reformën ligjore në vend, të atashuar pranë Ministrisë së Drejtësitë.

 

Më gjerë në analizën e tij, kryeministri u shpreh:

 

“Në përpjekjen dhe projektin tonë për përmirësimin cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve, por, para së gjithash, nxjerrjen e tyre nga korrupsioni, është jashtëzakonisht e rëndësishme të procedojmë me shpejtësinë në dhënien e tyre sektorit privat, në atë që quhet out source. Praktikat e deritanishme janë shumë të suksesshme. Ne kemi dhënë një seri shërbimesh, ndër të cilat kontrolli i automjeteve, që ka qenë një praktikë problematike, kur ky shërbim ishte publik dhe sot kjo praktikë në tërësinë e saj është jashtë korrupsionit.

 

Ne kemi ecur në këtë drejtim. Veçanërisht shumë të rëndësishme janë procedurat e përfunduara për pullat fiskale, të cilat do t’i vendosë në origjinë të prodhimit të mallit një nga kompanitë më serioze në botë. Kjo ka bërë që në vendet që kanë aplikuar këtë praktikë transparenca, njëkohësisht edhe të ardhurat të rriten shumë ndjeshëm. Por në të gjithë këtë përpjekje, ne nuk kemi përparësi të ardhurat, por përparësi absolute kemi luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e tregut. Lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit janë kushte themelore për lirinë e tregut. Po kështu, u veprua në shembullin më të shkëlqyer me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, të cilat përbëjnë procesin më të përsosur, më të sigurt dhe jashtë çdo praktike korruptive që ne kemi.

 

Natyrisht, në fillim të radhës ka pasur diskutime që shteti të ketë pronësinë etj., por në fakt, praktika që ne ndoqëm, është praktika e suksesit të plotë.

 

Ministria e Financave po ecën me sistemin e skanerëve. Ky sistem do të vendoset në të gjitha pikat e transitit kufitar dhe do të menaxhohet nga kompani e huaj. Po ashtu, out source duhet të aplikohet edhe në inspektoratet kryesore. Kam biseduar me ministrin dhe ai është plotësisht dakord, Inspektorati Teknik, i cili ka të bëjë me kontrollin e cilësisë, para së gjithash, të karburanteve, por edhe të teknikaliteteve të tjera, është e domosdoshme të përzgjedhim një nga kompanitë më serioze. Problemi i karburanteve ka një rëndësi të shumëfishtë për ne. Edhe këtu, para së gjithash, është lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës, sepse paralel me këtë shërbim që do t’i dorëzohet sektorit privat, po kontraktohet një kompani tjetër që do të bëjë shënjimin e naftës.   Kështu që Inspektorati do ta ketë shumë më të lehtë. Nafta  e shënjuar do të jetë nafta që  përmbush të gjithë parametrat e tregut. Por kontrolli i karburanteve ka një rëndësi kapitale për shëndetin e njerëzve. Një nga arritjet më madhore që kemi këto pesë vite, është pozicionimi i Shqipërisë në raport me parametrat e mjedisit, në vendin e 23-të në botë, ndërsa katër vite më parë ka qenë i 57-ti. Në rast se i referohemi këtij studimi shumë serioz të universitetit të Yale, të bërë me metodat më moderne, i cili merr  parametrat më kryesorë për vlerësim ndotjen e ajrit, të ujit, pyllëzimin, zhvillimin e pyjeve, rezulton se rezerva jonë e madhe për të përmirësuar mjedisin është ajri dhe uji. Ajri është problem kryesor në Tiranë, por kjo nuk do të thotë të mendojmë se nuk krijohen, edhe në qoftë se nuk ekzistojnë, probleme me ajrin edhe në qendra të tjera urbane, në zona industriale. Ndaj duke pasur tek ulja e ndotjes së ajrit potencialin më kryesor për të përmirësuar mjedisin në vend, ne do të bëjmë çdo përpjekje kundër ndotësve të ajrit. E theksoj këtë, pasi në stadin aktual treguesit e ujërave nuk janë aty ku duhet t’i kemi, por në ujëra po bëhen investime shumë serioze. Janë në ndërtim e sipër rreth 14 impiante të përpunimit të ujërave nga Velipoja deri në Ksamil. Natyrisht, ndërtimi i tyre i jep një përgjigje shumë të mirë dhe shoqërohet me një ulje drastike të ndotjes së ujërave, por problem gjithnjë mbetet Ishmi që merr ujërat e Tiranës. Por edhe për Ishmin ekzistojnë fondet, është kredia prej 120 milion dollarë që qeveria ka siguruar nga  qeveria japoneze. Fatmirësisht, 8 maji hap plotësisht perspektivën e zgjidhjes së këtij problemi. Pas zgjedhjeve lokale, kryetari i ardhshëm i bashkisë do të ketë një nga përparësitë më kryesore përpunimin, pastrimin e ujërave të zeza të kryeqytetit, mos derdhjen e tyre në det, por trajtimin paraprak të tyre. Në këtë mënyrë, në një kohë të shkurtër, me ujërat ne do të arrijmë standardet ndër më të mirat në Mesdhe, do të qëndrojmë në krye. Ndaj theksova se duhet të jemi shumë të vëmendshëm drejt ajrit.  

 

Outsource apo dhënia me koncesion duhet të konsiderohet për të gjitha shërbimet, përfshi edhe elementë thelbësorë të Autoritetit të Kontrollit të Ushqimeve. Në tërësi procesi i certifikimit është në duart e kompanive private, por duhet të nxitet edhe më tej. Sikundër, Ministria e Shëndetësisë, bashke me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, duhet të bëjnë çdo gjë që i tërë shërbimi ambulator të bëhet outsource. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se qytetarët do të rëndohen. Buxheti i shtetit do të përballojë të gjitha shërbimet e qytetarëve të siguruar. Buxheti i shtetit, me ligjin e ri do të mbulojë të gjitha shpenzimet e qytetarëve që nuk kanë mundësi financiare të sigurohen. Në rast se ecim dhe duhet të ecim drejt një shërbimi të ofruar nga sektori privat, ne rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e këtij shërbimi dhe shmangim çdo lloj ryshfeti apo korrupsioni.

 

Sot, duhet të jemi të vetëdijshëm se përveç arsimit dhe shëndetësisë dhe për këto kam parasysh spitalet, shërbimin dytësor, tretësor dhe shkollat publike, në tërësi shërbimet i besohen më të mirit në sektorin privat. Shërbimet janë zgjedhje për qytetarin, i cili ka të drejtë të zgjedhë shërbimin më të mirë. Por, nga ana tjetër, përveç cilësisë së shërbimit që është jashtëzakonisht e rëndësishme, për qeverinë, për sektorin publik rëndësi kapitale ka nxjerra tërësore e këtyre procedurave jashtë korrupsionit.

 

Zoti ministër i Drejtësisë, në raportin e Komisionit Europian ka probleme shumë serioze në procedurat e emërimit, transferimit, shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Është e domosdoshme që ekipi i Bashkimit Europian që asiston reformën ligjore në vend, i atashuar pranë Ministrisë së Drejtësitë, të angazhohet për përcaktimin e kritereve dhe standardeve më transparente në emërimin, transferimin, shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Për deputetët bëmë një zgjidhje do ta gjykoja shumë pozitive, e cila është meritë e deputetëve të shumicës që pranuan të vendosin një standard të ri në historinë e parlamentit shqiptar. E theksova në parlament dhe e theksoj sërish në rast se opozita është vërtet e interesuar për kufizimin  imunitetit, të sjellë propozimet për të amenduar Kushtetutën për këtë çështje. Natyrisht, nuk e ka me seriozitet se prapa këtij propozimi fshihen disa propozime të tjera të lidhura me datën 21 janar, para dhe pas saj, të cilat janë të pashpresa, fshihen disa lloj ndryshimesh të tjera në Kushtetutë, të cilat nuk do mund të ndodhin ndonjëherë. Por, në rast se duan të bëhen të sinqertë, ne e mirëpresim.

 

Unë kam ndjekur me interes debatin që u zhvillua dhe që e nxitët ju zoti ministër, për të vendosur një standard të ri nëpërmjet një rregulloreje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Konferencës së Gjyqtarëve për kufizimin e imunitetit. Konstatova se ky propozim u kundërshtua nga drejtuesit e atij institucioni, të cilët kanë edhe përgjegjësinë kryesore për luftën kundër korrupsionit në ato institucione. U propozua si alternativë ndryshimet ligjore që kërkojnë 3/5 në parlament. Faktikisht, të bësh një propozim të tillë, pas bllokimit të ligjit të Gjykatës Administrative, do të thotë thjesht të lash duart me një proces, i cili është i një rëndësie kapitale. E kam theksuar dhe e theksoj se në trupën e gjykatësve dhe prokurorëve ka një tërësi gjyqtarë e prokurorë të përgjegjshëm, që zbatojnë ligjin me ndershmëri e korrektesë dhe i kanë bërë shërbime të mëdha këtij vendi. Në rast se Shqipëria është bërë një vend i sigurt, këta kanë kontributin e tyre thelbësor. Natyrisht, në këtë sistem, siç thuhet në raport, emërimet, shkarkimet, transferimet janë jo transparente e me procedurë shumë të dyshimtë. Raporti i mëparshëm thoshte se të sapoemëruarit marrin ryshfet, për të paguar investimin që kanë bërë. Në këtë kontekst, është shumë e domosdoshme që të përcaktohen procedurat më transparente, në mënyrë që të emërohen, shkarkohen, transferohen pa lënë nënkuptuar se detyrohen të paguajnë ndonjë gjë e se detyrohen të marrin për të paguar. Ndaj përcaktimi i këtyre kritereve, sëbashku me Euralius, i cili ka ekspertë të shquar europianë dhe me ekspertë shqiptarë, duhet të jetë një nga përparësitë  e punës suaj zoti ministër dhe një nga çështjet kryesore që ju duhet të mbroni në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Unë e di që ju e keni ngritur këtë çështje, por kjo ka shumë muaj dhe çështja duhet të avancojë.

 

Zotërinj ministra, në çdo procedurë e proces, ne duhet të kemi kriter të parë luftën kundër korrupsionit. Agjencia e Prokurimeve Publike po përgatit katalogun elektronik të blerjeve të vogla. Edhe ky është një zhvillim tjetër i ri shumë pozitiv, sepse ata që nënvleftësojnë gjërat e vogla të lexojnë tregimin e Dino Buxatit “Minjtë”. E kam thënë edhe më parë, është një tregim jashtëzakonisht interesant, sesi në vilën e një profesori në një nga vendet më piktoreske, i shumoheshin minjtë, të vegjël, por që ia këpusnin trarët e shtëpisë. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme të disiplinojmë edhe blerjet e vogla, të bëjmë katalogun elektronik të blerjeve, i cili fut rrezen e dritës edhe në këto shpenzime, që sigurisht nuk janë të rëndësishme, në qeveri të tjera ekzistojnë në shuma 2-3 herë më të mëdha sesa ne. Ndonëse ne kemi një shumë të paktën 50-70 përqind më të vogël, sesa qeveri të tjera, edhe në këto vendosim rrezen e dritës.” 

***

 

Në mbledhje, Kryeministri u ndal edhe në pajisjen e biznesit me kasat fiskale, për të cilën u shpreh:

 

“Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj me shumë respekt e mirënjohje biznesin shqiptar, për shkallën e lartë të përgjegjësisë që kanë treguar në vendosjen e kasave dhe i siguroj se çdo qindarkë do të paguhet nga buxheti i shtetit, si dhe u kërkoj qeveritarëve vendorë të dorëzojnë faturat, në mënyrë që qeveria të disbursojë nga buxheti, në përputhje me premtimin e ligjin që ka kaluar në parlament, çdo qindarkë që kompanitë, sipas ligjit, janë autorizuar ta zbresin në taksat që do paguanin dhe kompensimi do të jetë i plotë nga buxheti qendror. Ne kemi vepruar shumë drejtë. Faktikisht, i kemi dhënë ato gratis, por të mos harrojmë se gjeneratori i të gjithë zhvillimit e pasurimit të këtij vendi është biznesi. Pra, u kemi dhënë një ndihmë plotësisht të merituar, sikundër modernizmi, pajisja me kasa është absolutisht identike si edhe pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike, është një shkëputje e madhe dhe ardhje në modernistet. Sistemi kasave është sistemi më modern që ekziston, me server të përbashkët dhe i shërben shumë lirisë së tregut, luftës kundër informalitetit, por edhe shërbimit të qytetëruar. Pas vendosjes së kasave, natyrisht, qytetarët me faturat që do të mbledhin do të kenë të drejtën e rimbursimit. Tani bëhet edhe deklarata e qytetarit për të ardhurat. Kështu, ne po ecim drejt një qëndrimi të ri të shoqërisë shqiptare ndaj taksave, detyrimeve të shtetit ndaj tyre dhe praktikave më moderne”.

 

 



23/02/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave