Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha prezanton objektivat dhe detyrat pėr sezonin e ri turistik 2011
 

Kryeministri Berisha thirri sot mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për të diskutuar mbi problematikën në fushën e turizmit, ku u përcaktuan edhe angazhimet e detyrat për çdo ministri në pritje të sezonit turistik. Në funksion të bashkërendimit të politikave prioritare e ndërsektorale për turizmin, u miratua ngritja e Komitetit Ndërministror për Turizmin.  

 

Kryeministri tha se një nga zhvillimet më të mëdha të 6 viteve të fundit, ka qenë rreth 11-fishimi i vizitorëve e turistëve në vendin tonë, çka e përcakton turizmin edhe si degën më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

 

Duke theksuar faktin se Shqipëria është përcaktuar si ndër destinacionet kryesore turistike të planetit për vitin 2011, Kryeministri kërkoi nga të gjitha ministritë dhe strukturat e tjera angazhim maksimal në realizim të një sezoni turistik të standardeve më të mira. Në këtë drejtim, u përcaktua edhe angazhimi i anëtarëve të Komitetit Ndërministror të Turizmit për ndjekjen e problematikave dhe bashkërendimin e punës me pushtetin lokal, me qëllim që e gjithë infrastruktura turistike të jetë gati për hapjen e sezonit të ri turistik, sipas zonave të mëposhtme:

 

- ministri i Turizmit dhe Kulturës  - Durrës;

- ministri i Transporteve - Kavajë e Lushnjë;

- ministri i Brendshëm - Tiranë;

- ministri i Mbrojtjes - qarku Shkodër-Kukës;

- ministri i Shëndetësisë – qarku Elbasan;

- ministri i Financave - qarku Korçë;

- ministri i Bujqësisë - Vlorë dhe Sarandë;

- ministri i Mjedisit - qarku Lezhë;

- ministri i Drejtësisë - Krujë;

- ministri i Ekonomisë - Fier;

- ministri i Arsimi - qarku Dibër;

- ministri i Punës - Gjirokastër;

- ministri i Inovacionit - Berat.

 

Gjithashtu, Kryeministri përcaktoi edhe detyra konkrete për çdo ministri:

 

- Ministria e Turizmit dhe Kulturës, të sjellë brenda muajit mars në Këshillin e Ministrave, ligjin Për turizmin; përgatitjen e një fushate intensive me spote promocionale në rrjetet CNN dhe Euronews dhe promovimin e turizmit në median rajonale; të përmirësojë ndjeshëm prezantimin e monumenteve të kulturës, qendrave arkeologjike dhe muzeve të saj; përgatitjen e kuadrit të nevojshëm për turizmin e vitit 2012, që përkon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë; përcaktimin e një logoje të re për prezantimin e Shqipërisë; organizimin e veprimtarive artistike në zona turistike.

 

- Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me prefektët, përcaktimin me qartësi të korridoreve ujore, ku do të mund përdoren mjetet lundruese.

 

- Ministria e Transportit, të marrë masa që të përfundojnë të gjitha rrugët, në zonat turistike dhe vendndodhjeve arkeologjike.

 

- Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë, të ushtrojnë kontroll rigoroz dhe të rivendosin ligjin dhe kushtet në të gjithë territorin, përsa i përket standardeve të pastërtisë ujore.

 

- Ministria e Shëndetësisë, të bëjë një riorganizim tërësor të shërbimit shëndetësor në funksion të turizmit, gjatë sezonit turistik.

 

- Ministria e Financave, hartimin e një kuadri me lehtësi fiskal për investimet turistike në zonat malore, si dhe në përputhje me Direktivën e Bashkimit Europian, të shihen lehtësi fiskale për operatorët turistikë.

 

Por, më gjerësisht në prezantimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Në këtë mbledhje, ne instituojmë Komitetin Ndërministror për Turizmin në një format të ri, i cili ka për qëllim bashkërendimin dhe përcaktimin e politikave prioritare në kuadër të zbatimit të strategjisë sektoriale të turizmit, marrjen e masave për zhvillimin, promovimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

 

Një nga zhvillimet më të mëdha, më të fuqishme të këtyre 6 viteve të fundit, 2005-2011, ka qenë rreth 11-fishimi i vizitorëve e turistëve që hyjnë në vendin tonë. Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët, pasi një degë pothuajse inekzistente e ekonomisë shqiptare shndërrohet në një hark kohor 5 vjeçar, në një nga degët më të fuqishme dhe kryesore të kësaj ekonomie. Në një hark kohor 5 vjeçar, tregu i këtij vendi ka jo më 3.5 milion konsumatorë shqiptarë, por po kaq vizitorë e turistë nga mbarë bota. Në një hark kohor 5 vjeçar, Shqipërinë e kanë vizituar miliona e miliona qytetarë të vendeve nga mbare bota, nga Australia, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelanda e Re, Kina, vende të Europës dhe kanë qenë pikërisht këta vizitorë që me përshtypjet e thella pozitive janë bërë promovuesit e shkëlqyer të potencialit të jashtëzakonshëm turistik të këtij vendi. Janë pikërisht këta vizitorë që bënë të njohur në mbarë botën, bukuritë mahnitëse të brigjeve të deteve dhe liqeneve të këtij vendi. Janë këta vizitorë që bënë të njohur në mbarë botën, mikpritjen shqiptare, si mikpritje unike, ekzemplare, ndaj vizitorëve dhe të huajve. Kanë qenë këta miliona e miliona qytetarë që vizituan Shqipërinë, gjatë këtyre 5 viteve të fundit, të cilët bënë të njohur gjithashtu shërbimet, ushqimin e gatimin e  shijshëm. Fakt ky, i njohur nga udhëtarë të ndryshëm në të gjitha kohërat. Në një festë popullore në Libohovë, 4 vjet më parë, kryetari i bashkisë në fjalën e tij do të theksonte se lordi Bajron shkruan se në kafenetë e mejhanet e Libohovës gjen më shumë shije, se në ato të Madridit dhe të metropoleve të tjera europiane. Po kështu, Andre Zhid, në udhëtimin e tij në perandori, shkruan se ajo që mbahet mend në trojet shqiptare është ushqimi i shijshëm. Ai tha edhe atë tjetrën që e kam thënë dhe e rithem sërish, burra të bukur. Kur e lexova për herë të parë, mendova se mbase nga fanatizmi shqiptarët nuk do t’i kishin nxjerrë gratë e tyre për shërbim, çka nuk ishte ky rasti, pasi ai ishte gay. Megjithatë rëndësi ka që ai shkroi për ushqimin këtu me superlativat më të mëdha. Natyrisht faktori i katërt, janë çmimet e arsyeshme.

 

Por të gjithë këto nuk do të mjaftonin që Shqipëria të ngjitej në çatinë e botës, në Everestin e saj, si destinacion turistik. Diçka tjetër po kaq parësore  e thelbësore në këtë pozicionim të saj është trashëgimia kulturore ndër më të pasurat. Ju mund të udhëtoni në shumë vende, por shumë vështirë, në mos e pamundur, të gjeni një vend siç është jugu shqiptar, ku në një sipërfaqe relativisht të vogël, të kufizuar ke vendndodhjet arkeologjike ndër më të rëndësishmet në Mesdhe, siç është Saranda, Gjirokastra, Butrinti, Finiqi, 40 Shenjtorët, Antigonea, kështjellat e Ali Pashës e shumë  e shumë pasuri të mëdha të trashëgimisë kulturore. Por e vërteta është se qendra të tjera arkeologjike janë monumentale për qytetërimin perëndimor, Apolonia, Durrësi, Lezha, Shkodra. Sikundër qëndrojnë me një interes të jashtëzakonshëm edhe kultura e Komanit, kështjella si Kruja apo dhe sistemi i kështjellave ndër më të përsosurat që fillon me Drishtin, në mos edhe më tej e përfundon në jugun e vendit, në Gjirokastër.

 

Të gjithë këto sëbashku dhe rendi e siguria e shkallës më të larët kanë bërë që Shqipëria të jetë destinacioni kryesor turistik i planetit për vitin 2011.

 

Natyrisht, nuk mund të themi se 21 janari, e premtja e zezë e puçistëve nuk ka dëmtuar imazhin e asaj që do shpallej në unison ‘miss bota’, për turistët e të gjitha vendeve. Ato flakë që u ndezën për pushtet kanë dëmtuar pa diskutim thellë imazhin e këtij vendi, por, nga ana tjetër, dëshmuan forcën e hekurt të ligjit dhe institucioneve të këtij vendi. Jam i bindur se qytetarë nga mbarë bota do të gjejnë në këtë vend, siguri të plotë.

 

Dje, Shqipëria u dha autorëve të puçit të së premtes së zezë të 21 janarit atë që meritonin, ndëshkimin e merituar. Dua të përshëndes me përzemërsinë më të madhe qytetarët e Vlorës, të cilët në interesin më jetik të tyre, turizmit, reputacionit dhe potencialit zhvillues të qytetit të tyre u vunë kufirin tek thana puçistëve dhe ju bënë të qartë se me Vlorën nuk mund të luhej, se Vlorën nuk mund ta tërheqë kush në aventurën puçistë të atyre që konsiderojnë dhunën për të marrë pushtetin. Në këtë kontekst, një vlerësim dhe nderim të madh dua të shpreh për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës, Delvinës, Mallakastrës, Fierit, Lushnjës, Skraparit, Kuçovës, Beratit që me qëndrimin e tyre i dhanë një përgjigje thirrjes së puçistëve për demonstratë. Dua të përshëndes me shumë përzemërsi qytetarët e Lezhës, të cilët ndoqën me përçmim të madh demonstratën që kërkonte me flakët e saj të digjte turizmin e Lezhës. Nga rrethet Tropojë, Has, Kukës, Pukë, Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Kurbin, Mirditë, Mat, Bulqizë e Peshkopi, gjithsej nuk u erdhën as byrotë e partisë, se disa prej tyre e konsideruan absurde dhe ju e patë vetë se çfarë braktisjeje i bënë qytetarët thirrjes së puçistëve, autorëve të premtes së zezë të këtij vendi. Kryeqyteti qëndron në krye të mbrojtjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë. Dje, kryeqyteti përcolli me përçmim zjarrvënësit e tij të 21 janarit. Unë përshëndes edhe punonjësit e bashkisë, ku vetëm një pjesë  e vogël marrin përsipër të bëjnë mercenarin dhe jo punonjësin civil, por në tërësi nuk dolën, i thanë jo kryetarit të tyre puçist në largim. Ju e patë se nga një megapol, në të cilin banojnë së paku 1.3 milion shqiptarë, sa ishin aty, sa u mblodhën për etjen e pashuar për pushtet të kryepuçistit dhe puçistëve. Qëndrimi i djeshëm është një frymëzim i mëtejshëm për të gjithë administratën, për të gjithë punonjësit, për të gjithë qytetarët të vazhdojmë pa u lëkundur, me intensitet të madh përmbushjen e detyrimeve tona, në të gjitha fushat.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Turizmit është dhe mbetet fusha ndër më kryesore, më të rëndësishme dhe më sensitive. E kam theksuan se për shkak të zgjedhjeve lokale në datën 8 maj, që edhe ato janë një nga përgjigjet më të shkëlqyera demokratike ndaj puçistëve, janë një hap tjetër i madh, një festë tjetër e vërtetë e demokracisë, ministrat do të jenë në detyra të caktuara konkrete për çdo rreth e qark, do të bashkëpunojnë me qeveritë vendore, të cilat natyrisht, do të jenë të angazhuara edhe në fushatë elektorale, por jam i sigurt se në fushatën e tyre elektorale, turizmi dhe zhvillimi i tij në qytetet apo komunat e tyre do të jetë një nga pikat kryesore në axhendë dhe nuk ka asgjë më të fuqishme sesa ne të përpiqemi të realizojmë sa më shumë hapa konkretë dhe arritje deri në fillimin e sezonit turistik. Në këtë kontekst, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve do të ketë nën mbikëqyrje qytetin e Durrësit, ministri i Transporteve Kavajën e Lushnjën, ministri i Brendshëm Tiranën, zoti ministër je përgjegjës për Tiranën, ministri i Mbrojtjes qarkun Shkodër-Kukës, ministri i Shëndetësisë qarkun e Elbasanit, ministri i Financave qarkun e Korçës, ministri i Bujqësisë Vlorën dhe Sarandën, ministri i Mjedisit qarkun e Lezhës, ministri i Drejtësisë Krujën, ministri i Ekonomisë Fierin, ministri i Arsimit qarkun Dibër, ministri i Punës qarkun Gjirokastër, ministri i Inovacionit Beratin. Puna duhet të fillojë menjëherë, të evidentohet gjithçka që duhet e mund të realizojmë gjer në fillimin e sezonit turistik, për të pasur tërësisht një Shqipëri ndryshe në këtë sezon.  

 

Për të pasur një Shqipëri ndryshe, një kusht është më themelor, plehrat. Të huajt shkruajnë për Shqipërinë se nuk ka një kafe e restorant të papastër, ndërsa për rrugët duhet të kthesh kokën. Ndaj ne duhet të kapemi me këtë hallkë. Në përputhje me studimet që do të bëhen, mund të blejmë inceleratorë të vegjël, nuk mund të bëhet fjalë për Durrësin a Vlorën, por për komunat ku është më e mundshme. Pra, të gjejmë çdo mënyrë për të përmirësuar situatën e mbetjeve të forta dhe për të organizuar një pastrim të akseve rrugore kombëtare që kalojnë në territorin e këtyre komunave, bashkive dhe qarqeve. Vendi ka nevojë për një make up, që duhet ta ketë natyral, duke ia larguar të gjitha këto. Në mënyrë që turisti që ka ardhur vjet të thotë se gjeta një Shqipëri ndryshe nga ajo e një viti më parë. Ky duhet të jetë një nga qëllimet tona kryesore dhe ta konsiderojmë këtë si emergjencë, pasi këtë vit presim një fluks shumë të madh turistik.

 

Këto janë disa detyra të përgjithshme, por secili prej si ministri linje keni detyra të tjera shumë të rëndësishme përsa i përket përgatitjeve serioze të sezonit turistik. Ministria e Turizmit dhe Kulturës të sjellë për miratim brenda muajit mars, në Këshillin e Ministrave, ligjin e ri Për Turizmin, i cili parashikon harmonizimin e iniciativave private dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial, me qëllim shfrytëzimin e energjive pozitive për zhvillimin e industrisë së turizmit në vend.     

 

Kjo Ministri të përgatisë një fushatë intensive me spote promocionale në rrjetet e mirënjohura CNN dhe Euronews. Fondet për realizimin e spoteve do të përballohen nga Këshilli i Ministrave. Turizmi duhet të promovohet edhe në mediat e vendeve përreth. Sikundër Ministria e Turizmit duhet të përgatisë që tani të gjithë kuadrin e nevojshëm për turizmin e vitit 2012, që përkon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Të shihet për një logo të re për prezantimin e Shqipërisë.

 

Ministria e Turizmit dhe Kulturës të përmirësojë ndjeshëm prezantimin e monumenteve të kulturës, qendrave arkeologjike dhe muzeve të saj, me qëllim krijimin e një rrjeti prej rreth 20 destinacionesh të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që do të rijetëzohen në funksion të turizmit kulturor, paketa shtetërore të ofertës turistike, e cila përfshin parqet kryesore arkeologjike kombëtare Butrinti, Finiqi, Antigonea, Bylisi, Apolonia, Orikumi, Amantia, Lezha, Shkodra, si dhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Muzeu Historik Kombëtar, Kruja etj..

 

Ministria e Turizmit duhet të marrë masa, nëpërmjet Zyrës së Shërbimit Turistik, për vendosjen e sinjalistikës turistike në të gjitha zonat bregdetare dhe malore turistike në vend.

 

Ministria e Turizmit duhet të marrë masa për aktivitete sa më intensive artistike në zonat turistike të vendit. Zoti ministër, është jashtëzakonisht e rëndësishme që turistët që vijnë të njihen me kulturën, krijimet artistike të kombit. Ndaj të shihen të gjitha mundësitë për të mbështetur me përparësi gjatë sezonit turistik, veprimtari artistike në zonat turistike. Ndodh një herë në vit që ka përpjekje për të organizuar aktivitet, por mendoj se në pikun turistik, Ministria duhet të organizojë në të gjitha arenat e mundshme, veprimtari artistike të kulturës popullore, muzikës klasike, operas etj, por  duhet të parashikohet që në sezonin turistik, të kontraktohet edhe një nga superstarët e muzikës botërore. Cilin apo cilën, atë do ta zgjidhni ju, por natyrisht duhet të jetë ai ose ajo që të rinjtë shqiptarë pëlqejnë më shumë, mund të jetë Amy Winehouse, Ledy Gaga, Shakira apo ndonjë superstar tjetër, këtë do ta përcaktoni. Por duhet të bëhet një aktivitet i fuqishëm dhe për këtë aktivitet mund të përzgjidhet një qytet, që mund të jetë Durrësi, Vlora, apo ku do ta përcaktoni. Tre vjet më parë, u soll një Dj në Himarë dhe aty vërshuan të rinjtë nga i gjithë Bregu, nga Tirana dhe qytete të tjera, ishte një vërshim i paparë. Për arritjen e kësaj mund të bashkëpunohet me sektorin privat. Zonja Bregu duhet të krijoni një juri me të rinjtë që të votojnë se kë superstar duan të sjellim. Po ashtu, mund të ndihmojë edhe opera direkt ose në bashkëpunim me trupa të tjerë. Ajo që duhet të spikasë në këtë sezon turistik është një angazhim i plotë i yni për veprimtarisë artistike, të organizuara në zonat turistike.

 

Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë së bashku duhet të ushtrojnë kontroll rigoroz dhe të rivendosin ligjin dhe kushtet në të gjithë territorin, përsa i përket standardeve të pastërtisë ujore dhe të tjera. Rëndësi të jashtëzakonshme do të ketë eliminimi i zhurmave. Zotërinj ministra, sot ka teknologji që presin zhurmën jashtë territorit të caktuar. Çdo licencë do të jepet kundrejt kushtit që nuk do të mund të përhapë zhurmë jashtë vendndodhjes së lokalit apo diskotekës. Teknika jep të gjitha mundësitë për realizimin e kësaj, mjafton të shpenzojnë e ta blejnë atë. Ky kusht duhet të jetë shumë e prerë.

 

Zoti ministër i Brendshëm, sëbashku me prefektët, do të përcaktoni me qartësinë më të madhe korridoret ujore, ku do të mund përdoren mjetet lundruese. Është e hidhur, por dy-tre vjet rresht ne kemi pasur vdekje nga individë të papërgjegjshëm, me motorët  apo varkat e ujit. Prefektët dhe Drejtorët e Policisë do të mbajnë përgjegjësi direkt, ashtu siç edhe e kanë mbajtur, në rast se ata nuk vendosin ligjin për këtë problem shumë madhor. Kur vjen puna për sigurinë e njerëzve, - nuk mund të jetë vetëm ai që shkon e pushon në Montekarlo, gjë për të cilën nuk kam kundërshtim, - por këtu duhet të përcaktohen rregulla të hekurta, ndërsa pushimet t’i bëjnë ku të duan. Me fondet e caktuara për pushtetin vendor, në rast se bashkia nuk i bën, do të autorizohen prefektët të marrin të gjitha masat për të shënjuar me bova a mjetet të tjera korridorin, ku këto mjete mund të përdoren. Ne nuk mund ta pranojmë më këtë situatë. E theksoj dy sezone rresht kemi pasur jetë të humbura, për shkak të papërgjegjshmërisë së këtyre individëve me motorë uji. Në fillim të muajit maj duhet të jenë të përcaktuara të gjitha korridoret dhe në rast se nuk respektohen, do të jetë policia, ajo që do të disiplinojë gjithsecilin. Po ashtu, shumë e rëndësishme është sistemi i rojeve në plazhe (baywatch). Zoti ministër, duhet t’u ndajmë një fond të veçantë bashkive e komunave që të stërvitim dhe krijojmë sistemin e baywatch, të cilët i vijnë në ndihmë njerëzve në rrezik mbytjeje. Duhet të jemi shumë më të organizuar. Të mos harrojmë se ky zhvillim i papërmbajtur i turizmit ndodh në një vend pa traditë turistike. Fat i madh dhe shumë pozitive është fakti se ne jemi komb mikpritës dhe mikpritjen e kemi një traditë të shkëlqyer, por, përsa i përket turizmit, në tërësi ai ka qenë inekzistent. Ndaj duhet të ngrihemi në lartësinë e kohës me çdo gjë.   

 

Ministria e Transportit duhet të marrë masa që të përfundojnë të gjitha rrugët, në Butrint, hyrja e Sarandës, kanali i Çukës, ato fare pak kilometra që kanë ngelur në Palasë dhe Borsh, rruga e Bashtovës, Novoselë-bregdet. Janë të gjitha rrugë në vazhdim dhe duhet të përfundojnë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë kemi një infrastrukturë turistike shumë të mirë. E domosdoshme është që sëbashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit të përfundoni të gjitha rrugët e zonave arkeologjike të Antigonesë, Bylisit e kudo tjetër. Ka një seri investimesh që duhet të kenë përparësi në të gjithë zonat turistike, si në Velipojë apo në Shëngjin, ku infrastruktura e këtij qyteti që mbipopullohet lë për të dëshiruar. Është e domosdoshme rruga Shëngjin-Kume, si dhe të ngrihet edhe një shëtitore më e përshtatshme në këtë qytet. Po ashtu në Velipojë, të përfundojnë projektet ekzistuese. Në Gjirin e Lalzit të shihet mundësia e përfundimit të rrugës lokale që i jep mundësi turistëve që nga Gjiri i Lalzit të ngjiten në Ishëm, ku ndodhet një kodër fantastike, me një peizazh tepër të bukur. Ka përfunduar rruga për në kalanë e Petrelës dhe shpresoj të përfundojë edhe rruga në kalanë e Prezës, me të gjithë elementet e saj, trotuaret, sinjalistikën. Rëndësi shumë të madhe kanë impiantet e përpunimit të ujërave, në Shëngjin, Velipojë, Durrës, dhe në të gjithë Ultësirën. Duhet të bëjmë çdo investim të mundur që ato të përfundojnë para sezonit turistik.

 

Për Ministrinë e Financave, është shumë e rëndësishme të sillet kuadri fiskal për lehtësitë e mëdha fiskale, për zonat malore. Investimet turistike në zonat malore, zoti ministër, duhet të çlirohen nga taksat, për një periudhë të caktuar. Këtë e them, sepse duke përjashtuat Bizën, Dardhën apo Voskopojën, të cilat ndodhën në afërsi të qyteteve me potencial të madh zhvillimor, zonat e tjera në tërësinë e tyre ndodhen në afërsi të zonave mjaft modeste për fuqinë e tyre ekonomike. Ne po ecim drejt Shishtavecit, një nga resortet turistike më të mrekullueshme për ski, por potenciali ekonomik i Kukësit nuk është në atë nivel, sa të pretendohet që të zhvillojë një qytezë dimërore turistike, ndaj duhet ta favorizojmë ne. Po kështu, Kolonja ka vendndodhje turistike malore mahnitëse dhe si ajo e gjithë Shqipëria, ndaj duhet të krijojmë lehtësi fiskale. Këtë pranverë apo në verë, ne inaugurojmë rrugën në Çajup, por ai që investon në Çajup ka një kosto më të lartë. Prandaj ne duhet shohim një kuadër fillestar lehtësues stimulues fiskal, për të gjithë ata që do të investojnë në këto zona, të cilat do të përcaktohen me hartë se cilat janë. Turizmi malor është gjithmonë më i kushtueshëm, por, nga ana tjetër, njëherësh i zhvilluar është edhe më masiv se çdo turizëm tjetër. Këtë pranverë përfundon rruga e Gjinarit, Stërblevës, këtë vit përfundon rruga e Valbonës, përfundon e tërë rruga Kuç-Peshkopi që kap Korabin, do ecet më shpejt drejt Shishtavecit, drejt kanoineve në Skrapar dhe drejt disa zonave turistike të Gramshit, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

 

Këtë vit duhet ta konsiderojmë si një vit, në të cilin ne marrim kthesën në raport me investimet drejt zonave malore dhe viti i ardhshëm, në infrastrukturë pothuajse do të jetë i orientuar drejt këtyre zonave për turizmin, infrastrukturë që është lehtësisht e përballueshme. Lura mbetet një problem. Në rast se ka prerje më të shkurtra për të dalë në Lurë nga autostrada, edhe ky variant do të shihet, por edhe nëse marrim rrugën Rrëshen-Lurë, ajo kalon në tërësi në zona të banuara, në një seri komunash Perlat, Kurbnesh, Kumbull, Fushë Lurë e me radhë. Ndaj, pavarësisht se është në lartësi të madhe, mund të konsiderohet rikonstruksioni i saj për qëllime turistike. Shpresojmë në pranverë që rruga të arrijë në Shën Gjergj. Natyrisht, do të shkohet edhe drejt zonës malore turistike Bizë të Martaneshit dhe zona të tjera që Tirana ka potencial për t’i zhvilluar dhe i zhvillon, pasi janë vetëm 40 kilometra prej saj.

 

Zoti ministër i Financave, me Direktivën e Bashkimit Europian për Turizmin ekzistojnë lehtësira fiskale për operatorët turistikë. Duhet të shqyrtoni mundësinë e përshtatjes së qëndrimit tonë fiskla ndaj këtyre operatorëve, në përputhje me këtë Direktivë. Në rast se Direktiva e përcakton, ne kemi interes t’i fuqizojmë, pasi ato janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe kanë bërë e bëjnë një punë të shkëlqyer.

 

Ministria e Jashtme të shqyrtojë dhe të shpallim sa më shpejt heqjen e vizave për sezonin turistik në listën e vendeve, sikundër heqjen e vizave në mënyrë përfundimtare për Gjeorgjinë. Zoti ministër, duhet ta sillni se ky është një vend mik, e kemi premtuar dhe do ta bëjmë realitet. Duhet të shihet i gjithë modaliteti i sistemit të vizave, natyrisht, në përputhje me detyrimin që kemi nga Shengeni, por duhet krijojmë të gjithë kuadrin plotësues ligjor e ta shpallim sa më shpejt, në mënyrë që njerëzit të bëjnë planifikimet, se të udhëtosh me vizë e të udhëtosh pa vizë janë dy gjëra krejt të ndryshme.

 

Ministria e Shëndetësisë është e domosdoshme të bëhet një riorganizim tërësor i shërbimit shëndetësor në funksion të turizmit, gjatë sezonit turistik. Këtu duhet një plan i veçantë. Shërbimi shëndetësor në të gjitha qendrat turistike të vendit, Instituti i Shëndetit Publik, bashkë me agjencitë e mjedisit duhet të jenë në krye të detyrës për standardet më të mira.

 

Ministria e Bujqësisë, të gjithë kontrollin e standardeve ushqimore dhe të bëjë çdo gjë që ato të jenë në nivelin më të lartë.

 

Zoti ministër i Brendshëm, vitin e kaluar kam bërë një bisedë me ju dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së shtetit. Mendoj se është e domosdoshme që Policia e Shtetit të ridimensionojë veprimtarinë e vet e të ketë të gjitha burimet e nevojshme, në mënyrë që të garantojë siguri të plotë për këta miliona turistë që vijnë, të adaptojë të gjitha format e punës për të parandaluar çdo lloj akti ndaj tyre. Kushdo që vjen në Shqipëri duhet të kthehet në vendin e tij, siç erdhën në këtë vend.

 

Ministria e Integrimit do të bashkëpunojë me Ministrinë e Turizmit në fushën e promovimeve. Promovimi do të jetë ndërkombëtar, rajonal, por siç thamë edhe sinjalistika, edhe e gjithë Shqipëria turistike këtë vit duhet të ketë një paraqitje krejtësisht tjetër.

 

Këto ishte pak a shumë problematika jashtëzakonisht e rëndësishme e kësaj dege të ekonomisë që për avantazhin e leverditë që ka është më e rëndësishme se çdo degë tjetër. Së pari, në rrafshin e imazhit dhe shpalosjes së potencialeve shumë të mëdha të këtij vendi. Së dyti, në mënyrë të padiskutueshme në rrafshin tregtar e ekonomik, është një degë lider në ekonominë shqiptare dhe në rast se kjo ekonomi i qëndroi krizës ekonomike e financiare botërore në mënyrë të pashoqe, një nga faktorët ka qenë edhe zhvillimi i vrullshëm, rritja e papërmbajtur e kësaj dege, e fluksit turistik në vendin tonë. Faleminderit.”



05/02/2011

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave