Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Presim me optimizėm vitin 2011, qė do tė shėnojė arritje tė tjera tė mėdha pėr Shqipėrinė e shqiptarėt
 

Kryeministri Berisha u ndal sot në mbledhjen e qeverisë në disa nga çështjet kryesore të axhendës së punës së qeverisë për vitin e ardhshëm. Pasi e vlerësoi vitin 2010 si vitin e reformave të madhe dhe arritjeve të jashtëzakonshme, Kryeministri theksoi se viti 2011 do të shënojë arritje edhe më të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët, ku axhendë kryesore mbeten reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

 

Disa nga projektet dhe nismat e qeverisë vitin e ardhshëm, Kryeministri veçoi nisjen e projekteve të mëdha si autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Kërrabës, vazhdimi drejt Tiranës i rrugës së Arbrit, autostrada Qafë Plloçë-Qukës, Kardhiq-Delvinë etj.; nisma për lehtësimin e hetimit të zyrtarëve, në shembullin e Bundestagut gjerman; konsolidimi dhe tërheqja e më të mirëve në administratën publike dhe shërbimin civil; vazhdimi i reformës në sistemin e drejtësisë, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve dhe trajtimit në institucionet e vuajtjes së dënimit; përcaktimi i një platforme të re serioze për barazinë gjinore etj..

 

Kryeministri Berisha shpalosi edhe objektivin ambicioz, kalimin e Shqipërisë brenda vitit 2017 në grupin e vendeve të zhvilluara, duke u shkëputur nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve me të ardhura të larta e shumë të larta;

 

Më gjerë në fjalë e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Zotërinj ministra,

Zonja ministre,

 

Me këtë mbledhje, ne mbyllim vitin 2010 si vitin e reformave më të mëdha, më të suksesshme të qeverisjes së vendit, si vitin në të cilin kjo qeveri, me përpjekjet më serioze, me reforma të gjithanshme ia doli të shndërroi në realitet një ëndërr të çdo shqiptari, lëvizjen e lirë pa viza. Ndaj edhe një herë një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë punonjësit e kësaj administrate, të gjithë ata që projektuan e zbatuan reformat, falë të cilave u arrit që shqiptarët të festojnë Krishtlindjet, Vitin e Ri aty ku duan, pa kufizime në lëvizjen e tyre.

 

Por viti 2010 u karakterizua nga zhvillime të tjera jashtëzakonisht të rëndësishme. Një bilanc të shkurtër paraqita dje në takimin tim përmbyllës me mediat. Sot nuk do të ripërsëris atë, por, natyrisht, është rasti të theksoj se ky kabinet pret me optimizëm të madh, me kënaqësi vitin që vjen, vit i cili do të shënojë arritje të tjera të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vit, në të cilin do të nisin projektet e mëdha siç është autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Kërrabës, për të cilën u firmos marrëveshja për 420 milion dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim. Vit, në të cilin dot hedhë shtat drejt Tiranës rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit, autostrada Qafë Plloçë-Qukës, Kardhiq-Delvinë dhe mijëra kilometra të tjera.

 

Viti i ardhshëm do të jetë viti i fitores së thellë të koalicionit për integrim në zgjedhjet e ardhshme. Duke garantuar qytetarët shqiptarë se do të votojnë si të gjithë qytetarët europianë, qytetarë të një vendi të lirë dhe se vota e tyre do të numërohet si në Shkodër dhe ashtu u numërua në të gjithë Shqipërinë, por mora Shkodrën, meqenëse kërkoi rinumërimin shkëlqesia e tij dhe Tirana do të ketë kryetarin e ri të bashkisë. Kjo edhe në një akt nuk do të thosha ndihme, por edhe kontributi që opozita të bëhet me kryetar e të mos e qeverisin më 99-shat e bashkisë dhe që qytetarët e Tiranës të kenë menaxherin e vet të problematikës së madhe të krijuar. Edhe ky do të jetë një zhvillim madhor pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët, në vitin e ardhshëm.

 

Po ashtu, do të shënohet progres i madh në ndërtimin e Shqipërisë europiane, afrimit me të gjitha standardet e vendeve të Bashkimit Europian. Pasi koha nuk pret, brenda viti 2017 Shqipëria duhet të kalojë në grupin e vendeve të zhvilluara, duhet të shkëputet me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve me të ardhura të larta e shumë të larta. Unë e kuptoj se ata që më dëgjojnë, e vlerësojnë këtë me një skepticizëm, por unë i falënderoj ata për skepticizmin e tyre, sepse skeptikë ata ishin edhe 4 vjet më parë, kur deklaruam ‘Shqipëria dixhitale’. Katër vjet më parë, ne e kishim përdorimin e internetit në vend 4.8 përqind dhe  mbyllim këtë vit me 45 - 50 përqind. Vetëm në facebook janë mbi një milion shqiptarë. Skepticizëm kishte edhe kur deklaruam se do të asfaltojmë fillimisht 4 mijë kilometra dhe më pas u bënë 6 mijë kilometra. Skepticizëm kishte dhe ka edhe për autostradën Tiranë-Elbasan, por tenderi u hap dhe paratë u gjetën. Madje, u krijua edhe grupi antitunel në parlament si shprehje e këtij skepticizmi, por nuk e pengoi dot. Nuk e kuptoj se çfarë ka me tunelet. I ati i tij shpirtëror ndërtonte tunelet e asgjëkundit, ndërsa ky e quante rrugën e kombit rrugën e asgjëkundit. Ky skepticizëm veçse më inkurajon.

 

Po ashtu, jam shumë i inkurajuar me rritjen e fuqishme ekonomike, rritjen e eksporteve, me hovin e madhe në fushën dixhitale, në fushën e turizmit, me burimet natyrore të pallogaritshme të vendit. Ky vend pret me padurim që të renditet ndër vendet e zhvilluara të planetit. Ndaj, në rast se ky vit ishte viti i reformave më të mëdha e të suksesshme në historinë e Shqipërisë, viti tjetër do të bëjë që këto reforma të tejkalohen disa herë. Kështu që të falënderojmë të gjithë ata që bënë të mundur arritjet e këtij viti dh të shprehim besimin e plotë që viti tjetër do të jetë  viti më i mirë për Shqipërinë e shqiptarët.

 

Zotërinj ministra,

Zonja ministre,

 

Axhenda kryesore e kësaj qeverie janë reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Komisioni Europian ka botuar raportin, për të cilin ne kemi bërë të gjitha vlerësimet në tërësinë e tij qartësisht pozitive dhe jemi angazhuar ta shndërrojmë në një program të vërtetë pune. Unë jam informuar se të gjitha ministritë po merren në mënyrën më serioze me kapitullin dhe problematikën përkatëse. Është përcaktuar një kalendar i mirëpërcaktuar për çdo institucion. Mendoj se kërkesat që parashtron raporti janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe plotësisht të mundshme për t’u realizuar. Po marr një prej tyre, lehtësimin e hetimit të zyrtarëve. Gjykoj se në mungesë të heqjes së imunitetit për shkak të mos pranimit të opozitës, e cila pretendon të luftojë korrupsionin duke ruajtur e u fshehur pas imunitetit, ne duhet të sanksionojmë me një deklaratë të firmosur nga të gjithë anëtarët e mazhorancës në shembullin e Bundestagut gjerman, në të cilën ata deklarojnë se nuk njohin imunitet përsa i përket korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Gjykoj se ministri i Drejtësisë këtë çështje duhet ta diskutojë edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që gjyqtarët tanë të deklarojnë se nuk njohin imunitet. Për këtë praktikë, gjermanët nuk kanë ndryshuar Kushtetutën, por kanë vendosur një standard në krye të çdo legjislature, të cilin edhe Gjykata e tyre Kushtetuese që është më e fuqishmja në Europë e ka lënë të vlefshëm, nuk e ka atakuar. Në këtë mënyrë, parlamentarët dhe gjyqtarët, pasi prokurorët nuk e kanë më imunitetin në ligjin e ri, bëhen të përgjegjshëm para ligjit, ashtu siç e kërkon standardi i një vendi të lirë e të civilizuar. Mora këtë shembull se nuk duhet që ne të rrimë duar kryq, sepse Edvin Rama nuk do të votojë. Ne kemi mundësi të shumta për zgjidhje alternative me efekt të njëjtë. Ata le të rrinë me imunitet, se atë imunitet atyre ia ka garantuar prokuroria, e cila fle mbi 400 dosje të dorëzuara dhe kjo është keqardhje. Duke shprehur vlerësimin më të madh e duke i bërë thirrje prokurorisë nga kjo sallë që të hetojë çdo çështje që ngrihet për secilin zyrtar të këtij vendi, nuk mund të mos shpreh qëndrimin tim, mosaprovimin tim të plotë ndaj njëanësisë së saj totale në shqyrtimin e këtij fenomeni. E falënderoj për të gjitha çështjet që ngre në drejtim të administratës, por, absolutisht, i bën shërbimin më të keq opozitës shqiptare dhe vendit duke fjetur mbi dosjet e korrupsionit saj.

 

Zoti Ministër i Drejtësisë, reforma e gjyqësorit është një kërkesë e drejtë. Ne kemi këtu një mision të BE-së, EURALIUS. U inaugurua programi i ri. Është jashtëzakonisht e domosdoshme të përpunohet standardi i transparencës i emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe këtu nuk ka asnjë pengesë. Ligji aktual është i ri dhe brenda të gjitha standardeve mbi organizimin e drejtësisë, por ai mund të plotësohet me një rregullore të qeverisë së drejtësisë dhe qeveria e drejtësisë është Këshilli i Lartë i drejtësisë, i cili bën një proces tërësisht transparent, ashtu edhe siç kërkohet, në emërimin, transferimin dhe ndëshkimin e gjyqtarëve. Ka një kundërshti në problemin e inspektimeve. Unë mendoj se në marrëveshje me KLD-në, ky problem mund të gjejë një zgjidhje adekuate. Pra, reformat janë dhe duhet të jenë të pandalshme. Por Dauti i mban votat në kuti dhe thotë nuk t’i jap, po nuk shkatërrove votën. Referojuni arkivave dhe aty do të gjeni historinë që ju kam treguar kohë më parë për Dautin e fshatit  tim. Kjo është zgjedhja e tij. Ne jemi shumicë dhe gjejmë të gjitha rrugët për të arritur në mënyrë ligjore qëllimet e mira me reforma. Kohën nuk mund ta ndalë askush.

 

Administrata publike ka arritje të mëdha. Shërbimi civil sot, në 21 përqind të tij përbëhet nga vajza dhe djem të graduar nga universitetet më të mira të botës. Ajo çka do të bëjmë është ta thellojmë këtë përqindje. Softi perëndimor në administratë duhet të zgjerohet dhe fuqizohet gjithnjë e më shumë. Ndaj zoti ministër i Brendshëm, Departamenti i Administratës Publike duhet të shqyrtojë të gjitha mundësitë në mënyrë që administrata publike, shërbimi civil të ketë shkallën më të lartë të kualifikimit.

 

Viti që vjen do të jetë viti i një platforme të re serioze për barazinë gjinore. Ne duhet ta kemi të qartë se nuk ka potencial më të madh zhvillimor në rrafshin njerëzor, sesa rendja drejt barazisë gjinore reale. Është miratuar një Strategji, por do të bëhet plani i veprimit. Detyrime të mëdha ka qeveria, të gjitha ministri dhe institucionet. Po ndalem në një aspekt. Në Shqipëri nuk ka diferenca ligjore në pagat midis gjinive, por në fakt ka diferenca të mëdha reale. Në studime që u referohen të dhënave të vitit 2005, kjo diferencë është 35 përqind. Një studim i ri duhet të bëhet dhe ne do ta bëjmë për të konstatuar se ku jemi. Do të bëjmë gjithçka që këto diferenca të marrin fund. Por këtë diferencë, në pjesën më të madhe e krijon biznesi. Ministri i Ekonomisë, i Financave, i Bujqësisë duhet të bëni që i gjithë sistemi i kreditimit të kalojë në drejtim të kryetares së familjes, pasi duhet të zhvillojmë konceptin e bashkëkryetarit. Aty ku lexon kryefamiljar, do të lexojë edhe kryefamiljare dhe kredia do të shkojë në përqindjen më dërrmuese drejt grave. Zotërinj ministra, çfarë është kreditim që nxitet nga qeveria do të ketë qartësisht anësim gjinor. Kjo përmirëson edhe bizneset, i shpëton ato nga sharlatanët. Gratë janë më serioze dhe korrekte. Ne do ta bëjmë këtë përpjekje serioze dhe qeveria ime qëndron e vendosur të bëjë çdo gjë në këtë aspekt. Është fat i madh që në shëndetësi, në arsim, në universitete predominojnë gratë e vajzat, por ne duhet të bëjmë gjithçka që ato të ndjekin karrierën. Karriera duhet të jetë e barabartë. Por në biznes ka një pabarazi të jashtëzakonshme. Më vjen keq se sa herë e shtroj këtë çështje edhe në biseda private me miq më thonë se nuk është ende koha për gratë dhe kjo, sepse janë rrethanat që e vështirësojnë. Koha është që qeveria të bëjë gjithçka për të rritur rolin e tyre në biznes dhe kjo rritet duke i përparësuar gratë në kreditim. Qeveria nuk mund të emërojë grabiznesmene, por këtë mund ta bëjë. Madje është faktuar edhe në botë se, nëse do të heqësh kreditë e këqija, jepja grave. Të pakën nuk ndodh që ato të shkojnë në kazino e ta bëjnë ‘rrush e kumbulla’ kreditë. Ndaj duhet ta marrim me seriozitetin më të madhe e të nxisim pjesëmarrjen e tyre në biznes, pasi kjo diferencë nuk mund të pranohet. Një nga drejtimet themelore të kësaj qeverie në punën e saj vitin e ardhshëm, do të jetë edhe kjo. Sikundër do të përgatitet ligji, i cili së pari, përjashton nga falja të gjithë të dënuarit për dhunë ndaj grave, gjë që e kemi në dorë, pasi është  ligj që kalon me shumicë të thjeshtë. Së dyti, amendimin e Kodit Penal, dënim përjetë për ekzekutim të gruas. Por këtë e votojmë kur të dojë edhe opozita, pasi nuk i kemi votat e nevojshme për të ndryshuar Kodin, por ne duhet të përgatisim dhe të dorëzojmë në parlament amendimin. Të amendohet gjithashtu ligji dhe në listën e atyre që nuk falen do të jenë edhe ata që dënohen për dhunë në familje. Ti mund ta zgjidhësh kontratën që ke me bashkëshorten, por nuk mund ta trajtosh kurrë atë si kafshë. Unë nuk kisha ndërmend të ndalesha në këto çështje, por duhet ta dini se kjo strategji do të marrë përparësi absolute gjatë viti që vjen. Është bërë shumë, por kemi mundësi për të bërë shumë më tepër vitin që vjen.

 

Kemi edhe problemin e romëve. Zoti ministër i Arsimit, vitin që vjen do të hapen shkollat me ushqim për romët. Ligji që miratuam për mosdiskriminimin e pakicave është ligj kryesor dhe duhet ta kemi shumë të qartë se ai ligj do të ketë fuqi kushtetuese. Një ligj që shumë pak vende e kanë, por e vërteta është se ne kemi nevojë ta kemi atë, pasi ne dolëm nga një monizëm ekstrem me një problematikë dhe ky ligj i bën shumë nder shoqërisë shqiptare, e bën më të drejtë, më të përmbajtur dhe cilido që në pozicionin e tij është pakicë duhet ta ndjejë vetën se ka mbrojtje ligjore. Filozofia e këtij  ligji është shumë  e ndershme, shumë e drejtë, shumë humane. Është krijuar komisionari dhe do të mbështetet me të gjitha mundësitë. Ne e kemi shumë të nevojshëm që çdo qytetar në këtë vend të dijë që ka mbrojtje ligjore, i çfarëdo lloj pakice që mund të jetë. Trysnia mbi pakicat është rrënuese. Nëse dikush ndjen trysninë e shumicën, ai nuk mund të ketë jetën të qetë, atë jetë që dëshiron të bëjë.

 

Janë bërë ndryshime të jashtëzakonshme në përmirësimin e situatës në burgjet tona, një ndryshim si nata me ditën. Por, absolutisht, nuk jemi aty ku duhet të jemi. Në mënyrë të veçantë, zoti ministër i Drejtësisë, duhet të përmirësohet ndjeshëm sistemi i paraburgimeve dhe do të përcaktohen rregulla shumë të qartë, kur individi merret nga policia në paraburgim. Ministrisë së Drejtësisë i takon detyra e denoncimit me forcën më të madhe të çdo akti dhune, torture fizike apo psikologjike që mund të ushtrohet ndaj një qytetari nga policia e shtetit derisa e sjell aty, apo policia e institutit ku vuan, në paraburgim apo burg. Ne kemi bërë investime shumë të mëdha në këto institucioneve dhe absolutisht, në filozofinë tonë është antitortura. Ky është qëndrim i prerë. Ata që nuk e respektojnë këtë, na fyejnë të tërëve, fyejnë ndërgjegjen tonë shoqërore. Ne jemi shtet dhe kemi të gjitha instrumentet për të dhënë të gjitha dënimet, por nuk prekim integritetin as fizik dhe as psikologjik të tjetrit. Ne jemi një vend që kemi hequr dënimin me vdekje. Ndaj këtë dimension duhet ta ridimensionojmë më tej. Rekomandimet e Avokatit të Popullit duhet të zbatohen, pasi janë rekomandime mbi bazë standardesh. Disa rekomandime të tjera janë për institucione të tjera dhe jam i bindur se edhe ato në të njëjtën mënyrë do t’i analizojnë.

 

Nga fillimi i janarit, ne do të analizojmë të gjithë problematikën sipas ministrive, por unë u ndala edhe një herë në një rikujtesë problematikës, e cila duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh. Trajtimi i saj shtyn më tutje çështjen e Shqipërisë europiane. Ne do të bëjmë çdo gjë që varet nga ne. Natyrisht, Dauti është Daut. Dhe këtu dua ta qartësoj, pasi ka dalë edhe një Daut tjetër në skenë, se e kam fjalë për Dautin e fshatit tim, i cili shkonte e i bënte presion nënës së tij, edhe pse e varfër, duke i thënë se nëse nuk më gatuan këtë, do të shkoj të vjedh.

 

Edhe një herë, gëzuar Vitin e Ri!”



29/12/2010

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave