Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Qeveria shpall gjendjen e emergjencės civile nė zonat e prekura nga pėrmbytjet, nė qarkun e Shkodrės
 

Këshilli i Ministrave miratoi sot, me kërkesë të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, në bashkërendim me autoritet vendore dhe Komitetin e Emergjencës të qarkut të Shkodrës, shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, qarkun e Shkodrës.

 

Kryeministri Berisha, pasi bëri një përshkrim të situatës më të fundit, të krijuar në këtë zonë nga vazhdimi i reshjeve të shumta të shiut dhe për pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të prurjes së lumenjve të Alpeve, me mbi 2000 m3/në sekondë, tha se me këtë akt dhe me të gjithë masat që e shoqërojnë atë, duhet të bëjmë që të zvogëlojmë në maksimum dëmet e pasojat e përmbytjeve në këtë zonë.   

 

Në mbledhje, Kryeministri bëri një përshkrim të hollësishëm të situatës:

 

“Në këtë mbledhje, ne do të vendosim për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës, pasi ecuria e prurjeve nga të gjitha anët e bën të domosdoshëm evakuimin e shpejtë të popullatës. Prej shumë ditësh, prurjet, të marra sëbashku, në kaskadë arrijnë në 3000 m3/në sekondë. Në veçanti prurje të papërmbajtura, që mund t’i quanim edhe të tërbuara, kanë qenë prurjet e lumenjve të Alpeve, që kanë një agresivitet të madh, pasi liqenet e Komanit dhe Vaut të Dejës janë shumë më të vegjël në kapacitet mbajtës, sesa liqeni i Fierzës. Ditët e fundit, prurjeve të paprecedent të lumenjve të Alpeve që kanë arritur në 1800-2000 e më shumë m3/në sekondë i janë shtuar edhe prurjet me mesatarisht 1300 m3/në sekondë të Drinit, çka bën të detyrueshëm shkarkimin më të madh nga portat e liqenit të Vaut të Dejës, në mënyrë që të mbahen jashtë rrezikut digat dhe i tërë sistemi.

 

Mbledhja e mbrëmshme ka përcaktuar detyra njëlloj sikur të ishte shpallur gjendja e emergjencës, por prurjet vazhdojnë dhe janë 3000 m3/ në sekondë në të gjithë kaskadën, çka imponon shkarkime të konsiderueshme nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Ndërkohë, prej më shumë se tre javësh prodhohet energji elektrike në sasitë më maksimale, 27-28 kilovat/orë në ditë.

 

Ushtria ka të dislokuar të gjithë automjetet e nevojshme të transporti tokësor, por edhe varkat.

 

Me kërkesë të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, në bashkërendim me autoritet vendore dhe Komitetin e Emergjencës të qarkut të Shkodrës, do të vendosim të shpallim gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këtë zonë, ku të veprohet sipas ligjit që ka vendi për të tilla raste e në të tilla zona.

 

Ndërkohë, evakuimi po vazhdon me shpejtësi. Nuk ka jetë të humbura. Po merren të gjitha masat për sistemimin e të avakuuarve në konvikte dhe hotele, po merren të gjitha masat për t’u siguruar të gjitha shërbimet banorëve të evakuuar, si dhe po merren të gjitha masat për të garantuar bazën ushqimore edhe për gjënë e gjallë.

 

Parashikimet sinoptike janë për një mot të tillë të zgjatur. E vërteta është se ky është një mot i thellë në mbarë Europën, i shoqëruar me përmbytje të mëdha, por edhe me humbje jetësh njerëzore në disa vende të Europës, apo në disa vende të tjera shoqëruar me borë të madhe. Sidoqoftë parashikimet për dy javët e para të dhjetorit janë parashikime të një moti të thellë. Ndaj duhet të veprohet me shpejtësi. Unë dua të përshëndes autoritetet vendore dhe banorët, të cilët me përgjegjësi të lartë po sillen po e trajtojnë këtë situatë.

 

Ndërkohë po bëhen disa përpjekje të tjera për të zgjeruar, në qoftë se është e mundur, nga territori i Malit të Zi, pasi në këtë zonë nuk ka si të zgjerohet, shtrati i Bunës, në një zonë, ku ajo ngushton, me shpresën se do të rriten kapacitetet derdhëse të saj.

 

Por pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë evakuimin me shpejtësi të popullatës të gjithë zonës së nën Shkodrës dhe zonës së Livadheve të qytetit të Shkodrës, pasi sot shkarkimet janë të mëdha. Këto shkarkime, me nivelet aktuale të prurjeve edhe të liqeneve, janë domosdoshmëri absolute, në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj rreziku serioz të sistemit të kaskadës së digave. Menaxhimi ka qenë shumë i përgjegjshëm. Edhe një herë dua të informoj se për t’i paraprirë shmangies së këtyre pasojave,  Fierza u ul në nivelin 282 metra dhe ky vendim u mor në një kohë, kur nuk ishte e qartë sinoptika dhe mund të kërcënohej edhe furnizimi me energji, por ne vendosëm që, në rast se do të ishte e nevojshme, të blinim energji për të shmangur këtë. Forcë madhore, jashtëzakonisht problematike, kanë qenë prurjet e lumenjve të Alpeve, të papara ndonjëherë. Para një jave, vetëm këto prurje, të marra sëbashku, pa Fierzën, kanë arritur në 2800 m3/në sekondë. Është bërë çdo gjë që liqenet të mos bëhen kërcënues dhe nuk janë bërë, por shkarkimet janë të pashmangshme, pasi nga burimet që derdhen në liqe, fryrja e liqenit është e konsiderueshme. Ka përmbytje, të cilat nuk janë para prej dhjetëra vitesh në zonën e Malit të Zi.

 

Me këtë akt dhe me të gjithë masat që e shoqërojnë, ne duhet të bëjmë që të zvogëlojmë në maksimum dëmet e pasojat e këtyre përmbytjeve.”

 
01/12/2010

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave